Parimet e Vetëvendosjes – shpresa e vetme për shqiptarët në ish-IRJM

IluzioniCila është ndihma që shqiptarët në ish IRJM presin nga VetëVendosja?

 

Të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe votuesit e BDI, edhe ata që nuk gjejnë veten me asnjë nga këto parti, presin nga Vetëvendosja që të mbështesin idetë dhe parimet, jo individët dhe partitë. Shqiptarët në ish IRJM kanë varur shpresat tek Vetëvendosja, jo vetëm sepse BDI e bëri vendin e tyre të pajetueshëm, por akoma më shume për faktin se nuk gjejnë shpresë tek partitë shqiptare opozitare, ato pak muaj sa ato qëndrojnë në opozitë. Ndihma e Vetëvendosjes nuk u nevojitet shqiptarëve për të hequr BDI-në nga pushteti dhe për të sjellë aty një apo më shumë parti të tjera që do të vazhdonin të shërbenin si dekor multietnik në sistemin qeverisës unitar në duar e partive “maqedonase”, por për të imponuar standardet e politikëbërjes dhe parimin e vetëvendosjes, që do t’u shërbenin atyre si kriter për përzgjedhjen e partive.

Të dashur miq, për më tepër, ju ftoj të lexoni trajtesën time lidhur me këtë temë, në vazhdim.

“Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm… unë jam ministër i një qeverie të një shteti të përkohshëm… primare konsiderojmë ngritjen e vetëdijes tek qytetarët për realizimin e bashkimit kombëtar si një nevojë të shqiptarëve në Ballkan në funksion të mirëqenies dhe sigurisë. Bashkimi i shqiptarëve në një shtet në territoret ku ata janë shumice dhe kanë kontinunitet territorial, ndërton kushtet për stabilitet e paqe në Ballkan. Stabiliteti aktual i Ballkanit është i vendosur në kurriz të shqiptarëve. Politika e shqiptarëve në të gjitha pjesët e territorit të ndarë, ishte dhe mbetet e zellshme të bëjë kompromise për hir të stabilitetit në Ballkan”, deklaroi Liburn Aliu në shtator të këtij viti. Dhe për të bindur edhe skeptikët, se nuk bëhej thjesht për një lajthitje apo emocion çasti, por për në qëndrim të drejtë dhe të palëkundur, Liburni këtë deklaratë të tij e konfirmoi edhe para pak ditëve, me rastin festimeve të 28 Nëntorit. Me këtë deklaratë, Liburn Aliu, i biri i Ali Aliut ish i burgosur, i mbijetuar i Masakrës së Dubraves, i konsideruar si një ndër shtyllat e Vetëvendosjes, dëshmoi para gjithë shqiptarëve, për qëndrimet e palëkundura të Vetëvendosjes, lidhur me zgjidhjen e çështjes shqiptare në Gadishullin Ilirik në përgjithësi, dhe idesë së bashkimit kombëtar në veçanti.

 

Pas kësaj deklarate, eksponentë të LDK dhe PDK, tani në opozitë, ju sulën Liburn Aliut, për të mbrojtur nga ai, jo Kosovën, siç u munduan ta paraqesin para opinionit, por një “pashallëk” që për ta nënkupton pushtet dhe para. Për dallim nga ata, deklarata e Liburnit synon zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare që do t’u siguronte të gjithë shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, mirëqenie dhe siguri, duke dhënë shembullin më të qartë se si duhet të jetë një përfaqësues politik shqiptar në këto kohë të vështira dhe delikate për shqiptarët.
Janë pikërisht këto qëndrime dhe parime me të cilat shqiptarët në ish IRJM konceptojnë Vetëvendosjen, dhe janë pikërisht këto parime dhe qëndrime të palëkundura të Vetëvendosjes, që aktualisht përfaqësojnë shpresën e vetme për zgjidhjen e drejtë të çështjes së tyre të pazgjidhur edhe pas luftës së armatosur të vitit 2001. Luftë, e cila për dallim nga luftërat e tjera në ish Jugosllavi që përfunduan me pavarësinë për sllovenët, kroatët, shqiptarët në Kosovë dhe pjesërisht edhe për boshnjakët përmes konfederalizimit të Bosnjës, për shqiptarët në ish IRJM përfundoi me një marrëveshje poshtëruese (Marrëveshjen e Ohrit tanimë të zhvlerësuar), e cila, bashkë me kushtetutën, i la ata me statusin e pakicës që diskriminohet hapur, edhe sot e kësaj dite.

 

Por, për fat të keq, mesazhet që vijnë nga Vetëvendosja për shqiptarët në ish IRJM, janë zhgënjyese dhe në kundërshtim me parimet e Vetëvendosjes. Kështu, vet lideri i VV, Albini Kurti, i cili në Kosovë dhe më gjerë, denjësisht përfaqëson modelin politikanit dhe burrështetasit të pakorruptuar, në gusht të këtij viti, gjatë vizitës së tij në Tetovë dhe Shkup, befasoi shqiptarët në ish IRJM duke dale krah për krah me ish eksponentë të BDI-së së korruptuar – me Izet Mexhitin, ish nënkryetarin e BDI, bashkëpunëtorin besnik të Ali Ahmetit qe nga themelemi i BDI dhe me Bilall Kasamin, në BDI që nga viti 2000, nëndrejtor në drejtorinë e doganave, sekretar shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë, dhe si lider i “Lëvizjes Besa”, në koalicion bashkëqeverisës me BDI, bashkëfajtor për tragjedinë në spitalin modular të Tetovës më 8 shtator 2021, ku u dogjën të gjallë 14 të sëmurë na Covidi.

Pak muaj më vonë, Elvis Hoxha, këshilltar i Albin Kurtit dhe anëtar i kryesisë së VV, befasoi përsëri shqiptarët në ish IRJM me deklaratën e tij në një intervistë në Alsat, duke quajtur koalicionin e pashpallur parazgjedhor të “opozitës” me VMRO, “një bllok opozitar që është për t’u lavdëruar”! Në këtë kontekst, për të mos harruar, Vetëvendosja kishte përshëndetur humbjen e VMRO në zgjedhjet parlamentare te vitit 2020 dhe ndryshimet qe do vinin me fitoren e LSDM! Në vazhdim të intervistës ai deklaroi: “Ne kemi mbështetur çdo subjekt që ka kundërshtuar qeverinë që ka tentuar të fsheh dhe hesht elementin shqiptar. Prandaj, gjithmonë kemi mbështetur opozitën, cilado qoftë ajo. Kemi mbështetur edhe Aleancën për Shqiptarët në vitin 2020”.

 

A është në fakt kjo ndihma që shqiptarët në ish IRJM presin nga VetëVendosja? Me keqardhje më duhet të them se JO.
Shqiptarët në ish IRJM, jo vetëm ata pak votues të Lidhjes Demokratike të Izet Mexhitit, Lëvizjes Besa dhe Alternativa, por edhe votuesit e BDI, edhe ata që nuk gjejnë veten me asnjë nga këto parti, presin nga Vetëvendosja që të mbështesi idetë dhe parimet, jo individët dhe partitë. Shqiptarët në ish IRJM nuk janë pakicë për t’u mëshiruar me pak më shumë të drejta, por siç theksoi edhe Liburn Aliu, popullatë autoktone shumicë, pothuajse sa gjysma e Kosovës, që jeton në territore me kontinuitet territorial me R. Shqipërisë dhe R. Kosovës, me madhësi sa territori i Kosovës.

Shqiptarët në ish IRJM kanë varur shpresat tek Vetëvendosja, jo vetëm sepse BDI e bëri vendin e tyre të pajetueshëm, por akoma më shume për faktin se nuk gjejnë shpresë tek partitë shqiptare opozitare, ato pak muaj sa ato qëndrojnë në opozitë. Ndihma e Vetëvendosjes nuk u nevojitet shqiptarëve për të hequr BDI-në nga pushteti dhe për të sjellë aty një apo më shumë parti të tjera që do të vazhdonin të shërbenin si dekor multietnik në sistemin qeverisës unitar në duar e partive “maqedonase”, por për të imponuar standardet e politikbërjes dhe parimin e vetëvendosjes, që do t’u sherbenin atyre si kriter për përzgjedhjen e partive. Për të vetëdijësuar dhe inkurajuar të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe atë masë të madhe votuesish të BDI, për të drejtat e munguara kolektive, si grupi etnik i dytë më i madh në ish IRJM, duke adresuar qartë kushtetutën në përgjithësi dhe sistemin qeverisës unitar në veçanti si burimin e vetëm për statusit të tyre prej pakice të diskriminuar. Për të vetëdijusuar dhe inkurajuar shqiptarët për nevojën për ndryshimin rrënjësor të kushtetutës që do të garantonte barazinë e plotë për shqiptarët duke respektuar realitetin binacional të shtetit. Dhe ky do të ishte kushti për çdo komunikim të partive shiptare me partitë sllave në ish IRJM, dhe njëkohësisht kriteri i vetëm për përzgjedhjen e partive nga ana e shqiptarëve në ish IRJM dhe kriteri i vetëm për mbështetje të partive shqiptare nga ana e Vetëvendosjes.

Ndaj, shqiptarët në ish IRJM nuk do të mbështesin opozitën, “cilado qoftë ajo”, për faktin se në qëndrimet, veprimtarine dhe sjelljen e tyre politike, nuk dallojnë në asnjë gje nga BDI ne pushtet. Sepse statusi i tyre opozitar është moralisht i diskutueshëm per faktin se, qoftë si individë, qoftë si parti, te gjithë e provuan komoditetin e vasalit ne koalicione qeveritare me BDI dhe partitë “maqedonase” ne pushtet; për fatin se edhe tani synimi i tyre i vetëm, është pjesëmarrja pa kushte në qeveri. Ashtu siç nuk do të mbështesin as opozitën në Kosovë vetëm sepse është opozitë, për ta ndihmuar të kthehet në pushtet per të vazhduar korrupsionin dhe dëmtimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në Kosovë.

Afrim Fanda

Çështja Beleri, Kathimerini: Shqipërinë e mbështet Gjermania, do konsultohemi me BE-në!

Rama + GrekosKa një mesazh të ri nga Greqia sipas gazetës së ‘Kathimerini’ në vigjiljen e samitit BE-Ballkani Perëndimor që mbahet në Bruksel.

 

‘Zhvillimi lidhet drejtpërdrejt me çështjen e Fredi Belerit’, –thuhet në shkrim- ‘sidomos pas refuzimit që iu bë kërkesës së tij për të marrë një leje që të betohej si kryetar i Bashkisë Himarë.’

Athina po përpiqet të përdorë njërin prej mekanizmave më të rëndësishëm në vendimmarrjen e bllokut, të drejtën e vetos që ka çdo vendi anëtar, për t’i bërë presion Shqipërisë lidhur me rastin e Belerit. Kërcënimi i saj për pengim të avancimit në bisedimet e anëtarësimit megjithatë, ka marrë deri tani një përgjigje të prerë si nga kancelari gjerman Olaf Scholz, ashtu edhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili e bëri të qartë një ditë më parë se mosmarrëveshje të tilla duhet të zgjidhen mes dy palëve dhe se sundimi i ligjit, duhet zbatuar.

Kathimerini thekson se Greqia e ka dorëzuar tashmë një deklaratë me shkrim, e cila shoqëronte letrën e Këshillit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë e ku vendosej si kusht betimi i Fredi Belerit, gjykimi i drejtë dhe respektimi i prezumimit të pafajësisë. Pala greke, vazhdon shkrimi, do të konsultohet përpara fillimit të Samitit mbi formulimin final lidhur me konkluzionet përfundimtare për Shqipërinë.

Në një moment të caktuar, Athina i kishte propozuar Komisionit Evropian që, nëse dëshironte, mund të jepte edhe pëlqimin për shkëputjen e dy kandidaturave, pasi Greqia nuk ka asnjë problem me Maqedoninë e Veriut, e cila duket se përmbush në mënyrë më efektive kriteret që lidhen me sundimin e ligjit. Është absolutisht e qartë se ky zhvillim krijon një front për Athinën, teksa disa vende të BE-së por edhe SHBA e konsiderojnë progresin e Shqipërisë si një “histori suksesi”. Ajo po merr një mbështetje shumë të rëndësishme nga Gjermania, ndërsa presidenca spanjolle e BE-së duket se ka premtuar në Tiranë se problemet me Greqinë do të kapërcehen. Athina megjithatë, kujton se procesi i pranimit për çdo anëtar të mundshëm është transnacional”, nënvizohet në artikull.

Top Channel

Prokuroria kërkon autorizimin e parlamentit për arrestimin e Berishës

HajdutiNë Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, iu drejtua sot parlamentit për të marrë autorizimin e tij për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha. Kërkesa pason refuzimin e tij për të zbatuar masën e sigurisë të vendosur ndaj tij, atë të detyrimit për paraqitje. Zoti Berisha reagoi duke pohuar se cilido qoftë vendimi, pas autorizimit të parlamentit, ai do ta respektojë atë.

 

Në të tre rastet, kur do të duhej të kishte shkuar përpara një oficeri të policisë gjyqësore, ish kryeministri është shfaqur në publik, në parlament apo konferenca shtypi. Vendimi i Gjykatës së Posaçme, i konfirmuar dhe nga Apeli i Posaçëm, e detyronte atë të paraqitej të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Por zoti Berisha i qëndroi i palëkundur idesë së tij se vendimi që i ndalonte atij dhe lëvizjen jashtë vendit, ishte në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe se kjo i jepte atij të drejtën për të mos e zbatuar atë. Sipas tij, Prokuroria duhej të kishte kërkuar më parë autorizimin e parlamentit.

Mirëpo ky qëndrim, duket se po i kushton tani me një masë më të ashpër. Kodi i Procedurës Penale parashikon që kur nuk zbatohet një mase sigurie “gjykata mund të vendosë një masë tjetër më të rëndë”, që në këtë rast, do të ishte “arresti në shtëpi”, e për të cilin autorizimi i parlamentit është i detyrueshëm.

Në shkresën dërguar parlamentit, drejtuesi i Prokurorisë së posaçme Altin Dumani, nuk e ka përcaktuar masën e kërkuar, duke folur për zëvendësimin e masës së mëparshme me “arrest me burg/arrest shtëpie”.

Zoti Berisha nga ana e tij tha se do të respektojë vendimin që do të përcaktohet nga autorizimi I Parlamentit: “Çfarëdo vendimi pas autorizimit të parlamentit, do ta respektoj pa asnjë diskutim. Qëndrimi im, i përsëritur këtu, ua kam thënë sa herë keni pyetur, ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit. Unë nuk mund të bëhesha kurrë njeriu që zbatoi një vendim antikushtetues. Isha në vështirësi në këtë rast se kishte të bënte me mua, por ai ishte një akt i shkruarjes së Kushtetutës në zyrat e prokurorëve ose gjykatësve. Nuk mund të ndodhte dhe nuk ndodh kurrë përmes Sali Berishës. Tani parlamenti të vendosë ç’të dojë”.

Parlamenti njodtoi pasdite se mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, ku do të merret në shqyrtim kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, do të zhvillohet të hënën e ardhshme, më 18 dhjetor, duke i lënë kështu kohë zotit Berisha të njihet me aktet. Në mbledhje do të dëgjohet dhe Prokuroria e Posaçme.

Ndaj zoti Berisha nuk është ngritur akuzë. Ai është në hetim, nën dyshimet për “korrupsion” në rastin i procedurave të privatimit të ish klubit sportiv Partizani, ku dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ishte një ndër përfituesit, së bashku me pronarët e tjerë të truallit mbi të cilin më pas u ngrit një kompleks pallatesh. Zoti Malltezi fillimisht u arrestua, por më pas u la me arrest shtëpie. Ish kryeministri ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë, ndërsa e ka cilësuar, dhëndrin e tij si një “të burgosur politik”.

voa

BE-ja dëshiron ta lidhë Ballkanin Perëndimor ndaj vetes

BallkanShteteve të Ballkanit Perëndimor nuk do t’u thuhen data konkrete për anëtarësimin. Por Brukseli dëshiron të përdorë të paktën ndihmën ekonomike për të parandaluar që Ballkani të orientohet nga Kina dhe Rusia.

 

“Duket të jetë një ndjesi pak a shumë si ajo e fëmijëve natën e Krishtlindjes që presin me padurim dhuratat”, thotë një nëpunës i lartë i BE-së në valën e përgatitjeve për takimin e nivelit të lartë të BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin. Dhuratat e mundshme të ambalazhuara bukur do t’u tregohen sot (13.12.2023) në Bruksel krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Por në fakt, se kush do të marrë çfarë konkretisht do të vendoset të enjten (14.12.2023) në samitin e 27 anëtarëve të BE-së pa praninë e vendeve të Ballkanit.

Data konkrete për anëtarësimin e Shqipërisë, të Serbisë, të Malit të Zi apo të Maqedonisë së Veriut nuk do të përmenden. Me këto katër shtete Komisioni i BE-së po negocionon për përshtatjen e legjislacionit, shtetëndërtimit dhe praktikave qeverisëse sipas normave të BE-së. Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel në një fjalim në Bled të Sllovenisë u shpreh për një afat antarësimi në vitin 2030. Por këtë afat BE asnjëherë nuk e ka përfshirë zyrtarisht në deklaratat e samiteve të veta. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka kërkuar rritjen e shpejtësisë për procesin e zgjerimit, po as ai nuk është shprehur konkretisht.

 

Më shumë vrull për zgjerimin?

Në Bruksel janë të një mendimi se  diskutimi për pranimin e gjashtë shteteve të Ballkanit ka marrë hov vetëm qëkurse Rusia sulmoi Ukrainën. Si rrjedhojë është vendosur më në fokus aspekti i politikës së sigurisë dhe gjeostrategjisë në debatin për zgjerimin. „Ndihet një energji e re”, tha një nëpunës i BE-së. Pas sulmit rus ndaj Ukrainës u hapën bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina u përcaktua si vend kandidat. Por është e paqartë se si mund të fillojnë bisedimet e antarësimit me këtë konstrukt shtetëror jofunksional, ku serbët e Bosnjes besnikë ndaj Rusisë krijojnë trazira. Bosnjë-Hercegovina edhe 28 vjet pas luftrave civile në Jugosllavi ndodhet nën administrim ndërkombëtar.

 

Fillimisht duhen zgjidhur konfliktet e vjetra

Kosova që u shkëput si shtet nga Serbia, nuk njihet ende as prej Serbisë dhe as nga disa vende anëtare të BE-së, gjë që i ndërlikon hapat zyrtarë drejt bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. BE-ja edhe përpara këtij samiti (13.12.2023) u ka kërkuar vendeve të Ballkanit të zgjidhin konfliktet bilaterale në rajon, në mënyrë q ëtë përparojnë në procesin drejt BE-së. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrin pjesë në samit në Bruksel. Një afrim i vërtetë mes palëve në këtë konflikt Beogradit dhe Prishtinës, që u përshkallëzua këtë vit, sa i përket autonomisë së territoreve me popullsi serbe në Kosovë, nuk e pret askush.

NATO-s iu desh të përforcojë trupat në Kosovë, për të mbajtur nën kontroll situatën mes palëve. Samiti BE-Ballkani Perëndimor, sipas një projekt-deklarate përfundimtare, pritet t’u kërkojë të dyja palëve, që të zbatojnë më në fund marrëveshjen për normalizimin e raporteve të vendosur prej kohësh. I ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, do t’i vazhdojë përpjekjet e ndërmjetësimit mes Serbisë dhe Kosovës. Pa pajtim nuk parashikohet as anëtarësimi i Serbisë dhe as i Kosovës në BE.

Bazuar në raportet e progresit të BE-së të publikuara në nëntor të gjashtë vendet e Ballkanit po bëjnë pak a shumë shpejt hapa për përmirësimin e shtetit ligjor, për mirëqeverisje dhe për të luftuar më mirë korrupsionin, Por suksese të mirëfillta mbi këto deficite të konstatuara nuk ka pasur gjatë këtij viti. Kapitujt e bisedimeve vërtetë janë hapur, por nuk kanë mundur të përfundohen. Me Shqipërinë është bërë ndërkohë një inventarizim i proceseve, në mënyrë që të mund të nisin shpejt bisedimet konkrete. Por këto aktualisht po pengohen nga Greqia, që debaton lidhur me çështjen e postit të kryebashkiakut në Himarë. Përparimet në bisedimet e anëtarësimit mund të avancojnë vetëm përmes vendimeve unanime. Secili vend anëtar i BE-së mund të vendosë veton, gjë që pengon bisedimet.

 

Stimuj për ekonominë

Pavarësisht vështirësive BE-ja ka konstatuar përpara samitit disa gjëra që po funksionojnë. Në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, është themeluar një degë e Universitetit Evropian të Bryzhës. 500 studentë mësojnë ndërkohë në të. Komisioni i BE-së dhe vendet anëtare të BE-së duan të venë tani në dispozicion bursa të tjera për këtë Kolegj Evropian. Bashkëpunimi i universiteteve në BE me shkollat e larta në rajonin e Ballkanit duhet të zgjerohet.

BE-ja ka konceptuar disa programe, për të nxitur rritjen ekonomike, inovacionin, infrastrukturën dhe investimet në Ballkan. Në nëntor të këtij viti presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen shpalli një program zhvillimi ekonomik në vlerën e gjashtë miliardë eurove deri në vitin 2027, që ka për synim t’i mundësojë Ballkanit përpara një anëtarësimi zyrtar avantazhet e tregut të brendshëm të BE-së, qarkullimin e lirë të mallrave dhe personave. „Potenciali i këtij plani zhvillimi është i jashtëzakonshëm”, theksoi Ursula von der Leyen për projektin e saj. “Plani i zhvillimit mund ta dyfishojë rendimentin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në dhjetë vitet e ardhëshme”, premtoi ajo në nëntor në Bruksel.

 

Kina dhe Rusia si konkurrentë

Që nga tetori i këtij viti janë ulur ndjeshëm tarifat Roaming për telefoninë mobile mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit. Nga viti i ardhshëm për herë të parë qytetaret dhe qytetarët e të gjitha këtyre vendeve mund të udhëtojnë pa viza në BE. Me ndihmën e furnizimeve me energji dhe zgjerimin e sistemeve të energjive të rigjenerueshme BE-ja dhe shtetet e Ballkanit duan të lidhen edhe më ngushtë dhe të shmangin ndikimin gjeostrategjik të konkurrentëve si Kina dhe Rusia në Ballkan. Sipas një analize të Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin BE-ja është me diferencë të madhe kundrejt Kinës dhe Rusisë partneri kryesor tregtar në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në investimet direkte spikasin Serbia dhe Mali i Zi. Vitet e fundit Kina ka mundur t’i rrisë dukshëm investimet në Serbi duke u renditur e dyta pas vendeve anëtare të BE-së. Në Mal të Zi Rusia ka qenë pas BE-së investuesja më e madhe, por ndërkohë Mali i Zi pas invazionit të Rusisë në Ukrainë po përpiqet të shkëputet, vërejnë ekspertët e Fondacionit Shkenca dhe Politika.

Në samitin BE – Ballkan në Bruksel drejtuesit e BE-së duan ta bindin edhe Serbinë, që të bashkohet me deklaratën e përbashkët, në të cilën do të theksohen objektivat e politikës së jashtme të BE-së dhe refuzimi ndaj Rusisë. Gjithashtu të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’u bashkohen sanksioneve ndaj Rusisë. Konsiderohet si e vështirë që presidenti serb me tendenca autokratike Alexandar Vuçiq të bashkohet me ketë kurs. Gjithësesi Serbia merr energji me çmim shumë të leverdisshëm nga Rusia: Nëpunësit e BE-së në Bruksel lidhur me këtë mendojnë, se Serbisë asgjë nuk do t’i imponohet në samit. Bisedimet e antarësimit me Beogradin vazhdojnë, edhe pse Beogradi nuk e ka ndjekur deri tani politikën e jashtme të BE-së.

dw

SPAK kërkon autorizim Parlamentit për arrestimin e Berishës

Hajdut BerishaSPAK kërkon autorizim për “arrest shtëpie/arrest me burg“ për ish-kryeminisrin Berisha. Kërkesa e SPAK vjen pas refuzimit këmbëngulës të ish-kryeministrit Berisha për të zbatuar masën e sigurisë të marrë nga Gjykata.

 

Struktura e Posaҫme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) në Shqipëri depozitoi të martën, (12.12) kërkesën drejtuar Parlamentit të Shqipërisë për t’i dhënë autorizim  për “arrest shtëpie/arrest me burg” për ish-kryeministrin Berisha, deputet i „Grupimi i Rithemelimit” të Partisë Demokratike, (PD) më të madhes në opozitë. Kërkesa e SPAK vjen pas refuzimit këmbëngulës të ish-kryeministrit Berisha për të zbatuar masën e sigurisë që Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të  Organizuar (GJKKO) mori në fund të tetorit, (21.10.) për  “detyrim paraqitjeje pranë policisë gjyqësore dy herë ҫdo muaj“ dhe “ndalim dalje jashtë shtetit përmes bllokimit të pasaportës.”

 

Berisha pohon se do të respektojë vendimin e Parlamentit

Sipas Berishës masa e sigurisë së GJKKO ishte „antikushtetuese” gjë që i jepte atij të drejtën për të mos e zbatuar. Ish-kryeministri Berisha deklaroi të martëm, pas kërkesës së SPAK se „do të respektojë vendimin e Parlamentit, cilido qoftë ai.” “Qëndrimi im, i përsëritur ka të bëjë me Kushtetutën. Unë nuk mund të bëhesha kurrë njeriu që do të zbatonte një vendim antikushtetues. Tani parlamenti të vendosë ç’të dojë. Baza e qëndrimit tim është propozimi që kam bërë në vitin 2012 kur kërkova abrogimin e nenit që i jep deputetëve imunitet ndaj veprimeve të gjyqësorit”,deklaroi Berisha të martën, në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të Rithemelimit.

Burime zyrtare nga Parlamenti thanë për DW se  kërkesa për autorizim është bërë nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili „kërkon zëvendësimin e masës së mëparshme  të sigurisë  me arrest shtëpie/arrest me burg.” Sipas legjislacionit të Shqipërisë, “personat që janë mbi 70 vjeç nuk mund të burgosen, përveç rasteve të veçanta.” Ish-kryeministri Berisha është 79 vjeҫ. Kërkesa e SPAK drejtuar Parlamentit mbështetet në Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë sipas të cilit,”kur një masë sigurie nuk zbatohet, gjykata mund të vendosë një masë tjetër më të rëndë. “Masa më e rëndë nuk mund të merret pa autorizimin e parlamentit, pasi ish-kryeministri Berisha gëzon imunitetin e deputetit.

 

Fati politik i Berishës vendoset nga Parlamenti

Këshilli i Mandateve dhe Rregullores së Parlamentit është struktura që ka të drejtën të japë ose jo autorizimin e kërkuar nga SPAK. Sipas njoftimit zyrtar të Parlamentit mbledhja e këtij Këshilli për të shqyrtuar kërkesën e SPAK do të zhvillohet të hënën e ardhshme, më 18 dhjetor, ku do të jetë i pranishën edhe SPAK. Me pas vendimi i këtij Këshilli do të votohet në në Parlament, në seancë plenare.

Në Kuvendin Kombëtar të “Grupimit të  Rithemelimit” të mbajtur në fillim të këtij muaji, (02.12) ish-kryeministri Berisha fitoi votëbesimin e mbështetësve të tij për të vazhduar të jetë kryetar i Grupimit  edhe pse humbi Zgjedhjet Lokale 2023. Berisha shpalli në atë kuvend se “mosbindja civile në të gjithë vendin do të jetë një aksion pa kthim për të shpëtuar demokracinë në Shqipëri.”

 

Mosbindja civile, kaosi në Parlament nuk do ndërpriten

“Nuk do të ketë asnjë ndryshim në strategjinë tonë të mosbindjes civile në Parlament për shkak të kërkesës së SPAK. Opozita ka 6 javë që nuk voton në Parlament ose voton me mosbindje civile” theksoi ish- kryeministri Berisha të martën në mbledhjen e grupit parlamentar të Rithemelimit.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK ish-kryeministri Berisha është nën hetim për „veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë në bashkëpunim me dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezi lidhur me “privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të ish-klubit sportiv Partizani në Tiranë.

Ish-kryeministri Berisha mohon të ketë kryer veprat e mësipërme penale. Ai pretendon që ato “janë ngritur pa asnjë bazë dhe janë sulme të mirëfillta politike të Edi Ramës.” Në zbatimin e masave të sigurisë nga SPAK në Shqipëri ka një precedent alarmant: në korrik të këtij viti ish-zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj, u arratis pak orë para se SPAK të kërkonte në Parlament autorizimin për të marrë ndaj tij masën e sigurisë, arrest me burg për 4 akuza: mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

dw

Ministrat e BE-së i dërgojnë Këshillit Evropian përfundimet rreth paketës së zgjerimit, kërkojnë zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi

BEBashkimi Evropian pritet t’u kërkojë Kosovës dhe Serbisë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër, ndërsa synon ta shndërrojë atë në pjesë të kuadrit negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.

 

Në përfundimet e miratuara nga ministrat për çështje evropiane të vendeve të BE-së, për të cilat më vonë gjatë javës do të diskutohet në takimin e Këshillit Evropian, kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe përfshirja e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit në kuadrin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në bllok.

Këshilli, thuhet në projekt përfundime, “është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, duke përfshirë sigurinë. Disa veprime të njëanshme të Kosovës dhe Serbisë, si dhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri kanë rritur edhe më tej tensionet. Këshilli dënon ashpër aktet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave më 29 maj 2023”, thuhet mes tjerash në projekt përfundime në të cilat theksohet se zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë pa parakushte. Po ashtu thuhet aty, serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucionet që i kanë braktisur dhe ky kthim duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia.

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës pas tensioneve të muajit maj duke kërkuar hapa për uljen e tensioneve. Në projekt përfundime thuhet se blloku është i gatshëm t’i heqë masat ndëshkuese nëse “në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave” për shtensionim, duke vlerësuar disa nga hapat e hedhur nga qeveria e Kosovës e cila uli praninë e forcave policore në komunat veriore dhe miratoi bazën ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Në dokument thuhet se “Këshilli rithekson se nuk ka arsyetim për dhunën dhe dënon fuqishëm sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023”. Kosova dhe Serbia thuhet më tej, duhet të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për uljen e tensioneve, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të ndalojnë retorikën nxitëse, ndërsa paralajmërohet se “dështimi i palëve për të ulur tensionet do të ketë pasoja”.

“Këshilli pret që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët”, thuhet në dokument, në të cilin shprehet keqardhje që palët nuk i kanë zbatuar zotimet e marra në marrëveshjen e arritur në shkurt dhe në mars në Bruksel dhe në Ohër.

“Këshilli kërkon nga Kosova dhe Serbia që në tërësi dhe pa vonesa t’i zbatojnë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar projekt-statutin (e Asociacionit) të paraqitur nga lehtësuesi i BE-së, që nënkupton se puna e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij”, thuhet në tekstin e përfundimeve.

Në pjesën për Serbinë, përfshihet thirrja që Komisioni Evropian dhe Shefi i politikës së Jashtme sa më parë, më së voni deri në janar të vitit 2024, të propozojë ndryshimin e kritereve të kuadrit negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok për të përfshirë edhe detyrimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur disa herë ditëve të fundit se ka mundësi që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e negociatave për anëtarësim.

Marrëveshja për të cilën palët u pajtuan me 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Por, presidenti serb Vuçiç, ritheksoi se për Serbinë është e papranueshme që Kosova “të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara”.

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë integrimet evropiane. Të mërkurën udhëheqësit e këtyre vendeve pritet të takohen në Bruksel me drejtuesit e Bashkimit Evropian për të diskutuar rrugën dhe kushtet drejt integrimeve evropiane.

Në projekt përfundimet e Këshillit përgëzohen vendet që kanë harmonizuar politikën e jashtme me Bashkimin Evropian, ndërsa shpalosen pritjet që “Serbia të shtojë përpjekjet e saj drejt përafrimit të plotë me pozicionet e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dhe masat kufizuese, duke përfshirë Rusinë dhe Bjellorusinë, si një çështje me përparësi”.

Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve serbe ndaj Kosovës, pavarësinë e së cilës Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.

voa

Kërkohet heqja e masave ndaj Kosovës dhe hetim për sulmin në Banjskë

Alicia KearnsKryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të disa vendeve i kanë shkruar shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak.

 

Kryesuesja e komitetit për punë të jashtme të parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, ka shkruar në platformën ‘X’, se sot 13 kryetarë të komisioneve parlamentare në të gjithë Evropën kërkuan nga Josep Borrell t’i jepen fund të gjitha masave negative kundër Kosovës dhe një hetim i plotë për sulmin në Banjska dhe për të publikuar rezultatet.

Letra është e nënshkruar nga kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Çekisë, Irlandës, Lituanisë, Estonisë, Letonisë, Belgjikës, Kroacisë, Danimarkës, Italisë dhe Bullgarisë.

Letra përmend në detaje sulmet e njëpasnjëshme, si agresionin serb më 24 shtator, kidnapimin e policëve, si dhe kërkon të dihet roli i Serbisë në sulmin e shtatorit, etj. Në letër po ashtu theksohet se agresioni i 24 shtatorit mund të kishte eskaluar po të mos ishte profesionalizmi i Policisë së Kosovës.

Në prag të samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor i bëhet thirrje po ashtu BE-së që t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Letra e plotë:

Në dritën e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ne po ju shkruajmë për të kërkuar që të gjitha masat ndëshkuese kundër Kosovës të anulohen dhe të rifillojë bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës.

Bojkoti i zgjedhjeve komunale të nxitura nga Lista Serbe më 23 prill, sulmi ndaj KFOR-it më 29 maj, ndalimi arbitrar i policëve kosovarë nga autoritetet serbe më 14 qershor, destabilizojnë Kosovën.

Është jetike që komuniteti ndërkombëtar të refuzojë irredentizmin dhe agresionin dhe të riafirmojë mbështetjen për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Sulmi nga tridhjetë militantë të armatosur rëndë, të udhëhequr nga nënpresidenti i listës serbe, Milan Radoiçiq, më 24 shtator shënoi përshkallëzim.

Situata mund të kishte kaluar lehtësisht në një përshkallëzim më të gjerë, po të mos ishte profesionalizmi dhe guximi i Policisë së Kosovës, njëri prej të cilëve u vra tragjikisht.

Sasia dhe lloji i armëve të sekuestruara pas sulmit ngre pyetje serioze mbi rolin që mund të ketë pasur shteti serb në mbështetjen e operacionit.

Ne i bëjmë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të ndërmarrin një hetim të plotë mbi sulmin në Banjskë dhe të angazhohen për publikimin e rezultateve.

Hovenier: Asociacioni s’duhet të ketë kompetenca ekzekutive

HovenierAmbasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jefrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja vazhdon të ketë qëndrim të njëjtë lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

 

Ai tha se formimi i Asociacionit është një obligim dhe shtoi se edhe Bashkimi Evropian e pret këtë gjë nga Qeveria e Kosovës.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i qartë. Ne besojmë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë një qeveri të shtresës së tretë, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, ne nuk duam një tjetër Republikë Serbe, nuk duam diçka që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Hovenier, raporton RTK.

“Të gjithë ata që kanë thënë se duhet të jenë të koordinuar  me ShBA-në, Perëndimin dhe Evropën duhet të shikojnë vazhdimisht që ky draft ka ardhur nga të gjithë miqtë e Kosovës në Evropë dhe në SHBA”, ka shtuar Hovenier.

Këto deklarata, ambasadori amerikan i bëri pas një diskutimi me studentë në Mitrovicë.

Geer: Lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit është thelbësore në përparimin e vendit drejt BE-së

GeerLufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë në thelb të përparimit të Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së, nënvizoi ambasadorit të BE-së në vend, David Geer, në fjalimin e tij në seancën e gjashtë plenare të NKEU-MK me temë “Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian: Vlerat themelore sociale për të ardhmen evropiane”.

“Mbi të gjitha, ato janë vendimtare për qytetarët. Duke udhëtuar në të gjithë vendin dhe duke takuar qytetarët, shoh se sa shqetësim ka për këtë dhe sa shumë i prek njerëzit në baza ditore, pavarësisht nëse është një shërbim publik, qoftë një shkollë-arsim, shërbim shëndetësor, vend pune, mjedis apo qeverisje. Dhe mungesa e një sistemi efektiv dhe të pavarur të sundimit të ligjit i lë abuzimet të pandëshkuara, të drejtat nuk respektohen, pabarazia rritet, konkurrenca për inovacione ndalet dhe më e keqja, qytetarët janë gjithnjë e më cinikë dhe rezistues ndaj institucioneve dhe nuk shohin mundësinë e ndryshim”, theksoi Geer.

Ai kujtoi se procesi i skriningut me kapitujt e “aki” europian për standardet dhe normat u përfundua me sukses javën e kaluar. Dua të përgëzoj të gjithë të përfshirët në këtë proces, sepse ky proces ishte shumë profesional dhe i realizuar shumë mirë.

Ai shtoi gjithashtu se kjo rezultoi me lëshimin e një raporti mbi skriningun, një raport për klasterin 1 – të drejtat themelore, fushat, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit që u publikua në korrik.

Në lidhje me raportin e KE-së për progresin e vendit, Geer tha se ishte “i sinqertë, i hapur, por i drejtë – besoj”./Telegrafi/

Gjykata refuzon kërkesën e Belerit për t’i mundësuar betimin si kryebashkiak

BeleriNë Shqipëri, Gjykata e Posaçme refuzoi sot kërkesën e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, për t’u pajisur me leje të posaçme për të bërë betimin pranë Këshillit Bashkiak. Zoti Beleri, u arrestua dy ditë përpara votimeve të 14 majit nën dyshimet për shitblerje vote, dhe që atëherë ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet janë mbyllur dhe ka nisur procesi ndaj tij nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Zoti Beleri arriti të shpallej fitues, por nuk ka mundur të bëjë betimin, akt i cili do ta zyrtarizonte atë si drejtues të bashkisë.

 

Në nisje të seancës së sotme, anëtarë të shoqatës “Omonia”, e cila përfaqëson interesat e pakicës greke në Shqipëri, organizuan pasdite një manifestim përpara dyerve të gjykatës, duke protestuar për mbajtjen e zotit Beleri në qeli. “Himara më 14 maj zgjodhi kryetarin e Bashkisë. Çdo vendim ndryshe nga ai që do populli, është i papranueshëm. Koha që tallja të marrë fund”, shkruhej në postimin e Omonias, që njoftonte protestën.

Kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur për të bërë betimn, ka kaluar në një kalvar gjyqësor. Pas refuzimit të kërkesës nga Drejtoria e burgjeve, gjykata e Durrësit e përcolli për interpretim rastin në Gjykatën e lartë, e cila u shpreh se kompetenca për t’u vendosur i takonte Gjykatës së Posaçme.

Në seancën e sotme zoti Beleri deklaroi se “gjykatat kanë bërë ping pong”, me rastin e tij, duke folur për një “proces tërësisht politik” dhe duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka ndërhyrë në zvarritjen e çështjes. “Janë kërcënimet publike të kryeministrit qe e kanë sjellë situatën deri në këtë pikë”, është shprehur ai.

Akuza ndaj kryeministrit lëshoi në fund të seancës edhe zoti Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, e cila e kishte zotin Beleri, kandidat të saj në zgjedhjet në Himarë, të mbështetur nga grupimi i ish kryeministrit Sali berisha dhe Partia e Lirisë e ish presidentit Ilir Meta. “Teksti, muzika, orkestrimi dhe interpretimi, janë të gjitha të realizuara nga një autor, kryeministri i vendit. Belerit prej 7 muajsh i privohet e drejta e të zgjedhurit, ndërsa komunitetit të Himarës, i privohet e drejta që të zgjedhë”, deklaroi zoi Dule. Sipas tij rasti Beleri “po krijon një precedent tejet të rrezikshëm që cënon Shtetin e së Drejtës, demokracinë funksionale dhe prezumimin e pafajësisë”.

Seanca e sotme u ndoq dhe nga ambasadorja greke në Shqipëri. Kjo çështje ka çuar në një përplasje të fortë mes dy vendeve. Greqia, reagoi menjëherë pas arrestimit të zotit Beleri, duke kërcënuar se ky rast do të kishte pasoja në rrugëtimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Athina foli fillimisht për shkelje të të drejtave të pakicave, dhe më pas për shkelje të të drejtave politike. Me gjasë, Greqia do të vejë veton, për të bllokuar hapjen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Komisionit europian për grup-kapitujt e parë.

Pak ditë më parë kryeministrit Edi Rama tha se qëndrimi i tij për të mos ndërhyrë në një çështje që i takon vetëm drejtësisë, nuk ndryshon, pavarësisht rrezikut të bllokimit nga ana e Greqisë të avancimit të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit, duke u shprehur se rasti Beleri, “nuk ka asnjë lidhje me kushtet e procesit të bisedimeve”.

Rasti Beleri, Rama: Nuk ndryshojmë qëndrim, pavarësisht pengesës greke në BE

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se qeveria nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, pavarësisht se Greqia po kushtëzon hapjen e bisedimeve mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, për grup kapitujt e parë, si hap drejt procesit të anëtarësimit. Në mënyrë të përsëritur, zoti Rama i është kundërpërgjigjur kërkesave të Athinës, se bëhet fjalë për një çështje që i takon drejtësië dhe se në mënyrë kategorike nuk mund të ndërhyjë.

Javën e ardhshme zoti Rama pritet të jetë në Bruksel, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Europian me Ballkanin Perëndimor. Duke folur për këtë, në Kongresin e Partisë socialiste, ai tha se nga 27 vendet anëtare, vetëm Greqia “e ka lënë ende pezull opinionin e vet, jo për rezultatet e pamohueshme të Shqipërisë për hir të së vërtetës, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike në marrëdhëniet fqinjësore”.

Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar në zgjedhjet vendore të 14 majit, si përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri, u arrestua dy ditë përpara votimit, nën dyshimet për shitblerje të votës. Ai, megjithatë, arriti të fitonte me një diferencë shumë të ngushtë votash. Aktualisht çështja e tij është në gjykim. Greqia, reagoi menjëherë duke kërcënuar Shqipërinë se ky rast do të kishte pasoja në rrugëtimin e saj të integrimit europian. Ajo foli fillimisht për shkelje të të drejtave të pakicave, dhe më pas për shkelje të të drejtave politike, duke qenë se disa kërkesa të përsëritura të zoti Beleri, për të kryer betimin, ndonëse në gjendje arresti, janë refuzuar nga gjykatat shqiptare.

Kryeministri Rama tha gjatë fjalës së tij, se rasti i zotit Beleri “nuk ka asnjë lidhje as me Bashkimin Europian, as me kushtet e procesit të negociatave, as me ndonjë mangësi të Shqipërisë në këtë fazë të negociatave ku Shqipëria ka shkëlqyer, në kuptimin e plotë të fjalës ka shkëlqyer, në procesin e përbashkët të skanimit të pozitës së saj aktuale”. Ai nënvizoi se qëndrimi i qeverisë shqiptare “nuk ndryshon as deri në 13 dhjetor dhe as nuk do të ndryshojë përtej 13 dhjetorit. Dhe ky qëndrim nuk do të ndryshojë, jo sepse ne jemi kokëfortë, por sepse arsyeja për të mos ndryshuar qëndrim është shumë më kokëfortë sesa ne. Drejtësia për Shqipërinë është sot si uji që sapo ka nisur të dalë me vështirësi në një shkretëtirë ku brez pas brezi ishte e trashëguar gojëdhëna se “nuk do dilte kurrë”.

Komisioni europian i ka rekomanduar vendeve anëtare nisjen, brenda dhjetorit, të bisedimeve për grupkapitujt e parë, ose ato që njihen si “Themeloret”, ku përfshihen shteti i së drejtës dhe reforma në administratën publike, për të cilat procesi i shqyrtimit analitik (screening) ka përfunduar që në verë.

Greqia fillimisht refuzoi të nënshkruante letrën që Komisioni, sipas procedurës, duhet t’i dërgonte Shqipërisë duke i kërkuar asaj hartimin e udhërrëfyesit për këto çështje, që përbëjnë dhe parakushtet për hapjen e bisedimeve për grupin e parë. Në fund të muajit nëntor, Greqia, bëri një hap pas. Por, ajo ka ende mundësi të bllokojë procesin. Komisioni europian do të përgatisë një vlerësim mbi udhërrëfyesit e paraqitur nga pala shqiptare, për të informuar më pas vendet anëtare, se Shqipëria i plotëson kushtet. Dhe ky vlerësim duhet të marrë sërish miratimin e vendeve anëtare, në takimin e radhës të Këshillit europian, në gjysmën e dytë të dhjetorit.

voa