Strategji të reja për kujdesin mendor, ndihmojnë personelin mjekësor dhe publikun

MaskaPandemia e koronavirusit vazhdon të paraqesë sfida për shëndetin mendor të të sëmurëve, personelit mjekësor dhe publikut. Shumë spitale, po zhvillojnë programe për kujdesin mendor. Një prej tyre është Qendra Mjekësore Universitare në Nju Orleans, ku një mjeke që trajton pacientët me koronavirus thotë se po zbatohen praktika të reja për për të ndihmuar punonjësit e vijës së parë të frontit. Specialistët e shëndetit mendor thonë se kujdesi për gjendjen emocionale veten në kushtet kur pandemia nuk pritet të zhduket shpejt, është i domosdoshëm.

Si mjeke e specializuar në trajtimin e pacientëve të sëmurë rëndë, Sonia Malhotra është mësuar të shohë shpesh njerëz që janë duke vdekur.

Por pandemia e koronavirusit e ka sfiduar atë dhe ekipin e saj në mënyrë të paimagjinueshme.

“Është e pakët të thuhet që numri i pacientëve që na është dashur të trajtojmë në ditët e fundit të jetës, ka qenë i paimagjinueshëm dhe surreal”, thotë Dr. Sonia Malhotra, ndihmës profesore e mjekësisë dhe pediatrisë në Universitetin Tulane dhe drejtore e mjekësisë paliative në Qendrën Mjekësore Universitare, New Orleans.

“Ende vazhdojnë të vijnë njerëz me koronavirus. Ende ka njerëz që kanë nevojë për kujdes intensiv dhe për t’u shtruar në spital. Kam parë të rinj, mosha mesatare dhe të moshuar të vdesin. Nuk dihet se kë godet ky virus”, thotë ajo.

Qendra Mjekësore Universitare, është nga spitalet e pakta të Nju Orleansit që lejon deri në tre anëtarë të familjes që të vizitojnë të dashurit e tyre në momentet e fundit të jetës, duke përdorur paisje mbrojtëse.

“Kjo pa dyshim që ka ndikuar tek infermierët, mjekët, personeli shëndetësor, përfshirë ata që janë në trainim”.

Dr. Malhotra thotë se programet arsimore universitar mjekësore, duhet të përfshijnë më shumë strategji për të tejkaluar stresin, për t’i përgatitur më mirë profesionistët e shëndetësisë që të përballojnë momente si ky në pandemi.

“Jemi kujdesur të krijojmë programe për nevojat e shëndetit mendor të të gjithëve. Kemi grupe virtuale të ndihmës së shpejtë, të ndihmës së shpejtë psikologjike përmes departamenteve të psikiatrisë dhe psikologjisë në universitete, si edhe komunikime të vazhdueshme me ekipet tona”, thotë Dr. Malhotra.

Spitali ka ndërmarrë gjithashtu një program ku personeli shëndetësor vazhdon për një vit kontaktin me familjet që kanë humbur të dashurit e tyre nga virusi. Dr. Malhotra thotë se kjo ndihmon jo vetëm familjet por edhe personelin shëndetësor.

“Koronavirusi do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Duhet të mësojmë strategji sesi të mund të punojmë çdo ditë dhe të jetojmë në këto kushte”, thotë ajo.

Ekspertët e kujdesit mendor thonë se të flasësh me kolegët apo në disa raste me një psikolog, është një hap i parë i rëndësishëm, por punonjësve të shëndetësisë mund t’u duhet më shumë se aq pas tre muajsh përkujdesjeje për pacientë të sëmurë apo në prag të vdekjes dhe pa ditur se sa do të zgjasë pandemia.

“Ne e dimë që depresioni, stresi post-traumatik dhe stresi akut dhe ankthi, janë diçka që është normale ta shhohim si tek komuniteti në përgjithësi, por veçanërisht tek punonjësit e ndihmës së shpejtë, mjekët, infermierët, punonjësit socialë”, thotë Patrick Bordnick, dekan i Fakultetit të Punës Sociale në Universitetin Tulane.

Prof. Bordnick thotë se për të krijuar qëndrueshmëri dhe force në muajt në vazhdim, kujdesi për veten është jetik dhe kjo do të thotë distancim i plotë mendor, fizik dhe emocional nga puna për disa minuta çdo ditë dhe kur është e nevojshme largim për disa ditë.

“E rëndësishme është që kujdesi për veten të bëhet pjesë e rutinës së përditshme dhe të përvetësohet nga komunitetet mjekësore dhe shëndetit mendor, të bëhet pjesë e punës. Duhet të ushqesh veten nga ana fizike, emocionale dhe mendore dhe kjo nuk bëhet duke qenë i angazhuar 24 orë në ditë dhe në një gjendje krize”, thotë ai.

Prof. Bordnick thotë se stresi i pandemisë nuk largohet, kur punonjësit shkojnë në shtëpi.

Ai dhe specialistë të tjerë kanë krijuar një faqe me burime falas dhe këshilla, që profesionistët e mjekësisë dhe publiku të gjejnë lehtësisht diçka për t’i ndihmuar për t’u qetësuar dhe për meditim, për disa orë apo edhe vetëm disa minuta.

Faqja ofron edhe kënaqësi të tilla të thjeshta si koncerte dhe galeri arti virtuale, segmente gatimi dhe artesh vizuale me kuzhinierë dhe artistë nga Nju Orleansi.

Universiteti Tulane e krijoi faqen në partneritet me Qendrën Kombëtare për Inovacion në Shëndetin Mendor dhe aty përfshihen edhe burime për prindërit, mësuesit dhe fëmijët.

“Ashtu siç është përparësi mbajtja e maskës për siguri, ashtu duhet të jenë përparësi edhe nevojat e shëndetit mendor”, thotë Prof. Bordnick.

voa

Një pjesëmarrës në testimin e vaksinës për Covid-19 flet për përvojën e tij

VaccineDisa javë më parë studiuesit në Universitetin e Oksfordit njoftuan rezultate premtuese nga provat e hershme të versionit të tyre të një vaksine kundër virusit Covid-19. Në rezultatet e provave të hershme me mbi një mijë vullnetarë, vaksina dukej të ishte e sigurt dhe nxiti një reagim të sistemit imunitar.

E gjithë bota po punon për të gjetur një vaksinë efektive për të luftuar pandeminë e koronavirusit. Aktualisht gati 150 vaksina janë në faza të ndryshme të prodhimit.

Por vetëm një numër vogël i tyre janë në fazën e provave të zgjeruara me njerëz. Një nga këto vaksina po prodhohet në Universitetin e Oksfordit.

Branko Rithman vullnetarisht po merr pjesë në këto prova klinike.

“Nuk mund ta shihja veten duke kontribuar në ndonjë mënyrë tjetër kuptimplote sepse nuk jam punonjës shëndetësorë, nuk punoj në spital, nuk jam infermier. Unë mendoj se vaksina është mundësia, e vetmja mënyrë për ne që të kthehemi në normalitet dhe të arrijmë të jetojmë me këtë virus në një mënyrë që nuk e dëmton ekonominë tonë, dhe nuk i ndan njerëzit.”

Pjesë e provave ishte marrja e një vaksineje rreth gjashtë javë më parë dhe monitorimi i vazhdueshëm.

“Bëra analizat e gjakut një muaj pas fillimit të provave dhe analizat tjera të gjakut do të bëhen pas tre muajsh, pastaj pas gjashtë muajsh dhe pas një viti. Gjatë këtyre testeve ata po shohin nëse kam antitrupa në gjakun tim. Përveç kësaj, unë jam duke e testuar veten me testin e rregullt të koronavirusit çdo javë. “

Një pjesë interesante e provave klinike për zotin Rithman ishte se një numër vullnetarësh nuk e kishin marrë fare vaksinën por një placebo.

“Placebo që u është dhënë 50 për qind të pjesëmarrësve është një vaksinë kundër meningjitit që merret zakonisht në fëmijëri. Kështu që unë nuk e di nëse kam marrë vaksinë për meningjitin apo jo, por është një vaksinë e vërtetë. Pra, nuk e di nëse më është dhënë ajo apo vaksina kundër Covid-19, por ata më kanë kërkuar që të sillem normalisht sikur të mos kisha marrë vaksinën”.

Deri më tani zoti Rithman thotë se ai nuk ka pasur efekte anësore dhe se është krenar që është pjesë e këtyre provave.

“Unë nuk i kam parë prindërit e mi për gjashtë muaj. Ka shumë njerëz që nuk i kanë parë anëtarët e tyre të moshuar të familjes. Kështu që çdo gjë që mund të bëhet për të shpejtuar zgjidhjen, unë mendoj se është detyrë e secilit që të përpiqen dhe të kontribuojnë.”

Ekspertët thonë se është e mundur që një vaksinë mund të jetë gati për përdorim të gjërë tek njerëzit në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

voa

Raporti: Tentakulat e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor

Transnational tentaclesNjë raport i fundit i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, arrin në përfundimin se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor po veprojnë gjithnjë e më shumë në botë, megjithëse rajoni vetë është një treg relativisht i vogël për krimin e organizuar.

Raporti “Tentakulat Ndërkombëtare: Zonat Problematike të Krimit të Organizuar nga Vendet e Ballkanit Perëndimor” i përpiluar nga Walter Kemp, i cili drejton zyrën e studimeve të kësaj organizate dhe Observatorin e Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, thotë se fitimet e këtij aktiviteti të paligjshëm bëhen kryesisht në vende të tjera, përfshirë Evropën Perëndimore, Turqinë, Amerikën Latine, Afrikën e Jugut dhe Australinë.

Në raport thuhet se në shumë nga epiqendrat e krimit të organizuar, grupet nga Ballkani Perëndimor, janë ngritur në hierarkinë e krimit, në 20 vitet e fundit.

“Burra nga qytete të vogla të Ballkanit Perëndimor, po organizojnë tani transportimin e ngarkesave shumëtonëshe kokaine nga xhunglat e Amerikës Latine përmes disa prej porteve më të ngarkuara të Evropës, në rrugët e kryeqyteteve të saj. Marinarë nga porte të vogla të Ballkanit po përdorin jahtet për të dërguar drogë në Afrikën e Jugut dhe Australi, apo imigrantë nga Turqia në Evropën Perëndimore”, thuhet në raport.

Raporti tregon se si grupet nga rajoni angazhohen në financimin, transportimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës të transportuara nga Amerika e Jugut në Evropë.

Lidhjet e ngushta me grupe lokale kriminale dhe qasja tek kokaine që nga burimi, kombinuar me praninë e tyre në qytete të mëdha porte të Evropës, do të thotë se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor janë në gjendje të kontrollojnë gjithë ciklin e furnizmit të kokainës nga burimi në destinacion.

“Kjo u jep atyre mundësinë që të ulin çmimet, duke bërë të mundur që konsumatorët të kursejnë, të ofrojnë një cilësi të mire me çmim të arsyeshëm, duke eliminuar kështu konkurrencën. Falë këtij modeli biznesi, disa grupe kriminale nga Ballkani Perëndimor, janë bërë elita e krimit”, thuhet në raport.

Po ashtu raporti thotë se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor që fuksionojnë në vende të tjera janë moderne, dinamike, me aftësi për sipërmarrje dhe për t’u përshtatur dhe përdorur teknologjin në avantazhin e tyre.

Ata “për shembull përdorin forma të koduara komunikimi; eksplorojnë rrugë dhe mjete të reja trafikimi, si edhe pastrojnë para përmes kripto-monedhave, parajsave financiare para se t’i fusin në vendet e tyre”.

Pjesa më e madhe e dhunës nga këto grupe, duket se është e lidhur me larjen e llogarive brenda rrangjeve të tyre ose ndaj rivalëve.

Sipas raportit, nuk ekziston në vetvete një Kartel i Ballkanit, megjithëse “grupe nga rajoni herë pas here punojnë me njëri tjetrin dhe ka edhe raste grupesh shumëetnike”.

“Megjithëse problemi i krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor është zhvendosur kryesisht në vende të tjera, aktivitetet e këtyre grupeve kriminale po dëmtojnë reputacionin e vendeve të tyre, sidomos në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në raport.

Raporti thekson gjithashtu se disa nga problemet dhe vështirësitë që shkaktuan largimin e njerëzve nga vendet e Ballkanit perëndimor në të kaluarën, vazhdojnë të ekzistojnë si papunësia, korrupsioni, mungesa e mundësive, pakënaqësia me qeveritë e tyre dhe vonesat në procesine integrimit evropian.

“Nëse nuk zgjidhen këto probleme, do të vazhdojë të ketë grupe të rinjsh në Ballkanin Perëndimorë ose diasporë me vullnetin të rrezikojnë duke ndjekur një jetë krimi”.

Raporti bën thirrje për një bashkëpunim të strukurave të ligjit dhe të rendit, gjurmin dhe konfiskim pronash dhe këmbim informacioni, sidomos duke pasur parasysh që anëtarët e këtyre grupeve përdorin identitete të rreme. Po ashtu thekson nevojën për reduktuar kërkesën për mallra dhe shërbime nga grupet kriminale në Ballkan.

“Ndërsa disa kritikë dhe një pjesë e medias i bien kambanës së alarmit për grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor, shumë pak prej tyre e përmendin faktin që ata janë një shërbim shpërndarjeje për tregjet e paligjshme të Evropës Perëndimore”, thuhet në raport.

Raporti synon paraqitjen e një tabloje mbi aktivitetin kriminal 20 vjeçar të grupeve kriminale nga Ballkani perëndimor, përhapjen e tyre globale, dhe ngjitjen në hierarkinë kriminale.

“Tentakulat e këtij oktapodi janë shtrirë nëpër të gjithë botën: që nga furnizimi me kokainë në Amerikën Latine, deri në rrugët e Evropës perëndimore; nga korridoret e trafikimit të heroinës në Turqi në Evropë; nga fushat e kanabisit në Shqipëri drejt Turqise, dhe vendeve të Bashkimit Evropian”, thuhet në raport.

Raporti arrin në përfundimin se pozita gjeografike, rrethanat me konflikte dhe trazira nga dolën këto vende, marrja në sy e rrezikut dhe pritja për inovacion dhe përshtatje, i kanë fuqizuar këto grupe.

Raporti thotë se është e qartë se ekosistemi i korrupsionit, pandëshkueshmëria politike, dhe sistemi i dobët i drejtësisë penale në vendet e Ballkanit perëndimor krijon një strehë që mbron disa nga figurat kryesore.

Fillimet e aktivitetit të paligjshëm kriminal në Shqipëri

Sipas raportit, zanafilla e “korridorit ballkanik” të aktivitetit kriminal mund të gjurmohet, në vitet e komunizmit dhe pikërisht në vitin 1966, kur për të gjetur burime për thithjen e valutës së huaj, qeveria shqiptare pranoi një ofertë për t’u përfshirë në kontrabandën e cigareve, me një plan për të trafikuar në Itali cigare të markave amerikane, dhe që atje ato të shpërndaheshin në vende të tjera të Evropës, dhe në Lindjen e Mesme.

Sipas raportit, ndërmjetësit zviceranë që bënë ofertën kishin lidhje me mafian italiane, që po kërkonte korridore të reja trafikimi pasi operacionet policore në detin Tirren ishin bërë më të efektshme. Sipas një ish-prokurori italian të antimafias, bosë mafiozë arritën të kuptonin se kontrolli i shtetit pas Perdes së Hekurt ishte strikt vetën për çështje politike, por nuk përbënte ndonjë pengesë serioze për trafiqe të paligjshme.

Qeveria shqiptare krijoi një zonë të lirë ekonomike që shërbente si pikë tranziti për kontrabandën e cigareve që vinin nga Shtetet e Bashkuara, dhe krijoi kompaninë Albtrans, që mendohet se administrohej nga Sigurimi i Shtetit, që siguronte mbarëvajtjen e punës në Shqipëri në shkëmbim të një tarife prej nëntë dollarësh amerikanë për koli. Llogaritet se qeveria shqiptare ka grumbulluar rreth 35 milionë dollarë nëpërmjet kësaj veprimtarie gjatë periudhës 1968–1991.

Si pasojë e kësaj veprimtarie Deti Adriatik, që deri në atë kohë konsiderohej thjesht si ‘kufi blu’, u transformua në një korridor shumë fitimprurës për në lindje për grupet kriminale italiane.

Trazirat dhe përmbysjet e viteve 1990

Trazirat dhe përmbysjet e viteve 1990, sollën vështirësi por edhe shanse për grupet kriminale.

Një ndërthurje e depërtimit të grupeve kriminale në strukturat e forcave serbe dhe vendosja e sanksioneve kriminale, krijuan kushtet për lulëzimin e aktivitetit kriminal, ku u përfshinë Beogradi dhe Podgorica, por ku më pas u përfshinë vendet fqinjë.

“Sasi të mëdha nafte kalonin kontrabandë nëpër Liqenin e Shkodrës, nga Shqipëria në Malin e Zi, si dhe nëpërmjet kufirit tokësor të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në fakt, shkelja e sanksioneve, kufijtë e rinj të krijuar nga prishja e ish- Jugosllavisë, hapësirat dhe mundësitë e reja për të zhvilluar kontrabandë, sollën pasoja të papritura në zhvillimin e grupeve kriminale, dhe rritjen e ndikimin të tyre në ekonomitë e disa vendeve fqinje”, thuhet në raportin i cili fajëson si një nga faktorët komunitetin ndërkombëtar që vendosi sanksione, duke krijuar mundësinë e një rrjeti gjigand kriminaliteti.

Rënia e skemave piramidale në vitet 1996 dhe shpërbërja që pasoi në Shqipëri, në vitin 1997 krijoi edhe më tej terren për kriminalitet si edhe për kontrabandë përfshirë atë të armëve në Kosovë.

Lufta e Kosovës bëri gjithashtu të mundur krijimin e një terreni pjellor për aktivitete kriminale, që vazhdoi edhe pas saj, gjatë kohës së administrimit ndërkombëtar dhe përpjekjeve të konsoldimit të qeverisjes së vendit.

“Në këtë periudhë paslufte të ngritjes së shtetit, ku institucionet dhe infrastruktura ishin të dobëta, disa individë në pozita të forta, që kishin marrë pjesë në luftë dhe kishin lidhje të forta me diasporën, e shtuan ndjeshëm pasurinë dhe influencën e tyre, duke u marrë njëkohëshisht si me aktivitete të ligjshme, ashtu edhe me veprimtari kriminale”, thuhet në raport, ku shtohet se “për disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u fol se ishin të përfshirë në aktivitete kriminale”.

Zhvendosja e aktiviteteve kriminale në Perëndim

Raporti vë në dukje se falë disa faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, që nga viti 2000 grupet kriminele të Shqipërisë filluan ta zhvendosin veprimtarinë e tyre jashtë vendit, veçanërisht në Greqi, Itali, Zvicër dhe Gjermani.

Vetëm gjatë muajve të pranverës të vitit 1997, rreth 10,600 shqiptarë, duke përfshirë edhe shumë kriminelë, emigruan ilegalisht në Pulia, Itali.

Që nga viti 2001, grupe kriminale shqipfolëse (përfshirë edhe grupe nga Kosova, dhe Maqedonia e Veriut) ishin përfshirë në trafikimin e heroinës në disa shtete, evropiane, si në Republikën Çeke, Belgjikë, Greqi, Austri, dhe Zvicër.

Itinerari i zakonshëm ishte blerja e heroinës nga organizata kriminale turke dhe transportimi i drogës drejt Evropës perëndimore, veçanërisht nëpërmjet Hungarisë.

Nga viti 2001, Shqipëria u bë edhe vend origjine për kanabisin e shitur në Evropë pas mbjelljeve masive të kanabisit në vend gjatë viteve 90.

Shqipëria u bë gjithashtu një nga burimet kryesore për barishte kanabisi për tregjet italiane dhe greke, dhe gradualisht u kthye në një nga burimet kryesore edhe për rezinën e kanabisit. Grupet kriminale shqiptare u përfshinë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore në Belgjikë, Francë, Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por ata ishin veçanërisht aktivë në Itali, ku punonin krah për krah me mafian italiane. Disa nga këto bashkëpunime do të krijonin themelet për krijimin e rrjeteve të mëvonshme të trafikimit të drogës.

Raporti thotë se brenda një kohe të shkurtër shqiptarët, u transformuan në faktorë të rëndësishëm në fushën e trafikut të drogës, emigracionit të paligjshëm, dhe trafikimit të qenieve njerëzore në disa vende të Evropës.

Evropa ishte baza më e nxehtë e aktivitetit të grupeve kriminale të Ballkanit.

Në raport përmendet Mafia e Frankfurtit e përbërë kryesisht nga shtetas maqedonas të qytetit të Veleshit dhe u bë i njohur për trafikimin e heroinës në Frankfurt dhe Vienë.

Në Suedi kriminelë nga vende të Ballkanit perëndimor gjithashtu ngjitën shkallët e krimit. Në vitet 70 dhe 80, disa kriminelë – si Arkani – u përfshinë në grabitje bankash dhe zhvatje. Një nga grupet kriminale kryesore në Suedi drejtohej nga Naser Xhelili, një shqiptar nga Maqedonia. Grupi ushtronte aktivitetin në Goteborg dhe merrej me trafikun e drogës, zhvatjes, dhe grabitjeve me armë. Raporti thotë se në fillimet e viteve 2000, shqiptarët filluan pak a nga pak të merrnin në në dorë tregun e madh të kokainës në Londër.

“Nga viti 2015, ata ishin kthyer në disa nga trafikantët kryesorë në kryeqytetin britanik dhe zona të tjera anembanë vendit. Ata janë aktivë jo vetëm në shpërndarjen e drogës, por bandat shqiptare kanë marrë goxha nam dhe luajnë rol kryesor në shitjen e drogave, në grabitjet me armë, dhe zhvatjet. Një në dhjetë të burgosur në Britani është shqiptar”, thuhet në raport.

Italia

Në raport flitet gjerësish për fuqizimin e grupeve kriminale nga Shqipëria në Itali, përfshirë trafikimin e kanabisit dhe kokainës, e cila është më fitimprurëse.

Aty thuhet se shqiptarët kaluan nga trafiku i qenieve njerëzore në vitet ’90 tek ai i drogës.

“Fillimisht shqiptarët ishin në shërbim të italianëve në këtë bashkëpunim, por gjatë dy dekadave të fundit, falë edhe lidhjeve me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine dhe rrjetet e tyre në vende të Evropës perëndimore ku ka shumë emigrantë shqiptarë, ata kanë arritur të ngjitin shkallët e hierarkisë kriminale, deri në atë pikë sa në disa raste janë bërë partnerë të barabartë me grupe mafioze italiane”, thuhet në raport.

Bregu lindor i Italisë, duket të jetë porta kryesore për drogat, përfshirë Barin dhe Ankonën ku vijnë tragetet nga Durrësi. Grupet kriminale shqiptare janë bërë faktorë kryesorë në marrjen e vendimeve dhe ndonjëherë konsiderohen si krahu i armatosur i aleancave kriminale. Sipas autoriteteve italiane të rendit kombinimi i kriminelëve italiane dhe shqiptare është i rrezikshëm.

Një nga vendet ku kriminelët shqiptarë fillojnë bashkëpunimin me ata italianë, janë burgjet siç përmendet rasti i Arben Zogut që filloi furnizimin e Romës me kokainë që tani kontrollohet nga shqiptarë, i cili vuante dënimin në një burg me Rocco Bellocco-n, bosin e një prej familjeve më të fuqishme të Ndrangetas.

Lidhjet midis grupeve italiane dhe shqiptare janë evidentuar nga një numër operacionesh policie në periudhën midis 2019 dhe 2020. Një shembull nga raporti, është ai i operacionit Rëra 2 (Sabbia 2) në dhjetor 2019, ku nëntë të dyshuar, mes së cilëve shtatë shqiptarë, u arrestuan nga karabinierët si pjesë e goditjes së trafikimit të kanabisit dhe kokainës në Firence.

Ndërsa në janar 2019, një shqiptar dhe një malazez u arrestuan së bashku me anëtarët e klanit të Kazamonikës në Romë, si pjesë e operacionit Brazil Low Cost që shkatërroi një grup që furnizonte me kokainë Romën dhe Napolin. Shqiptari Dorion Petoku, thuhet se është një nga krerët e grupit të Arben Zogut. Grupi po planifikonte që të transportonte shtatë tone kokainë të pastër nga Brazili në Evropë, me avionë privatë.

Më 1 gusht 2019, pesë shqiptarë, një rumun, dhe një italian u arrestuan në kuadër të operacionit Shqiponja e Zezë. Ata bënin të mundur transportimin e kokainës nga Kolumbia në Roterdam, ku ndahej në pako të vogla dhe më pas transportohej për në Itali nga shqiptarë me vetura të modifikuara, me dysheme me fund të dyfishtë, si dhe në furgonë dhe autostrada. Droga i shitej më pas grupeve italiane.

Një oficer policie që ishte marrë me një operacion të gjerë kundër krimit të organizuar në Romë në nëntor 2019, tha se “bosët e rinj të drogës në Romë janë shqiptarë. Grupet kriminale të Romës e blejnë prej tyre pluhurin e bardhë për 28,000 euro për kilogram. Nuk gjen kurrë më lirë se aq.”

Në shkurt 2020, në kuadër të operacionit Herostrati (Erostrato), një grup me 11 shqiptarë dhe italianë, që njihej edhe si mafia e Viterbos, u dënuan me një total prej 135 vitesh në burg për zhvatje dhe shantazh në qytetin e Viterbos. Krerët e grupit, një italian nga Kalabria dhe një shqiptar nuk janë kapur akoma.

Për të ilustruar forcimin e elementeve kriminalë shqiptarë, në raport thuhet se tani ata kanë filluar të mbajnë peng pjesëtarë të mafias italiane, si garanci për pagesën e drogës.

Sipas një burimi nga policia financiare italiane, mbajtja e pengjeve është diçka normale në marrëdhëniet midis grupeve kriminale, “por kur shqiptarë mbajnë peng siçilianë, atëherë kjo tregon se gjërat kanë ndryshuar dhe janë bërë goxha të fuqishëm”.

Një valë vrasjesh në periudhën 2019-2020, përfshirë një nga krerët e krimit në Romë, Fabrizio Piscitelli dhe trafikanti shqiptar i drogës Gentian Kasa, lë të kuptohet se jo gjithmonë ka harmoni mes grupeve kriminale shqiptare dhe italiane dhe se konfliktet e brendshme çojnë në dhunë.

Spanja

Në Spanjë, grupet kriminale nga Ballkani që fillimisht merreshin me grabitje, kaluan më pas në trafikim droge në vendin që shërben si portë kryesore për hyrjen e drogën nga Amerika Latine. Në raport përmendet një shembull për lidhjet mes Spanjës dhe grupeve të Ballkanit, sipas së cilit në janar 2015, një helikopter me rreth 900 kilogramë hashash në bord, që mendohej të ishte nisur nga Maroku, u përplas pranë Malagas. Piloti ishte major në forcat e armatosura të Shqipërisë.

“Ky nuk ishte i vetmi incident i këtij lloji: duket se ka një trafik të vazhdueshëm helikopterësh dhe avionësh të lehtë që transportojnë drogë nga Maroku në Spanjë, por niveli i angazhimit të pilotëve nga Ballkani në këtë trafik është akoma i paqartë”, thuhet në raport.

Holanda

Në Holandë, grupet kriminele nga Ballkani filluan të bëhen objekte hetimi nga fillimi i viteve 90. Shqiptarët u përfshinë në trafikun e qenieve njerëzore në vitet 90 dhe më pas të emigrantëve, ndërsa pas vitit 2010 në trafikun e drogës.

“Ashtu si përmendet edhe në lidhje me zona të tjera problematike të analizuara në këtë raport, ngjitja e shqiptarëve në shkallën e krimit ndjek pak a shumë të njëjtin model. Mesa duket ata hynë në tregun hollandez duke punuar për grupet italiane, por sot, në vitin 2020, ata janë shndërruar në një nga faktorët kryesorë të tregjeve kriminale. Në fakt, ka të dhëna se shqiptarët ndërrmarin operacionet e veta transatlantike”, thuhet në raport.

Portet në Hollandë dhe Belgjikë (si Roterdami dhe Anversa) përdoren shpesh për të importuar sasi të mëdha kokaine nga Ekuadori, Brazili dhe Kolumbia.

“Në fushën e trafikimit të drogës grupet shqiptare në Hollandë shpesh quhen ‘uithalers’ – që do të thotë ‘marrësit’ – me fjalë të tjera, persona që e marrin drogën, veçanërisht kokainë dhe heroinë, nga porte dhe e shpërndajnë anembanë veriut të Evropës perëndimore. Shumë nga grupet shqiptare të krimit të organizuar që veprojnë në Hollandë (dhe Belgjikë) i përdorin bazat e tyre si platforma për trafikimin e kokainës në Britani, tregu më i madh i kokainës në Evropë”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se mendohet se shqiptarët luajnë rol të dorës së pare në botën e krimit në Amsterdam. Në vitin 2018, dy nga krerët e klanit Bajri u arrestuan në Roterdam për trafik droge, kontrabandë armësh, prostitucion, zhvatje, organizimin e llotarive të paligjshme, dhe lojëra fati pa leje. Ndërsa në gusht 2019, policia italiane arrestoi 17 persona që ishin pjesë e një rrjeti shqiptar për trafikimin e gati 200 kilogramëve kokainë nga Hollanda në Itali.

15 grupe kriminele shqiptare që veprojnë në zonën e Beneluksit (Belgjikë, Hollandë dhe Luksemburg), kanë krijuar lidhje me tre-katër grupe shqiptarësh në Amerikën Latine.

Zyrtarisht në Holandë ka 1,200 shqiptarë por autoritetet mendojnë se mund të ketë rreth 40 mijë, shumica me pasaporta të rreme nga vende të BE-së.

Një pjesë e mirë e tyre janë vendosur në zonën e Limburgut në Jug të vendit, e cila është bërë bazë e kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, dhe llogaritet se ky aktivitet mund të sjellë rreth 200 milionë euro në vit.

Gjatë operacionit Shqipëria, në maj 2019, u arrestuan 30 persona të dyshuar në zonën e Limburgut, dhe 25 prej tyre ishin shqiptarë. Grupet që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë, thuhet në raport, përdorin përvojën e fituar në Shqipëri për rritjen e kanabisit, që në fakt e mësuan nga hollandezët.

“Ndërkohë që autoritetet shqiptare po godasin kultivimin e kanabisit në vendin e tyre, grupet shqiptare të krimit të organizuar e kanë transferuar përvojën e tyre jashtë vendit, jo vetëm në Hollandë, por edhe në Belgjikë, Britani, dhe Turqi. Duket se grupet shqiptare i kanë xhepat plot me para, ose kanë akses në fonde të mëdha, duke parë numrin e shtëpive që kanë blerë me para në dorë në zonën e Limburgut”.

Raporti citon një prokuror të thotë: “Është e çuditshme sa të zotë janë në gjetjen e pikave të dobëta në shoqërinë tonë. Dinë si të përdorin dokumente identifikimi false për të marrë shtëpi me qera në mënyrë të paligjshme. E dinë si të shfrytëzojnë noterët hollandezë, janë në gjendje të përdorin agjencitë e pronave të paluajtëshme për të blerë shtëpi; përdorin metoda shumë të rafinuara, dhe e dinë shumë mirë si të veprojnë.”

Sipas raportit, grupet shqiptare nuk konsiderohen si të dhunshëm, dhe nuk tërheqin vëmendjen e të tjerëve, pasi kjo do t’i prishte punë.

Sipas një prokurori, edhe kur arrestohen, shqiptarët nuk bëjnë fjalë, dhe shpesh gjatë procesit gjyqësor “nuk e hapin gojën fare”.

Republika Çeke

Në Republikën Çeke, kriminelët shqiptarë nga Kosova Shqipëria, dhe Maqedonia e Veriut janë marrë më shumë me krimin e rrugës, përfshirë edhe

trafikimin e personave dhe drogës, veçanërisht në qytetet pranë kufirit me Gjermaninë. Por mes tyre ka patur edhe disa kriminelë me emër, si në rastin e Princ Dobroshi nga Kosova, një nga trafikantët kryesorë të drogës dhe transportonte heroinë nëpër korridorin ballkanik në Republikën Çeke, dhe prej andej në vendet nordike. Ai u arrestua në Pragë, në shkurt 1999, dhe më pas u ekstradua në Oslo (ku ishte arratisur nga burgu në vitin 1997). Më pas u lirua me kusht ‘për sjellje të mirë’, dhe u urdhërua të largohej nga vendi në janar 2005. Mendohet që ai të jetë kthyer në Kosovë.

Po ashtu Qazim Osmani nga Kosova, një nga themeluesit e kompanisë së lojërave të fatit Banco Casin, u tërhoq pikërisht nga elementi i lojrave të fatit, të cilat që nga vitet ’90 ishin përdorur për pastrimin e paravet të pista.

Strukturat e krimit të organizuar nga vendet e Ballkanit perëndimor brenda rrjeteve globale të krimit të organizuar mund të përdorin fare lehtë rrjete ndërkombëtare për pastrimin e parave të pista dhe nuk kanë pse i mbajnë brenda Republikës Çeke.

Afrika e Jugut

Në Afrikën e Jugut, krimi i organizuar nga Ballkani vjen kryesisht nga serbët që kanë një komunitet të konsiderueshëm në vend me dy valë, nga vitet 60 dhe 70 dhe nga mesi i viteve 2000. Në periudhën 2018–2019, Afrika e Jugut u trondit nga një valë vrasjesh dhe shumë nga autorët dhe viktimat ishin shtetas të vendeve të Ballkanit perëndimor, veçanërisht nga Serbia. Afrika e Jugut mund të kthehet në një zonë problematike për trafikun e drogës për grupet nga Ballkani Perëndimor.

Turqia

Turqia, që konsiderohet edhe porta e lindjes, është një bazë e rëndësishme për trafikimin e heroinës dhe trafikimit të emigrantëve. Grupe kriminale nga Ballkani perëndimor kanë patur lidhje me Turqinë që nga vitet 70 dhe 80.

Nga tregëtia e mallrave si veshjet me valixhe nga Turqia në Ballkan u kalua në tregëtimin e mallrave të paligjshme si cigaret dhe drogat. Shumë shqiptarë (kryesisht nga Kosova) filluar të përfitojnë nga numrat gjithnjë e të mëdha të emigrantëve shqiptarë në Evropën perëndimore për të zgjeruar rrjetin dhe veprimtaritë e tyre dhe u përfshinë në të gjitha hallkat e trafikimit që nga blerja, trafikimi dhe shpërndarja.

Një rast i tillë ishte ai i Sami Hostanit (i mbiquajturi shqiptari) nga Maqedonia e Veriut i cili trafikonte sasi të mëdha droge nëpër Turqi, Amerikën e Jugut, dhe Evropë dhe kishte lidhje të dyshimta biznesi me rrjete të trafikimit të drogës në Hollandë dhe Kolumbi. Ai më pas filloi të investonte shumë në fushën e lojërave të fatit dhe ishte një nga pronarët e kazinosë në Hotel Sheraton në Stamboll. Ai u dënua me katër vjet burg për krijimin dhe drejtimin e një rrjeti kriminal.

Trafikantët nga Ballkani kanë përfituar edhe nga bumi i heroinës në Afganistan dhe bëjnë përpunimin e saj para se ta shesin, për të maksimizuar fitimet.

Në vitin 2015, u llogarit se fitimi i përgjithshëm bruto nga trafikantët e opiateve në Evropën juglindore ishte rreth 1.7 miliardë dollarë në vit.

Ndërsa kërkesa në rritje për kanabis, ekstazi dhe droga sintetike në Turqi krijoi mundësi për shtetasit e vendeve të Ballkanit perëndimor që të transportonin këto lloj drogash nga Evropa në Turqi në shkëmbim të heroinës. taksat e larta mbi cigaret në Turqi krijuan një treg në rritje për kontrabandën e cigareve shumë më të lira nga Ballkani.

Fakti që banorët e Ballkanit dhe të Turqisë mund të lëvizin pa viza dhe që kushdo që fut 250 mijë dollarë fiton shtetësinë pa pasur nevojë ta deklarojë burimin e ka shtuar mundësinë për aktivitete të paligjshme.

I ashtuquajturi “Korridori Ballkanik” njihet më tepër për transportimin e heroinës nga Afganistani nëpër Iran, në Turqi, dhe përmes Ballkanit perëndimor. Që këtej droga dërgohet në tregjet kryesore në perëndim.

Nganjëherë heroina magazinohet përkohësisht në baza të ndryshme në vendet e Ballkanit perëndimor. Ministria e rendit në Maqedoninë e Veriut ka raportuar mbi shkatërrimin e një organizate kriminale në muajin shkurt 2019, në bashkëpunim me agjencinë e luftës kundër drogës të Shteteve të Bashkuara (DEA). Grupi kriminal ishte përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në trafikimin e heroines dhe kanabisit nga Turqia në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, dhe më pas drejt Zvicrës, dhe vendeve të Evropës perëndimore. Ky grup kishte ngritur edhe laboratorë për prodhimin e stimulantëve tip amfetamine (ATS). Ka të dhëna se heroina kalon tranzit edhe nga Kosova.

Kohët e fundit në disa raste trafikantët shqipfolës janë përpjekur që të anashkalojnë rrjetet turke të trafikimit të drogës, dhe të krijojnë kontake direkte me furnizuesit iranianë të heroines dhe kjo sinjalizon një ndryshim të mundshëm të strukturës së trafikut të heroinës.

Forcat e rendit kanë arrestuar disa grupe shtetasish shqiptarë dhe kanë konfiskuar sasi të mëdha heroine dhe substancash të tjera.

Nga ana tjetër, edhe grupet iraniane duket se po përpiqen që të krijojnë bazat e tyre në Ballkanin perëndimor. Kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme për sigurinë në Ballkan.

Mendohet që trafikantët e heroinës përdorin të paktën 18 rrugë të ndryshme nga Turqia për në tregjet evropiane dhe destinacioni kryesor i heroinës janë Hollanda, Gjermania, Shqipëria, dhe Moldavia.

Hetime të zhvilluara në Turqi, Greqi dhe Shqipëri tregojnë se rrjetet turko-shqiptare shfrytëzojnë portet detare të Turqisë, dhe mijëra mole të vogla përgjatë bregdetit të Detit të Zi, Detit të Marmarasë, Detit Egje dhe Detit Mesdhe për trafikimin e kanabisit dhe heroinës.

Origjina primare e transportit të drogës me rrugë detare ka qenë Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme, ndërsa ngarkesat që dalin nga Turqia kanë si destinacione Hollandën, Gjermaninë, Belgjikën, Italinë, Britaninë, Greqinë dhe Italinë.

“Që nga viti 2015, forcat e rendit në Turqi kanë konfiskuar sasi të mëdha droge nga mjete detare transporti që kontrolloheshin nga grupe kriminale shqiptare. Zakonisht kontrollet dhe siguria në mole janë të kufizuara dhe duket se kjo është edhe pika më e dobët në kontrollin e kufirit të Turqisë me vendet e Bashkimit Evropian. Që këtu jahte luksoze dhe skafe që përdoren nga shqiptarë hyjnë e dalin pa ndonjë kontroll sigurie”, thuhet në raport.

Një pjesë e drogës transportohet edhe nga ajri.

Turqia po bëhet një treg gjithnjë e më i madh për ekstazi të prodhuar në Evropë, dhe grupet nga Kosova janë përfshirë në këtë trafik. Po kështu ka të dhëna se disa shtetas të vendeve të Ballkanit perëndimor janë përfshirë në prodhimin e methamfetaminës në Turqi.

Kur sektori antidrogë i policisë në Stamboll zbuloi një laborator methamfetamine në vitin 2018, organizata kriminale ndërkombëtare përbëhej nga shtetas nga Turqia, Uzbekistani, Irani, Britania, dhe Shqipëria.

Kanabisi është droga më e përhapur në tregun turk. Edhe super marihuana (skunk), një lloj droge me bazë kanabis (e prodhuar në Shqipëri), është mjaft e përhapur: 11 tonë nga kjo drogë u kapën në vitin 2018, një rritje prej 530 për qind krahasuar me një vit më herët.

Raporti thotë se nuk ka të dhëna zyrtare mbi numrin e trafikantëve të kanabisit nga vendet e Ballkanit perëndimor, por sipas raportit mund të arrihet në përfundimin se shqiptarët janë përfshirë në trafikimin e kanabisit në Turqi. Së pari, shqiptarët sjellin sasi të mëdha kanabisi me mjete detare transporti në porte.

Autoritetet turke kanë konfiskuar sasi rekord të super marihuanës që nga viti 2016, dhe ekspertët mendojnë se një pjesë e madhe e super marihuanës furnizohet nga rrjete shqiptare.

“Në të vërtetë, disa grupe shqiptare e kanë kthyer Detin Adriatik në një autostradë detare për trafikun e drogës”, thuhet në raport.

Sipas raportit, një nga trafikantët më famëkeqë është shqiptari Met Kenani, që transportonte sasi të mëdha drogash me mjete detare dhe që u arrestua në një aksion në vitin 2018. Raporti përmend disa aksione në disa vende të lidhura me rrjetin e tij.

Por megjithë arrestimin e Kenanit, rrjedha e kanabisit ka vazhduar. Në nëntor 2018, tre persona u arrestuan, duke përfshirë edhe një shtetas shqiptar që i jepte kamionit nga doganierët turq në kufirin me Greqinë, duke kapur 1.5 tonë hashish në një kamion që transportonte sojë.

Në qershor 2019, sektori antidrogë i policisë së Stambollit goditi një rrjet ndërkombëtar të krimit të organizuar që trafikonte rregullisht super marihuanë nga Shqipëria në Turqi, dhe konfiskoi 525 kilogramë super marihuanë. Në tetor 2019, policia greke zhvilloi një hetim mbi një grup trafikantësh shqiptarë që trafikonin sasi të mëdha marihuane nga Shqipëria në Turqi, nëpërmjet Greqisë.

Aksione të përbashkëta të policisë greke, Rojës Bregdetare, dhe Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (European Border and Coast Guard Agency – Frontex) rezultuan në kapjen e 1,172 kilogramëve opium të papërpunuar. Grupi shqiptar përdorte skafe për të dërguar kanabis në disa qytete në bregdetin turk. Nga hetimet doli se shqiptarët përdornin ishuj të pabanuar në Greqi për magazinimin e përkohshëm të drogës.

Hetuesit thanë se grupi shqiptar e shkëmbente kanabisin për heroinë në Turqi, dhe transportonte heroinë duke u kthyer mbrapsht nëpër të njëjtin itinerar.

Vitet e fundit, grupet nga Ballkani janë përfshirë në trafikun e migrantëve.

Sipas raportit grupet nga Ballkani perëndimor – veçanërisht nga Kosova dhe Shqipëria – kanë ngjitur shkallët e hierarkisë në botën e krimit, si në Turqi ashtu dhe në marrëdhëniet e tyre me grupet turke që kanë lidhje me Ballkanin.

Amerika Latine

Kriminelë nga Ballkani perëndimor filluan të hyjnë në biznesit e kokainës në Amerikën Latine, sidomos në Ekuador and Kolumbi rreth viteve 2008–2009 dhe janë kthyer në ndërmjetës të suksesshëm midis furnitorëve vendas dhe grupeve kriminale të konsoliduara, dhe tani së fundmi janë transformuar në faktorë kyç dhe shpërndarës të fuqishëm.

Në informacionet më të hershme në vitin 2001, u arrestuan tre shqiptarë në kuadër të operacionit Rrugëtimi (Journey), që zgjati dy vjet, dhe u zhvillua nga DEA në bashkëpunim me vende të tjera për të goditur trafikimin me rrugë detare nga Kolumbia. Po atë vit u zbulua edhe grupi i parë shqiptar që trafikonte kokainë.

Policia arrestoi gjashtë pjesëtarë të një grupi, duke përfshirë dy persona që në atë kohë punonin në prokurorinë e përgjithshme në Tiranë. Operacioni Rrugëtimi konfirmoi se ky grup kishte patur kontakte me kartelin e Medellin në Kolumbi që nga viti 1999, dhe ishte pjesë e një rrjeti të trafikimit të kokainës të shpërndarë në të gjithë botën.

Por trafiku i vërtetë duket se ka nisur rreth periudhës 2008–2009, kur serbi Darko Shariç u përfshi në trafikun e drogës nga Amerika Latine në Evropë.

Ndërsa Shariç po vazhdonte me sukses trafikun në Amerikën Latine, shqiptari Arbër Çekaj shkoi në Ekuador dhe hapi një kompani për tregtinë e bananeve. Brenda pak viteve Çekaj u bë trafikanti më I madh i drogës në Shqipëri, duke e fshehur drogën në ngarkesat me banane që i eksportonte në Evropë. Shumë shpejt të tjerë filluan të ndjekin shembullin e Shariçit dhe Çekajt, pasi kapjet e ngarkesave me drogë nga policia, arrestimet, dhe artikujt e lajmeve tregojnë se ka një angazhim gjithnjë e më të madh të kriminelëve nga Ballkani perëndimor në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine.

Elementë të ndryshëm i kanë bërë tërheqës këto vende për grupet kriminale nga Ballkani, përfshirë lehtësinë për të hyrë dhe për të qendruar, korrupsionin dhe lehtësitë në sistemin gjyqësor siç e shpjegon një rast kur në vitin 2014, tetë ekuadorianë, dy shqiptarë, dhe një shqiptar i Kosovës u kapën në kuadër të operacionit Ballkani dhe u akuzuan për magazinimin e sasive të mëdha drogash në Guayaquil, për t’i trafikuar në Evropë.

Megjithë natyrën serioze të këtyre akuzave, Remzi Azemi nga Kosova u lirua një muaj pas arrestimit të tij. Në nëntor 2018, një shqiptar dhe një grek u arrestuan në një aksion antidrogë në bregdetin ekuadorian dhe u akuzuan për trafik droge, së bashku me gjashtë ekuadorianë. Kur çështja shkoi në gjykatë, gjykata e shkallës së parë dënoi ekuadorianët por la të lirë shtetasit e huaj.

Kjo pandëshkueshmëri ekziston edhe në Kolumbi. Në këtë vend këto grupe përfituan edhe nga vakuumi i krijuar kur pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes me qeverinë, organizata FARC filloi të tërhiqej nga territoret që mbante nën kontroll.

Në raport thuhet se që nga viti 2008, shqiptarët vajtën në Amerikën Latine si emisarët e grupeve mafioze italiane si ‘Ndrangheta dhe Kamorra, dhe si përfaqësues të grupeve grupeve mafioze nga vende të tjera evropiane, si Greqia dhe Spanja.

“Ata duket se kanë krijuar lidhjet e tyre edhe me mafiat turke dhe marokene për shpërndarjen e narkotikëve në Evropë. Sipas një burimi, roli i tyre fokusohet mbi shpërndarjen e brendshme të drogës, veçanërisht në shërbim të mafieve italiane dhe spanjolle, që kanë lidhje më të hershme me kartelet kolumbiane”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se gjatë dekadës së fundit, Amerika Latine është kthyer në një zone problematike në lidhje me përfshirjen e grupeve nga Ballkani perëndimor në trafikun e drogës dhe nga informacionet e fundit duket se kjo prirje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Raporti citon një burim të afërt me strukturat anti-drogë në Ekuador, sipas së cilit 160 shqiptarë hynë në atë vend gjatë vitit 2018, dhe 20 prej tyre mund të kenç qenë trafikantët droge, ndërsa një burim nga policia kolumbiane tha se kanë vënë re një “rritje të pajustifikuar” në hyrjen e shtetasve shqiptarë në Kolumbi.

Nga ana tjetër, së shpejti mund të ndryshojnë edhe pikat e hyrjes: në janar 2020 Shqipëria dhe Guyana (në kufi me Brazilin dhe Venezuelën) nënshkruan një marrëveshje për heqjen e vizave.

Australia

Australia ka konsumin më të lartë të kokainës për banor në botë. Është një treg i pasur dhe ka të dhëna mbi persona nga Ballkani që janë të përfshirë në trafik. Sipas një burimi nga policia australiane, cituar në raport “aktualisht, krimi i organizuar ballkanik është kërcënimi më i madh për Australinë, është kaq i disiplinuar, kaq i ndërthurur dhe me influencë në komunitetet vendase, dhe paraqet një sfidë serioze për forcat e rendit”, por krahasuar me grupe të tjera, prania e tyre është më e vogël.

voa

Shqipëri: Parlamenti miraton ndryshimet në Kodin Zgjedhor

TRApeli i ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri Peter Zingraf lidhur me reformën e Kodit Zgjedhor: Hap i rëndësishëm, vijoni dialogun dhe gjithë përfshirjen.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të pasqyruara në Marrëveshjen konsensuale dhe gjithë përfshirëse të 5 qershorit, u miratuan të enjten, (23.07)  me 99 vota, nga 84 të domosdoshmet e votimit të cilësuar dhe vetëm me 6 vota kundër dhe 4 abstenime.

Miratimit të Marrëveshjes së 5 qershorit i parapriu një marrëveshje mes maxhorancës socialiste dhe opozitës parlamentare. Në bazë të saj, maxhoranca socialiste në këmbim të votës pro të  opozitës parlamentare po mbështetet plotësimin e dy kërkesave të saj: listat e hapura të kandidatëve për deputetë dhe riformatimin e koalicioneve politike para-zgjedhore në zgjedhjet parlamentare 2021. Ndryshimet Kushtetuese për plotësimin e këtyre kërkesave priten të miratohen në Parlament, javën e ardhshme, në 30 korrik.

PD dhe opozita jashtë parlamentit kundërshton dy ndryshimet kushtetuese. Miratimin e tyre  e konsideron një “akt me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin politik të vendit”.

Ndryshimet e sapo miratuara në Kodin Zgjedhor shënojnë përfundimin e fazës së parë të rerformës zgjedhore në Shqipëri, në plotësim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Kryerja e reformës zgjedhore përbën një nga kushtet prioritare të Bundestagut gjerman që Shqipëria duhet të plotësojë që BE-ja të hapë negociatat e pranimit.

Zingraf thirrje forcave politike: Vijoni dialogun dhe gjithëpërfshirjen

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, vlerësoi miratimin në Parlament të Marrëveshjes së 5 qershorit, si “një hap të rëndësishëm të gjithë aktorëve në rrugën drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare në kuadrin e bisedimeve të anëtarësimit në BE”.

Ai solli në vëmendje vendimin e Bundestagut gjerman në shtator 2019,  lidhur me perspektivën europiane të Shqipërisë, ku  për  kryerjen e reformës zgjedhore flitet  për një ”dialog të hapur, ku të përfshihen të gjitha forcat politike”.

“Vendimi i Bundestag-ut është njohur nga të gjitha institucionet politike shqiptare në vend si një “Roadmap” për kalendarin shqiptar të reformave. Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve që në zbatim të marrëveshjes, por edhe në ndërmarrjen e të gjitha hapave të tjera, të vijojnë më tej me dialogun dhe gjithëpërfshirjen” thekson ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf.

Olivér Várhelyi: Përmbushje e një prej kushteve

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe Delegacioni i BE në Tiranë përshëndetën miratimin në Parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë. Në një postim në Twitter, Varhelyi , thekson se ky zhvillim ” plotëson një kusht kryesor të konkluzioneve të Këshillit të BE”

“Për çdo ndryshim shtesë, u bëj thirrje të gjitha palëve të vazhdojnë diskutimet, në mënyrë që fryma dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit të mos dalin nga binarët”, thekson komisioneri Olivér Várhelyi.

Ambasadori i Delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca në reagimin e tij, lidhur me ndryshimet shtesë në reformimin e sistemit zgjedhor të Shqipërisë, u bëri thirrje palëve që “procesi që çon në ndryshime shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit, “Palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, të demonstruar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit.”

SHBA e përshëndetën miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të pasqyruara në marrëveshjen e 5 qershorit, Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt BE”, theksohet në reagimin  e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Ç’ndryshime do të ketë në Kodin Zgjedhor?

Miratimi në Parlament i Marrëveshjes së 5 qershorit i hap rrugën zbatimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Në krye të tyre është reformimi i strukturës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), institucionit kryesor më të rëndësishëm në organizimin dhe administrimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Me ndryshimet e miratuara struktura e KQZ do të ketë tri nivele: niveli i parë është ai i Komisionerit Shtetëror, që ka statusin e përfaqësuesit të KQZ, dhe administron procesin zgjedhor; niveli i dytë është Rregullatori Zgjedhor që ka për detyrë të ndërtojë gjithë setin e rregullave, në bazë të të cilave, do të realizohet procesi zgjedhor; niveli i tretë është Komisioni i Ankesave dhe i Sanksioneve që merr përsipër  të trajtojë ankesat dhe të vendosë sanksione për ata që shkelin ligjin zgjedhor.

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është  identifikimi elektronik i votuesve, me asistencën e një eksperti ndërkombëtar.

Ndryshimet e sapo miratuara në Kodin Zgjedhor nuk përfshijnë një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR-it: depolitizimin e administratës zgjedhore.

dw

 

Prishtinë: Pro dhe kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe

PrishtinaXhamia e Madhe punimet e së cilës nisën në qendër të Prishtinës financohet nga Drejtoria për Relegjion e Turqisë “Diyaneti”, dhe kostoja e ndërtimit të saj, llogaritet të jetë 35 deri në 40 milion euro.

Në kryeqytetin e Kosovës ka filluar ndërtimi i Xhamisë së Madhe, në qendër të Prishtinës jo larg Katedrales, e cila po ashtu gjendet në qendër të qytetit. Ndërtimi i kësaj xhamie të madhe ka qenë  kërkesë e Bashkësisë Islame të Kosovës  (BIK) që nga përfundimi i luftës, me argumentimin,  se në xhamitë ekzistuese nuk ka vend për falje të besimtarëve musliman. Bashkësia Islame kërkonte që Xhamia e Madhe të ndërtohet në qendër të Prishtinës, por Komuna e Prishtinës kishte vështirësi në gjetjen e lokacionit. Zyrtarë të Bashkësisë  Islame të Kosovës nuk i besonin arsyetimit të komunës për mungesë lokacioni, duke thënë se për ndërtimin e Katedrales në qendër të Prishtinës u rrëzua një shkollë dhe u ndërtua Katedralja. Pas shumë debatesh e negociatash që kanë zgjatur me vite, Komuna e Prishtinës dhe BIK-u u pajtuan që xhamia të ndërtohet në lagjen Dardania, në shesh-parkimin e Telekomit të Kosovës. Guri themeltar i xhamisë është vendosur në vitin 2012, por që nga ajo kohë deri në fillimin e punimeve ka pasur vështirësi në realizimin e projektit nga BIK. Në nisjen e punimeve të Xhamisë së Madhe, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava tha, se ai beson që punimet e ndërtimit të xhamisë do të përfundojnë shpejtë.

“Të nderuar dhe respektuar besimtarë, në Kosovë dhe në mërgatë kudo që gjendeni më lejoni që nga ky vend tashmë i shenjtë t’ju uroj fillimin e punimeve për ndërtimin e xhamisë qendrore këtu në Prishtinë. Lus Zotin që të na falë shëndet dhe mirëqenie që në një kohë sa më të shkurtër të përfundojnë punimet e ndërtimit të kësaj bukurosheje të Prishtinës”, tha Naim Tërnava.

Por banorët e lagjes Dardania dhe Ulpiana që është afër, thonë se këto lagje kanë nevojë për shkolla e çerdhe, por jo edhe për xhami. Përfaqësuesja e banorëve të lagjes “Dardania” Fatime Ahmeti, që protestonte kundër ndërtimit te  xhamsë, thotë se kjo lagje ka nevojë për jetë kulturore, ndërtim të çerdheve e parqeve, e jo për xhami.

“Dardania ka nevojë për amfiteatër, për kinema, ne kemi kërkuar që këtu të ndërtohen shtëpi për të moshurait. Këtu nuk ka nevojë të ndërtohet xhami, kjo është xhami politike. Dardania ka nevojë për objekte kulturore, nëse ndërtohet xhamia, unë do të propozoj që Dardanisë t’i ndryshohet emri, e t’i bëhet Arabi apo Turqi. Unë do të mbledh krejt Dardaninë, që të mos ndërtohet xhamia. Unë i kam thënë edhe Isa Mustafës kur ka qenë kryeministër, nuk duam xhami, duam shkolla e jetë kulturore. Dardania e ka vetëm një çerdhe”, ka thënë përfaqësuesja e lagjes Dardania, Fatime Ahmeti.

Gazetari Visar Duriqi, që vazhdimisht hulumton çështjet e financimeve të organizatave fetare të huaja në Kosovë, është shprehur se “xhamia që po tentohet të ndërtohet është deklaratë politike”, duke sqaruar se ai nuk është kundër ndërtimit të xhamisë, por kundër mënyrës së ndërtimit të saj.

“Unë nuk jam kundër xhamisë për t’u ndërtuar, jam kundër formës së xhamisë se si është ndërtuar. Fillimisht kjo xhami nuk është xhami për falje por deklaratë politike e Erdoganit. Nëse kjo xhami ndërtohet me fonde nga Turqia, është tentativë të na ripushtojë kulturalisht. Pra, ideja e Perandorisë Osmane ekziston ende”, është shprehur në profilin e tij gazetari Visar Duriqi.

Një teolog i njohur në Kosovë profesor Mustafë Bajrami, që më këmbëngulje mbështet ndërtimin e xhamisë thotë, se është vetëm një grup i vogël  i njërëzve kundër xhamisë që janë shumë aktiv në rrjete sociale dhe media dhe që po krijojnë propagandë kundër ndërtimit  të saj.

“Allahu thotë se puna më e mirë është ndërtimi i xhamisë që është baza dhe themeli i fesë Islame. Janë vetëm një grusht njerëzish që i kanë kapur rrjetet sociale dhe po krijojnë një atmoserë islamofobe, saqë bazuar në këtë atmosferë edhe raportet mbi islamofobinë që i boton Bashkimi Evropian po e paraqesin Kosovën si një vend islamofob”, tha teologu Mustafa për një television lokal RTV Dukagjini.  Grupe qytetarësh por dhe arkitektë po kundërshtojnë edhe projektin e xhamisë. Plani i tashëm që po realizohet i përket arkitekturës klasike osmane, që është i ngjashëm me xhamitë që janë ndërtuar në Turqi para disa shekujsh, apo edhe ato në Kosovë gjatë okupimit turk. Xhamia e Madhe punimet e së cilës nisën në qendër të Prishtinës  financohet nga Drejtoria për Relegjion e Turqisë “Diyaneti”, dhe kostoja e ndërtimit të saj, llogaritet të jetë 35 deri në 40 milion euro. Shumë arkitektë kanë kërkuar që të përzgjidhej një plan i prezantuar më parë i arkitektes tashmë të ndjerë, Zaha Hadid, ku sipas tyre një xhami e tillë do ta kthente kryeqytetin dhe këtë xhami në një atraksion edhe turistik. Megjithatë, Bashkësia Islame e Kosovës në mesin e 81 projekteve ideore të prezantuara ka përzgjedhur projektin e kompanisë turke UFV Mimarlik (Architecture).

Protesta e një grupi qytetarësh kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe nxiti edhe reagimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili bëri thirrje “që të mos ketë nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike”. Edhe ish-kryeministri Isa Mustafa, shkroi në Facebook, se “objektet fetare nuk duhet ta pengojnë askënd”. Xhamia e Madhe që do të ndërtohet në Prishtinë, do të ketë 15 mijë metra katrorë dhe 4 minare. Sipas zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës, brenda objektit të xhamisë do të ketë bibliotekë dhe salla për takime dhe konferenca. Në territorin e Kosovës janë 822 objekte fetare islame, 742 janë xhami aktive, 4 xhami janë duke u meremetuar dhe 16 të tjera duke u ndërtuar.

Kosova ka popullsi prej 1.8 milion banorëve. Rreth 95% e tyre i përkasin besimit islam, 2.2% besimit katolik, dhe 1.4% të besimit ortodoks shumica prej tyre serbë të Kosovës.

dw

Misteret e koronavirusit dhe dilemat e shkencës

covid19Një nga misteret më të mëdha që lidhen me koronavirusin është shpejtësia me të cilën ai u përhap në të gjithë botën.

Filloi në Kinën qendrore dhe, brenda tre muajve, u përhap në çdo kontinent, përveç Antarktidës, duke u prishur jetën e përditshme miliona njerëzve. Prapa përhapjes së shpejtë, kishte një fakt që i kapi shkencëtarët në befasi, shqetësoi autoritetet shëndetësore dhe minoi përpjekjet e hershme të kontrollit: virusi mund të përhapej nga njerëz të shëndetshëm.

Ndërsa punonjësit po kthehen nëpër zyra, fëmijët përgatiten të rifillojnë shkollën dhe njerëzit e dëshpëruar për normalitet kanë nisur të vizitojnë qendrat tregtare dhe restorantet, të dhënat e reja shkencore flasin për një realitet kërcënues: Nëse sëmundja mund të transmetohet nga njerëz të shëndetshëm, atëherë ndoshta ajo do të jetë e pamundur të frenohet.

“Mund të jetë vdekjeprurëse, e megjithatë 40 përqind e njerëzve mund të mos e dinë që e kanë,” thotë Dr. Eric Topol, drejtues i Institutit Kërkimor Scripps.

Studiuesit flasin për mundësinë e frikshme të përhapjes së heshtur të virusit nga bartës pa simptoma ose me simptoma të dobëta. Por se çfarë roli luajnë njerëzit e shëndetshëm në shtimin e radhëve të të infektuarve, kjo pyetje mbetet pa përgjigje dhe është në krye të axhendës së kërkimit shkencor.

Koronavirusi i vogël por i fuqishëm mund të depërtojë në një qelizë njerëzore, të stabilizohet aty dhe të shumëzohet në dhjetëra mijëra brenda një dite të vetme. Nivelet e virusit rriten përpara kollitjes së parë. Dhe për habinë e shkencëtarëve, rreth 4 në 10 persona të infektuar nuk kanë fare simptoma.

Pabesia e këtij virusi është në fokusin e shumë shkencëtarëve tani që shoqëritë po rihapen. Ata pyesin veten se çfarë ndodh nëse përhapësit e heshtur nuk zbulohen para se të jetë tepër vonë.

Udhëtarët pa kollë mund të kalojnë lehtë nëpër kontrollet e aeroporteve. Punëtorët pa ethe nuk zbulohen dot nga kontrollet e temperaturës. Njerëzit që nuk ndjehen të lodhur apo që nuk kanë dhembje, marrin pjesë në takimet e biznesit, duke infektuar të tjerët.

Dhe shpërthimet mund të rifillojnë.

Shenjat e para

Qysh në janar, kishte shenja që njerëzit mund ta bartnin virusin pa shfaqur simptoma. Megjithatë, shumë shkencëtarë nuk bindeshin.

Koncepti që njerëzit pa dashje mund ta përhapin sëmundjen asnjëherë nuk ka qenë i lehtë për t’u kuptuar, duke filluar nga epidemia e poliomielitit në Amerikën e gjysmës së shekullit të 20 e deri tek përhapja e HIV-it dekada më vonë.

Kur u shfaq COVID-19a, zyrtarët shëndetësorë mendonin se ky do të ishte si koronavirusët e tjerë dhe se njerëzit i infektonin më lehtë të tjerët kur shfaqnin simptoma si kollë apo ethe.

“Ne mendonim se kjo do të ishte si SARS-i: një periudhë e gjatë inkubacioni dhe asnjë transmetim gjatë periudhës së inkubacionit,” thotë Lauren Ancel Meyers, e Universitetit të Teksasit në Austin.

Në prapaskenë, shkencëtarë si Meyers diskutonin të alarmuar me zyrtarët e shëndetësisë mbi faktet që kishin gjetur për sëmundjen. Duke qëmtuar me kujdes faqet e internetit të departamenteve kineze të shëndetësisë, Meyers dhe ekipi i saj gjetën më shumë se 50 raste midis 21 janarit dhe 8 shkurtit, në të cilat personi që sillte virusin në shtëpi nuk shfaqte simptoma para se të kishte infektuar të paktën një anëtar të familjes.

“Kur pamë të dhënat, thamë: “Jo, kjo nuk mund të jetë e vërtetë,” u shpreh Meyers. “Ishte tronditëse”.

Koronavirusi në anijen turistike

Rebecca Frasure, e cila e mori virusin kur ishte duke lundruar në anijen turistike Diamond Princess, u vendos në gjendje shtrati në Japoni nga fundi i shkurtit, e mërzitur që po mbahej në spital edhe pse nuk kishte asnjë simptomë.

“Jam krejtësisht e shëndetshme përveç faktit që kam virusin në trup”, tha Rebecca.

Pa testime të gjera dhe të shpeshta, është e pamundur të dish se sa njerëz pa simptoma mund ta bartin virusin. Anija Diamond Princess, e cila po qëndronte në Portin e Jokohamës kur në bord shpërtheu virusi, i joshi mjaft studiuesit.

Një model matematik i ndërtuar nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër që synonte të vlerësonte se sa njerëz ishin të infektuar por pa simptoma, tregonte se tre të katërtat e njerëzve të infektuar në anijen turistike ishin pa simptoma.

Në shtetin Uashington, doktor Jeff Duchin nxori të dhëna të ngjashme kur një ekip ekspertësh ekzaminuan një shtëpi të moshuarish dhe konstatuan se punonjësit e kujdesit shëndetësor po e përhapnin virusin në institucionet e tjera të kujdesit për të moshuarit.

Në muajin mars, më shumë se gjysma e personave në një shtëpi tjetër të moshuarish që testuan pozitivë nuk kishin simptoma.

E gjithë kjo nënvizoi nevojën për të ndryshuar strategji dhe për të pranuar se virusi nuk mund të ndalej dot plotësisht.

Dr. Duchin kujton se pas kësaj i tha vetes: “Kjo sëmundje do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për t’u kontrolluar.”

Pyetje pa përgjigje

Hunda dhe goja janë pjesët më të lehta për hyrjen e koronavirusit në trup. Pasi hyn, virusi merr në dorë mekanizmin e qelizës për të kopjuar veten dhe i heq trupit sistemin imunitar për t’u mbrojtur. Nivelet e virusit rriten mjaft në rrugët e sipërme ajrore, e gjithë kjo pa simptoma. Shumë shkencëtarë besojnë se, gjatë këtyre ditëve, njerëzit mund ta përhapin virusin thjesht duke folur, duke marrë frymë ose duke prekur sipërfaqet e ndryshme.

Tek njerëzit që vërtet nuk shfaqin simptoma, sistemi imunitar e fiton betejën përpara se ata të ndjehen të sëmurë.

Kur filloi të bëhej më e qartë se virusi mund të përhapej nga njerëzit e shëndetshëm, autoritetet shëndetësore të SHBA vendosën të mos prisnin për të dhëna të reja shkencore. Në fillim të prillit, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u rekomanduan njerëzve të mbanin maska.

Disa ditë më vonë, hulumtuesit kinezë publikuan një studim ku thuhej se pacientët kanë veti më të mëdha infektimi dy deri në tre ditë para se të shfaqnin vetë simptoma. Provat vazhdojnë të shtohen dhe Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tani vlerësojnë se 40% e transmetimit ndodh përpara se njerëzit të ndjehen të sëmurë.

Megjithatë, midis shkencëtarëve, veçanërisht tek Organizata Botërore e Shëndetësisë ende ka dyshime. Kjo organizatë e ka ulur rëndësinë e infeksionit nga njerëz pa simptoma, megjithëse kohët e fundit filloi ta pranojë një mundësi të tillë dhe i ka këshilluar njerëzit të mbajnë maska.

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë fajësojnë Kinën për vonesën në shpërndarjen e informacionit rreth përhapjes së heshtur të virusit. Por Dr. Topol thotë se SHBA mund të kishte organizuar programin e vet të testimit duke bërë sekuencën gjenetike të virusit.

Nuk është gjë e vogël: Arritja qysh herët e qartësisë shkencore për përhapjen e virusit do të kishte shpëtuar jetë njerëzish.

“Ne në Amerikë u treguam të ngadaltë në gjithçka,” thotë Dr. Topol. “Më duhet të them se është e turpshme.”

voa

IKShPK : 213 raste pozitive, 6 të vdekur dhe 109 të shëruar!

Ambulanca per koronavirusInstituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 494 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 213 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive është 6.680 raste nga 33.289 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 164 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 109 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 3.614 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.902.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 80 raste, komuna Prizren 17 raste, komuna Ferizaj 15 raste, komuna komuna Gjilan 14 raste, komuna Podujevë 12 raste, komuna Drenas 11 raste, komuna Fushë Kosovë 9 raste, komuna Mitrovicë 7 raste, komuna Suharekë 7 raste, komuna Lipjan 6 raste, komuna Pejë 6 raste, komuna Viti 6 raste, komuna Vushtrri 5 raste, komuna Skenderaj 4 raste, komuna Deçan 3 raste, komuna Malishevë 3 raste, kurse nga 2 raste komunat: Dragash, Kamenicë, Klinë dhe nga 1 rast Obiliq dhe Shtime.
Të nderuar qytetarë!

Virusi është kudo! Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve! Virusi vret!

Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!

Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.

Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!
Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!

Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!

NE PO PUNOJMË PËR JU, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

Ju faleminderit për mirëkuptim!

Covid 19: prej 1535 testeve, sot, kemi 129 raste të reja, 6 viktima dhe 109 persona të shëruar

E PremteMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 1535 testime dhe 129 raste të reja të COVID -19 janë regjistruar në: -Shkup 45-Shtip 25-Tetovë 9-Gostivar 9-Kumanovë 7-Manastir 6-Kërçovë 6-Strugë 5-Prilep 4-Ohër 3-Koçanë 3-Sveti Nikole 3-Dibër 1-Kavadari 1-Demir Hisar 1-Delçevë 1

Kanë ndërruar jetë 6 pacientë, pesë pacientë nga Shkupi dhe një pacientë nga Struga .

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 109 pacientë të rikuperuar në: -Shkup 60-Shtip 16-Tetovë 12-Kumanovë 7-Gostivar 6-Veles 4-Kavadari 2-Prilep 1-Vinicë 1

Deri më tani, në total janë kryer 91015 teste të COVID -19.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 9797, numri i pacientëve të rikuperuar është 5254, numri i atyre që humbën jetën është 451 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 4092.

A do të zgjatet leja për punëtorët migrantë nga Ballkani në Gjermani?

KamarierA do të kenë të drejtë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë të vijnë për t’u punësuar në Gjermani ?

Leja speciale për punëtorët migrantë nga vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të zgjatet. Sipas një projektligji të Ministrisë Federale të Punës e ashtuquajtura Rregullore për Ballkanin Perëndimor pritet të zgjatet deri në vitin 2023. Në këtë mënyrë qytetarët e Shqipërisë, të Bosnje-Hercegovinës, të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, të Serbisë dhe të Kosovës kanë të drejtë të vijnë në Gjermani pavarësisht kualifikimit formal për punësim. Çdo vit nga ky ligj mund të përfitojnë deri në 25,000 vetë.

Qytetarët e këtyre vende kanë pasur të drejtë të merrnin vizë pune në Gjermani që nga janari i vitit 2016 – madje edhe pa njohuri të gjermanishtes dhe pa kualifikim profesional. Kusht është që aplikanti të paraqesë kontratën e punës dhe miratimin nga Agjencia Federale e Punësimit.

Sipas një studimi të Institutit për Tregun e Punës dhe Kërkimit Profesional (IAB) 58 përqind e fuqisë punëtore nga Ballkani Perëndimor janë punësuar si specialistë ose ekspertë, kryesisht në industrinë e ndërtimit.

pp/ag

Erdogani nuk arriti t’i islamizojë mendjet, andaj po i islamizon gurët

ErdoganNga Ezgi Basaran

Politikat ditore të Turqisë shpesh na mjegullojnë mendjen, duke na penguar interpretimin e zhvillimeve të rëndësishme nga një perspektivë më e gjerë. Kam frikë se ri konvertimi i Hagia Sofias në xhami është njëra nga ato zhvillimet që tani po humbet në një diskurs të mjegulluar. Për të pasur një perspektivë më gjithëpërfshirëse, fola me shkencëtarin politik profesorin Olivier Roy, i cili që nga mesi i viteve të 90-ta ka argumentuar se projekti islamist ka dështuar. Ai thotë se themelet kryesore të projektit islamist, ndërtimi i një shteti Islamik dhe sharia si bazë e kushtetutës, tërheqin shumë pak myslimanë të thjeshtë në ditë të sodit. Pse?

Sipas Roy, gjenerata e fascinuar apo e interesuar për Islamizëm përbëhej nga njerëz te cilët ishin të ri në vitet e 80-ta dhe fillim të viteve 90-ta. Para tyre, teoria kryesore ishte nacionalizmi, i udhëhequr nga (Gamal Abdel) Nasseri në Egjipt dhe Partia Baath në Siri dhe Irak. Së bashku me nacionalizmin, aty ishte edhe pikëpamja gjithëpërfshirëse mbi shoqërinë që ka Islami. Për shembull, Partia Baath ishte sekulare, por gjithashtu e përqafoi pikëpamjen holistike që ka Islami mbi shoqërinë. Pos kësaj, që nga fillimi i shekullit 20, ekzistonte një kulturë specifike politike e cila u krijua nga liderë karizmatikë si Nasseri, Khomeini, dhe Saddam Husseini. Tani kjo kulturë politike është e vdekur për gjeneratën e re. Ishim dëshmitarë që e ashtuquajtura Pranvera Arabe nuk ishte ideologjike dhe nuk u udhëhoq nga udhëheqës karizmatikë.

Edhe pse Roy e pranon Erdgoganin si udhëheqës karizmatik, beson se i takon një kulture politike që i ka dalë afati.

“Shumica e njerëzve që e përkrahin ishin të ri në vitet e 80-90ta. Tani Erdogani është një njeri i moshuar, njëjtë si përkrahësit e tij kryesorë. Erdogani shtyhet nga kjo kulturë e vjetër politike, e cila, shihet qartë se është joliberale dhe e ka humbur sharmin e saj. Në fillim, AKP ishte e suksesshme gjersa ekonomia po ecte mirë. Ishte e qartë se AKP udhëhoqi një program të duhur ekonomik, por ky program nisi pak para se të merrte partia fuqi. Sidoqoftë, ishte gjë e mençur që ai program u përcoll edhe më tej, dhe ideologjia e zhvillimit u manifestua në ndërtimin e rrugëve dhe ndërtesave të reja, jo vetëm nëpër qytete të mëdha por gjithashtu edhe nëpër katunde, në Anadoll. Nëse e krahasoni Turqinë e viteve 1990 dhe të themi Turqinë e vitit 2010, do të shihni modernizimin total sa i përket shërbimeve. Andaj, shumë njerëz nga Anadolli votuan për AKP-në sepse AKP-ja simbolizoi përparimin ekonomik dhe social. Sidoqoftë, tani edhe në mesin e votuesve të AKP-së, doli një shkallë e caktuar e sekularizmit, që çoi në rezistimin edhe më të madh të islamizimit në zemrat dhe mendjet e tyre. Në Turqi, debati mbi Islamin, i cili u udhëhoq nga intelektualët islamistë në vitet 1990, është zhdukur. Nuk ekziston më.”

Për Royin, ekzistojnë dy arsye pse nuk ka debat aq të ndezur për Islamin në Turqi: “Së pari, ata intelektualë janë larguar anash dhe janë përjashtuar nga loja nga ana e një qeverie e cila dikur u besua se ishte islamiste. E dyta, Turqia, nëse flasim për sociologji, është në fakt një shoqëri e hapur. Natyrisht që ka grupe të vogla të islamistëve radikalë, mirëpo shumica e njerëzve të zakonshëm në Turqi nuk është se iu bëhet vonë shumë për Islam. Një tjetër pikë e rëndësishme është se AKP asnjëherë nuk ka pasur kontroll mbi rrjetet e gjera fetare. Kuadrot profesionale religjioze u krijuan nga tashmë armiku kryesor i kësaj partie, lëvizja Gülen. Grusht shteti i dështuar i dha goditje edhe psikologjike edhe politike Erdoganit ngase u dëshmua të ketë pasur të drejtë sa i përket tradhtisë nga gylenistët. Hakmarrja e Erdoganit pas grusht shtetit ndaj rrjeteve politike dhe fetare gjithashtu bëri që të humbë kontrollin mbi Imamët Hatipë e madje xhamitë në Evropë, Azi dhe Afrikë sepse AKP-ja nuk i ka kushtet për t’i kontrolluar këto rrjete, edhe pse përpiqet shumë rëndë. E pastaj, Erdogan humbi kontrollin edhe mbi ekonominë. Humbi teknokratët si Ali Babacan dhe krahun liberal. AKP-ja nuk arriti ta përmbushë premtimin më të madh islamist se është kundër korrupsionit. Dhe pikërisht për shkak këtyre arsyeve, Erdogani tani ka mbetur me simbole si mënyrë të vetme për të bashkuar elektoratin. Andaj, nuk ka simbol më të mirë se sa konvertimi i Hagia Sofias në xhami. Erdogani nuk arriti t’i Islamizojë mendjet, andaj po përpiqet t’i islamizojë gurët. Ky është thelbi i konvertimit të Hagia Sofias”.

Shkencëtarët kryesorë të bihejviorizmit islamist, si Asaf Bayat, John L. Esposito, Francesco Cavatorta, François Burgat dhe vetë Royi, kanë argumentuar se ngritja dhe qëndrimi stoik i AKP-së është shembull i përkryer i post-Islamizmit (si i referohet Bayat), që vrazhdë, do të thotë humbja e disa principeve themelore të Islamizmit, si për shembull që baza e kushtetutës të jetë ligji sharia. PostiIslamizmi është një kornizë akademike, dhe si i përshtatet kjo kornizë praktikës, është e pa qartë. Jam pyetur se si do të shprehej Roy mbi këtë teori, kur shikon partitë post-islamiste si AKP, Ennahda në Tunizi, apo PJD në Marok. Sipas Roy, nuk ia vlen të trajtohet dhe shpjegohet AKP-ja e sodit, ngase “AKP-ja e sodit është Erdogan, asgjë më shumë”. Ai vazhdoi duke thënë: “Sidoqoftë, Abdullah Gul dhe Ahmet Davutoğlu ishin shembuj të përkryer të post-Islamizmit ngase kishin kuptuar dështimet e projektit Islamist dhe sipas kësaj edhe transformuan praktikat e tyre politike. Erdogani në anën tjetër, nuk e futi rrymën post-Islamiste përbrenda shoqërisë dhe lëvizjeve”.

Për dallim, udhëheqësit e Ennahdas në Tunizi “kuptuan se mbajtja strikte e agjendës islamiste nuk do të funksionojë në Tunizi. Për shembull, edhe pse mbajnë vellon, politikanet femra të Ennahdas nuk e përkrahin sistemin tradicional të familjes dhe shoqërisë e cila i lidh femrat për punë shtëpie. Shohim rast të ngjashëm edhe me gratë marokene të cilat punojnë për dhe përreth PJD-së. Andaj gjenerata e dytë e grave islamike ose islamiste janë shtylla e transformimit të projektit islamist dhe evoluimit drejtë post-Islamizmit. Kur kthehemi prapa tek Ennahda dhe Ghannouchi, nuk ka mbetur shumë islamizëm në qëndrimet e tyre. Për shembull, këto ditë po mbahet gjykimi i një blogereje tuniziane e cila ka bërë shaka rreth islamit. Kush po e sulmon vazhdimisht atë blogere (Emna Chargiu) dhe po dëshiron që të dënohet? Jo Ennahda por vetë shteti. Kush po i sulmon homoseksualët në Marok? Jo PJD-ja por shteti, monarkia. Gjersa islamistët kryesorë po heshtin, shtetet po shtypin feministët dhe njerëzit LGTB. Sërish është aparati shtetëror me prapavijë autoritare që dëshiron të kontrollon shtetin me anë të konservatorizmit”.

Pse islamistët heshtin? “Sepse nuk kanë asgjë për të ofruar, asgjë për të propozuar, asgjë për të vënë në tavolinë”, thotë Roy. “Nuk mund të shndërrohen në parti majtiste liberale. Nuk duan të shihen as si konservativë në mënyrë që të kenë shanse me të rinjtë. Duart e tyre religjioze janë thyer sepse shteti i kontrollon xhamitë. E as imamët nuk duan që të kontrollohen nga partitë politike”.

Nëse është kështu, atëherë pyetemi, si dhe pse një pjesë e madhe e njerëzve në Marok, Tunizi dhe Turqi votojnë për këto parti islamiste?

“Ekziston një pjesë e shoqërisë të cilët zgjedhin partitë tradicionale konservative”, thotë Roy. “Për këto grupe, ajo që ka mbetur nga këto parti islamiste mjafton dhe është në rregull. Këto parti luajnë lojë parlamentare, që do të thotë se nuk po thërrasin për xhihad ose sharia. Program i tyre nuk është Islamizimi, por ri-tradicionalizimi i shoqërisë, i cili i përshtatet dhe josh segmente të caktuara të shoqërisë.

Sidoqoftë, sipas Roy, narrativa Islamiste ka ndryshim të dukshëm. “Për shembull, sipas Ennahda, nuk duhet islamizuar politikën ose shoqërinë, por Islami duhet lidhur me identitetin tunizian. Andaj njerëzit po veprojnë jo në emër të Kuranit por në emër të traditave. Ky koncept është i ngjashëm me atë të Turqisë. Referenca konstante e AKP-së me epokën e Otomane është një përpjekje për të “civilizuar” diskursin islamist në politikat e brendshme”. Roy gjithashtu thotë se përkrahësit e partive kryesore islamiste në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Maghreb, janë në një fazë të sekularizimit të ngadalshëm. Me sekularizim, do të thotë se njerëzit kanë filluar të pranojnë idenë se religjioni është çështje personale.

“Për shembull, kemi një lëvizje në Marok që thotë se nëse dëshiron të agjëron, agjëro, por nëse nuk agjëron, nuk ke nevojë të fshihesh. Në Tunizi, gjate Ramazanit, restorantet mbesin të hapura në rajonet më të shtrenjta dhe ushqimi shërbehet edhe nëpër ballkone. Në Algjeri, lëvizja HIRAK sillet si një parti sekulare. Nuk gjeni asnjë slogan Islamik në repertorin e tyre.

Është mbresëlënëse ngase para 20 viteve, nëse do të kishte lëvizje si HIRAK, do të ishte e dominuar nga islamistët ose nga shpirti apo sloganet islamiste. Sërish kur shikojmë protestat e vitit të kaluar në Algjeri, shohim me qindra e mijëra njerëz nëpër rrugë, por pa asnjë slogan Islamik. Fakti që nuk besojnë në gjeneratën e vjetër të islamistëve, e quaj dështim të Islamit”.

“AKP-ja nuk është lëvizje e Lindjes së Mesme, dhe ky është problemi i Erdoganit”, thotë Roy, “Në këtë kuptim, Ataturku ka ngadhënjyer. Turqia, në pikëpamje më të madhe dhe më të gjerë, është Perëndimore dhe Evropiane, që përfshinë edhe Rusinë. Ky është një problem i madh për Erdoganin sepse e vetmja letër që ka është letra Otomane dhe nuk po funksionon. Arabet nuk duan kthimin e turqve.

Letra otomane është tërësisht e diskredituar në Lindjen e Mesme. Për shembull, qeveria e Libisë u pajtua me Turqinë, edhe atë vetëm pse po e furnizon me armë dhe para. Gjersa Erdogani e prezanton këtë marrëdhënie si patronazh otoman, është një transaksion i thjeshtë në mes dy shteteve dhe i cili nuk është i famshëm në mesin e libianëve.

Qeveria e Tripolit po i shikon mundësitë e veta dhe e sheh se i vetmi aleat i besueshëm është Turqia. Andaj, marrin atë që iu jep Erdogani. Sidoqoftë, narrativi i Erdoganit, ajo Otomane, atë s’e blejnë.

Një tjetër pikë e rëndësishme është se Turqia nuk është një shoqëri Islamike. Andaj, pos Ataturkut, ka ngadhënjyer edhe sekularizmi. Edhe pse shumica e popullatës së Turqisë thotë se janë myslimanë praktikues, ata nuk duan që Islami të jetë drejtuesi kryesor i ligjeve dhe shoqërisë”.

Si i vlerëson Roy këto lidhje të afërta të AKP-së me aktoret islamistë jo shtetërorë në Siri dhe Libi, me Ennahdan në Tunizi apo Vëllazërinë Myslimane Egjiptiane? Ai thotë se beson që “këto marrëdhënie vetëm dëshmojnë se Erdogani ka një ëndërr otomane. Për të përmbushur ëndrrën e tij, ka nevojë për vegla autoktone, dhe këtë ia japin partneritetet me grupet e Tunizisë, Libinë, Sirisë dhe Egjiptit. Sidoqoftë, këto mënyra nuk funksionuan ashtu si kishte dashur Erdogani, sepse për shembull, Ghannouchi është një aktor dhe patriot tunizian. Vetëm pse janë të gatshëm të pranojnë përkrahjen e Turqisë, aktorët Arabë islamistë nuk janë gati të japin sovranitetin kombëtar për ëndrrën otomane të Erdoganit”.

Në hije të njëjtë, Roy e sheh edhe keq llogaritjen e rikonvertimit të Hagia Sofias në xhami, sepse është kishë ortodokse. Politika e Putinit ka qenë mbrojtja e Ortodoksisë. Andaj, konvertimi i Hagia Sofias është goditje e madhe për Rusinë, që duket se është partneri i vetëm i Turqisë ne skenat e luhatshme si Siria dhe Libia. Andaj Erdogani i dha goditje Putinit e jo Papës.

Keq llogaritja tjetër vjen nga mospërfillja e dialogut në mes Myslimanëve dhe të Krishterëve. Përgjatë disa viteve të fundit, ky dialog është udhëhequr nga Arabët, dhe u nis në Abu Dhabi, vend të cilin e vizitoi Papa në vitin 2019. Isha aty dhe pash takimin e dy Princave dhe imamit të Xhamisë Al Azhar me Papën. Atë dit, u hap një Kishë e Krishtere në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Papa udhëhoqi meshën. Është ironike që deri sa shtetet e Gjirit Arab i hapen Krishterimit, Turqia i mbyllet.

Ashtu si dëshmon sërish kjo intervistë, Roy ende përkrahë thënien e tij të vjetër dy dekada e gjysmë, se Islami politik ka dështuar. “Nuk është çudi që ende e përkrahi argumentin tim”, thotë ai. “Ajo që është interesantë është se edhe vetë islamistët kanë pranuar argumentin tim se Islami politik ka dështuar. Tani debati në mes akademikëve është, ashtu si argumentojnë shumica e kolegëve të mi, se islamistët veprojnë thjeshtë nga arsyet pragmatike, por në fakt ende janë islamistë në mendjet e tyre. Pikëpamja ime është se nuk duhet të brengosemi çka është në mendjen e tyre, së pari ngase nuk kemi se si të dimë mirë, në mënyrë shkencore, se çka ka dikush në mendje. E dyta, ngase ajo që është e rëndësishme janë veprat e tyre”.

koha