Kancelari gjerman kërkon gatishmëri për ndyshime

Kancelari gjermanNë fjalimin e Vitit të Ri, kancelari gjerman nënvizoi forcën e Gjermanisë dhe nevojën e solidaritetit evorpian.

 

Në fjalën e tij tradicionale me rastin e vitit të ri, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi nga qytetarët gatishmëri për ndryshim. Bota po ndryshon, edhe ne duhet të ndryshojmë, tha kancelari.  Ai kujtoi krizat e kohëve të fundit: “Pa përfunduar tërësisht Corona, Rusia nisi një luftë të pamëshirshme në Evropë. Menjëherë pas kësaj, presidenti rus e mbylli rubinetin e gazit. Dhe në vjeshtë ndodhi edhe sulmi brutal terrorist i Hamasit kundër Izraelit. Kaq shumë vuajtje, aq shumë gjakderdhje. Bota jonë është bërë më e trazuar dhe më e ashpër.”

Pavarësisht këtyre sfidave, kancelari gjerman kujtoi se treguesit ekonomikë në fund të vitit nuk rezultojnë ashtu siç ishte parashikuar: Inflacioni ka rënë, pagat dhe pensionet janë rritur dhe depozitat e gazit janë plot. “Gjërat dolën ndryshe sepse ne i rezistuam rënies ekonomike. Sepse kursyem energji dhe morëm masa paraprake në kohën e duhur. Të gjithë ne – së bashku”, tha kancelari.

Viti 2024: Investime rekord dhe lehtësime tatimore

Ai kujtoi se numri i të punësuarve në Gjermani është në një nivel të lartë si kurrë më parë, dhe se vitin e ardhshëm qeveria do të kryejë “investime në shuma rekord”, edhe për të kompensuar mungesën e investimeve të bëra në vitet e fundit:  “Vendi ynë ka konsumuar për një kohë të gjatë deri në amortizim. Kjo është arsyeja pse ne po investojmë tani: në rrugë dhe hekurudha më të mira, në një furnizim me energji të pastër dhe në mbrojtje më të mirë të klimës. Në vende pune të mira – në sektorë të ekonomisë në të cilët Gjermania ka qenë gjithmonë lidere botërore. Por edhe në sektorë ku kemi pasur boshllëqe në të kaluarën, si për shembull, në prodhimin e çipave kompjuterikë ose baterive.”

Scholz kujtoi se nuk do të jetë e mundur të realizohen të gjitha investimet e dëshiruara, për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në mes të nëntorit që i hoqi qeverisë gjermane 60 miliardë euro nga buxheti. Por ai  kujtoi se megjithatë, barra tatimore do të jetë më e ulët: “Nga nesër të punësuarit në Gjermani do të paguajnë 15 miliardë euro më pak tatime”, tha ai. Së bashku me rritjen e parave për fëmijët, një familje katëranëtarëshe, do të ketë 1600 euro më shumë vitin e ardhshëm.

Scholz bën thirrje për një BE të bashkuar

Kancelari gjerman theksoi  edhe nevojën e forcimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së vitin e ardhshëm. Ai theksoi nevojën për një BE të bashkuar dhe të fortë duke pasur parasysh konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. “Bashkimi Evropian na bën të fortë. Kur vepron, BE-ja flet në emër të mbi 400 milionë qytetarëve”, argumentoi ai.

Scholz i inkurajoi gjermanët të thonë fjalën e tyre nëpërmjet votës, një gjë që nuk ka qenë e vetëkuptueshme për një pjesë të Gjermanisë deri para disa dekadave: „Jo shumë kohë më parë gra dhe burra të guximshëm luftonin ende për zgjedhje të lira këtu në Gjermani. 35 vjet më parë filloi revolucioni paqësor në RDGJ. Të kesh të drejtën e fjalës dhe të drejtën e pjesëmarrjes në vendimmarrje – kjo është një e mirë e paçmuar.”

Thirrje për solidaritet dhe kohezion social

Kancelari gjerman theksoi edhe rëndësinë e solidaritetit dhe përpjekjeve të përbashkëta për të kapërcyer sfidat e së ardhmes. “Ashtu si në shumë pjesë të Gjermanisë që aktualisht po vuajnë nga përmbytjet e tmerrshme dhe pasojat e tyre. Mendoj për të gjithë të prekurit, të cilët sigurisht do t’i ndihmojmë dhe që nuk do t’i lëmë vetëm në këto momente të vështira”. Ai u falënderua për te të gjitha gratë dhe burrat që po luftojnë me të gjitha forcat e tyre me përmbytjet.

Scholz theksoi rëndësinë e secilit individ për suksesin dhe prosperitetin e vendit. “Ne jemi të fortë edhe sepse e dimë që çdo individ është i nevojshëm, që nga studiuesi i nivelit më të lartë, deri te infermierja e gjeriatrisë, polici dhe postieri”.

Ai  ftoi për një vështrim optimist për të ardhmen: “Nëse e kuptojmë këtë, nëse e trajtojmë njëri-tjetrin me këtë respekt, atëherë nuk ka pse të kemi frikë nga e ardhmja! Atëherë viti 2024 mund të jetë një vit i mirë për vendin tonë.”

dw

 

Shqipëri, viti 2023 nën shenjën e SPAK-ut

Spak2Në Shqipëri, Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme u vunë në qendër të vëmendjes gjatë vitit 2023. Një numër i madh politikanësh, funksionarësh apo ish zyrtarësh, kryesisht të niveleve të larta të pushtetit qendror dhe atij lokalë, kapërcyen gjatë vitit, pragun e godinës së SPAK-ut në Tiranë, prej nga jo të gjithë dolën prej andej. Si kurrë më parë, Drejtësia nuk po stepej dhe para emrave me peshë. Arrestimet dhe hetimet që përfshinë emra të rëndësishëm të socialistëve, ishin goditje jo të vogla për shumicën në pushtet, e cila bëri disa ndryshime në qeveri, ndërsa më herët kishte arritur fitoren më të thellë të regjistruar ndonjëherë në zgjedhjet vendore të 21 majit. Një fitore e favorizuar dukshëm dhe nga një opozitë e përçarë dhe në ditët e saj më të errëta. Ish kryeministri Sali Berisha përfundoi po ashtu nën hetim, ndërsa sfida e tij ndaj gjykatës përfundoi me arrestin e tij në shtëpi. Një tjetër arrestim, ai i kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, u shoqërua me pasoja, për nisjen e bisedimet për grup kapitujt e parë me Bashkimin Europian. Greqia u hakmorr, duke përdorur veton e saj.

 

Inceneratorët

Dy dosjet e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit ishin mbyllur që më parë dhe në muajt e parë të këtij viti ato shkuan për gjykim. Ish ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako, si dhe sipërmarrësit e përfshirë në këto dy projekte, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja, konsiderohen përgjegjësit kryesor. Mbi ta rëndonin dhe akuzat më të rënda.

Ndonëse ishte pranuar gjykimi i shkurtuar, proceset u mbyllën vetëm në vjeshtë.

Për 21 të pandehurit në rastin e inceneratorit të Fierit vendimet u dhanë në fund të shtatori.t Ish ministri Koka u gjet fajtor për tre akuzat e ngritura ndaj tij, nga “shpërdorimi i detyrës”, te “korrupsioni” apo dhe “pastrimi i parave’. Ashtu siç ishte kërkuar nga Prokuroria, Gjykata e Posaçme e dënoi atë me 10 vite burg, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar, i zbatuar për të gjithë të pandehurit, u reduktuan në 6 vjet e 8 muaj burgim.

Ish deputeti socialist Alqi Bllako, i akuzuar për “shpërdorim të detyrës” dhe “korrupsion”, në dy raste, përfitoi jo vetëm nga ulja me një të tretën, por dhe për shkak të rikualifikimit të akuzës, duke mos u konsideruar funksionar i lartë publik, por nëpunës publik. Përfundimisht dënimi me 4 vjet u konvertua në 2 vjet e 8 muaj burgim.

Me 6 akuza mbi shpinë, nga korrupsioni në disa raste dhe forma, te mashtrimi, pastrimi i parave apo krjimi i skemave mashtruese, sipërmarrësi Klodian Zoto, i përfshirë dhe në rastin e Elbasanit, u dënua me 8 vjet burgim, pasi iu zbritën 4 vite dënim për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Dënime më të ulta përfituan anëtarët e komisioneve të dhënies së koncensionit, drejtuesë të inceneratorit, apo dhe të firmave private të përfshira në skema mashtrimi me faturat gjatë punimeve të ndërtimit të objektit.

Dhjetë ditë më pas, vendimi për inceneratorin e Elbasanit. Ish ministri Koka, përfiton nga rënia e akuzës për “Shpërdorim detyre”, duke u gjetur fajtor vetëm për korrupsion dhe pastrim parash. Ai u dënua me 5 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa iu hoq e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare. Gjykata vendosi të lirojë nga sekuestro disa pasuri të zotit Koka, duke e mbajtur këtë masë vetëm për një prej pronave të tij, një kantinë vere.

Gjykata rrëzoi akuzën e shpërdorimit të detyrës për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, i cili sipas prokurorisë kishte mbajtur lidhje direkte me sipërmarrësit e përfshirë në kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, duke i informuar ata në vazhdimësi për ecurinë e procesit. Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar për të, dënimin me 2 vjet e 8 muaj burgim, por gjykata vendosi ta shpallë atë të pafajshëm.

Dënimet më të larta u dhanë për dy nga sipërmarrësit e përfshirë në garën dhe ndërtimin e inceneratorit, Mirel Mërtirin, i konsideruar nga prokuroria si pronari i vërtetë i shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, e cila fitoi koncensionin, dhe Klodian Zoton, ortak i vetëm dhe administrator i “Integrated Technology Services” sh.p.k, shoqëria që mori përsipër ndërtimin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar për ta u reduktua nga 10 vjet në 6 vite e 8 muaj burg.

Dy sipërmarrësit akuzohen për korrupsion në bashkëpunim dhe pastrim parash. E njëjta akuzë mbeti në fuqi dhe për bashkëpunëtoren e tyre Stela Gugallja, ortake e vetme dhe administratore e “Albtek Energy”. Por dënimi prej 7 vitesh burg për të, u konvertua në 4 vite e 8 muaj burg.

Ndërkohë Prokuroria e Posaçme kishte bërë përpara dhe me inceneratorin e Tiranës. Më 1 gusht u njoftua se Gjykata kishte pranuar kërkesën për vënien nën sekuestro të impiantit. Sipas hetimeve, dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, kishin rezultuar të ishin pronarët “de facto” të tij. Përmes faturave falso, ata dyshohen të kenë përfituar afro 4 milionë euro. Atyre u sekuestrohet dhe një sipërfaqe trualli me vlerë 1 milion euro.

I vënë në shënjestër të akuzave nga opozita për inceneratorin e kryeqytetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, reagoi duke shkruar në Twitter se “heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK, është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik”.

Disa muaj më pas (8 dhjetor) një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe një ndër drejtorët më me peshë në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha, do të arrestohet së bashku me një ish drejtor tjetër. 15 urdhërat e arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme do të përfshijnë dhe ish zyrtarë të lartë të ministrisë së Mjedisit, e sërish dy sipërmarrësit Zoto e Mërtiri si dhe ish ministrin Koka e ish Sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit, ish deputetin Bllako.

Hetimet do të nxjerrin në pah se si makineria shtetërore kishte qenë gati e tëra në shërbim të biznesmenëve Zoto dhe Mërtiri. Aktet e Prokurorisë dëshmuan se ishin ata që kishin kontrolluar të gjithë procesin nga fillimi deri në fund, ndërsa funksionarët shtetërorë të përfshirë, kujdeseshin të mbyllnin procedurat pa vonesë, sipas interesave të dy sipërmarrësve.

 

Arben Ahmetaj, nga majat e pushtetit në arrati

Inceneratorët do t’i digjnin karrierën dhe një tjetër figure të lartë politike. Goditja e parë atij i erdhi në korrik të 2022 kur papritur e pa veten jashtë qeverisë ku kishte qenë numri 2 i saj, dhe i përkedheluri i kryeministrit Rama. Disa javë më pas, atij do t’i hiqeshin dhe postet politike në parti. Shumëkush e pa këtë si preludin e një të ardhmeje të zymtë për të, ndërsa intensiteti i akuzave publike ndaj tij, për përfshirje në rastin e inceneratorëve, erdhi duke u rritur.

Në fillim të vitit ai polemizon në distancë me zotin Rama gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në TV Klan. “Të bëjë atë që bën më mirë, kryeministrin. Gjykatësi është pak i sikletshëm. Duhet të njohësh procedurat dhe detajet”, deklaroi ai më 23 shkurt. Dy javë më pas, kryeministri Rama kundërpërgjigjet duke u shprehur që “nëse unë do të kisha bërë gjykatësin, gjërat do të kishin qenë shumë më keq, për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”.

Po në këtë periudhë, Prokuroria e Posaçme ndërmerr veprime konkrete ndaj ish zëvendëskryeministrit i vënë nën hetim për të paktën 4 vepra penale nga “shpërdorim detyre” te “mosdeklarimi i pasurisë”, “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”.

Banesat e bashkëjetueses së tij si dhe ajo e ish bashkëshortes i nënshtrohen kontrolleve, (më 15 mars) ndërsa pak ditë më pas vihen nën sekuestro dy vila në bregdet të regjistruara në emër të tyre.

Më 22 qershor zoti Ahmetaj u paraqit në Prokurorinë e Posaçme prej nga doli pa bërë shumë komente e duke përsëritur se “Sqaruam pozicionin. Kaq”.

Dy javë më pas në parlament shkon kërkesa për arrestimin e tij, (7 korrik) në të cilën ngrihen dyshime për lidhje me sipërmarrësit e inceneratorëve, përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e koncensioneve. Po ashtu prokuroria flet për transaksione financiare me shitje-blerje pasurish të patundshme, të shtrira ndër vite, e pas të cilave qëndronin dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Një mori aktesh të ndërmarra në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Tiranë dhe Fier janë provat që Prokuroria e Posaçme ka kundër tij.

Por ndërsa në Parlament debatohet për seancën e marrjes në shqyrtim të kërkesës, mësohet se zoti Ahmetaj, është larguar nga vendi pak orë përpara se shkresa të dilte nga Prokuroria. Ai rezultonte të kishte kaluar kufirin tokësor me Greqinë.

Avokatët e tij e pranojnë pak ditë më pas se “ndodhet në Angli, pranë familjes, vajzës së tij. Do të vijë, kur të ketë liri”.

Vetë zoti Ahmetaj, pak përpara votimit në Parlament, përmes një postimi të gjatë në Facebook, bëri të qartë se nuk ka ndërmend të kthehet, dhe se kjo mund të ndodhte “kur e vërteta të marrë rrugë e dritë”.

Thuajse në unanimitet, Parlamenti miraton autorizimin për arrestimin e tij. Në mbrëmje kryeministri do të deklaronte se “ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u”.

Pak ditë më pas Prokuroria sekuestroi 4 apartamente në pronësi të ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe dy llogari bankare të tij ku ishin depozituar mbi 124 mijë euro. Ndërsa nga kontrollet në 7 banesa ku janë sekuestruar dokumenta, telefona dhe kompjutera me interes për hetimin. Nga jashtë vendit, zoti Ahmetaj reagoi duke deklaruar se kjo e sotmja ishte raprezalja e radhës në familjen e tij.

Në tetor, ndaj zotit Ahmetaj do të regjistrohet një tjetër procedim penal, për privatizimin e ish Fabrikës së Bukës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish zëvendëskryeministri dyshohet të ketë firmosur, në shkelje të ligjit, pasi pronësia mbi ish fabrikën i ishte njohur nga gjykatat, një familjeje kryeqytetase.

Zoti Ahmetaj reagon duke theksuar se, sipas tij, po bëhet kokë turku pa të drejtë. “Ka një segment të organizuar politiko-mediatik të financuar nga inceneratorët, me tentakula në drejtësi, që tentojnë të ndërtojnë tek unë “delen e zezë”, përtej kokës së vërtetë të zezë të kopesë”, shkruajti në një postim në Facebook, duke u shprehur se “goditja politiko-juridike ndaj meje duket sikur është kthyer në një sport juridiko-statistikor pa cilësi”.

 

Hetimet ndaj Berishës, polemikat dhe arresti në shtëpi

Pasditen e 21 tetorit, Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish kryeministrit Sali Berisha u arrestua në Aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Posaçme kishte nisur lidhur me procedurat e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani.

I njëjti hetim kishte përfshirë dhe vetë zotin Berisha, i cili sipas Prokurorisë së Posaçme dyshohet se ka favorizuar zotin Malltezi një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzoi më pas një grup pallatesh. Duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryeministër, sipas hetimit, ai dyshohet të ketë miratuar ligje dhe akte nënligjore duke i përshtatur sipas nevojave të ish pronarëve, dhe se përmes kontrolleve administrative, është ushtruar presion ndaj strukturave shtetërore që të përshpejtonin procedurat si dhe vënien e këtyre strukturave në dispozicion të zotit Malltezi për realizimin e privatizimit. Ndaj tij është vihet masa “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i lëvizjes jashtë vendit”.

Menjëherë pasi u mësua lajmi, Berisha u shfaq në zyrën e tij, ku e prisnin një grup mbështetësish dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij. Ai do të flasë për një veprim me prapavijë politike, ndërsa shprehet se Prokuroria do të duhej t’i drejtohej Parlamentit dhe citon nenin e Kushtetutës: “Deputetit nuk mund t’i kufizohet liria në asnjë lloj forme pa vendim parlamenti”. Në fakt ai nen flet për heqje lirie dhe jo kufizim lirie.

Megjithatë zoti Berisha këmbëngul në qëndrimin e tij, duke deklaruar se nuk mund të njohë një vendim antikushtetues: “E vetmja gjë që unë nuk mund të pranoj kurrë është që të shkel Kushtetutën e vendit”.

Ndaj tij nuk janë ngritur akuza, megjithatë dyshimet e Prokurorisë ai i cilëson “një kosh me gënjeshtra, shpifje të ulta, manipulime dhe trillime monstruoze”.

Gjykata konfirmon arrestin me burg për Malltezin e menjëherë zbatohet sekuestrimi i pasurive të tij. Për rastin e zotit Berisha, procedurat do të zgjasin disa ditë për shkak të përplasjeve të avokatëve të tij me gjykatën, e cila përcakton se ai duhet të paraqitet pranë një oficeri të policisë gjyqësore të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Paralelisht mbështetësit e zotit Berisha së bashku me grupimin e zotit Berisha ashpërsojnë qëndrimin në Parlament, duke protestuar për rrëzimin nga ana e shumicës të disa kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore, si dhe për mosndryshimin e përfaqësuesit të opozitës në komisionin e reformës zgjedhore. Seancat do të mbizotërohen nga kaosi dhe tensioni, ndërsa ligjet dhe akte të ndryshme miratohen me shpejtësi, nën retë e e tymuesve.

Zoti Berisha injoron hapur vendimin e gjykatës, dhe në ditët kur do të duhej të paraqitej pranë oficerit të policisë gjyqësore, shfaqej gjithmonë në publik, në Parlament apo konferenca shtypi. Por më 12 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kërkon autorizimin e Parlamentit për arrestimin e tij. Atë ditë ai do të deklaronte se “çdo vendim pas autorizimit nga Parlamenti, do ta zbatoj pa asnjë diskutim”.

Më pas qëndrimi i tij do të ndryshojë dhe ditën që mblidhet Këshilli i Mandateve deklaron se “ ky është një poshtërim i Parlamentit. Eshtë shpallja e tij në një zyrë legalizimi i veprimeve të paligjshme”. Ai njofton dhe nisjen e një beteje anembanë vendit dhe menjëherë më pas shfaqet në një protestë të thirrur pranë Parlamentit.

Gjykata Kushtetuese nuk pranon ankimimin e deputetëve që mbështesin zotin Berisha, të cilët kishin kërkuar ndër të tjera pezullimin e masave të sigurisë ndaj tij. Një ditë më pas, votimi i kërkesës së Prokurorisë do të bëhet sërish mes kaosit në sallë.

Prokurorët kanë kërkuar arrest shtëpie me mbikqyrje policore dhe ndalim të komunikimeve, përveçse me personat me të cilët ish kryeministri bashkëjeton. Ndërsa avokatët e zotit Berisha do të përdorin cdo truk procedurial për të zvarritur vendimmarrjen e gjykatës, e cila pranon kërkesën e Prokurorëve të çështjes, pasditen e 30 dhjetorit.

 

Lista e gjatë e SPAK-ut

Zyrtarë e politikanë të shumtë patën çështje të hapura me Prokurorinë e Posaçme gjatë këtij viti, një pjesë dhe të trashëguara nga hetime të mëparshme.

Pas një odiseje të gjatë ligjore, ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, në janar të këtij viti iu komunikua akuza e “shpërdorimit të detyrës” për rastin e Gërdecit. Çështja shkoi pak më pas për gjykim. Në procesin i cili ende vijon, dëshmoi edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit, i thirrur më herët gjatë vitit për të dhënë shpjegime. Ai sërish mohoi çdo lidhje me ngjarjen, pavarësisht kontakteve të shpeshta në atë periudhë me zotin Mediu apo dhe sipërmarrësin Delijorgji, i cili kontrollonte fabrikën e demontimit të municioneve.

Zoti Mediu ka këmbëngulur shpesh se nuk është marrë në konsideratë parashkrimi i veprës për të cilën akuzohet: “Kjo shkelje është tërësisht flagrante, për një njeri që prezumohet i pafajshëm e nuk ka patur procedim penal, të kërkohet të mos respektohet afati i parashkrimit”.

Koncensioni i sterilizimit ishte një tjetër dosje e debatuar e cila tërhoqi vëmendjen, kur më 17 gusht u arrestua ish zëvendës-ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili ishte pjesë e konsorciumit të kompanive që fituan koncensionin në dhjetorin e 2015-ës. Ndaj biznesmenit Rrapaj, rëndonte akuza e mashtrimit. Gjashtë zyrtarë të tjerë u vendosën në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje.

Koncensioni i sterilizmit u përfshi qysh në fillim nga dyshime, polemika dhe dritëhije të shumta, pasi Rrapaj, nga pronar një kompanie të vogël ndërtimi në Itali, u shfaq si aksioneri kryesor në konsorcium, përmes një tjetër shoqërie të sapothemeluar në atë kohë në Prishtinë.

Çështja mori ngjyrime të tjera, pasi gjykata sugjeroi përfshirjen në hetime dhe të ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, si dhe atij të Financave, Shkëlqim Cani.

Më 18 nëntor, zotit Beqaj i komunikohet masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i lëvizjes jashtë shtetit”. Ai dyshohet për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim. “Unë jam në dispozicion të këtij procesi hetimor, prandaj kam vendosur, përtej opinionit që mund të kem, apo rezervave të avokatëve të mi, të mos e kundërshtoj atë vendim”.

Sërish gjyqtari e konsideroi të paplotë hetimin, duke mbështetur idenë se, bazuar në prova, ish ministri duhet të hetohet dhe për “falsifikim”, sikundër sipas tij nuk duhet të mbetet jashtë hetimit as ish ministri Cani.

Në fund të vitit, emri i zotit Beqaj do të përfshihet në një tjetër hetim. Atij do t’i bëhet kontroll i banesës, ndërkohë që kontrolle u bënë dhe në disa kompani farmaceutike apo dhe në banesat e disa bashkëpunëtorëve të tij në Agjencinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj, nga drejtimi i së cilës u tërhoq pas masave të sigurisë ndaj tij nga ana e Prokurorisë.

Gjatë vitit 2023, të paktën 7 kryebashkiakë apo ish kryetarë socialistë të bashkive, socialist u dënuan, u hetuan ose janë në gjykim. Për disa të tjerë, ka patur po ashtu kallzime për të cilat po kryhen verifikime.

Më 1 mars, ish drejtuesi i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, i arrestuar në korrik të 2021, u dënua me 3 vjet e 6 muaj, nga Apeli i posaçëm. Ai u gjet fajtor për “shpërdorim detyre” në dy raste, edhe për “shkelje të barazisë në tendera”. Dënime më të lehta u dhanë për 18 ish zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie dhe sipërmarrës.

Gati dy javë më vonë (16 mars) me urdhër të Prokurorisë së Posaçme u arrestua kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, nënkryetarja si dhe 6 zyrtarë të tjerë, nën akuzat: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve”. Më 16 shtator, çështja ndaj tyre shkoi për gjykim dhe në fund të vitit ai u dënua me dy vjet burg.

Në qershor do të arrestohet një emër i njohur i socialistëve, ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe 10 persona të tjerë, nga të cilët 7 janë ish punonjës të Bashkisë. Njeri i afërt me kryeministrin Rama dhe ish anëtar i kryesisë së PS-së, zoti Dako u vendos nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në dy raste: për procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe plotësimin e dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë, si dhe për procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence” për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, me një fond prej 21 milionë lekësh, i konsideruar 10 herë më i lartë sesa vlera reale. Më 7 dhjetor, hetimi u mbyll dhe çështja kaloi për gjykim. Ai është një ndër emrat ndaj të cilëve Departamenti amerikan i shtetit ka marrë masën e ndalimit të hyrjes në territorin e SHBA-ve.

Pak ditë më pas (16 qershor), një tjetër emër nga socialistët do të përfundojë në qendër të vëmendjes. Kryetari i Bashkisë së Kukësit, përfshihet në një skandal me sfond seksual, pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, ku ai shfaqet në zyrën e tij, duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua. Ai jep dorëheqjen, ndërsa 8 ditë më pas arrestohet.

Po në qershor, do të merret nën hetim kryebashkiaku socialist i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, pasi nuk kishte deklaruar në formularët si kandidat në dy zgjedhje vendore, një dënim për kalim të paligjshëm të kufirit me Greqinë, dhe dëbimin nga ky shtet në vitin 1999. Ai është mbrojtur duke deklaruar se nuk kishte patur dijeni për masën e dhënë ndaj tij nga gjykata greke, në moshën 17 vjeçare. Në fund të vitit (18 dhjetor) dosja e tij i kalon gjykatës.

Më 13 korrik, u arrestua ish kryebashkiaku socialist i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, ndërsa ish administratori i Njësisë Iballë, u la në arrest shtëpie. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi lejuan një kompani private të hapte pa leje një rrugë në një zonë pylli, duke shkaktuar një dëm që përllogaritet në mbi 2 milionë euro. Ai do të dënohet më 7 tetor me 1 vit e 6 muaj burgim për shpërdorim detyre, dhe heqjen e të drejtës për 5 vjet për të ushtruar funksione publike.

Nën hetime do të përfundojë dhe kryebashkiaku tjetër socialist në Rrogozhinë, Edison Memolla. Në fillim të nëntorit, Prokuroria e posaçme njoftoi dërgimin e tij për gjykim nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, pasi rezulton të ketë ofruar favore në këmbim të votës për të, në zgjedhjet e 14 majit.

Qëndrimi i zgjedhur nga kryeministri Rama për arrestimet e njerëzve të tij, kryesisht të atyre që i ka mbrojtur hapur përballë akuzave publike, mbeti gjithnjë i njëjtë, se përgjegjësia është individuale, madje edhe përgjegjësia e tij morale “është karshi shqiptarëve për t’iu dhënë atyre një drejtësi, që bën ekzakt këtë punë”.

Gjithnjë e më shpesh ai ka përmendur faktin se reforma në Drejtësi ishte fryt i angazhimit të shumicës drejtuar prej tij, duke e përdorur këtë argument si të kishte një efekt purifikues.

Megjithatë hetimet e Prokurorisë së Posaçme duket se ndikuan disa prej ndryshimeve në kabinetin e tij, në fillim të sezonit të ri politik, (4 shtator) të cilat prekën disa nga portofolet me peshë, nga diplomacia të bujqësia, financat e shëndetësia. Më herët në muajin korrik, kishte ndryshuar dhe drejtimi i ministrisë së Brendshme.

 

BE-Shqipëri, dhe Beleri në mes

Një tjetër arrestim, këtë herë i kandidatit të opozitës në Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit do të rezultojë me pasoja për ecurinë e procesit të bisedimeve me Bashkimin Europian. Ndonëse Komisioni europian, deklaroi se vendi kishte plotësuar kushtet për të hapur grupkapitujt e parë, Greqia do të vendosë veton.

Një personazh me shumë dritëhije dhe një të kaluar problematike, Beleri, kandidat i PBDNJ-së, në koalicionin opozitar “Bashkë fitojmë”, u arrestua pasi më parë ishin siguruar përgjime për ofrimin e parave në këmbim të votës. I vetdijshëm për efektin e një ngjarjeje të tillë, aq më tepër që e kishte sulmuar personalisht gjatë fushatës, kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi se ngjarja përbën “një sprovë të madhe për drejtësinë, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar”.

Por për fqinjin jugor të Shqipërisë, i përfshirë po ashtu në një fushatë zgjedhore, arrestimi i Belerit, shërbeu si një shkëndijë për të ndezur polemika të pafundme. Autoritetet greke u vunë menjëherë në lëvizje, duke kërkuar që të kishte prova bindëse, e duke përmendur të drejtat e minoritetit, shoqëruar me paralajmërimet se rrugëtimi i Shqipërinë drejt BE-së, nuk do mund të përparonte pa miratimin e saj.

Autoritetet shqiptare nga ana e tyre iu përmbajtën që në fillim linjës se kjo ishte një çështje ekskluzive e drejtësisë. “Nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Republikës së Shqipërisë me kombësi shqiptare, dhe ka një tjetër drejtësi për qytetarët e Republikës së Shqipërisë me kombësi greke”, deklaroi më 15 maj, kryeministri Rama.

Zoti Beleri u shpall fitues me një grusht votash, por ky fakt hapi një kapitull të ri kërkesash nga Greqia. Ndësa kryebashkiaku i zgjedhur, vuri në lëvizje të gjithë mekanizmat e mundshëm procedurialë, për të kërkuar një masë më të butë sigurie, e më vonë lejen që të bënte betimin, Athina ndiqte çdo hap të procesit, duke e shoqëruar me deklarata deri në Bruksel. “Do të përfitoj nga rasti të parashtroj qartazi çështjen e mbajtjes në burg të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, zotit Beleri”, deklaroi ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, i ndodhur në zyrat e Komisionit Europian.

Hetimet u mbyllën në fund të korrikut duke i hapur rrugën gjykimit.

Në mesin e muajit gusht, kryebashkiakët e disa qyteteve greke, përfshirë dy më të mëdhatë Athinës dhe Selanikut, ishin pjesë e një proteste në mbështetje të zotit Beleri në Himarë. Një javë më pas kryeministri grek Mitsotakis shkon më tej duke mos ftuar zotin Rama në një darkë të organizuar prej tij me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit, me rastin e 20 vjetorit të Samitit të Selanikut, ku BE-ja u angazhua për perspektivën europiane të rajonit. Një sinjal force nga Athina, për të cilin zoti Rama, shkruajti një ditë më pas se darka ishte “përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës”. Sipas kryeministrit shqiptar “është me shumë rrezik që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë të jenë peng i politikës së brendshme fisnore”.

Ndërkohë sinjalet nga Brukseli ishin pozitive për Shqipërinë e cila në tetor u bë mikpritëse e takimit të udhëheqësve të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit. Një ditë përpara këtij takimi, presidentja e Komisionit europian Ursula von der leyen, deklaroi në Tiranë se “objektivi ynë i përbashkët është që të hapim bisedimet për grupkapitujt e parë, të ashtuquajturit “Themelorët”, sa më shpejt të jetë e mundur, përpara fundit të këtij viti”.

I njëjti mesazh do të jepet dhe pak javë më vonë kur publikohet Raport Progresi për Shqipërinë. Por ndërkohë Greqia kishte bllokuar letrën e vendeve anëtare drejtuar Tiranës për përgatitjen e udhërrëfyesve për grupkapitujt, të cilën e firmosi vetëm në fund të nëntorit.
Pak ditë përpara nisjes për në Bruksel (8 dhjetor) në takimin e Këshillit europian me vendet e Ballkanit, zoti Rama do të deklaronte se rasti Beleri “nuk ka asnjë lidhje as me BE-në, as me kushtet e procesit të negociatave, as me ndonjë mangësi të Shqipërisë në këtë fazë të negociatave”.

Çështja bëhet pjesë e diskutimeve në mbledhjen e Këshillit, por pa asnjë rezutat. Mes kryeministrit shqiptar dhe atij grek ka një bisedë të gjallë pas mbledhjes. Për Shqipërinë mbetet deklarimi për hapjen e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur.

Për Athinën, zotit Beleri, do duhej t’ jepej mundësia për të bërë betimin. Kjo çështje, e cila u bë objekt i një trysnisë së vazhdueshme, kaloi po ashtu disa hallka gjyqësore, derisa u trajtua përfundimisht në Gjykatën e Posaçme e cila e rrëzoi. Në arsyetimin e Gjykatës, vlerësohet po ashtu se duhej gjetur një zgjidhje për të siguruar funksionalitetin e Bashkisë së Himarës, e cila nuk mund të drejtohej nga kandidati humbës në zgjedhje, socialisti Gjergji Goro. Pak ditë më pas kryeministri Rama paralajmëron tërheqjen e zotit Goro.

 

Zgjedhjet vendore, fundoset opozita

Socialistët rregjistruan fitoren më të thella që një forcë politike ka arritur në zgjedhjet vendore duke marrë kontrollin e pjesës dërrmuese të vendit, përfshirë të gjitha qytetet e mëdha. Si asnjëherë më parë, mes 53 bashkive që votuan majtas, u përfshi edhe Shkodra. Opozita, e cila në zgjedhjet e 2012 kishte lënë fushën bosh për shkak të bojkotit, fitoi vetëm 7 bashki, përgjithësisht të vogla. Humbja ishte e thellë dhe në kryeqytet, ku kryebashkiaku Erion Veliaj u rikonfirmua një diferencë thellë votash. E papritur rritja e fortë e socialdemokratëve të Tom Doshit, të renditur si forcë e katërt në këshillat bashkiakë, në rang vendi.

Socialistët hynë në zgjedhje duke qenë disa hapa përpara krahasuar me të tjerët. Ata kishin drejtuar për 4 vjet të gjitha bashkitë e vendit. Dhe ç’është më e rëndësishmja, përballë kishin një opozitë të gërryer nga përplasjet e brendshme në Partinë Demokratike, mes ish kryeministrit Sali Berisha, që gëzonte mbështetje më të madhe, dhe grupimit të zotit Alibeaj, i cili, pak ditë përpara skadencës së afateve të regjistrimit, mbajti vulën dhe siglën e PD-së, pas vendimit të Apelit që e ktheu çështjen në gjykatën e shkallës së parë. Një vendim që do përmbyset në fund të vitit nga Gjykata e Lartë e cila e çon sërish dosjen në Apel.

Pavarësisht kësaj, ai do të hasë në vështirësi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nuk do të pranojë që deklarata solemne, pjesë e dokumentacionit të kërkuar, të ishte firmosur nga zoti Alibeaj, duke qenë se në gjykatë, figuronte ende si kryetar i Partisë zoti Lulzim Basha, i dorëhequr në vitin 2022. Kryekomisioneri refuzon regjistrimin e PD-së në zgjedhje, vendim i cili rrëzohet më pas nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS).

Mes përplasjeve në kryesi, PD-ja do të dalë me një numër të vogël kandidatësh, të cilët reduktohen më tej pasi një pjesë refuzon të rivalizojë me kandidatët e grupimit të udhëhequr nga ish kryeministri. Ky i fundit, ashtu si dhe në zgjedhjet e pjesshme të 2022-shit, u strehua sërish në një koalicion nën siglën e Partisë së Lirisë së ish presidentit Ilir Meta.

Fushata, u dominua nga shkëmbimet e sulmeve dhe akuzave politike, ku nuk munguan tonet fyese e denigruese ndaj kundërshtarit. “A e kuptojnë këta të djathtë që ky njeri, bashkë me floririn se këta janë një, Salike floriri i them unë? A e kuptojnë këta që Salikja është një turp?”, do të deklaronte zoti Rama gjatë një takimi elektoral.

“Ku janë kandidatët e Edi Ramës? Bodrumeve, nuk takohen me qytetarët, takohen me punonjësit e tyre, takohen me grupet mafioze, shpërndajnë para”, do shprehej zoti Berisha, në takimet me mbështetësit e tij.

Koalicioni “Bashkë fitojmë” u përpoq të joshte mbështetësit e vet, me idenë se një fitore në këto zgjedhje do t’i shkurtonte ditët edhe qeverisë. Zoti Berisha do të shprehej shpesh se “14 maji do të jetë gjithashtu dhe dita në të cilën ne vendosim për ti dhënë duart kësaj qeverie në vjeshtën që vjen”.

Edhe sipas zotit Meta, pjesëmarrje në zgjedhjet e së dielës do t’i bënte qytetarët “pjesë e një përmbysje, që fillon në 14 maj”.

Ndërsa për zotin Alibeaj “Shqiptarët nuk e duan Ramën, por aq më pak duan Berishën dhe Metën”.

Dita e votimit do të kalojë pa probleme serioze. Pjesëmarrja do të jetë e ulët dhe nuk do të kapërcejë pragun e 38 përqindëshit. Rezultatet e para tregojnë tendencën e votës në të gjithë vendin. Një dominim të socialistëve, thuajse kudo, përfshirë atë që për vite ishte konsideruar si një bastion i pathyeshëm i së djathtës, Shkodrën. Ndërsa në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj arrin një diferencë prej më shumë se 58 mijë votash, me Belind Këlliçin, rivalin e koalicionit Berisha-Meta.

Opozita arrin të marrë vetëm Hasin, Mirditën, Pukën e Fushë Arrëzin në Veri, Memaliajn dhe Himarën në Jug, si dhe Kavajën. Por dhe këtu, socialistët kanë marrë kontrollin e Këshillit bashkiak, falë dhe aleancës së heshtur me socialdemokratët e Tom Doshit, të renditur në mënrë surprizë si forcë e katërt për nga numri i votive, me 116 mandate këshilltarësh.

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë, ngriti si “çështje shqetësuese, pretendimet për rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore, presioneve mbi administratën dhe për shitblerje të votës”.

Zoti Berisha do të flasë për një ditë të rëndë për liritë dhe të drejta e qytetarëve, një moment agonie për vlerat demokratike dhe “një farsë elektorale e karakterizuar nga Alfa tek Omega nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner”.

Ndërsa, zoti Alibeaj, ndërsa pranon problemet serioze sipas tij të zgjedhjeve, jep dorëheqjen nga drejtimi i PD-së zyrtare duke theksuar se “para së gjithash duhet të shohim nga vetja, Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së PD-së në rezultatin e zgjedhjeve”.

 

Plagët e hapura të përçarjes në PD

Por pavarësisht qëndrimit politik ndaj zgjedhjeve, situata e opozitës, veçanërisht e demokratëve, u bë edhe më e vështirë në raport me veten, për shkak të plagëve të pambyllura të përçarjes, e në raport dhe me përkarahësit, që e shohin atë të mbetet faktikisht ende larg pushtetit. Zoti Lulzim Basha rikthehet për të rimarë drejtimin e PD-së zyrtare, një akt që nuk mirëpritet nga një pjesë e mirë e deputetëve, të cilët shkëpusin lidhjet me të, për t’iu bashkangjitur në Parlament grupimit të ish kryeministrit Berisha.

Pas një mungese të gjatë, ish kryetari demokrat Lulzim Basha u rishfaq më 24 maj, me një grup të rinjsh në Tiranë duke paralajmëruar një tur bashkëbisedimi në të gjithë Shqipërinë, në të cilat dallon pamja e jashtme. Veshje sportive e thuajse gjithnjë me një bluzë “alla Zelensky”. Ndërsa ajo që propozon si një platformë ndryshimi, duket më shumë një riciklim tezash të artikuluara dhe më parë: “Të hapim garën politike. Pra listat e hapura dhe e dyta vetting i politikanëve”.

Qartësisht e gjitha duket si një prelud i rikthimit të tij në krye të Partisë Demokratike zyrtare. E sfilitur më së shumti nga përplasjet e gjata me grupimin e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, se sa me socialistët në pushtet, përballja me të cilët rezultoi dërrmuese në zgjedhjet vendore, kjo forcë politike ndodhej në çastet e një paqartësie edhe më të madhe, pas dorëheqjes së zotit Enkelejd Alibeaj.

Do të jenë përplasjet e brendshme që do të mbizotërojnë sërish, kur pjesa më e madhe e grupit parlamentar do të mbështesë idenë e një procesi të shtrirë në kohë e që do duhet të niste me riorganizimin e bazës për të përfunduar te zgjedhja e kryetarit të ri, ndërsa shumica e kryesisë, që do të këmbëngulë për mbajtjen e shpejtë të zgjedhjeve për drejtuesin e partisë.

Mbledhja e kryesisë e zhvilluar përgjatë natës së 6 qershorit deri në orët e para të mëngjesit të së nesërmes, prodhoi tensione të forta brenda dhe jashtë zyrave. Pas vendimit për të mbajtur zgjedhjet më 29 korrik, nënkryetarja Jorida Tabaku dha dorëheqjen nga ky pozicion, ndërsa kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, dikur krahu i djathtë i zotit Basha, u shfaq kategorikisht kundër.

Mes palëve nis një betejë ku hyn në lojë statuti dhe rregulloret, për të cilat palët akuzonin njëra tjetrën se po i shkelin ato. Më 18 korrik kryesia vendosi që administrimi i vulës së partisë t’i hiqet zotit Bardhi, i cili gjithnjë e më shumë po shihej prej shumicës së saj, si personi, që mendohej të kishte bërë një pakt të heshtur me zotin Berisha. Pak ditë më pas zoti Bardhi thërret mbledhjen online të Këshillit Kombëtar për në 27 korrik. Në përfundim të saj ai deklaron “anullimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të PD, të njoftuar për më datën 29 korrik. Pezullimin e veprimtarisë statutore të kryesisë së PD, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj”.

Me të njëjtën monedhë reagoi pala tjetër. “I urojmë zotit Bardhi suksese për krijimin e parë të partisë dixhitale në vend. Eshtë një hap inovativ që duhet përshëndetur. PD nga ana e saj do të vijojë normalisht procesin e reformimit dhe të zgjedhjes së kryetarit të saj më 29 korrik”, deklaroi zoti Indrit Sefa, sekretar për çështjet ligjore në PD.

Përballë një figure lokale të PD-së si Gjergji Hani, dhe me një fushatë larg publicitetit, zoti Basha rizgjidhet, siç edhe ishte e pritshme. Por këtë herë ai do të drejtojë një forcë politike shumë më të vogël, me vetëm 25 mijë anëtarë të regjistruar për të marrë pjesë në votim, e për më tepër me një grup parlamentar të ndarë copash, ku ata që e mbështesin do të jenë në pakicë.

Më 2 Shtator ai mbledh Kuvendin, ku mes ndryshimeve në statut parashikohet që kryetari i Partisë do të jetë dhe drejtues i grupit parlamentar. Një përpjekje për të shmangur zotin Bardhi, i cili ndërkohë kishte nisur negociatat për afrim me grupimin e ish kryeministrit.

Pas gati dy vjetësh konflikti të hapur, duke treguar me gisht njëri tjetrin se kush ishte përgjegjës për përçarjen e opozitës, apo se cili ishte më shumë i korruptuar apo i blerë nga Kryeministri Edi Rama, ata ulen së bashku më 5 shtator.

Zoti Bardhi kujdeset të vërë në dukje se dallimi mes palëve “nuk do të na pengojë që sot të unifikojmë një qëndrim të aksionit tonë opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës, duke e nisur me një agjendë të përbashkët parlamentare”.

Veçanërisht i kënaqur shfaqet ish kryeministri Sali Berisha, i cili gjatë sesionit të shkuar parlamentar, nuk arriti të kishte kontrollin e grupit. Mbështetësit e tij ishin përjashtuar nga Partia Demokratike. Ai i gëzohet faktit se zoti Basha ka mbetur me një numër të reduktuar deputetësh, ndërsa duket se te ky takim, sheh diçka përtej dhe vetëm unifikimit të qëndrimit kundër qeverisë socialiste: “Mendoj se ky ishte një hap i parë shumë i rëndësishëm në një proces të pandalshëm, i cili do t’iu japë përgjigje të gjitha problemeve të pamohueshme që u krijuan, por që marrin në këtë frymë, zgjidhjen më të mirë”, deklaroi zoti Berisha pas mbledhjes.

Mesazhi i zotit Basha, për ish krahun e tij të djathtë, është i prerë. “Udha e mbarë i qoftë në bunkerin anti-amerikan. Partinë Demokratike nuk e dëmtojnë më”, u shpreh ai gjatë një takimi me drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike.

Përplasja për çështjen e kreut të grupit parlamentar, duket se i ndau përfundimisht rrugët mes tyre, ndërsa disa herë ata u përplasën publkisht, në sallën e Parlamentit. “Nëse keni vendosur në kulisat tuaja të errëta të aleancave të kullave e “non gratave” dil e thuaju shqiptarëve që je pjesë e asaj aleance”, deklaroi zoti Basha ndërsa i drejtohej kryetares së Parlamentit Lindita Nikolla, por me një referencë të qartë për grupimin Berisha-Bardhi. “Për të akuzuar kolegët për aleanca kullash, numëro një herë katet e kullave të tua në kullën më të shtrenjtë të Tiranës, tënden dhe familjarëve të tu”, u kundërpërgjigj zoti Bardhi, i cili vijon të konsiderohet kryetar i grupit të PD-së.

voa

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, zotohet ta copëtojë vendin pavarësisht paralajmërimeve amerikane

Dodik PutinUdhëheqësi separatist i serbëve të Bosnjës u zotua të vazhdojë ta dobësojë vendin e tij që ende vuan plagët e luftës deri në pikën kur do të copëtohet, pavarësisht nga një zotim i Shteteve të Bashkuara për ta parandaluar një gjë të tillë.

 

“Unë nuk jam joracional, e di se përgjigja e Amerikës do të jetë përdorimi i forcës … por nuk kam asnjë arsye që të trembem nga kjo për të sakrifikuar interesat kombëtare (serbe)”, tha të premten në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, Milorad Dodik, presidenti i Republikës Serbe.

Ai tha se çdo përpjekje për të shfrytëzuar ndërhyrjen ndërkombëtare për të forcuar më tej institucionet e përbashkëta shumetnike të Bosnjës do të përballet me vendimin e serbëve të Bosnjës për t’i braktisur plotësisht ato dhe për ta kthyer vendin në gjendjen e përçarjes dhe mosfunksionimit, siç ishte në fund të periudhës së luftës brutale ndëretnike të viteve 90.

Për shkak se demokracitë perëndimore nuk do të jenë dakord me këtë, shtoi ai, “në periudhën tjetër, ne do të detyrohemi nga reagimi i tyre të shpallim pavarësinë e plotë” të rajoneve të Bosnjës të kontrolluara nga serbët.

 

Lufta në Bosnjë filloi në vitin 1992 kur serbët e Bosnjës të mbështetur nga Beogradi u përpoqën të krijonin një rajon “etnikisht të pastër” me synimin për t’u bashkuar me Serbinë fqinje, duke vrarë dhe dëbuar kroatët dhe boshnjakët e vendit, të cilët janë kryesisht myslimanë. Më shumë se 100,000 njerëz u vranë dhe më shumë se 2 milionë, ose mbi gjysma e popullsisë së vendit, u dëbua nga shtëpitë, përpara se të arrihet një marrëveshje paqeje në Dejton të Ohios në fund të vitit 1995.

Marrëveshja e ndau Bosnjën në dy entitete, Republikën Serbe të drejtuar nga serbët dhe Federatën Boshnjako-Kroate, të cilave iu dha autonomi e gjerë, por mbetën të lidhura nga disa institucione të përbashkëta shumetnike. Marrëveshja themeloi gjithashtu Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, një organ ndërkombëtar i ngarkuar me mbrojtjen e zbatimit të marrëveshjes së paqes, të cilit iu dhanë përgjegjësi të gjera për të vendosur ligje ose për të shkarkuar zyrtarët që dëmtojnë ekuilibrin e brishtë etnik të pasluftës, duke përfshirë gjyqtarët, nëpunësit civilë dhe anëtarët e parlamentit.

Gjatë viteve, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, ka ushtruar trysni ndaj udhëheqësve etnikë të Bosnjës që të ndërtojnë institucione të përbashkëta mbarëkombëtare, duke përfshirë ushtrinë, agjencitë e zbulimit dhe sigurisë, gjyqësorin e lartë dhe administratën tatimore. Megjithatë, forcimi i mëtejshëm i institucioneve ekzistuese dhe krijimi i të rejave është i nevojshëm nëse Bosnja do të përmbushë synimin e saj të deklaruar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Milorad Dodiku u shfaq i pashqetësuar të premten nga deklarata e postuar një ditë më parë në rrjetin X, i njohur më parë si Twitter, nga James O’Brien, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, se Uashingtoni do të veprojë nëse dikush përpiqet të ndryshojë “elementin bazë “ të marrëveshjes së paqes së vitit 1995 për Bosnjën dhe se askush nuk ka “të drejtë shkëputjeje”.

 

“Në mesin e serbëve, një gjë është e qartë dhe kjo është një ndërgjegjësim në rritje se vitet dhe dekadat përpara nesh janë vitet dhe dekadat e bashkimit kombëtar serb”, tha ai.

“Brukseli po e përdor premtimin për anëtarësimin në BE si një mjet për të unitarizuar Bosnjën”, tha politikani pro rus duke shtuar se “në parim, politika jonë është ende se ne duam të anëtarësohemi por nuk e shohim atë si alternativën tonë të vetme”.

BE-ja, tha ai, “e dëshmoi se është e aftë të punojë kundër interesave të veta” duke u rreshtuar përkrah Uashingtonit kundër Moskës kur Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë.

Udhëheqësi serb Dodik, i cili ka bërë thirrje për shkëputjen e entitetit serb nga pjesa tjetër e Bosnjës për më shumë se një dekadë, është përballur me sanksionet britanike dhe amerikane për politikat e tij, por gëzon mbështetjen e Rusisë.

 

 

Ekziston frika e përhapur se Rusia po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të rajonit për të zhvendosur të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga lufta e saj në Ukrainë.

“Pavarësisht nëse duan apo ajo Shtetet e Bashkuara dhe Britania, ne do ta shndërrojmë kufirin administrativ (midis dy entiteteve të Bosnjës) në kufirin tonë kombëtar”, tha Milorad Dodik.

voa

Keqpërdorimi për fushatë elektorale partiake – Përdhosja më e shëmtuar që mund ti bëhej emrit të Mehmet Gegës

Axha Mehmet 2Si një nacionalist me parime dhe qëndrime të palëkundura, rrethi ku sillej axha Mehmet, siç e quanim ne në Tetovë, ishte i ngushtë. Ai vetë nuk honepste njerëzit me karakter të dobët, dyfytyrësh, servilë dhe spiunë, e nga ana tjetër, një pjesë e tetovarëve kishin frikë për pasoja nga pushteti, të duken në praninë e tij.

 

Një ndër shtëpitë ku ai ndjehej i mirëseardhur ishte shtëpia jonë – e shokut dhe bashkëmendimtarit të tij, Nijazi Fandës. Ky ishte fati dhe privilegji që kishim ne si fëmijë në atë kohë por edhe më vonë, të dëgjonim dhe frymëzoheshim nga goja e tij për përjetimet dhe veprimtarinë e tij patriotike. Një nga këto përjetime të tij, i viteve 80, m’u kujtua këto ditë kur dëgjova për “Akademinë përkujtimore për jetën dhe veprën e Mehmet Gegës”, të organizuar nga partitë e Bilall Kasamit dhe Izet Mexhitit: një korrier i një institucioni të “Republikës Socialiste të Maqedonisë”, i shkon një ditë Mehmet Gegës në punë (një shitore frutash dhe perimesh ku ai punonte, pasi e kishin hequr nga puna si arsimtar), për t’ia dorëzuar vendimin për pension veterani të “luftës nacionalçlirimtare të Jugosllavisë” . Me të dëgjuar arsyen se pse kishte ardhur, axha Mehmet, i egërsuar, i sulet korrierit të tmerruar, me çfarë kishte në dorë, duke i bërtitur: “Më morët ushtar me dhunë, të lidhur, duke më tërhequr zvarrë, më torturuat, burgosët… e tani, ju xhelatët e keni dhe guximin t’më ofroni pension lufte…”. Mu kujtua , sepse pikërisht kështu do të reagonte Mehmet Gega po të ishte gjallë, edhe ndaj këtyre “korrierëve” të VMRO, hienave që kërkojnë të përfitojnë nga sakrificat e Mehmet Gegës, për të mashtruar votuesit shqiptarë dhe për të vazhduar qëndrimin në pushtet.

“Pa vatan, nuk ka iman” ishte thënia e tij e preferuar, të cilën ai e përsëriste shpesh. Mehmet Gega, përndryshe një besimtar i devotshëm, e kishte kuptuar që herët se vatani i tij ishte i rrezikuar nga “imani” në duart e “shejtanëve”, i vetëdijshëm se nxitja e shqiptarëve për t’u shpërngulur në Turqi, bëhej pikërisht nëpër xhamia, nga kleri i mobilizuar nga UDB-a. Ishte i vetëdijshëm për marrëveshjen në mes të Jugosllavisë (Serbisë) dhe Turqisë, për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre. Ndaj e nisi pa hezituar betejën për të bindur shqiptarët për të mos u shpërngulur në Turqi, duke shpërndarë fletushka të shkruara me dorën e tij. Ndaj pushteti e dënoi me 10 vite burg në vitin 1955.

Janë të njëjtët “shejtanë” të cilët duke përdorur “imanin” vazhdojnë ta realizojnë me sukses talibanizimin e Tetovës, për të përhapur ideologjinë neo-otomane në shërbim të interesave ekspansioniste turke, të cilët sot keqpërdorin emrin e Mehmet Gegës, për të fituar vota dhe pushtet, përmes të cilit do të vazhdonin të luftojnë vatanin e Mehmet Geges, të cilin ai e deshi kaq shumë dhe për të cilin ai sakrifikoi kaq shumë.

Nuk ka përdhosje më të shëmtuar për emrin e Mehmet Gegës, se sa kur sot keqpërdoret për fushatë zgjedhore nga Izet Mexhiti, që nga viti 2005 kryetar komune i Çairit, që nga viti 2008 e deri në korrik të këtij viti nënkryetar i BDI në pushtet, i cili vazhdoi të shijojë pushtetin gjatë gjithë kohës pa reaguar as me gjysmë fjale për shqiptarë e pafajshëm të procesit të montuar të Sopotit, të mbajtur në burg deri në vitin 2018; për masakrën kundër shqiptarëve në Brodec në vitin 2007; kur në vitin 2012 partia e tij në koalicionin bashkëqeverisës me VMRO dënoi shqiptarë të pafajshëm në rastin “Monstra”, për të paraqitur shqiptarët si fundamentalistë islamik të rrezikshëm; kur në vitin 2015 policia e shtetit të cilin e qeveriste partia e tij në koalicion me VMRO, rrethoi lagjet e shqiptarëve në Kumanovë dhe ushtroi dhunë policore/ushtarake ndaj popullsisë së pafajshme… Pothuajse për 20 vite në funksione politike në BDI nuk u kujtua në asnjë moment për të kërkuar të nderohen shqiptarët që sakrifikuan jetën dhe vite burg për kauzën shqiptare, mes tyre edhe për Mehmet Gegën.

Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi janë përfaqësues tipik të klasës politike mercenare të shqiptarëve në ish IRJM, që vazhdon të heshti si gjatë sistemit “sllavo-komunist”, ashtu edhe pas themelimit të PPD me 1990, para fakteve historike për krimet makabre të pushtetit të krijuar me vendimet e “ASNOM-it” ndaj shqiptarëve: ekspozimin e kokës së prerë të Xhemë Hasës në qendër të Gostivarit; masakrën e Monopolit në Tetovë, mbushjen e shkollave me shqiptarë të burgosur dhe ekzekutimet pa gjyq, Goli Otokun, burgjet e mbushura edhe sot e kësaj dite me të rinj shqiptarë. Akoma më shumë, kjo klasë politike pranon si të mirëqenë, pa asnjë kundërshtim kushtetutën diskriminuese për shqiptarët, me “ASNOM-in” në themelet e saj. “Nderimi” i atyre që sakrifikuan për çështjen kombëtare, sipas përzgjedhjeve dhe nevojave elektorale partiake, duke “harruar” periudhën e luftës së dytë botërore, krimet, masakrat dhe burgosjet e viteve 1944-1945, bashkë me dëshmorët dhe martirët e kësaj periudhe, tregon më së miri qëllimet jo të sinqerta dhe abuzive të këtyre partive, duke i bërë të padenjë për të nderuar kujtimin e tyre.

Afrim Fanda

Hovenier: Normalizimi Kosovë – Serbi mbyllet me njohje reciproke

HovenierAmbasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka publikuar një video-adresim në prag të vitit të ri duke thënë se gjatë vitit 2023 ka pasur momente të vështira dhe është arritur shumë përparim, gjë që duhet pranuar dhe festuar.

 

Hovenier ka thënë se mbi të gjitha, partneriteti dhe miqësia në mes të SHBA-së dhe Kosovës mbetet e fortë. Ai ka numëruar edhe arritjet e përbashkëta në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Ambasadori amerikan ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi si një prej çështjeve që ka marrë shumë kohë dhe energji.

Ai tha se SHBA pret përparim të njëmend gjatë vitit 2024, duke kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit dhe gjithashtu ka kërkuar nga Kosova që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Hovenier ka thënë se procesi i normalizimit Kosovë-Serbi përmbyllet me njohje reciproke dhe ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit është hap i madh drejt këtij synimi.

Ai ka uruar lumturi, shëndet e begati në vitin 2024.

rtk

 

Suksesi i protestave në Serbi varet nga mjaft faktorë

BeogradPas zgjedhjeve në Serbi vazhdojnë protestat. Opozita i kundërshton rezultatet dhe akuzon pushtetin për manipulime. Por suksesi i protestave varet nga disa faktorë.

 

Dyshimet për manipulimin e zgjedhjeve në Serbi kanë shkaktuar një valë të re protestash dhe kanë çuar vendin në një krizë të re politike. Përveç faktit që zgjedhjet treguan se Serbia është politikisht në “vendnumëro”, ku pavarësht të gjitha përpjekjeve del sërish i njëjti fitues, më shumë se kurrë theksuan paralizën e plotë të institucioneve.

Praktikisht nuk është më sekrete që policia u urdhërua të mos u përgjigjej thirrjeve për parregullsi në qendra të caktuara votimi, por kapja e administratës vazhdoi edhe pas ditës së zgjedhjeve. Prokuroria konstatoi brenda pak minutash se nuk ka pasur vepra penale gjatë zgjedhjeve, komisionet zgjedhore hodhën poshtë kundërshtimet e opozitës, ndërsa Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale pretendon se lista e zgjedhësve ishte e hapur dhe publike dhe se këto ishin zgjedhje demokratike dhe legjitime, e një listë zgjedhore “pa të meta”.

 

Zgjimi i studentëve

Protesta në Serbi ka pasur edhe vitet e kaluara, por ato, pavarësisht numrit të madh herë pas here, kryesisht kanë dështuar. Raundi i fundit i protestave në Beograd zgjati vetëm disa ditë dhe tani për tani përshtypja bazë është se protesta mund të mos jetë në nivelin e pritjeve të opozitës, ndërsa risi është përfshirja më e madhe e studentëve.

Historia e gjatë e protestave të pasuksesshme i dekurajon qytetarët dhe aktivistët politikë, por siç thekson për DW analisti politik Dragomir Angjelkoviq, “Aleksandër Vuçiqin e shqetësojnë në radhë të parë protestat masive që nuk do të mund t’i kontrollojë, që nuk do të thotë se opozita dhe studentët nuk mund të kërcënojnë stabilitetin e Vuçiqit me një kombinim të lëvizjeve të ndryshme”.

“Refuzimi i opozitës për të hyrë si në asamblenë e Beogradit ashtu edhe në asambletë republikane dhe shpallja e zgjedhjeve jolegjitime – do t’ia hiqte Vuçiqit legjitimitetin dhe do ta çonte situatën në një diktaturë të hapur.” Opozita ka mekanizma për ta kundërshtuar atë, por duhet të jetë e gatshme për punë maratonë dhe të vendosë kërkesa të qarta se si duhet të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme”, beson Angjelkoviq.

Sa i përket kërkesave, bashkëbiseduesi ynë shton se “është shumë keq që opozita përmend zgjedhjet republikane, duke shpresuar në një zgjidhje për Beogradin. Zgjedhjet ose u vodhën ose nuk u vodhën. Nëse janë vjedhur, ne vetëm mund të imagjinojmë se si janë vjedhur në brendësi të Serbisë, nëse ka pasur kaq shumë parregullsi në Beograd. Ata nuk mund të zbuloheshin jashtë Beogradit, sepse nuk kanë vëzhgues të besueshëm atje”.

 

Sinergjia e forcave

Nëse shikojmë historinë e deritanishme të protestave, shohim se tre faktorë luajnë një rol vendimtar nëse protestat do të sjellin rezultate, thotë profesori Zoran Stojiljkoviq i Fakultetit të Shkencave Politike për DW: “Këta janë uniteti i opozitës, energjia e protestave dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm”. Vetëm sinergjia e këtyre faktorëve jep rezultat. Sa i përket këtyre zgjedhjeve, opozita bëri disa gabime strategjike, ndër të cilat i fundit ishte zhvendosja e theksit dhe zgjerimi i kërkesave. Një plus i vogël ishte reagimi i vëzhguesve ndërkombëtarë, i cili ishte shumë kritik”, thotë Stojiljkoviq.

Faktor shtesë është reagimi i autoriteteve dhe ajo që mund të pritet më tej, vazhdon Stojiljkoviq dhe vlerëson se “është mjaft e sigurt që zgjedhjet në Beograd do të përsëriten, por që zgjedhjet republikane  mund të anulohet vetëm në ato vende ku ka arsye të nevojshme”.

 

Shmangia e gabimeve të njëjta

Vitet e fundit, taktika e qeverisë ka qenë që protestat të shuhen vetë. Duket se Aleksandar Vuçiq prapë beson se protestat një ditë do të shuhen vetë. Reagimi i mundshëm i policisë rezervohet vetëm për rastet kur autoritetet nuk shohin rrugëdalje tjetër, siç ishte rasti me incidentet para Kuvendit të Beogradit.

Kjo do të ndodhë prapë nëse opozita përsërit të njëjtat gabime, paralajmëron Dragomir Angjelkoviq dhe thotë se “hera e kaluar opozita doli në protesta, por nuk u largua nga institucionet. Tani ajo duhet të bëjë të kundërtën, nuk duhettë futet në parlament por duhet të protestojë. Nuk mund të sfidosh legjitimitetin e sistemit dhe të jesh pjesë e tij”, thotë analisti politik.

 

Gatishmëria për rezistencë

Situata është e tillë që diçka duhet bërë, në të kundërtën nuk ka kuptim të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme, thekson Zoran Stojiljkoviq. Ai shton se “para zgjedhjeve të reja do të duhej të kalonin së paku tre deri në gjashtë muaj, për të pasur kushte të barabarta në media dhe në zgjedhje. Një lloj presioni në rrugë është mjaft i rëndësishëm”, thotë profesori nga Beogradi.

Zoran Stojiljkoviq pranon se është befasuar edhe nga “reagimi i policisë para Kuvendit të Beogradit. Por nëse forcohet edhe mbështetja ndërkombëtare, atëherë edhe opozita duhet të dëshmojë se është e gatshme për rezistencë”, tha Stojiljkoviq. DW.

 

Rusia përfiton

Aleksandar Vuçiq ka implikuar edhe shërbimet sekrete ruse në të gjithë ngjarjen rreth protestës. Sipas tij, shërbimet kanë paralajmëruar se opozita po përgatit demonstrata të dhunshme. Narrativa e qeverisë është se opozita në Beograd po përgatit një lloj “Maidani” të ri dhe se do të fitojë pushtetin me dhunë.

“Presidenti i Serbisë po manipulon disponimin negativ të opinionit publik ndaj Perëndimit”, thotë Dragomir Angjelkoviq dhe shton: “Ai në thelb përmbush gjithçka që Perëndimi kërkon prej tij në lidhje me Kosovën”. Perëndimi nuk ka ndërmend ta rrëzojë atë. Ndërsa Rusia ka një interes shumë më të madh që të mos ketë sanksione nga Serbia, sesa është e interesuar që Serbia të mbrojë Kosovën. Nëse Serbia kapitullon në çështjen e Kosovës, kjo do të ishte e dobishme edhe për Rusinë. Ajo do të insistojë që të njëjtat parametra të zbatohen edhe në Ukrainë. Pra, për Rusinë çdo gjë që bën Beogradi është e dobishme, ndaj ata së bashku me Vuçiqin marrin pjesë në mashtrimin se kjo ka lidhje me Maidanin”, vlerëson Angjelkoviq.

 

Si të pajtohen opsionet e ndryshme?

Nëse dëshiron që protesta të jetë e suksesshme, opozita duhet t’i bëjë kërkesat e saj serioze dhe të insistojë në realizimin e tyre, shton Angjelkoviq. “Ajo duhet të insistojë që të mos përsëriten situatat e mëparshme kur opozita kishte disa kërkesa, ndërsa më pas hoqi dorë nga të gjitha kërkesat në lidhje me kushtet zgjedhore”. Një konfuzion shtesë që ngatërron opinionin është se si organizatorë të protestës shfaqen partitë opozitare por edhe studentët. Ndërsa për të shtunën, më 30 dhjetor, janë paralajmëruar protesta nga ProGlas.

Profesor Stojiljkoviq beson se qytetarët me të vërtetë duan të dinë se kush i fton në protesta. Por ai kujton edhe protestat e viteve 1996/97, “kur kishim tubime opozitare dhe marshime studentore dhe ku secili dha kontributin e vet”. “Sigurisht që shkakton konfuzion te qytetarët”, vëren Dragomir Angjelkoviq dhe shton se “shumë qytetarë heqin dorë nga protesta, sepse mendojnë se po organizohen nga ky apo ai opsion politik që nuk është afër tyre”.

“Prandaj është gabim i opozitës, që nuk krijoi grupimin më të gjerë të mundshëm që do të përcaktonte kërkesat se si Serbia mund të demokratizohet.” Por akoma nuk ka marrëveshje reale, sepse disa po i privatizojnë protestat, ndërsa të tjerët i kontestojnë ato për shkak të disa mospajtimeve të tyre gjeopolitike, të cilat janë në plan të parë”, përfundon Angjelkoviq.

dw

Meini, shteti i dytë që heq ish-Presidentit Trump nga fleta e votimit

TrumpTë enjten Sekretarja e Shtetit të Meinit Shenna Bellows, një demokratevendosi të heqë ish-Presidentin Donald Trump nga fleta e votimit për zgjedhjet paraprake presidenciale, në këtë shtet, bazuar në pikën tre të nenin 14 të Kushtetutës, që trajton rastet se kur një zyrtar nuk kualifikohet për të garuar për një post zyrtar. Me këtë vendim ajo bëhet zyrtarja e parë kryesore që administron ceshtje zgjedhore, e cila ndërmerr nje veprim të njëanshëm, e me pasoja të mundshme në garën e përgjithshme presidenciale.

 

Vendimi mund të apelohet në Gjykatën e Lartë të shtetit dhe zonja Bellows e pezulloi atë deri në një vendim të gjykatës mbi këtë çështje.

Zonja Bellows tha se zoti Trump nuk mund të kandidonte sërish për president, për shkak të rolit të tij në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, duke përmendur pikën tre të amendamentit 14, që ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj.

Zonja Bellows e mori vendimin pasi disa banorë të shtetit, përfshirë një grup dypartiak ish-ligjvënësish, sfiduan përfshirjen e zotit Trump në fletën e votimit.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump thanë se do të depozitojnë së shpejti një ankim ndaj këtij vendimi që e quajtën “mizor”.

Avokatët e zotit Trump i kanë kundërshtuar qëndrimet se ish-presidenti u përfshi në rebelim më 6 janar të vitit 2021 dhe kanë argumentuar se komentet e tij ndaj mbështetësve në ditën e sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit, mbroheshin nga e drejta e lirisë së shprehjes.

Vendimi i zonjës Bellows do të zbatohet vetëm për zgjedhjet paraprake të marsit në Mein, por mund të ndikojë në statusin e zotit Trump për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Vendimi ka të ngjarë të rrisë trysninë mbi Gjykatën e Lartë të vendit për t’i dhënë një përgjigje pikëpyetjeve të ngritura nëse zoti Trump kualifikohet për të garuar në mbarë vendin, bazuar në pikën tre të Amendamentit të 14 të Kushtetutës.

Tre nga 9 anëtarët e Gjykatës së Lartë, shumica e të cilëve me pikëpamje konservatore jane emëruar nga zoti Trump.

Ndaj ish-Presidentit Trump janë ngritur padi si në nivel federal ashtu edhe në shtetin e Xhorxhias lidhur me rolin e tij në përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, por ndaj tij nuk janë ngritur akuza për kryengritje apo rebelim në lidhje me sulmin e 6 janarit. Ai kryeson garën brenda partisë për të fituar emërimin zyrtar si kandidat për president, me një diferencë të madhe ndaj kandidatëve të tjerë republikanë.

Pak kohë me parë, më 19 dhjetor, Gjykata e Lartë e Kolorados e skualifikoi zotin Trump nga zgjedhjet paraprake të shtetit, duke e bërë atë kandidatin e parë në historinë e vendit që konsiderohet i papërshtatshëm për të garuar për president për shkak të asaj që gjykata e cilësoi si përfshirje e tij në kryengritje.

Vendimi 4 me 3 i Gjykatës së Lartë të Kolorados nuk do të hyj në fuqi deri më 4 janar, një ditë para printimit të fletëve të votimit për zgjedhjet paraprake në këtë shtetet, ose derisa Gjykata e Lartë të marrë një vendim.

Zoti Trump ka thënë se do ta apelojë vendimin e Kolorados në Gjykatën e Lartë dhe e ka kritikuar atë duke e konsideruar vendimin si “jodemokratik”. Të mërkurën Partia Republikane e Kolorados paraqiti ankesën e saj në Gjykatën e Lartë.

Grupet aktiviste dhe disa votues kundër zotit Trump kanë ngritur padi në disa shtete bazuar në pikën tre të Amendamentit të 14-të, i cili u miratua pas Luftës Civile për të mbajtur jashtë posteve qeveritare mbështetësit e ish-konfederatës.

Përpjekje të ngjashme për të skualifikuar zotin Trump në shtete të tjera janë hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë në Miçigan, një shtet fushëbeteje për zgjedhjet e përgjithshme, që nuk pranoi të mërkurën të dëgjonte një akimim, nëpërmjet të cilit kërkohej skualifikim i zotit Trump nga zgjedhjet paraprake presidenciale të këtij shteti.

Meini vlerësohet nga organizatat jopartike që monitorojnë zgjedhjet si një shtet demokrat, që do të thotë se Presidenti Joe Biden ka gjasa të fitojë garën në këtë shtet. Por zoti Trump fitoi një elektor në Mein si në zgjedhjet e vitit 2016 ashtu edhe në 2020.

Një kandidati për president i duhet të fitojnë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar garën për president.

voa

Angili: Mbështetja turke për FSK-në nuk është kundër Serbisë – zgjidhja mes dy vendeve jo ushtarakisht

angil albinAmbasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunxh Angili, lidhur me tensionet Kosovë-Serbi, tha se “ky problem nuk ka zgjidhje ushtarake, por mund të zgjidhet me dialog”.

 

Në një intervistë për “Anadolu”, Angili bëri vlerësime për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëdhëniet tregtare Turqi-Kosovë dhe regjistrimin e popullsisë që pritet të bëhet në Kosovë në muajin prill 2024.

Angili tha se ai po vazhdon punën e tij me një agjendë intensive në Kosovë, ku ka bërë afër një vjet punë.

Nuk më duket sikur jam në një vend të huaj. Ndër vendet ku kam punuar deri më tani, Kosova për mua është vendi më i afërt me Turqinë në aspektin kulturor, për sa i përket këndvështrimit të njerëzve për jetën, madje edhe në aspektin e traditës së ushqimit dhe gjeografisë”, tha ai.

Duke u shprehur se kërkojnë stabilitet të përhershëm dhe paqe në rajon sepse Turqi është një vend ballkanik, Angili theksoi se ngjarjet që ndodhin në Ballkan ndihen thellë edhe në Turqi.

 

Dialogu Kosovë-Serbi

Ambasadori Angili tha se Turqia është e gatshme të kontribuojë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëse palët e kërkojnë atë.

“Politika jonë është e qartë, ne po përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie të barabarta dhe të bazuara në përfitime reciproke me të gjithë në Ballkan. Kjo është e njëjta gjë për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit. Si e tillë, kjo forcon pozicionin e Turqisë si një aktor i besueshëm”, tha ai.

Angili theksoi se Turqia po kryen diplomaci intensive në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së shpërndarjes së energjisë elektrike që është duke vazhduar që nga viti 1999 në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Çështja e shpërndarjes së energjisë ishte një nga faktorët që thelloi krizën e besimit mes dy palëve në veri, sepse, çështja e energjisë gjithmonë shqetëson drejtpërdrejt publikun. Është një hap shumë i rëndësishëm që kjo është tejkaluar dhe është krijuar një kornizë e caktuar ligjore sipas ligjeve të Kosovës. Është një hap që mund të ndikojë pozitivisht në dosjet e tjera në procesin e dialogut, dhe në këtë pikë arritën edhe Kosova edhe Serbia duke ndërmarrë hapa të ndryshëm dhe duke u detyruar të veprojnë në mënyrë konstruktive, por edhe Turqia mbështeti rolin lehtësues të Bashkimit Evropian (BE). Mund të them se po bëjmë diplomaci intensive me Qeverinë e Kosovës sa i përket Kompanisë Kosovare të Distribuimit të Energjisë Elektrike (KEDS). Kjo na tregoi se, Kosova dhe Serbia mund të ndërmarrin hapa kur të dyja palët të shohin se po fitojnë dhe se po kujdesen për interesat e tyre”, theksoi ambasadori.

Angili ka theksuar se marrëveshja e nënshkruar së fundmi në fushën e energjisë ndërmjet KEDS-it dhe kompanisë serbe Elektrosever, me kontributin e Turqisë, përbën të vetmin zhvillim konkret për këtë vit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

 

“Nuk ka zgjidhje ushtarake për problemin kosovaro-serb”

Angili tha se mbështetja e tyre për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në fusha të caktuara nuk është kundër asnjë shteti tjetër, përfshirë Serbinë.

“Si Turqi, si shumë vende të tjera, ne besojmë se e vetmja rrugë për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dialogu. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem, por mund të zgjidhet me dialog”, tha ai.

Duke theksuar se Forca Paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR) është një forcë e domosdoshme për të siguruar një mjedis të sigurt në Kosovë, Angili vuri në dukje se ka pasur përparim në kapacitetin ushtarak të këtij misioni, pasi Turqia mori komandën e KFOR-it për një vjet, që nga tetori i këtij viti.

“Synimi në marrëdhëniet Turqi-Kosovë në 2024, thellimi dhe diversifikimi i bashkëpunimit ekonomik”

Duke folur rreth marrëdhënieve tregtare në mes Turqisë dhe Kosovës, Angili tha se “ne mendojmë se nëse e diversifikojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim ekonomik, në vend që ta shohim vetëm si tregti, do të përfitojë edhe punësimi edhe eksporti i Kosovës. Ky do të jetë një nga synimet më të rëndësishme në marrëdhëniet Turqi-Kosovë në vitin 2024: thellimi dhe diversifikimi i bashkëpunimit ekonomik”.

Ai vuri në dukje se Kosova ka nevojë për investime në fushën e ndërtimit dhe energjetikës në periudhën e ardhshme dhe theksoi se kompanitë turke me përvojën e tyre mund të jenë partner i rëndësishëm në këtë drejtim.

“Ka kompani nga Turqi të gatshme të investojnë këtu. Me investimet dhe prodhimin që bëjnë këtu, ata mund të eksportojnë në BE dhe ShBA, duke rritur kështu punësimin dhe eksportin e Kosovës. Kjo e bën bashkëpunimin ekonomik mes nesh më të qëndrueshëm. Investimet aktuale turke në Kosovë tashmë janë një shumë e konsiderueshme me mbi 400 milionë euro. Me fjalë të tjera, kjo është një shifër prej përafërsisht pesë për qind të bruto produktit vendor të Kosovës. Kompanitë turke punësojnë më shumë se 10 mijë qytetarë të Kosovës. Kjo është arsyeja pse këtu shfaqet një model i favorshëm”, theksoi ai.

Duke folur për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë që do të bëhet në Kosovë në prill të vitit 2024 për komunitetin turk në vend, Angili tha se beson që “komuniteti turk do t’i qaset çështjes së regjistrimit si një çështje kombëtare mbi politikën. Shpresojmë se do të shohim numrin real të turqve të Kosovës pas përfundimit të regjistrimit”.

Angili shtoi se turqit e Kosovës janë një element thelbësor në vazhdimësinë e Kosovës si një republikë e pavarur, e lirë dhe e vetëmjaftueshme.

telegrami

Mesut Shabani / Udhëtimi nëpër kohë . Lëvizja Besa rrënjët i ka qysh në 1994 si Партија за демократска акција – Исламски пат,pas dështimit total deri 2014, veproi nëpërmes OJQ-ve.

I kthehem kujtesës gazetareske si korrespondent i RTSH-së viti 1994 ,kur adhuruesit e Alija Izetbegoviqit në FYROM zyrtarisht ashtu njihej në Europë dhe botë Maqedonia , krijuan një parti identike në Shkup Партија за демократска акција – Исламски пат, ku kryetar u zgjodh Kenan Mazllami nga Tetova .

Kjo parti politike në zgjedhjet parlamentare dhe lokale dështoi në vitin 1994 ,nuk fitoi as 200 vota ,në listën vetanake,por hyri në koalicion më vonë me Partinë Demokratike Turke ku deputet i saj ishte Qenan Hasipi …dhe filluan …

dhe udhëheqësit e saj të dukur dhe të fshehur filluan të veprojnë nëpër shoqata joqeveritare fetare ,si shumë të tjerë…Posaçërisht kjo strukturë e formimit të Lëvizjes Besa aktuale që udhëheqin Komunën e Tetovës dhe partinë politike Besa sot ,ka edhe lidhje familjare me atë parti por edhe ekonomike,formula DAJA-NIPI-DHËNDRI- dhe në rreth, që nga viti 1994 atëherë me rreth 200 vota, në vitin 2022 në votime për këshill komunal ka 9.620 vota sepse këto janë votat e besatarëve ,e që ka rezultuar me 12 këshilltarë …rritje interesante…PIROLLA …

Njerëzit që mund ti gjeje nëpër këshilla të OJQ humanitare nëpër Tetovë e Shkup sot edhe udhëheqjen e komunës e trajtojnë si OJQ dhe shumë çka tjetër veprojnë …çfarë nuk kam pa prej 1994 dhe kush nuk i udhëheq edhe tash do shoqata jo qeveritare qe koketojnë me pushtetin komunal …

Kush e krijoi Lëvizjen Besa

kjo fillimi ….i filmit …

P.S…Në Kosovë thuajnë edhe të dekunit ia sheh sherrin …Dikur në kohën e Kralit në një fshat të Kosovës një bashkpuntor i xhandarëve para se të des kërkon ni amanet me ia plotsue bashkkatunart …Shyqyr që des …ata i thanë fole he burë se n ven kena me ta plotsu.Kur t më varosni ma lini kamën e djath pa ma mbulu me dhe …dhe dorën e majt po ma lidhni me ni tëkuzë pa pre tërkuzën pra bashk këmbën e dorën…I a plotsojnë dëshirën …mbas ni jave xhandarët e krajlit kur po shohin se nuk po i shkon erifi shoku ia msyjnë fshatit …fshatart po u thojn ka dekë…/i dërgojn te vorri …Aha thonë xhandarët kur pe shohin ni kambë jashtë e ni dorë jasht lidhun me tërkuzë po ju e paki varos t gjallë[ e tu hijnë fshatit n dajak …pra edhe t dekunit ia sheh sherrit …ishalla n zgjedhjet e 2024 Besa mer përgjigjen …

Telegrami

Vetëvendosja, pjesë e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut

LENPartia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, do të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që njihet me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN). Kjo u bë e ditur më 24 dhjetor gjatë një ceremonie për hapjen e zyrave të opozitës në Shkup, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski, u shpreh i befasuar pasi që tha se ka parë vetëm raste kur parti të huaja mbështesin parti simotra në zgjedhje të vendeve të tjera, por jo edhe të marrin pjesë vetë në to.

“Unë deri tani nuk kam dëgjuar që parti nga shtete tjera të marrin pjesë në procese zgjedhore në shtete të tjera. Megjithatë, duhet të shihet se çfarë saktë mendon blloku opozitar pasi nëse partitë nga shtetet fqinje nisin të marrin pjesë në zgjedhjet në shtetin tonë, atëherë mund të ndodhë që parti edhe nga shtetet tjera të marrin pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, tha Kovaçevski.

“Kjo mendoj se nuk paraqet një dinamikë të dëshiruar. Megjithatë, duhet të shihet se si e mendojnë pjesëmarrjen në zgjedhje dhe gjithsesi që duhet të shikohet Kodi Zgjedhor sa u përket partive që janë të regjistruara e kështu me radhë”, shtoi ai.

VV-ja nuk është e regjistruar si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, por bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare – Lëvizjes Besa, partisë Alternativa dhe Lëvizjes Demokratike – pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj të vitit 2024.zgjedhjet

Sipas Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në zgjedhje mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Ndërsa, lista zgjedhore mund të përmbajë emrin e ndonjë koalicioni, siç është edhe Lidhja Evropiane për Ndryshim, por në brendi të saj duhet të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – i cili është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje – ka shprehur mbështetjen për opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut gjatë vizitave në Shkup dhe Tetovë, më 12 gusht 2023.

Mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokun opozitar në Maqedoninë e Veriut u konfirmua nga Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit. Ai tha të dielën se VV-ja do të do jetë partia e katërt e koalicionit opozitar, me qëllim për të sjellë, siç tha ai, “ndryshimin e munguar” në Maqedoninë e Veriut.

“Unë jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizja Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të etabluar këtu, për ta sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes këtij regjimi që është në Maqedoninë e Veriut. Vetëvendosja natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”, deklaroi Qoku, me prejardhje nga Struga e Maqedonisë së Veriut.

Në përbërjen parlamentare të viteve 2011-2014, Bekim Qoku ishte deputet i Partisë Demokratike Shqiptare, ndërsa më pas kaloi në radhët e Aleancës për Shqiptarët.

Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim thonë se programi zgjedhor i opozitës do të bëhet në bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, që do të jetë edhe pjesë e listave për deputetë në përbërjen e ardhshme parlamentare.

“Lëvizja Evropiane për Ndryshim do të përbëhet nga katër parti politike. Do të thotë që në këto katër parti është edhe Vetëvendosja. Edhe programin zgjedhor e punojmë bashkërisht. Zyra është e përbashkët, edhe fushata do të jetë e përbashkët dhe do të jenë pjesë e e listave parlamentare”, ka deklaruar kryetari i Lidhjes Demokratike, Izet Mexhiti.

rel