Kosova me shpresë që Gjermania do të shtyjë përpara liberalizimin e vizave

BE FlamujtKosova kërkon nga qeveria gjermane që gjatë periudhës gjashtëmujore të futet në agjendë heqja e vizave për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pret nga Gjermania që  gjatë periudhës së kryesimit të presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, t’i hiqet Kosovës regjimi i vizave për në zonën Shengen. Kryeministri Hoti e uroi Gjermaninë për marrjen e kryesimit të presidencës së BE, për 6 muaj, periudhë kjo siç tha “shumë sfiduese për ekonominë e Evropës”.

“Gjermania po e merr Presidencën e radhës së BE-së në një kohë shumë sfiduese për shëndetin dhe ekonominë e Evropës. I jemi shumë mirënjohës Qeverisë gjermane për angazhimin e vazhdueshëm për zgjerimin e BE, duke afruar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe presim që gjatë kësaj kohe të hiqet edhe regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës!”, shkroi Hoti në profilin e tij social.

Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Kjo është konfirmuar edhe nga Parlamenti Evropian dhe autoritetet kosovare presin që edhe BE të mbajë fjalën dhe të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Deputetë të Parlamentit Evropian i shkruajnë Merkelit për Kosovën

Një grup deputetësh të Parlamentit Evropian dy ditë më parë i dërguan një letër kancelares gjermane Angela Merkel, nga e cila kërkojnë që të futet në agjendën e presidencës gjermane të Këshillit Evropian çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët. Në letër, e cila për publikun është shpërndarë edhe nga kryeministri i Kosovës, theksohet se “kriteret nga Kosova janë përmbushur dy vite më parë, ndërsa liberalizimi vijon që të mbetet peng”.

“Ata i kanë bërë detyrat e shtëpisë, tani është radha jonë që të mbajmë premtimin tonë. Ne po humbim besueshmërinë tonë, kur një vend i tretë bën atë që ne i kërkojmë atyre, por ata nuk marrin avantazhet që i premtojmë atyre. Si mund t’u kërkojmë reforma të tjera vendeve të fqinjësisë tonë, kur ata nuk mund të jenë të sigurtë që mund të marrin gjë nga puna e tyre?” thuhet ndër të tjera në letër.

Grenell përshëndet nismën evropiane

Këtë nismë të deputetëve të Parlamentit Evropian e ka përshëndetur i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai ka thënë se “Më në fund, ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse ka si qëllim vetëm disa biznese”.

“Përqëndrimi i SHBA-së në normalizimin ekonomik ka motivuar evropianët të ndërmarrin veprime. Ne jemi të lumtur t’i shohim ata duke marrë udhëheqjen”, shkroi Grenell në Twitter. Richard Grenell, më herët kishte një debat në distancë me raportuesen për Kosovën në Parlamentit Evropain, Viola von Cramon, e cila kritikonte qasjen e Greneliit në dialogun Kosovë-Serbi. Grenelli pati kërkuar nga Cramoni, që ajo të mos e kritikojë administratën amerikane për çdo gjë, por të përqëndrohet në liberalizimin e vizave.

“Viola, në vend se të kritikoni çdo gjë që bën administrata Trump për të ndihmuar në normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, pse nuk koncentrohesh vetëm në një gjë që duhet ta bësh: liberalizimin e vizave për Kosovën. Jeni ankuar për të tjerët për më shumë se 20 vjet. Bëni pjesën tuaj”, kishte shkruar Grenell.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen, ndonëse vetë mekanizmat evropianë e kanë konfirmuar tashmë disa herë që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim. Por që të ndodhë kjo, duhet që secili nga shtetet anëtare të BE ta konfirmojë liberalizimin e vizave për Kosovën.

dw

82 raste të reja, 3 humbje jete dhe 43 të shëruar në 24 orët e fundit

Dr. Rovena DajaMinistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 368 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 30 raste në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Kavajë, Fushë-Arrëz, 5 në Vlorë, nga 4 raste në Krujë, Durrës, Lushnje, nga 2 raste në Fier, Kurbin, Korçë, Berat, Dibër, Vau i Dejës, dhe nga 1 rast përkatësisht në Elbasan, Lezhë, Has, Pukë dhe Rrogozhinë.

Në 24 orët e fundit, fatkeqësisht, një 63 vjeçare nga Tirana, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 60 vjeçar nga Elbasani, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht trajtimit në terapi intensive dhe përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve.

Pavarësisht të shëruarve, vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 78 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë.
Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 43 qytetarë, duke e çuar në 1559 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1034 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të mos e ulin vigjilencën dhe të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura:
Qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni patjetër maska ose barriera mbrojtëse kur nuk mund të ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.
Mos neglizhoni asnjë shenjë të sëmundjes. Në rast se ju apo një i afërm i juaji keni shenja klinike të Covid19, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.

COVID-19 – Statistika (2 Korrik 2020)
Testime totale 27671
Raste pozitive 2662
Raste të shëruara 1559
Raste Aktive 1034
Humbje jete 69 (Qarku Tiranë 38, Durrës 11, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 10, Kukës 1, Elbasan 2)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 387
Durrës 203
Shkodër 152
Vlorë 110
Fier 51
Lezhë 45
Korçë 28
Kukës 19
Elbasan 16
Berat 8
Dibër 8
Gjirokastër 7

Ministria e Shëndetësisë apelon për mbajtjen e maskës, si mënyra më e mirë për të kufizuar përhapjen e COVID19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo qytetari, të tregojë kujdes të shtuar në çdo ambient, në ambientet e punës apo ku ofrohen shërbime, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangien e kontakteve dhe apelon për vendosjen e maskës, kur nuk është e mundur të ruhet distanca.

Uashingtoni mbështet mbylljen e bareve ndërsa përhapet COVID-19

North Shore TavernNjë këshilltare e lartë e Shtëpisë së Bardhë shprehu mbështetje të mërkurën për mbylljen e bareve në Shteteve të Bashkuara ndërsa vendi po përjeton shtimin e rasteve me koronavirus. Numri i rasteve besohet të jetë rezultat i frekuentimit të bareve nga të rinjtë dhe mosrespektimi i distancimit fizik.

Të paktën 19 nga 50 shtetet amerikane kanë ndaluar hapjen e ekonomive të tyre ndërsa më shumë se 40 mijë raste me COVID-19 janë raportuar gjatë secilës ditë të fundit. Në 37 shtete, numri i rasteve të konfirmuara po rritet, dhe nuk po bie sikurse ka ndodhur në të kaluarën.

Guvernatorët në të paktën gjashtë shtete kanë dhënë urdhër për mbylljen e bareve pas disa javësh që patën lejuar hapjen e tyre. Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo tha të mërkurën se shërbimet brenda restoranteve në qytetin e Nju Jorkut do të shtyhen deri kur të ndryshojë gjendja dhe kjo veprimtari të jetë e sigurtë dhe e kujdesshme.

Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë Kellyane Conway tha gjatë një interviste me kanalin televiziv Fox News se vendimet me të cilat përballen shtetet sot janë një zgjedhje mes mbylljes së bareve tani dhe mundësisë për rihapjen e shkollave në gusht dhe shtator.

“Kam diçka për të thënë: Duhet të kemi përparësi në shtetet amerikane dhe në vendin tonë. A dëshironi të hapni baret tani, apo dëshironi të hapni shkollat dhe kopshtet pas disa javësh?”

Ajo tha se mbështet të dytën.

“Unë votoj për variantin e dytë, jo sepse kam katër fëmijë në moshë shkollore por sepse është thelbësore hapja e shkollave që fëmijët të vazhdojnë rutinën normale dhe mbështetjen strukturore. Mendoj se është një sistem i rëndësishëm për vendin tonë dhe pastaj njerëzit do të jenë në gjendje të rikthehen në punë.”

Shqetësimet e zotit Fauci

Por vendimet për shkollat dhe prindërit me fëmijë të moshave shkollore shpesh nuk janë të lehta. Zyrtarët e shkollave dhe unversiteteve në mbarë vendin po mundohen për të gjetur mënyrat se si dhe nëse duhet të hapin shkollat që u mbyllën në mars si rezultat i koronavirusit. Situata detyroi shkollat dhe mësuesit që të zhvillonin mësime në internet. Vendimet për vitin e ardhëshëm shkollor në Shtetet e Bashkuara janë ende në përpunim e sipër.

Në një distrikt pranë kryeqytetit amerikan, prindërve iu ofrua zgjedhja që fëmijët e tyre të studionin përmes internetit ose të frekuentonin shkollën dy ditë në javë dhe tre ditë në internet. Por pastaj mësuesit hezituan të mbështesin planin për mësime të kufizuara në shkollë.

Dr. Anthony Fauci, specialisti kryesor për sëmundjet ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, u tha ligjvënësve të martën se ai ishte shumë i shqetësuar rreth shtimit të rasteve me koronavirus në vend. Ai drejton Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Ngjitëse dhe dëshmoi para një komisioni të Senatit për shëndetësinë.

“Tani kemi 40 mijë raste të reja në ditë. Nuk do të befasohesha nëse numri shkon në 100 mijë raste në ditë nëse nuk kjo nuk ndryshon. Ndaj jam shumë i shqetësuar.”

Optimizmi nga zoti Pence

Nënpresidenti Mike Pence, i cili kryeson ekipin e Shtëpisë së Bardhë në trajtimin e situatës ndaj koronavirusit, në një bisedë me gazetarët theksoi anën pozitive të situatës aktuale para udhëtimit të tij në Arizona, një prej zonave më të goditura me koronavirus.

“Vdekjet janë në nivelin më të ulët që nga muaji mars. Aktualisht jemi në një gjendje më të mirë se ishim katër muaj më parë, e madje dy muaj më parë.”

Përveç Arizonës, zoti Pence do të vizitojë Teksasin gjatë kësaj jave, një tjetër zonë e goditur rëndë nga koronavirusi.

Gjatë seancës dëgjimore të ditës së martë, ligjvënësi republikan Lamar Alexander theksoi rëndësinë e rihapjes së shkollave dhe i bëri thirrje Presidentit Donald Trump dhe publikut që të përdornin maskat për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Fatëkeqësisht, kjo praktikë e thjeshtë e shpëtimit të jetës është bërë pjesë e një debati politik që thotë se nëse mbështet Trumpin, nuk duhet të përdorësh maska. Nëse je kundër Trumpit, e vë maskën. Prandaj i kam sugjeruar presidentit që herë pas herë të përdorë maskat, edhe pse nuk ka shumë raste kur është e nevojshme që ai të bëjë këtë gjë.”

Zoti Alexander shtoi se Presidenti Trump ka miliona mbështetës që do të ndiqnin këshillat e tij. Sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u pyet rreth kësaj gjatë një konference të martën.

“Presidenti është njeriu më i testuar në Amerikë për COVID-19 dhe kështu që ai nuk ka nevojë të përdorë maskën.”

Shtetet e Bashkuara me më shumë se 127 mijë raste vdekjesh me koronavirus dhe 2,6 miljon raste të konfirmuara infektimesh, është vendi i goditur më rëndë në botë.

voa

FMN kundër nismës së Qeverisë shqiptare për heqjen e tatim-fitimit dhe TVSH-së

FMNFondi Monetar Ndërkombëtar është kundër nismës së propozuar nga Qeveria shqiptare për të hequr, deri në vitin 2029, tatim-fitimin për të gjitha bizneset me një qarkullim vjetor deri në 14 milion lekë dhe TVSH-në për ato me një qarkullim vjetor deri në 10 milion lekë. Në përfundim të misionit të radhës, i realizuar këtë herë në distancë, drejtuesja e ekipit të FMN-së, Yan Sun, ka shprehur shqetësim për këtë propozim.

Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cënuara nga këto kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme, e mirëorientuar, transparente, si edhe e integruar në një program të besueshëm dhe të kujdesshëm buxhetor afatmesëm. Pragjet për regjistrimin në përgjegjësinë tatimore për tatimin mbi fitimin dhe për TVSH-në duhet të unifikohen në një nivel i cili do të duhej të përcaktohej me kujdes, në përputhje me objektivat e strategjisë afatmesme për të ardhurat. Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cënonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore”, thekson në deklaratën e saj zonja Sun.

FMN-ja kundërshton gjithashtu dhe nismën tjetër të qeverisë për një aministi fiskale, për të cilën nuk ka ende një dokument zyrtar. “Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi do të cënonte përmbushjen e detyrimeve tatimore. Duhen krijuar së pari sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion”, nënvizon drejtuesja e misionit të FMN-së.

Pandemia e COVID 19, që në rastin e Shqipërisë ishte një goditje e dytë, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar, pritet të ketë efekte të forta mbi ekonominë e vendit. “Si në të gjithë botën, por edhe si rrjedhojë e varësisë së Shqipërisë nga turizmi dhe nga dërgesat e emigrantëve, ekonomia pritet të tkurret ndjeshëm në vitin 2020 dhe të rifillojë rimëkëmbjen në vitin 2021. Kjo pritshmëri është objekt i pasigurive të mëdha të pazakonta, duke pasur parasysh natyrën e goditjes nga pandemia”, vë në dukje deklarata e misionit të FMN-së.

Sipas Fondit ndërkombëtar, Shqipëria do të bjerë në recesion gjatë vitit 2020, dhe ekonomia e saj do të tkurret në -5 përqind. Të dhënat e dy ditëve më parë të Institutit shqiptar të statistikave, dëshmuan se në tremujorin e parë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto ra në -2,52 përqind, kryesisht si pasojë e efekteve të tërmetit, ndërsa bllokimi për shkak të pandemisë nisi pas dhjetë ditëshit të parë të muajit mars. Ndërsa sipas Bankës së Shqipërisë “të dhënat e tregut të punës tregojnë se ekonomia shqiptare humbi rreth 17000 mijë vende pune në këtë periudhë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në 11.4 përqind”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha dje se “të dhënat indirekte të tremujorit të dytë sugjerojnë se goditja është forcuar më tej. Eksportet e mallrave u tkurrën me 33% gjatë dy muajve të parë këtij tremujori, në përgjigje të rënies së kërkesës së huaj dhe të pengesave në qarkullim. Po ashtu, importet u reduktuan me rreth 30%, duke sinjalizuar ngadalësimin e shpejtë të konsumit dhe të investimeve në vend, ndërsa të ardhurat buxhetore u tkurrën me rreth 30% në dy muajt e parë të tremujorit, duke pasqyruar rënien e përgjithshme të aktivitetit ekonomik”.

Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare do të vijojë të rregjistroje një rritje negative dhe në gjysmën e dytë të vitit. “Skenari ynë bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e shmangies së një vale të dytë të pandemisë dhe reduktimin gradual deri në zhdukje të plotë të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020 dhe norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje në vijim. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ në dy tremujorët në vijim, dhe ti kthehet rritjes në vitin 2021”.

Nga ana e tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar, bie dakort me faktin që “për të përballuar pasojat e pandemisë dhe tërmetit është e nevojshme një rritje e konsiderueshme e defiҫitit fiskal në vitin 2020, për të mbështetur ekonominë dhe për të siguruar fonde për shpenzime në shëndetësi dhe për rindërtimin”. Por sipas tyre “pasi të jenë qetësuar efektet e këtyre goditjeve, do të jetë me rëndësi kritike rifillimi i konsolidimit fiskal të bazuar në të ardhurat buxhetore dhe vendosja e borxhit publik në një trajektore të qëndrueshme zbritëse, në mënyrë që të rikrijohet hapësira për përgjigje nëpërmjet politikave buxhetore. Në këtë aspekt, i nxisim fuqimisht autoritetet për të vijuar përgatitjen e një strategjie afatmesme për të ardhurat për të ngritur një sistem tatimor më të drejtë, më të thjeshtë, më efikas dhe më transparent, i cili do të sigurojë burimet e nevojshme për të arritur objektivat e Shqipërisë për zhvillim të qëndrueshëm dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit. Përpjekjet për të menaxhuar risqet fiskale në rritje, përfshirë PPP-të, gjithashtu duhet të forcohen si dhe cilësia e menaxhimit të investimeve publike duhet të forcohet”, sugjerojnë ekspertët e Fondit Monetar.

Hartohet korniza e bisedimeve për anëtarësim në BE, me Tiranën dhe Shkupin

BE FlamujtKomisioni Europian, njoftoi të mërkurën se i ka paraqitur Këshillit, projektin e kornizës së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përcaktuar udhëzimet dhe parimet për këto bisedime. Projekti është një përgjigje e kërkesës së vendeve anëtare e bërë në mars të këtij viti, kur Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme mori vendimin për hapjen e bisedimeve me të dy vendet.

Korniza e negociatave përcakton udhëzimet dhe parimet mbi të cilat do të udhëhiqet ky proces. Sipas një deklarate të Komisionit, “korniza ndahet në tri pjesë: parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit, përmbajtja e tyre dhe procedura që do të ndiqet. Objektivi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta miratojnë në tërësinë e tij legjislacionin e BE-së dhe të sigurojnë zbatimin e plotë dhe futjen në fuqi të tij pas anëtarësimit”.

Shtetet Anëtare, kanë marrë njëkohësisht dhe një përditësim të ecurisë që të dy vendet kanë realizuar nga muaji mars kur u mor dhe vendimi në favor të hapjes së bisedimeve. Pasi t’i kenë miratuar kornizat e negociatave, Presidenca e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian do të paraqesë pozicionin e dakortësuar të BE-së, në konferencën e parë ndërqeveritare me secilin vend, e cila do të shënjojë dhe fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Pikërisht në këtë fazë kornizat e negociatave do të bëhen publike.

Komisioneri europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi deklaroi se “dita e sotme shënon një tjetër hap të rëndësishëm rrugëtimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Duke mbajtur angazhimin tonë, ne përcaktojmë korniza konkrete për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit. Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit që kemi paraqitur në shkurt për ta bërë procesin e anëtarësimit më të besueshëm, me një orientim më të fortë politik, më dinamik dhe të parashikueshëm”, u shpreh komisioneri Varhelyi, duke shtuar se “pres me padurim diskutimet me shtetet anëtare dhe mbajtjen sa më shpejt të konferencave të para ndërqeveritare me dy vendet. E ardhmja e tyre qëndron qartazi në Bashkimin Evropian dhe unë jam i sigurt se ato do të vazhdojnë të zbatojnë reformat në udhën e tyre drejt BE-së, ashtu siç kanë bërë deri më tani”.

Për Shefin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadorin Luigi Soreca: “tani është thelbësore që qeveria shqiptare dhe institucionet e tjera përkatëse shqiptare të vazhdojnë ta përqendrojnë veprimin e tyre në adresimin e të gjitha kushteve të përcaktuara nga Këshilli marsin e kaluar, me vullnet të fortë politik, me frymë bashkëpunimi dhe në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar”.

dw

Gjermania heq ndalimet e hyrjes për njëmbëdhjetë vende jo të BE

stop kontrolShtetas nga njëmbëdhjetë vende jo të BE mund të hyjnë në Gjermani nga nesër pa kufizime. Jo në listat gjermane: Serbia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e SHBA.

Gjermania lejon sërish hyrje të pakufizuar në vend për shtetas nga njëmbëdhjetë vende jo anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas vendimit të kabinetit qeveritar, kjo vlen për udhëtarët nga Australia, Gjeorgjia, Kanada, Mali i Zi, Zelanda e Re, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji. Për Shtetet e Bashkuara, kufizimet e hyrjes fillimisht do të vazhdojnë të zbatohen.

Për Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën lejimi do të vlejë vetën nëse këto vende do t’i lejojnë nga ana e tyre gjermanët të hyjnë në ato shtete. Heqja e ndalimit të hyrjes do të hyjë në fuqi të enjten, njoftoi Ministria e Brendshme e Gjermanisë. Qeveria gjermane orientohet për këtë vendim në një vendim të vendeve anëtare të BE. Sipas tij, shtetas nga 14 shtete duhet të lejohen të hyjnë përsëri në BE. Lista do të rishikohet çdo dy javë.

Arsyeja e udhëtimit luan rol

Ekzistojnë gjithashtu mundësi të gjera hyrëse për njerëzit nga të gjitha vendet jashtë BE-së, të cilët kanë një arsye të rëndësishme për të udhëtuar. Këta mund të jenë gjermanë ose njerëz me të drejtë që të banojnë këtu, punëtorë sezonalë në bujqësi, detarë ose pasagjerë në kalim tranzit.

Në të ardhmen, vendimtar për lejimin e hyrjes në Gjermani do të jetë numri i infeksioneve të reja me Covid 19 në 14 ditët e fundit. Veç kësaj do të vërehet edhe tendenca në të njëjtën periudhë dhe mënyra se si e trajton pandeminë shteti përkatës. Për udhëtarët nga zonat me rrezik të lartë, është edhe më tej në fuqi detyrimi për karantinë 14 ditore, kur udhëtarët nuk kanë me vete një rezultat negativ të testit për virusin Corona.

Austria nuk rekomandon udhëtime pushimesh në Ballkan

Përballë ritjes së numrit të të infektuarve me Corona në vendet e Ballkanit Perëndimor, Austria ka nxjerrë një paralajmërim për të mos udhëtuar në gjashtë vende. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg tha në Vjenë se do të aplikohet përsëri niveli më i lartë i paralajmërimit për të mos udhëtuar në këto shtete. Ministrja austriake e Integrimit, Susanne Raab tha se nuk duhet të ndërmerren në asnjë mënyrë udhëtime për pushime në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni Veriore dhe Mal të Zi, duke pasur parasysh 530.000 vetë në Austri që kanë rrënjë familjare në ish-Jugosllavi. Por Austria nuk bën të njëjtin paralajmërim për të mos udhëtuar për shtetet e BE Kroaci e Slloveni.

Në Austri ka tashmë raste me Corona që lidhen me udhëtarët nga Ballkani Perëndimor, tha Schallenberg. Ministri i Brendshëm Karl Nehammer njoftoi kontrolle intensive në zonën kufitare. Hyrja është e mundur vetëm me një test negativ për virusin Corona ose me një karantinë 14-ditore.

aud (dlf, rtr)

Rusia i hap rrugën Putinit të qeverisë deri në 2036

PutinVotuesit rusë miratuan ndryshime kushtetuese që do ta lejojnë Presidentin Vladimir Putin të mbajë potencialisht pushtetin deri në vitin 2036. Por referendumi njëjavor që përfundoi të mërkurën u njollos nga raportimet e përhapura të presionit ndaj votuesve dhe parregullsive të tjera.

Sipas zyrtarëve të zgjedhjeve, 77.6% e rusëve kanë votuar për ndryshimet kushtetuese, kur janë numëruar rreth tre të katërtat e të gjitha qendrave të votimit.

Për herë të parë në Rusi, qendrat e votimit u mbajtën të hapura për një javë për të rritur pjesëmarrjen e njerëzve që hodhën votën mes pandemisë së koronavirusit – një veprim që kritikët e Kremlin e denoncuan si një mjet shtesë për të manipuluar rezultatin.

Kjo do të thotë se Vladimir Putini mund të mbetet president edhe për 16 vjet të tjera.

Rusia u dha familjeve shpërblime financiare të mërkurën, dita e fundit e votimit për ndryshimet kushtetuese. Në shenjë proteste, kritikët e Kremlinit zhvilluan të mërkurën një demonstratë të vogël në Sheshin e Kuq.

Në prill, Kremlini u detyrua ta shtynte votimin për ndryshimet kushtetuese për shkak të pandemisë.

RUSIA DHE NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Propozimi për ndryshimin e kushtetutës në Rusi, synon t’i bëjë për vete të gjitha grupet. Fushata flet për ndalimin e martesave mes homoseksualëve për të tërhequr konservatorët, ndërsa premtimi për përmirësim në kujdesin shëndetësor dhe arsim është për familjet.

Madje ka diçka edhe për PresidentinVladimir Putin: Ndryshimet i hapin rrugën zgjatjes së pushtetit të udhëheqësit rus deri në vitin 2036, megjithëse disa thonë që ky element nuk është trumbetuar shumë.

Nuk është thënë asnjë fjalë. Mendoj se shumë pak është i njohur në publik fakti i zgjerimit të mandatit për Putinin, thotë politikani i opozitës, Vladimir Milov.

Presidenti Putin thotë se ndryshimet kushtetuese, do të sillnin qëndrueshmëri, duke shmangur luftën politike për pasuesin e tij të mundshëm dhe përqendruar në çështje më urgjente.

“Bëhet fjalë për ligjin themeltar, kushtetutën që është baza e parimeve në vendin tonë, jetën tonë dhe jetën e fëmijëve tanë. Do të përcaktojë garancitë tona kryesore ligjore dhe juridike”, është shprehur Presidenti Putin.

Por disa thonë se nxitimi i Kremlinit për të garantuar të ardhmen politike të zotit Putin në mes të pandemisë, reflekton keqësimin e perspektivës politike dhe ekonomike të shkaktuara nga virusi.

Ata e kuptojnë që mbështetja për të po bie…dhe kjo është një prirje afatgjatë. Në vjeshtë do të jetë më keq se në verë dhe në dimër më keq sesa në vjeshtë, thotë analisti politik, Dmitry Oreshkin.

Kremlini e ka zgjatur edhe për një javë votimin dhe ka marrë masa shtesë për të ruajtur shëndetin e votuesve.

Në qendrat e votimit, janë të detyruara dorezat, maskat dhe matja e temperatures…

“Është e vështirë të garantosh sigurinë këto kohë por me masat mbrojtëse, votimi po shkon në rregull. Dhe ne duhet të shprehim qendrimin tonë”, thotë Andrei, një banor i Moskës.

Por ekspertët e shëndetësisë shqetësohen për një rritje të numrit të infeksioneve pas votimit…duke paralajmëruar se rastet mund të mbingarkojnë spitalet e mbushura në maksimum.

Qeveria dhe zyrtarët tanë, nuk mendojnë për shëndetin e popullsisë por për ambicjet e tyre politike, thotë Anastasia Vasilyeva, Drejtore e Aleancës së Mjekëve.

Rusia ka afro 650 mijë raste me koronavirus, e treta në radhitjen globale, pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.

Por kjo nuk e ka ndalur presidentin që të vazhdojë me planet për 75 vjetorin e fitores sovjetike ndaj Gjermanisë naziste.

Një paradë ushtarake me mijëra ushtarë pa maska, duke marshuar në Sheshin e Kuq, u mbajt javën e kaluar.

Por ashtu si vota kushtetuese, është një rrezik që nuk ndahet dot nga koronavirusi dhe suksesi i saj mund të matet në fund të fundit jo me vota ose me tanke, por nga rastet e infeksioneve që mund t’i pasojnë ato.

voa

Qeveria e Kosovës përgatitet për bisedimet me Serbinë

qeveria kotiQeveria e Kosovës tha të mërkurën se po bën përgatitjet për të vazhduar bisedimet me Serbinë, me gjithë situatën e krijuar në vend pas publikimit të njoftimit të Prokurorisë së Posaçme më seli në Hagë mbi akuzat ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli. Materiali u përgatit për Zërin e Amerikës nga korrespondenti Leonat Shehu.

Qeveria miratoi vendimin për emërimin e një këshilli të ekspertëve për bisedimet me Serbinë që sipas saj do të udhëhiqet nga një bashkërendues shtetëror dhe ka për qëllim kryerjen e analizave dhe këshillimin e kryeministrit.

“Kosova është e përgatitur për këtë proces, është bërë një punë e madhe edhe nga qeveritë e kaluara. Jemi duke punuar që të kompozojmë një delegacion që do ta përfaqësoj Kosovën të kryesuar nga kryeministri”, tha kryeministri Hoti.

Publikimi i njoftimit për akuzat çoi në dështimin e planeve për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë dhe sipas analistëve situata e re ka vënë në pikëpyetje rifillimin e bisedimeve.

Analisti Faton Abdullahu thotë për Zërin e Amerikës se qeveria e kryeministrit Hoti mbetet e brishtë në shumë fusha dhe sipas tij pa pjesëmarrjen e presidentit Thaçi në bisedime me Serbinë do të jetë shumë vështirë.

“Sepse presidenti Thaçi jo vetëm që është i preferuari i amerikanëve por ka një përvojë të madhe në dialogim dhe ka ndikim të madh më shumë se sa të qenit vetëm president qoftë në karakterin e përfshirjes së elementëve tjerë që ndihmojnë procesin e dialogut prandaj e shoh si shumë të vështirë arritjen e çfarëdo suksesi pa presidentin Thaçi në të. Është mirë para se të vendosë zoti Thaçi të tërhiqet apo jo para se të vendosë që zoti Hoti si kryeministër të vazhdojë tutje apo jo këto dilema duhet të zgjedhin bashkë presidenti Thaçi bashkë me zotin Hoti duke bashkëbiseduar që më parë me administratën Trump se çfarë të bëjnë, t’i hyjnë dialogut prapë bashkë ashtu si ishin bashkë presidenti Thaçi me zotin Hoti apo të presin një kohë tjetër”, tha zoti Abdullahu.

Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike thotë se tashmë është krijuar një situatë e re e cila do të ndikojë në rrjedhën e biseidmeve, megjithatë sipas tij është e mundshme dhe duhet të vazhdohen bisedimet pa presidentin Thaçi.

“Në këtë rast roli i presidentit mund të jetë konsultues dhe nuk është te subjekti i presidentit Hashim Thaçi por kushdo qoftë që do të ishte dialogu mund të vazhdohej po qe se do të kishim një unitet të brendshëm politik, një platformë gjithëpërfshirë dhe i takon qeverisë që të siguroj numrat për të miratuar një marrëveshje në Kuvend. Pra siç e dimë roli kryesorë është i qeverisë që të siguroj në këtë rast dy të tretat e e parlamentarëve për të votuar një marrëveshje”, tha zoti Fetahu.

Ai thotë se problem mbetet legjitimiteti i qeverisë pasi që i mungojnë numrat e nevojshëm në parlament dhe se është i domosdoshëm një bashkërendim ndërmjet partive politike në mënyrë që të mos dështojnë bisedimet me Serbinë.

Ndërsa analisti Abdullahu thotë se institucionet duhet që në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të shohin një mundësi të re për të vazhduar bisedimet e udhëhequra nga Washingtoni.

“Unë konsideroj që e mira do të ishte që të dy bashkë prapë ta vazhdojnë dialogun sepse përderisa aktakuza nuk është e plotfuqishme veprimtaria e presidentit nuk mund të ndërprehet ngase do të ishte veprim politik i pamatur nga ana e Thaçit nëse ndërprehet tani, nëse fuqizohet aktakuza është punë tjetër por deri më tani nuk është fuqizuar dhe për shkak se kemi të bëjmë me një agjendë e cila e ka edhe për nxitim për të arritur një paqe dhe stabilitet atëherë çdo gjë duhet me patjetër të jetë në kordinim me administratën Trump”, tha ai.

Bashkimi Evropian ndërkaq po ngulë këmbë që bisedimet të fillojnë gjatë këtij muaji. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, planifikojnë një takim të nivelit të lartë në Paris më 10 korrik, por ende mbetet e paqartë nëse Kosova do të marr pjesë në këtë takim pasi që zhvillimet e fundit kanë lënë prapa mjaft paqartësi dhe Kosovën në një nga situatat më sfiduese që nga shpallja e pavarësisë së saj.

voa

67 TË SHËRUAR DHE 113 RASTE ME COVID-19!

IKSHPK

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se sot më 01 korrik 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 266 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 113 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive 2.991 raste nga 24.046 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 54 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese

67 pacientë janë shëruar derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.644 raste, kurse raste aktive 1.293.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 36 raste, komuna e Ferizajt 15 raste, komuna e Gjilanit 12 raste, komuna e Prizrenit 11 raste, komuna e Mitrovicës 10 raste, komuna e Fushë Kosovës 6 raste, komuna e Vushtrrisë 6 raste, komuna e Drenasit 3 raste, komuna e Vitisë 2 raste, komuna e Skenderajt 2 raste, komuna e Suharekës 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Gjakovë, Kamenicë, Malishevë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Rahovec dhe Shtime.

Ja edhe apeli i plotë i IKSHPK:

Të nderuar qytetarë!
Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

VIRUSI VRET! BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!

Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.

Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!
Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!
Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!

NE PO PUNOJMË PËR JU, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

Ju faleminderit për mirëkuptim!

Biblioteka Kombëtare dixhitalizim të mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh dhe antikuarësh

libraaaaaaaaaaFalë punës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, përgjatë gjithë muajve të izolimit si pasojë e COVID-19 është arritur realizimi i një faqeje të re online dhe dixhitalizimi i mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh, antikuarësh.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “dikur Borges thoshte se “Parajsën e kam menduar gjithmonë si një bibliotekë”. Në kushtet e pandemisë Covid 19, po “hapim” dyert e kësaj parajse në një tjetër formë, asaj dixhitale. Një pasuri e tërë, e cila tashmë është e aksesueshme nga kushdo, kudo dhe kurdo”.

“Ky revolucion dixhital finalizohet pikërisht në 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, kësaj “parajse”, për të cilën ne premtojmë se do punojmë edhe kundër ritmit të kohës, për t’i kthyer dinjitetin që meriton: një godinë me të gjitha standardet e kërkuara në hapësira dhe teknologji”, – tha Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “ndërkohë po ecim me ritme të shpejta për t’ia kthyer “Aneksin” e Bibliotekës Kombëtare, publikut, përmes sallave të dedikuara, ku për herë të parë do të dalin në dritë koleksione të rralla, në gjuhë të ndryshme”.

Sipas saj, puna vazhdon përtej vështirësive dhe me mirëkuptimin e lexuesit, që tashmë duhet të përballet edhe me disa mungesa.

“Falë dixhitalizimit do arrijmë të mbushim disa hendeqe, që na krijon pamundësia e prekjes fizike me librin”, – shtoi  ministrja Margariti.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shte­të­ror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920.

Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917. Në momentin e përurimit si BKSH, më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej  6000 vëllimesh. Sot  koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.

Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist.

Ndryshimet demokratike të viteve ’90 të shekullit XX mundësuan edhe ndryshimin e  politikave të Bibliotekës Kombëtare.  Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore me kufizime të skajshme në dhënien  e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të caktuara të literaturës, tani BKSH është krejtësisht e hapur për publikun e gjerë.

BKSH është qendra arkivore e të gjitha botimeve duke mbledhur, përpunuar, restauruar, ruajtur dhe vënë në dispozicion të publikut trashëgiminë e shkruar kulturore të popullit shqiptar.

/k.s//a.a/atsh