Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, doli pas gjashtë orësh të intervistimit të tij në Prokurorinë e Posaçme në Hagë që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pas luftës në Kosovë.
Ai nuk bëri ndonjë koment derisa doli nga ndërtesa e Prokurorisë ku do të kthehet të mërkurën për të vazhduar ditën e tretë të intervistimit.
Ai nuk bëri ndonjë koment as derisa hyri sot në orën 13 në ndërtesën e Prokurorisë ku një ditë më parë qëndroi për gjashtë orë. Në fund të ditës së parë ai tha shkurt se ka dëgjuar “shkëmbimet mbi teknikalitetet ndërmjet prokurorit dhe avokatit të tij mbrojtës dhe kjo do të vazhdojë nesër.
Avokati i tij mbrojtës është amerikani Pierre-Richard Prosper, i cili në pjesën e dytë të viteve të 90-ta kishte qenë prokuror në Gjykatën Ndërkombëtare të OKB-së për Ruandën.
Si prokuror në Departamentin amerikan të Drejtësisë, kishte shërbyer edhe në poste të tjera përfshirë atë ambasadorit për çështje të krimeve të luftës në periudhën e administratës së presidentit George Bush.
Prokuroria e Posaçme me 24 qershor publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Të hënën para se të hynte në ndërtesën e prokurorisë presidenti Thaçi tha se është i gatshëm të përballet me atë që ai e quajti sfidë të re ndërsa nënvizoi se askush nuk mund ta rishkruajë historinë.
Akuzat i janë dorëzuar një gjykatësi të procedurës paraprake i cili duhet të vendosë për konfirmimin apo hedhjen poshtë të tyre. Në pritje të një vendimi presidenti Thaçi tha pas publikimit të njoftimit të prokurorisë së është i gatshëm të jap dorëheqjen.
Publikimi i akuzave muajin e kaluar nxiti reagime në shkallë të gjerë dhe kritika ndaj prokurorisë veprimi i së cilës u cilësua nga vëzhgues në Kosovë si politikisht i motivuar.
Ajo bëri që të anulohet edhe një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që pritej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell.
Menjëherë pas anulimit të tij Bashkimi Evropian organizoi takimet e para nëpërmjet video konferencave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, udhëheqësit e të cilave pritet të ulen përballë njëri tjetrit të enjten në Bruksel.
Për herë të parë presidenti Thaçi nuk është pjesë e tyre.
Në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të dhjetat që nga pavarësia dhe të pestat të parakohshme. 1 milion e 814 mijë e 613 qytetarë kanë të drejtë vote.
Shteti me dy milionë banorë, nuk ka bërë regjistrimin e popullsisë që nga viti 2002 dhe vlerësohet se rreth 400 mijë shtetas të jenë shpërngulur në dhjetë vjetët e fundit drejt Perëndimit, sipas Bankës Botërore.
E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se mbahen në kohë pandemie ndërsa nuk kalon ditë pa viktima e dhjetëra të diagnostikuar me koronavirus në këtë vend. Protokolli në qendrat e votimit kërkon mbajtjen e maskës dhe distancën. Maska duhet të hiqet për pak sekonda deri sa anëtarët e komisionit ta vërtetojnë identitetin e votuesit.
15 parti politike dhe koalicione me 1.578 kandidatë garojnë për 120 vende në parlament. Sipas statistikave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, 43 për qind e kandidatëve janë gra, që i bie se çdo i treti kandidat në listë duhet të jetë grua, sipas Kodit zgjedhor.
Maqedonia e Veriut ndahet në gjashtë zona zgjedhore dhe secila dërgon nga njëzet deputetë në parlament. Drejtuesit politikë shqiptarë kandidojnë në zonën e gjashtë, që përfshinë Tetovën, Gostivarin, një pjesë të Kërçovës e të Dibrës. Por, interesi i votuesve në këtë zonë nuk ka qenë aq i lartë sa në zonat tjera, sidomos ato në lindje të vendit në dy-tre ciklet e fundit zgjedhore.
Në përbërjen e fundit të parlamentit, të gjitha partitë shqiptare së bashku kishin 20 deputetë dhe dy të tjerë nga radhët e Lidhjes Social Demokrate, e cila fitoi dhjetëra mijë vota të shqiptarëve në zgjedhjet e 2016-ës. Përveç partive Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, të cilat dalin në koalicion të përbashkët, të tjerat garojnë veç e veç, teksa Lëvizja Besa është bërë pjesë e koalicionit me Lidhjen Social Demokrate maqedonase që përmbledh brenda vetes rreth njëzet parti të vogla e entitete politike.
Zgjedhjet e parakohshme fillimisht ishin caktuar për 12 prill, por për shkak të pandemisë ato u shtynë për një kohë më të mirë, duke shpresuar se muajt e verës do të jenë më të sigurt dhe virusi do të dobësohej. Vendi ka ngelur pa parlament që nga muaji shkurt dhe nga janari është në detyrë një qeveri teknike, në bazë të një rregulli të përcaktuar nga ajo që njihet si “Marrëveshja e Përzhinës”, e cila parashikon që tre muaj para zgjedhjeve të largohet kryeministri për t’i lënë vendin një drejtuesi tjetër, zakonisht nga e njëjta parti dhe dy vende ministrash e po aq zëvendës-ministra i lihen opozitës. Por, kjo qeveri nuk ka kompetenca të plota.
Procesi i zgjedhjeve do të vëzhgohet nga 98 përfaqësues të ODIHR-it dhe qindra vëzhgues të tjerë të organizatave joqeveritare vendase. Për shkak të rrethanave të pandemisë, qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 21, dy orë më gjatë se zakonisht.
Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!
Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!
Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!
Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!
E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!
Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!
Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!
Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!
Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!
Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!
Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!
Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!
Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!
A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!
Ali Asllani
lindi në Vajzë të Vlorës, më 28 nëntor1884 – Tiranë, 20 dhjetor 1966, qe poet, atdhetar dhe diplomat shqiptar.
Biografia
I biri i myftiut dhe myderrizit Asllan efendi Sylejmanin dhe Hyries së Isuf Meminajt, nga fshati Trevllazër. Ngeli jetim në moshë të re, kur ishte ende 6 vjeç. Me ndihmën e të afërmve dhe miqve të të atit, mundi të ndiqte ruzhdijen e Vlorës. Gjithashtu ndiqte shkollën greke që të mund të nxënte alfabetin grek. Më 1898 nisi të studiojë në idadinë e Janinës. Gjatë kësaj periudhe nisi të thurte poezi në turqisht dhe persisht.
Shkoi të studionte mjekësi në Stamboll, por pas një viti e la. Me ndihmën e Ismail Qemal Vlorës dhe Mulla Xhaferr Drashovicës mundi të kalonte ekzaminim hyrës në Institutin e Lartë administrativ “Mülkiye” në Stamboll, ku u diplomua më 1906.
Pas shkollës kreu stazhin në Janinë. Në vitin 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi“. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës.
Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 – 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna.
Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë.
Më pas u caktua konsull në Triestë, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvëndës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”. Në vitet 1930 – 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek.
Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës.
Me ardhjen e regjimit komunist është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.
Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën “Hanko – Halla” që u botua në vitin 1942.
U gjet në dorëshkrim përkthimi i gjysmës së dytë të viteve ’40 të kujtimeve të Syrja bej Vlorës, përkthim i cili nga dialekti i përdorur dhe nga inicialet A.A., mendohet të jetë i Ali Asllanit[3].
Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Ndër librat e botuar në vitet 1960 – 66 përmendim:
Pas zhvillimeve politike në vend ku Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet kushtetuese për hapjen pjesërisht të listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore ka reaguar Zv.kryetar i Grupit të CDU-CSU në Bungestag Johann David Wadephul.
Wadephul deklaron se reforma zgjedhore duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020.
Madje ai kërcënon me bllokimin e konferencës së parë ndërqeveritare dhe procesin e integrimit nëse marrëveshja nuk miratohet ashtu siç është dakordësuar.
DEKLARATA E PLOTË
Me marrëveshjen e 5 qershorit dhe marrëveshjet e tjera të bazuara mbi të, qeveria dhe opozita kanë hartuar një reformë të mirë zgjedhore. Kjo reformë zgjedhore tani duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020. Atëherë do të përmbushej kërkesa e bërë nga BE dhe Bundestagu gjerman për të kryer një reformë zgjedhore në një proces gjithëpërfshirës midis qeverisë dhe opozitës – përfshirë opozitën ekstra-parlamentare. Por tani po dëgjojmë për vendime në Parlament, për të ndryshuar marrëveshjet e 5 qershorit dhe kushtetutën, duke ndaluar formimin e koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve. Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit.
Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore. Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje.
Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar: Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, rreth orës 13 për të dytën ditë me radhë hyri në Prokurorinë e Posaçme në Hagë që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pas luftës në Kosovë.
Ai nuk bëri ndonjë koment derisa hyri në ndërtesën e Prokurorisë ku një ditë më parë qëndroi për gjashtë orë. Në fund të ditës së parë ai tha shkurt se ka dëgjuar “shkëmbimet mbi teknikalitetet ndërmjet prokurorit dhe avokatit të tij mbrojtës dhe kjo do të vazhdojë nesër.
Avokati i tij mbrojtës është amerikani Pierre-Richard Prosper, i cili në pjesën e dytë të viteve të 90-ta kishte qenë prokuror në Gjykatën Ndërkombëtare të OKB-së për Ruandën.
Si prokuror në Departamentin amerikan të Drejtësisë, kishte shërbyer edhe në poste të tjera përfshirë atë ambasadorit për çështje të krimeve të luftës në periudhën e administratës së presidentit George Bush.
Prokuroria e Posaçme me 24 qershor publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Të hënën para se të hynte në ndërtesën e prokurorisë presidenti Thaçi tha se është i gatshëm të përballet me atë që ai e quajti sfidë të re ndërsa nënvizoi se askush nuk mund ta rishkruajë historinë.
Akuzat i janë dorëzuar një gjykatësi të procedurës paraprake i cili duhet të vendosë për konfirmimin apo hedhjen poshtë të tyre. Në pritje të një vendimi presidenti Thaçi tha pas publikimit të njoftimit të prokurorisë së është i gatshëm të jap dorëheqjen.
Publikimi i akuzave muajin e kaluar nxiti reagime në shkallë të gjerë dhe kritika ndaj prokurorisë veprimi i së cilës u cilësua nga vëzhgues në Kosovë si politikisht i motivuar.
Ajo bëri që të anulohet edhe një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që pritej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell.
Menjëherë pas anulimit të tij Bashkimi Evropian organizoi takimet e para nëpërmjet video konferencave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, udhëheqësit e të cilave pritet të ulen përballë njëri tjetrit të enjten në Bruksel.
Për herë të parë presidenti Thaçi nuk është pjesë e tyre.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të mbetet jashtë listës së vendeve për të cilat ishte rekomanduar të hiqen kufizimet për udhëtim të qytetarëve të tyre në vendet e Bashkimit Evropian.
Madje dy shtetet e vetme që ishin në atë listë, Mali i zi dhe Serbia, tash janë hequr nga e njëjta.
Këtë e kanë vendosur sot përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të BE-së në Bruksel.
Kjo listë, së pari, ishte përpiluar para dy javësh, bashkë me udhëzimet dhe rekomandimet e masave që duhet të ndërmarrin vendet e BE-së gjatë heqjes graduale të kufizimeve në kufitë e jashtëm.
Në atë kohë Mali i Zi dhe Serbia ishin vendosur në këtë listë sepse numri i të infektuarve në këto shtete, në atë kohë, ishte më i vogël sesa në vendet tjera dhe i përafërt me mesataren e vendeve të BE-së.
Vendet tjera të rajonit, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina, as atëherë nuk ishin përfshirë në listë, sepse numri i të infektuarve në to ishte më i lartë.
Ndërkohë ka vazhduar me dinamikë edhe më të shpejtë të rritet numri i të infektuarve dhe të mbushen edhe kapacitetet e sistemeve shëndetësore të këtyre vendeve prandaj nuk ka pasur as mundësi minimale që ndonjë shtet tjetër i rajonit të përfshihet në listë.
“Ne nuk kemi biseduar fare që ndonjë vend ta shtojmë në listë. Ka ndodhur e kundërta. Kemi diskutuar që të heqim nga lista edhe Malin e Zi dhe Serbinë sepse atje po ashtu ka rritje dramatike në numrit të të infektuarve. Kjo ka ngritur shqetësime në shumë vende të Bashkimit Evropian” i ka thënë Radios Evropa e Lirë një diplomat evropian.
Fjala është vetëm për rekomandime nga ana e BE-së, ndërsa secili vend anëtarë ka mundësinë të vendosë nëse do të respektoj këto rekomandime apo jo.
Edhe rekomandimi i para dy javësh nuk u përfill nga shumica e shteteve anëtare të BE-së, të cilat mbajtën kufizimet edhe për shtetet që ishin në listë.
Disa shtete anëtare të BE-së kanë paralajmëruar edhe masa shtesë të kufizimit të udhëtimeve nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Madje edhe për shtetasit e vet që vizitojnë këto vende do të kërkojnë të vetizolohen kur të kthehen.
Ministria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 1259 teste dhe janë regjistruar 135 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 76 – Tetovë 13 – Gostivar 10 – Strugë 7 – Kumanovë 6 – Shtip 6 – Kërçovë 3 – Manastir 3 – Sveti Nikollë 2 – Dibër 2 – Ohër 1 – Gjevgjeli 1 – Prilep 1 – Resnjë 1– Makedonski Brod 1 – Kavadarci 1 dhe Kratovë 1 .
Gjatë 24 orëve u regjistruan 4 viktima : 1 nga Tetova, 1 nga Ohri, 1 nga Shkupi dhe 1 nga Kërçova, ( të moshës 62, 67, 72 dhe 86-vjeçar).
Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 142 pacient të shëruar në – Shkup 68 – Tetovë 15 – Ohër 15 – Strugë 15 – Gostivar 7 – Sveti Nikollë 6 – Kratovë 5 – Resnjë 4 – Shtip 3 – Koçani 1 – Prilep 1 – Koçani 1 dhe Kriva Pallankë 1.
Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 8332, numri i pacientëve të rikuperuar është 4468, numri i të ndjerëve është 389 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 3475.
Ndërsa në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 12 raste të reja, 4 viktima dhe 9 të shëruar, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me Covid-19 është 290.
Ja edhe renditja e qyteteve me rastet më të larta aktive:
Shkup – 3952, aktiv 1793(territori i Shkupit me 617.646 banorë).
Tetovë – 885, aktiv 290 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë).
Kumanovë – 868, aktiv 200 (me 109.228 banorë) .
Shtip – 463, aktiv 181 (me 43.625 banorë) .
Prilep – 302, aktiv 64 (me 75.132 banorë)
Strugë – 337, aktive 163 (me 65.801 banorë) .
Ohër- 227, aktiv 119 (51.591 banorë).
Veles – 203, aktiv 33 (me 54.384 banorë)
Gostivar – 240, aktiv 147 (111.252 banorë) .
Resnjë– 139, aktiv 75 (me 16.313 banorë)
Dibër – 153, aktiv 91 (me 20.863 banorë)
Koçani – 77, aktiv 12 (me 37.758 banorë)
Manastir – 73, aktiv 30 (me 91.983 banorë)
Sveti Nikollë – 120, aktiv 107 (me 17.683 banorë)
Kërçovë – 84, aktiv 71 (me 56.937 banorë)
Probishtip – 37, aktiv 23 (me 15.085 banorë)
Tregoni kujdes me respektimin e rregullave sepse shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë, pa dallim, si pasojë, rritja e numrit të të infektuarve, kufizon lëvizjen e qytetarëve jashtë vendit, si dhe pengon ardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindje, mosardhja e gurbetçarëve, ndikon drejtpërdrejtë në ekonominë tonë në çdo familje.
Çdo gjë është në dorën tuaj, zgjidh vetë dhe vepro.
Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën.
Sipas neurologëve britanikë, SARS-CoV-2 mund të shkaktojë dëme serioze në tru dhe sistemin nervor qendror që shkaktojnë psikoza, paraliza dhe hemoragji cerebrale dhe që shpesh konstatohen mjaft vonë.
Virusi SARS-CoV-2 prek rëndë jo vetëm mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes, por edhe organet e tjera, si p.sh. zemrën, enët e gjakut, nervat, veshkat dhe lëkurën.
Neurologët britanikë botuan së fundi detaje tronditëse në revistën “Brain” se SARS-CoV-2 mund të shkaktojë edhe dëme serioze në tru, madje edhe tek pacientët me simptoma të buta ose tek ata që tashmë janë rikuperuar. Shpesh këto dëmtime konstatohen shumë vonë ose nuk konstatohen fare.
Neurologët nga Kolegji Universitar në Londër (UCL) diagnostikuan në më shumë se 40 pacientë britanikë me COVID-19 raste encefalomieliti akut (ADEM). Kjo sëmundje inflamatore çon në një shkatërrim degjenerativ të sistemit nervor qendror dhe shkakton edhe dëme të nervave në tru dhe të palcës kurrizore.
Dëmtime të ndryshme pasuese
Nga pacientët e ekzaminuar, tek 12 u konstatua inflamacion i sistemit nervor qendror, tek dhjetë një encefalopati e përkohshme e shoqëruar me delire ose psikoza, tek tetë hemoragji cerebrale dhe tetë të tjerë problemet në sistemin nervor periferik, kryesisht me diagnozën sindromi Guillain-Barré. Ky është një reagim i sistemit të imunitetit që sulmon nervat, shkakton paraliza dhe në 5 përqind të rasteve përfund me vdekje. Prej sindromit Guillain-Barré gjeti vdekjen një grua 59-vjeçare.
“Mënyrën sesi COVID-19 sulmon trurin nuk e kemi parë asnjëherë tek viruset e tjera më parë”, tha Dr. Michael Zandi, autori kryesor i studimit dhe këshilltar në repartin e neurologjisë “Queen Square Institute of Neurology” në spitalin universitar të Londrës (UCL). Të pazakonshme janë mbi të gjitha dëmtimet serioze të trurit edhe tek pacientët me simptoma të buta.
Rastet e publikuara tani konfirmojnë frikën se COVID-19 shkakton probleme shëndetësore afatgjata tek disa pacientë. Shumë pacientë kanë probleme me frymëmarrjen dhe janë të lodhur edhe shumë kohë pas shërimit të tyre. Pacientë të tjerë që janë shëruar vuajnë nga mpirje, dobësi dhe kufizime të kujtesës.
Sipas Zandit spektri i plotë i sëmundjeve të trurit dhe efektet e mëvonshme të shkaktuara nga SARS-CoV-2 nuk janë analizuar ende, pasi shumë pacientë në spitale janë shumë të sëmurë për t’i ekzaminuar me skaner të trurit ose me metoda të tjera.
“Ne duam t’i bëjmë mjekët në të gjithë botën të vetëdijshëm për këto ndërlikime të coronavirusit,” tha Zandi. Mjekët dhe personeli mjekësor duhet të këshillohen patjetër me një neurolog në rast se kanë pacientë me simptoma kognitive, probleme me kujtesën, lodhje, mpirje ose dobësi.
Mijëra raste dëmtimi të trurit edhe gjatë gripit spanjoll
Neurologët britanikë kanë frikë se sëmundja COVID-19 mund të shkaktojë tek disa pacientë dëme delikate të trurit, që do të bëhen të dukshme vetëm në vitet në vazhdim. Sipas studimit pasoja të ngjashme të mëvonshme ka pasur edhe pas gripit shkatërrues spanjoll në vitin 1918. Mendohet se prej këtij gripi pësuan dëme në tru deri në një milion vetë.
“Sigurisht që shpresojmë që kjo të mos ndodhë, por nëse kemi të bëjmë me një pandemi kaq të madhe që prek një pjesë të madhe të popullsisë, ne duhet të jemi vigjilentë,” tha Michael Zandi.
Ministri i shtetit pranë MPJ gjermane Michael Roth tha se gjatë presidencës së BE-së Gjermania do të angazhohet për Ballkanin Perëndimor dhe sidomos për të ardhmen e brezit të ri në Ballkan.
Bashkimi Evropian duhet të jetë më i zjarrtë dhe emocional dhe të mos krijojë përshtypjen se është thjesht një grumbull teknokratësh, kërkon ministri i shtetit pranë Ministrisë së Punve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth. Gjermania do të vërë në agjendën e saj si presidente e radhës e BE-së çështje të rëndësishme për shumë njerëz si ndryshimi i klimës, forcimi i shtetit të së drejtës dhe i demokracisë, bashkëpunimi shoqëror si dhe çështje që lidhen me azilin dhe migracionin.
Në intervistë me DW ai tha se Bashkimi Evropian po mbështet tani Ballkanin Perëndimor në luftën kundër pandemisë me 3.3 miliardë EUR, por gjatë presidencës gjermane do të jenë në rend të ditës edhe tema të tjera që lidhen me Ballkanin Perëndimor.
Ballkani në qendër të angazhimit gjerman për zgjerimin
Pas bllokimit në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ministri i shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, tha në një intervistë për DW se “jam i lumtur që është tani shfaqur një dinamikë e re edhe me përfaqësuesin special Lajçak.” Michael Roth thekson se Gjermania do ta vendosë Ballkanin Perëndimor në qendër të angazhimit për zgjerimin: “Ballkani Perëndimor nuk është ndonjë oborr i çfarëdoshëm i Bashkimit Evropian, por është oborri ynë i brendshëm dhe u shërben interesave tona.
Ministri i shtetit Roth tha se gjatë presidencës së BE-së Gjermania do të angazhohet që “në Ballkanin Perëndimor të kemi sa më shpejt që të jetë e mundur demokraci, sundim të ligjit dhe pajtim rajonal dhe mbi të gjitha që edhe brezi i ri të ketë një perspektivë. Ne do të zhvillojmë një konferencë për të ardhmen e brezit të ri në Ballkanin Perëndimor. Pra edhe ky rajon do të arrijë prosperitet dhe stabilitet vetëm nëse Bashkimi Evropian merr përsipër më shumë përgjegjësi.”
Sinjal i qartë për Turqinë
Sa u përket zhvillimeve në Turqi dhe thirrjeve të disa politikanëve që pas vendimit për shndërrimin e Hagia Sofisë në xhami BE-ja t’i ndërprese bisedimet me këtë vend, Michael Roth tha se Turqia ka bërë hapa prapa në aspektin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, por se BE-ja duhet të vazhdojë t’u dërgojë një sinjal të qartë atyre turqve që ndajnë vlerat evropiane, se “ne nuk i lëmë ata vetëm, se ne jemi akoma të interesuar për Turqinë”. Sipas Roth “nëse Turqia afrohet përsëri me drejtimit tonë, ka shanse që procesi i pranimit, i cili aktualisht është në pritje, të mund të ringjallet”.
Për momentin dialogu me Turqinë është shumë e vështirë dhe në Turqi vërtetë nuk po bëhet asgjë për sa u përket vlerave evropiane, “por nëse vërtet duam të arrijmë diçka, nëse dëshirojmë gjithashtu të ushtrojmë ndikim në Turqi në mënyrë që ajo të përmbushë përgjegjësitë e saj në politikën e jashtme në rajon, atëherë duhet t’i thellojmë më tepër kontaktet tani dhe jo thjesht të heshtim,” – tha Roth në intervistë me DW.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 451 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 96 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 51 raste në Tiranë, 6 në Shkodër, 5 në Durrës, nga 4 raste në Elbasan, Pogradec, nga 3 raste në Krujë, Kukës, nga 2 raste në Fier, Lezhë, Kavajë, Kamëz, Dibër, dhe nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Devoll, Has, Lushnje, Mat, Përmet, Sarandë, Prrenjas, Bulqizë.
Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 2 qytetare: Një 64-vjeçare nga Shkodra dhe një paciente 63-vjeçare nga
Elbasani, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.
Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv dhe situata paraqitet shumë serioze. Aktualisht janë të shtruar 90 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 2062 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1508 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton edhe një herë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri:
Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën
Ruani distancën në ambientet publike.
Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse.
Shmangni grumbullimet me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid19.
Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes.
Nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore.
Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
COVID-19 – Statistika (14 Korrik 2020)
Testime totale 33389
Raste pozitive 3667
Raste të shëruara 2062
Raste Aktive 1508
Humbje jete 97 (Qarku Tiranë 49, Shkodër 17, Durrës 15, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 2, Kukës 1, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1)