Cili është problemi tani me Marrëveshjen e Ohrit?

VucicNjë sfidë e re për Serbinë – BE-ja dëshiron të përfshijë dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit në kapitullin 35 të negociatave. Çfarë do të thotë kjo?

 

Siç theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “për Serbinë as nuk shtrohet për diskutim pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara, OKB dhe se për këtë ka njoftuar francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët, amerikanët dhe të gjithë e dinë këtë”. Aleksandar Vuçiq tha se “dy shtete po e shtyjnë fuqishëm këtë iniciativë”, por nuk specifikoi, se për cilat shtete bëhet fjalë.

 

Dyert e mbyllura të BE-së?

Disa diplomatë perëndimorë theksojnë, se Serbia po ia mbyll vetes derën e anëtarësimit në BE duke kundërshtuar që Marrëveshja e Ohrit të jetë pjesë e kapitullit 35, e për këtë çështje është deklaruar edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban. Orban tha se “nëse Marrëveshja e Ohrit përfshihet në kornizën e negociatave, pavarësisht kundërshtimit të Serbisë, Beogradi gjithmonë mund të mbështetet tek Budapesti”.

Në këto deklarata u vu re po ashtu se për këtë çështje mbizotëron përshtypja e urgjencës, sepse nuk ka përparim në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo urgjencë shpjegohet me nevojën për zgjidhjen e disa gjërave para zgjedhjeve të ardhshme për Parlamenti Evropian në qershor 2024.

 

Normalizimi i marrëdhënieve = njohja e Kosovës

 

Problemi kryesor kur është fjala për këtë temë është se Aleksandar Vuçiq sillet sikur të mos e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, thotë për DW, Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane.

“Nëse zyrtarisht Kosova bëhet pjesë e kapitullit 35, atëherë është e qartë se në të ardhmen do të negociohet modaliteti i njohjes së Kosovës nga Serbia. Nëse bëhet pjesë e kornizës së negociatave, kjo do të thotë po ashtu se pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën po kërkojnë nga Serbia ta njohë atë. Kjo do të thotë gjithashtu se nëse në fillim të negociatave me BE-në nuk ishte e qartë se çfarë do të thotë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, mendoj se tani, dhjetë vjet më vonë, është kristal e qartë”, thekson Beshiri.

 

Linja e kuqe

Në Beograd konstestohet para së gjithash formulimi se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, thekson Igor Novakoviq nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri. “Mendoj se presidenti Vuçiq posaçërisht theksoi se bëhet fjalë për hyrjen e mundshme të Kosovës në OKB, pra në institucionet si UNESCO, për shkak të çështjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë. Nëse i kujtojmë vijat e kuqe, në momentin kur u arritën të dyja marrëveshjet, nga përfaqësuesit e Serbisë u theksua qartë se vija e kuqe ishte hyrja e Kosovës në OKB, kështu që qëndrimi i Serbisë nuk është shumë i ri”, tha Novakoviq për DW.

Naim Leo Beshiri thekson se “çdo vit që Serbia humbet me një propozim specifik, çon në një propozim edhe më të keq për vendin. Çdo propozim i ri që ka ardhur në tryezë ka qenë më i keq për Serbinë”, thotë Beshiri dhe shton se deklaratat e presidentit të Serbisë “se si futja e Marrëveshjes së Ohrit në procesin e negociatave do të thotë se BE-ja nuk dëshiron që ne të vazhdojmë këto negociata, ëshët deklaratë bombastike dhe antievropiane”.

“Kjo vazhdon deri në momentin kur ai të përballet me faktet, e këto fakte dëshmojnë se gati 80 për qind e ekonomisë serbe varet nga BE-ja. Sundimi i Vuçiqit nuk ekziston pa mbështetjen financiare të BE-së. Kjo është një përpjekje për të trembur disa liderë evropianë që ai mund t’i drejtohet Pekinit ose Moskës, por ky bllof nuk funksionon, sepse është e qartë për të gjithë se nuk mund ta ridrejtoni ekonominë tuaj në ndonjë treg tjetër përveç atij që ju rrethon, vlerëson drejtori i Institutit për Çështje Evropiane.

Igor Novakoviq beson se “pranimi i Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia”, dhe shton se “nëse kjo ndodh realisht, përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit mund të komplikojë integrimin evropian të Serbisë, por tani pyetja është se a do të arrihet marrëveshje për këtë brenda vetë Bashkimin Evropian”.

 

Kundër BE-së

Duhet të theksojmë gjithashtu se integrimi evropian i Serbisë nuk ekziston, thekson Naim Leo Beshiri dhe shton se “kështu ka qenë në pesë vitet e fundit dhe se nuk ka ndryshim të dukshëm në reformat e Serbisë në rrugën drejt BE-së.” Në 11 vitet e fundit, Aleksandar Vuçiq ka treguar se nuk dëshiron të bëjë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të sigurojë pavarësinë e gjyqësorit, sepse kjo do të nënkuptonte prerjen e degës në të cilën janë ulur ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Megjithatë, mbështetja për BE-në në Serbi është ende rreth 50 për qind, pavarësisht fushatës së pamatur të elitës në pushtet kundër BE-së, Perëndimit dhe kundër reformave sociale në Serbi”, përfundon drejtori i Institutit për Çështje Evropiane.

dw/Ivica Petrovic

Mesazh nga Berlini: Vuçiq ka bërë pak

Nils SchmidNë një intervistë për DW, eksperti i politikës së jashtme të SPD-së, Nils Schmid, kritikon politikën e presidentit serb. Po pse?

 

DW: Zoti Schmid, Gjermania është në krizë, qeveria federale është në krizë, partia në pushtet është në krizë. Kongresi i SPD-së ndiqet me vëmendje edhe jashtë vendit, veçanërisht për shkak të frikës se edhe Gjermania mund të hyjë në një fazë të destabilitetit politik. Përshtypja juaj pas fjalimit të Olaf Scholz: a është partia e bashkuar, a besoni se qeveria federale do të mbijetojë me gjithë mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit?

Nils Schmid: Olaf Scholz mbajti një fjalim shumë të mirë. Më mirë se sa pritej. Ai tregoi se është një socialdemokrat i vërtetë, ai arriti të bindë si audiencën ashtu edhe delegatët tanë të partisë se është kancelari i duhur për këto kohë të vështira. Por jo gjithçka varet vetëm nga SPD. Ne kemi nevojë edhe për vullnetin politik të partnerëve tanë të koalicionit për të arritur një kompromis për buxhetin e vitit të ardhshëm. Jam i bindur se është e mundur.

Pse jeni të bindur për këtë?

Jemi të rrethuar nga sfida të shumta ndërkombëtare. Ne duhet të sigurojmë burime të forta financiare për t’i përballuar ato. Për shembull, vazhdimi i ndihmës sonë ushtarake dhe financiare për Ukrainën është gjithashtu një pjesë integrale e buxhetit të ri.

Dhe a do të mbijetojë qeveria federale? Çfarë sinjali u dërgon SPD nga ky kongres partnerëve europianë?

Sigurisht që do ta mbijetojë. Nuk është hera e parë që në Gjermani ka polemika brenda koalicionit qeverisës për buxhetet apo prioritetet, por historia tregon se qeveritë gjermane udhëheqin një politikë solide dhe kujdesen për interesat e brezave të ardhshëm. Nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për këtë.

Në fjalën e tij, Olaf Scholz përsëriti se Gjermania është e vendosur të qëndrojë me Izraelin. A ju duket se Gjermania është e izoluar nga agjenda ndërkombëtare për shkak të mbështetjes së saj për Izraelin? Gjermania, ndryshe nga disa partnerë të tjerë, nuk përcaktoi asnjë vijë të kuqe në lidhje me qeverinë e Netanyahut, Berlini nuk tha se deri ku mund të shkojë Netanyahu në aksionin ushtarak në Gaza në përpjekje për të shkatërruar Hamasin, operacion në të cilin vdesin edhe mijëra civilë?

Para së gjithash, Gjermania nuk është aspak e izoluar. Ne e mbështesim Izraelin sepse duam që Izraeli të jetë një strehë e sigurt për hebrenjtë. Në të njëjtën kohë, Gjermania është donatori më i madh i ndihmës për palestinezët, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndihmën humanitare dhe ndihmën për civilët. Prej vitesh ne kemi mbështetur një zgjidhje që parashikon dy shtete të pavarura, krah për krah. Dhe mund të shihni përpjekjet e mëdha diplomatike të kancelarit dhe anëtarëve të qeverisë së tij për të zgjidhur këtë krizë, ata nuk po udhëtojnë vetëm në Izrael, por edhe në vendet arabe…

…ndërkohë që po vazhdojnë vuajtjet dhe vrasjet e civilëve në Gazë…

Jemi të vetëdijshëm për problemet në Gaza, kancelari theksoi se është e nevojshme që Izraeli t’i përmbahet në masë më të madhe të drejtës ndërkombëtare humanitare. Ai e tha këtë në fjalimin e tij në kongresin e SPD-së, si dhe foli edhe për vuajtjet e civilëve palestinezë. Ne kemi ndjeshmëri me vuajtjet e popullit palestinez, por edhe mbështesim plotësisht Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit.

Përshkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme hodhi nën hije luftën në Ukrainë. Ndërsa presidenti ukrainas Zelensky tha së fundmi se Rusia po përgatit de fakto një luftë të re në Ballkan. A është i mundur shpërthimi i një krize të re në Evropë?

Ka shumë destabilitet në zonën e Ballkanit Perëndimor. Në Bosnjë-Hercegovinë shohim tensione, ka tensione mes Serbisë dhe Kosovës, ato janë shtuar kohët e fundit. Që nga dita e parë pas marrjes së detyrës, kancelari Scholz u përfshi personalisht në procesin e stabilizimit dhe perspektivave evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne po vazhdojmë përpjekjet tona diplomatike për uljen e këtyre tensioneve, veçanërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. I ftuar në kongresin tonë të partisë edhe Albin Kurti. E vetmja rrugëdalje nga këto konflikte është një perspektivë e qartë evropiane.

Të kthehemi tek ajo që tha Zelenski: sa real është rreziku i një lufte të re në Ballkan? Dhe çfarë mund të bëjë qeveria federale gjermane, e cila vetë përballet me shumë sfida në vend, konkretisht në drejtim të stabilizimit të rajonit?

Rusia ka nxitur trazira në Ballkanin Perëndimor për disa vite, kryesisht duke mbështetur Aleksandar Vuçiqin dhe Milorad Dodikun. Ne kemi frikë se Rusia mund të vazhdojë të përpiqet të nxisë trazira dhe të nxisë tension. Kjo është pikërisht arsyeja pse është shumë e rëndësishme t’i ofrohet Serbisë, si dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, një perspektivë e qartë për anëtarësim të plotë në BE. Në Kosovë kemi një qeveri që ndjek me vendosmëri kursin pro-evropian, në Serbi, për fat të keq, kemi një kryetar shteti që ka vite që udhëheq politikën e mashtrimit. Do të shohim se si do të duken rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, pra nëse do të forcojnë forcat pro-evropiane në Serbi. Me dhënien e statusit kandidat të Bosnjë-Hercegovinës, ne ofruam një perspektivë të qartë, negociatat do të hapen pas plotësimit të parakushteve specifike. Kjo është oferta jonë: prosperitet përmes bashkëpunimit. Dhe jo tensione përmes nacionalizmit. Shpresoj, në fakt jam i bindur, që qytetarët e Ballkanit Perëndimor duan të ecin pikërisht në këtë rrugë. Me disa krerë shtetesh, ne jemi skeptikë për këtë. Sidomos me zotin Vuçiq. Dhe kjo është arsyeja pse ne po punojmë në të fokusuar për të forcuar ato forca që qëndrojnë për perspektivën evropiane.

Çfarë pret qeveria gjermane nga Vuçiq pas zgjedhjeve?

Nuk mjafton që një vend të jetë vetëm stabil. Është thelbësore që mediat të jenë të lira në Serbi, që shteti i së drejtës të rivendoset, që demokracia të jetojë vërtet në praktikë. Në fushatën zgjedhore pamë metoda jashtëzakonisht të pandershme të përdorura nga qeveria dhe mediat qeveritare. Opozita demokratike dhe pro-evropiane në fushatën parazgjedhore nuk kishte të njëjtat kushte si partia në pushtet. Kjo është një goditje e rëndë për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së. Nuk  mjaftojnë fjalët, të rëndësishme janë vetëm veprimet. Dhe kur bëhet fjalë për punët konkrete, Vuçiq thjesht ka bërë shumë pak vitet e fundit. Në vend të kësaj, ai vazhdoi të minojë demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Shpresojmë se në zgjedhjet në Serbi do të forcohen subjektet pro-evropiane, demokratike.

 

dw/Srecko Matic

Paralajmëron KE: Ndryshimet klimatike, mungesa e fuqisë punëtore nga emigracioni, rrezikojnë ekonominë shqiptare

piramidaKomisioni Europian (KE) ka paralajmëruar në raportin e rij të fundit se ekonomia shqiptare do të përballet me disa rreziqe në rritje vitin e ardhshëm, që vijnë nga faktorë të brendshëm, si rreziqet e shtuara klimatike, problematika që është krijuar në mungesën e fuqisë punëtore si rrjedhojë e emigrimit të lartë dhe uljes së popullsisë. Në raport, Komisioni tha se ekonomia pritet të ngadalësohet në 2023 dhe 2024.

“Pas zgjerimit të fortë në vitin 2022, që arriti në 4.8%, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të zbutet në 3.5% në 2023 dhe 3.1% në 2024, pasi konsumi privat parashikohet të ngadalësohet për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve dhe ecurisë më të dobët të punësimit”, thuhet në raport. Por, edhe kjo perspektivë është subjekt i rreziqeve në rritje, sipas KE-së, kryesisht për shkak të ekspozimit të lartë të Shqipërisë nga ndryshimet klimatike, mungesës në rritje të fuqisë punëtore të kualifikuar për shkak të emigracionit dhe ecurisë negative të popullsisë.

Në raportin e fundit për zgjerimin, Komisioni theksonte përpjekjet e mëdha dhe investimet që duhen për t’u përshtatur me zhvillimet klimatike. “Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. Rritja e nivelit të detit, si dhe përmbytjet/thatësirat pritet të ndikojnë ndjeshëm në shoqëri, infrastrukturën publike dhe aktivitetet ekonomike.

Prandaj, duhet të miratohen planet e menaxhimit të rrezikut klimatik në të gjitha nivelet dhe infrastrukturat kryesore jetike duhet të jenë të mbrojtura nga klima, për të rritur qëndrueshmërinë e vendit ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike”. KE thotë se edhe Banka e Shqipërisë duhet të analizojë ekspozimin e sistemit financiar dhe rreziqet e kredisë të lidhura me ndryshimet klimatike.

Një tjetër rrezik lidhet me varësinë e lartë që vendi ka nga hidrocentralet për gjenerimin e energjisë, që e bën të brishtë ndaj ndryshimeve klimatike. “Vendi është një importues neto i energjisë elektrike me rreth 30% në vit, pasi energjia hidroelektrike nuk mjafton për të mbuluar nevojat e saj.

Nevojitet progres në ndërlidhjen e energjisë me vendet fqinje dhe ngritjen e një tregu të integruar rajonal të energjisë, për të forcuar sigurinë e furnizimit dhe për të krijuar mundësi për zhvillimin dhe tregtimin e energjisë së gjelbër. Diversifikimi në burimet e mëdha diellore dhe të erës do të përmirësonte ndjeshëm sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe do të reduktonte cenueshmërinë e saj ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike”.

Problematika në gjetjen e fuqisë punëtore, si rrjedhojë e emigrimit të lartë dhe rënies graduale të popullsisë, është një tjetër rrezik për ekonominë. “Pavarësisht përmirësimit të situatës së tregut të punës, emigracioni u rrit me 10.5% krahasuar me vitin 2021, duke çuar në një ulje të popullsisë me 1.1% në vitin 2022. Kjo gjithashtu kontribuon në plakjen e popullsisë dhe godet financimin e sistemit të pensioneve, në të cilin Shqipëria tashmë ka një raport i ulët i kontribuuesve ndaj përfituesve”, thotë KE në raportin e zgjerimit.

Raporti e vë theksin te rritja e shqetësimeve të biznesit, si rrjedhojë e mungesës së fuqisë punëtore. “Ekziston një perceptim në rritje se vështirësitë në rekrutimin e fuqisë punëtore të kualifikuar po bëhen pengesë për biznesin dhe sipërmarrësit po kërkojnë gjithnjë e më shumë masa nga qeveria për të ndihmuar në mbajtjen e punëtorëve dhe për të ofruar stimuj për kthimin e diasporës”.

Monitor

547 mijë turistë vizituan Shqipërinë në nëntor, Rama: Provë se vendi po vizitohet në çdo stinë të vitit e në çdo cep të territorit

tiranaLajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili tha se kjo shifër tregon se vendi po vizitohet në çdo stinë të vitit dhe në çdo zonë të tij.

 

Sipas kësaj shifre, numri i përgjithshëm i vizitorëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë gjatë gjithë 2023-shit shkon në 9.45 milion, një shifër rekord, duke e kthyer Shqipërinë në një nga destinacionet më të preferuara.

9.54 milionë vizitorët e huaj që kemi pritur gjatë këtij viti! 547 mijë turistë të huaj që erdhën në Shqipëri gjatë nëntorit janë prova se vendi po vizitohet në çdo stinë të vitit e në çdo cep të territorit, duke u konfirmuar si një superdestinacion i turizmit gjithëvjetor e të qëndrueshëm”, ka shkruar Rama, në një postim në Facebook.

Kryeministri më parë ka thënë se, deri në fund të vitit pritet që numri të arrijë në 10 milion turistë.

Top Channel

BIRN, studimi: Përqëndrimi i mediave në pak pronarë rrezikon lirinë e shprehjes dhe demokracinë në Shqipëri

BIRNRrjeti Ballkanik i Gazetarëve Investigativë (BIRN) dhe Regjistri Global i Medias (GMR) publikuan sot Monitorin e Pronësisë së Mediave në Shqipëri për vitin 2023.

 

Monitori vërejti një përqëndrim të madh të pronësisë, ndjekësve dhe të ardhurave tek disa grupe familjesh, të cilat mbizotërojnë tregun mediatik.

Në raport vlerësohen si tregues me rrezik të lartë – përqëndrimi në pak duar i tregut të medias, i pronësisë dhe ndjekësve të medias, prej nga rrezikohen kontrolli politik, pluralizmi dhe neutraliteti i medias.

Autorët pohuan për Zërin e Amerikës se ky përqëndrim i madh cënon lirinë e shprehjes dhe demokracinë në tërësi.

Sipas Monitorit të Pronësisë së Medias këtë vit në Shqipëri, afro 87 për qind e shikueshmërisë arrihet nga 4 pronarë televizionesh, familja Frangaj me TV Klan, Familja Hoxha me TV Top Channel, Familja Hysenbelliu me TV NEWS24 dhe Carlo Bollino me Report TV.

Në Shqipëri punojnë katër transmetues televizivë kombëtarë, një publik dhe tre privatë. Televizioni publik ka 16 kanale televizive rajonale dhe tematike. Veprojnë po ashtu 37 stacione televizive vendore dhe 21 kanale kabllore. Megjithatë ndjekësit dhe të ardhurat janë përqëndruar tek 4 televizionet më të mëdha.

Në raport theksohet se Shumica e mediave janë nën pronësinë e një grushti familjesh të fuqishme, ndërsa pjesa tjetër janë të lidhura ngushtë me biznesmenë që veprojnë në tregje shumë të rregulluara, si ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, teknologjia e informacionit, bankat apo lojërat e fatit.

“Kemi gjetur se ka një ndikim të lartë politik mbi grupet mediatike, që kontrollojnë shumicën e audiencës. Virtualisht të gjithë grupet mediatike, më saktë 98,34 për qind, të medias audiovizive në Shqipëri kanë biznese të tjerë, të cilat marrin para nga qeveria nëpërmjet kontratave, koncensioneve, ose kanë lidhje me grupime politike shqiptare. Shumica e mediave kryesore online janë pjesë e mediave audiovizive tradicionale dhe ritransmetojnë lëndën e tyre”, thotë për Zërin e Amerikës drejtuesi i këtij hulumtimi, kryeredaktori i BIRN-it në Shqipëri, Besart Likmeta.

Sipas Monitorit të Pronësisë, Shqipëria ka 6 radio kombëtare; 3 publike dhe 3 private. Në vend punojnë 52 radio rajonale dhe 1 radio publike, por vetëm 9 për qind e shqiptarëve dëgjojnë programe radiofonike, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre janë në pronësi të atyre që kanë edhe tv-të më të mëdha.

“Në Shqipëri pluralizmi i medias është i ndikuar. Pak njerëz kontrollojnë informacionin dhe ata janë të ndikuar politikisht. Ata marrin materiale të gatshme të prodhuara nga propaganda qeveritare dhe i transmetojnë pa i identifikuar si të tilla. Nga ana tjetër zërat e pavarur dhe grupime e pavarur, grupe të margjinalizuara apo pakica, nuk gjejnë vend për t’u shprehur në hapësirën mediatike shqiptare, dhe kjo e dobëson demokracinë dhe lirinë e shprehjes në vend. Bashkë me pluralizmin sakrifikohet edhe liria e shprehjes”, thotë zoti Likmeta.

Në raport thuhet se mediat online janë zhvilluar shumë, afro 82 për qind e shqiptarëve përdorin mediat sociale për t’u informuar çdo ditë pjesa dërrmuese facebook, dhe afro 70 për qind e shqiptarëve përdorin media online çdo ditë.

Në vend janë regjistruar 900 portale lajmesh, ndërsa 1.8 milionë vendas janë përdorues të Facebook-ut.

Të dhënat e fundit tregojnë se mediat sociale po ia kalojnë televizioneve në zgjedhjen e publikut si burim kryesor informimi.

Kundrejt 82 për qind e shqiptarëve që pwrdorin mediat sociale, 75% e njerëzve në Shqipëri përdorin televizionin çdo ditë ose pothuajse çdo ditë dhe 13% të paktën një herë në javë.

Hulumtimi nga BIRN dhe GMR flitet me shqetësim mbi ngushtimin e pluralizmit mediatik, mbi përqëndrimin e mediave në pak duar si dhe mbi interesat politike, që ndikojnë politikat editoriale të tyre.

​“Ajo që më tërhoqi vëmendjen është se nga 12 tregues rreziku mbi pluralizmin mediatic dhe për shëndetin e mjedisit mediatic 8 prej tyre ishin të kuq, me rrezi shumë të lartë, dhe 4 ishin me rrezik mesatar. Kjo tregon për situatën e vështirë dhe shumë sfiduese për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, si dhe për punën e gazetarëve të pavarur e cilësorë në Shqipëri. Ka një marrëdhënie simbiotike mes pronarëve të medias dhe biznesit dhe politikës dhe se si media është përdorur dhe përdoret për të shtyrë përpara interesa të caktuara ekonomikë, financiarë dhe politikë”, thotë Blerjana Bino drejtuese e Qendrës SCIDEV dhe përfaqësuese e organizatës “Safejournalists”.

Në treg janë tetë gazeta ditore, duke përfshirë një gazetë sportive, një revistë javore biznesi dhe një numër revistash mujore.

Për tirazhet e tyre nuk ka të dhëna zyrtare, por bëhet fjalë për disa mijëra kopje që shiten çdo ditë.

Mbi 71 për qind të publikut të shtypit të shkruar e zotërojnë dy pronarë, thuhet në raport; afro gjysmën e tyre e mbulon Focus Group me botuese e gazetave të përditshme Panorama, Panorama Sport dhe Gazeta Shqiptare.

Po shtypi i shkruar përdoret si burim informacioni nga vetëm 4 për qind e popullsisë çdo ditë.

“Transparenca mbi pronësinë e medias është thelbësore për lirinë e medias. Kjo është pjesa kryesore e informimit, që lidhet me pavarësinë editorial, si dhe me saktësinë e të dhënave në lajme. Mbështetja e projekteve të tillë ndihmojnë në forcimin e lirisë së mediave dhe luftën ndaj disinformimit, gjatë procesit të integrimit europian. Liria e shtypit zë një vend kryesor në procesin e zgjerimit të BE-së, nda gjithë vendet që aspirojnë anëtarësimin duhet të shfaqin angazhimet për të siguruar lirinë e shprehjes”, tha në tubim ambasadori i ri Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Raporti i BIRN-it përmend edhe sulmet ndaj mediave, si ai kur u vra roja i TV Top Channel me armë zjarri, më tej dhunën fizike ndaj gazetarëve të programit Fiks Fare, si dhe ndaj gazetarit Elvis Hila e bashkëshortes së tij.

Monitori për Shqipërinë flet për një dyfishim të incidenteve ndaj gazetarëve këtë vit krahasuar me një vit më parë, sulme verbale, kërcënime e kanosje, mes të cilave renditen sulmi i kryebashkiakut Erjon Veliaj ndaj gazetares Ola Xama, si dhe ndalimi prej kryeministrit Rama i gazetarëve Ambrozia Meta dhe Klevin Mukaj për të ndjekur konferencat e shtypit, si dhe kontrolle e presione jodrejtpërdrejt ndaj disa mediave.

Monitori i pronësisë së Medias shkon në një kahje me raporte të tjerë ndërkombëtarë lidhur me vështirësitë e gazetarëve shqiptarë. Edhe sipas një raporti të organizatës “Reporterë pa Kufij”, mediat shqiptare janë të ndikuara nga interesat ekonomike dhe politike të pronarëve, emërimet në mediat publike dhe rregullatorë janë të politizuara, ndërsa gazetarët kritikë ndaj qeverisë u nënshtrohen sulmeve politike dhe fushatave të shpifjeve.

voa

Alfabeti i kulturës demokratike

Rexhep Qosja1.

Kur shkatërrohen sistemet e vlerave të shoqërisë e të shtetit atëherë jeta bëhet jo vetëm e padurueshme por edhe e neveritshme. Të dhënat që e dëshmojnë këtë shkatërrim po shtohen gjithnjë e më shumë. Kur shumësia e këtyre të dhënave të jetë e dukshme edhe për sytë e atyre që nuk shikojnë edhe me mendje dhe të atyre që dinë të mendojnë vetëm me gojë, atëherë mund të ndodhë çka nuk mund të pritet. Këtë e ka dëshmuar fati i Perandorisë Romake dhe fati i Perandorisë Bizantine.

2.

Fati i tij, emrin e të cilit nuk po jua them kësaj here, e dëshmon plotësisht pohimin e Mahatma Gandit: “Së pari të injorojnë plotësisht; së dyti të përqeshin ditë e natë; së treti nuk lënë gjë pa thënë kundër teje, në fund, pas të parës, të dytës dhe të tretës herë ti del fitimtar, domethënë fiton.

3.

Kush e ka thënë i pari bukur e ka thënë: kurrë nuk mund t’i nënçmosh sa duhet e si duhet mendjen dhe shijen e atyre që gjithnjë dëshirojnë të tërhiqen zhagas për hunde!

4.

Ai është i mençur, ai është i talentuar, ai ka shumë përvojë politike e të përgjithshme, prandaj edhe e di, është i bindur se ekzistojnë kufizime shoqërore, politike, kulturore dhe historike që e përcaktojnë se çka mund të arrihet për një mandat të kryetarit. E me të arriturat vetëm gjatë një mandati masa nuk kënaqet. Për këtë arsye do t’i mobilizojë dijet e forcat që ato që s’ka arritur t’i realizojë në mandatin e parë t’i realizojë në të dytin. Ky është parim frytdhënës në demokraci, natyrisht në qoftë se nuk i dorëzohet korrupsionit.

5.

Është interesant, e tha me gojë dhe mandej e shkroi me dorë, se në histori kanë mbetur përgjithmonë të çmuar, jo ata që i ka ngritur por ata që i ka mohuar feja.

6.

Është thënë prej mendimtarëve të shekujve të ndryshëm se është i madh numri i sundimtarëve që kanë ardhur, që vijnë e që do të vijnë në pushtet me poshtërsi, që mbahen në pushtet në sajë të marrëzive të të tjerëve; që bien prej pushtetit kur iu mbushet mendja të huajve ndaj të cilëve ata ishin vazhdimisht puthadorës. Edhe ky është parim, qëndrim që e cilëson demokracinë.

7.

Njëra prej fjalive politike e shtetërore që zyrtarë e jozyrtarë e përsërisin shumë shpesh, në mbledhje zyrtare dhe jashtë tyre, është: të bëhemi Evropë. Nuk thonë të bëhemi Amerikë por Evropë sepse Evropën e kemi më afër dhe ua merr mendja se prej më të afërmit mësohemi më shpejt dhe si ai bëhemi më lehtë. Kur e thonë këtë fjali mendojnë të bëhemi si francezët, si anglezët, si italianët, si gjermanët. Asnjëri prej tyre nuk është dëgjuar të thotë: të bëhemi çka jemi. Prej asaj që kemi, prej asaj si jemi, të bëjmë të renë, të vlefshmen, të rëndësishmen, të dobishmen, të nevojshmen, të domosdoshmen, të dëshirueshmen, të bukurën, të gjithmonshmen. Dhe, ashtu do të bëhemi Evropë dhe do bëhemi Evropë sepse edhe Evropa do ta çmojë atë që kemi bërë dhe si e kemi bërë dhe nuk do të ngurrojë të na nderojë e të mësojë diçka edhe prej nesh.

8.

Mungesa e marrëveshjeve mes atyre që janë në pushtet dhe atyre që janë në opozitë sjell bredhjen e qeverisjeve mes autoritarizmit dhe demokracisë, në të vërtetë sjell përdorimin autokratik dhe totalitar të demokracisë!

9.

Korrupsioni, nepotizmi, privilegjet e ndryshme, të vogla e të mëdha të pushtetarëve e lodhin dhe e tendosin shoqërinë politikisht, ekonomikisht dhe moralisht. Deri kur do të jetë kështu pa përgjigjen e duhur që do të duhej të jepte sovrani – populli, është vështirë të dihet dhe vështirë të thuhet.

Shkaktarët e kësaj tendosjeje, e kësaj lodhjeje nuk duan ta dinë se pasojat e privilegjeve të tyre një ditë mund të godasin në radhë të parë kokën e tyre!

10.

Imanuel Kanti: Obligimi që ka njeriu ndaj vetvetes më së shpeshti dhe më së shumti cenohet prej të kundërtës të së vërtetës: prej gënjeshtrës.

11.

Volfgang Gëte: Që njeriu të mund dhe të dijë të nderojë një personalitet edhe vetë do të duhej të jetë dikush e diçka.

12.

Mos e dhëntë Zoti që edhe unë të jem përkrahës i atij kryetaria a atij kryeministri që shpërfill, që cenon detyrën më të rëndësishme të një kryetari, të një kryeministri atdhetar: krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. Të tillë, kryetarët dhe kryeministrat, u krijojnë mundësi vetëm të vetëve!

13.

Në jetën tonë shoqërore, politike, kulturore, shëndetësore kur e kur mënjanohen pasojat, por zakonisht mbesin shkaqet!

Çka të thuhet për këtë mjeshtëri?

Mënjanimi i pasojave e i të këqijave duke i heshtur shkaqet është mjeshtëri demagogjike me të cilën mburren demagogët. Le t’i quajmë njerëz mendjepaktë dhe shpirtmjerë!

14.

Vjen në pushtet me poshtërsi, mbahet në pushtet në sajë të servilizmit dhe marrëzive të të tjerëve, kurse mënjanohet prej pushtetit kur u mbushet mendja të huajve që në jetët tona politike denjësohen me fjalën ndërkombëtarët.

15.

Madhështinë e popujve barbarët e matin me sasinë e armëve që kanë, tha mendimtari i dikurshëm evropian, kurse të qytetëruarit me sasinë, me cilësinë, me kuptimin, me domethënien, me vlerën e arteve, të shkencave, të filozofive.

16.

Një publicist i moshuar më tha, dhe njëkohësisht mu lut të mos ia shënoj emrin, se foltoret e sotme shqiptare do të ishte mirë, dhe do të ishte mirë sepse do të shpjegoheshin mirë paraqitjet, deklaratat, diskutimet, polemikat në to, sikur të quheshin me fjalën e huaj të përkthyer shqip lehore. Nuk jam i sigurt se gjuhëtarët do të pajtohen me këtë fjalë të re shqipe të krijuar prej përkthimit të fjalës latine, në të vërtetë italiane.

17.

Kultura është përmbajtje e trajtë e ekzistencës më të lartë historike.

Kultura, që moti thuhet e shkruhet, është identiteti i popullit; ajo ruan vlerat thelbësore të tij; ajo është shpirtësia e tij. Si shihet prej veprimtarisë së saj, Ministria e Kulturës e Kosovës sikur nuk kujdeset t’i dëshmojnë si duhet e sa duhet këto virtyte të Kulturës sonë.

18.

Vendimet politike janë më të bindshme, më të sigurta, në të çmuara në qoftë se bazohen në të dhëna që sjell hulumtimi shkencor.

Është e kuptueshme, prandaj, pse disa prej shteteve të mëdha, të mëdha në të gjitha pikëpamjet, kanë institute shkencore të cilat me veprimtarinë e tyre iu shërbejnë institucioneve shtetërore.

19.

Mendjepakti, e ka thënë një poet i madh evropian me prejardhje etiopiase, është gjithmonë lokal, derisa gjeniu është universal.

I njëjti krijues e ka thënë edhe këtë mendim: Gjení e ligësí nuk mund të bashkëjetojnë.

20.

Heshtja e intelektualëve në jetën shoqërore e politike është më e pamoralshme sesa dhuna e diktatorëve.

21.

Në jetën politike sot natyra dikujt ia ka marrë mendjen, dikujt sytë e ballit, dikujt veshët, dikujt fatin, kurse disa politikanëve ua ka marrë të gjitha këto.

22.

Kush harron apo e shpërfill historinë do të jetë i detyruar ta përsërisë të tillë çfarë ishte!

23.

Ministri frances Aleksis de Tokëvill, shumë shkurt ministër, në gjysmën e shekullit nëntëmbëdhjetë, ka thënë se më anë të votimit mund të triumfojnë edhe figurat më banale të kohës. Triumfet e këtilla në kohën e tij nuk ishin të rralla. E sot? Sot nuk do të jenë të rralla as në Evropën e madhe, thonë, e as në vende të tjera që kanë e që s’kanë kulturën evropiane për rregullimin demokratik të marrëdhënieve politike, shoqërore, kulturore, të përgjithshme. Si të parandalohen triumfet e këtilla në votime? Natyrisht, me sundimin e ligjit.

24.

Me politikën e tyre disa nga pushtetarët tonë të sotëm i kanë përmbysur kodet historike, demokratike, kulturore dhe sociale!

25.

Galileo i lavdishëm ka thënë se numri i atyre që i shpjegojnë drejt çështjet e vështira është shumë më i vogël se numri i atyre që i shpjegojnë gabimisht. Shpjegimi është si vrapimi. Një kalë arab do t’ia kalojë një grumbulli të gomarëve.

26.

Terrorizmi! Fatkeqësi e madhe për njeriun, shoqërinë dhe shtetin. Terrorizmi nuk rrezikon vetëm sigurinë siç po e trajtojnë zyrtarët sot, por edhe demografinë, qytetërimin e përbërës të tjerë të mëvetësisë së shtetit të sulmuar e të popullit të tij.

27.

Thuhet, por kjo që thuhet shpejt harrohet, se asgjë nuk e komprometon një pushtet sesa ai veten kur i shërben vetëm vetvetes.

28.

Historia do të duhej t’i mësonte njerëzit se rrezik më i madh se mbiçmimi është nënçmimi i armikut.

29.

Interesi kombëtar në politikë ndodh të vendoset mbi bazë të shtetit, mbi bazë të partisë dhe mbi bazë të kombit. Nuk ka dyshim se interesi kombëtar më së shumti shpërfillet e dëmtohet kur vendoset mbi bazë të partisë. Kur shikojmë dhe dëgjojmë se si sillen partitë e opozitës ndaj partisë apo partive që janë në pushtet bindemi se edhe sot e gjithë ditën interesat kombëtare vendosen mbi bazë të partisë. Dhe kështu e cenojnë interesin kombëtar.

30.

Mendimtari dhe politikani i lavdishëm Tomas Karlajl ka thënë dhe ka shkruar se Shekspiri vlen më shumë se krejt Mbretëria Britanike.

Pse jo? Mbretëria Britanike mund të shpërbëhet dhe mund të pushtohet prej ndonjë pushtuesi të çmendur, por veprat e Shekspirit as nuk mund t’i shpërbëjë, as nuk mund të asgjësojë dhe as nuk mund t’i pushtojë asnjë pushtues. Ato janë të papushtueshme dhe të paharrueshme. Mos do të thotë kjo se përkushtimi ndaj krijimtarisë shpirtërore duhet të jetë përkushtimi kryesor në çdo program shtetëror.

31.

Si po shihet sot dhe si është parë e dëgjuar edhe më herët kur e sundonte Shqipërinë, herë si kryeministër, herë si kryetar i shtetit e gjithnjë si kryetar i Partisë Demokratike, politika e tij përcaktohej prej shfrenimeve të pushtetshme të cilat as kultura dhe as etika nuk kanë mundur t’i ndalojnë e as t’i frenojnë. Dhe, s’po mund t’i frenojnë as sot. E kuptueshme. Ato nuk udhëhiqen nga vetëdija e ndërgjegjja.

32.

Në njëmendësinë politike e shtetërore shqiptare pushteti ekzekutiv vazhdon të jetë pushtet mbisundues. Dhe, si pasojë e këtij mbisundimi në njëmendësinë tonë politike e shtetërore nuk mund të ndërtohet demokraci e vërtetë. Po për këtë arsye në dy shtetet tona jurisprudenca nuk mund të ndërtohet si pushtet i tretë. Fatmirësisht në kohë të fundit në Shqipëri e në Kosovë, ajo, jurisprudenca, ka filluar të pavarësohet si pushtet i tretë.

33.

Në jetën shqiptare politike mund të dëgjohen zyrtarë të lartë të cilët sillen si perandori i Bizantit, Kodima, i cili thoshte: sundimtari ka të drejtë t’ua ndërrojë domethënien fjalëve. O sa fjala e zyrtarëve emetohet me domethënie të ndryshuar kur e kur edhe gramatikisht e sakatuar. Të shkretat fjalë e të shkretët dëgjues!

34.

Është thënë prej një vargu studiuesish tanë se përpjekjet kundër gjuhës standarde realizohen si përpjekje kundër identitetit kolektiv të shqiptarëve.

Është thënë prej shumë të tjerëve se përpjekjet për krijimin dhe njohjen e kombit kosovar realizohen si përpjekje kundër identitetit kolektiv të shqiptarëve.

Si të parat ashtu edhe të dytat janë përpjekje kundër Kombit shqiptar.

35.

Nuk është vështirë të bindet njeriu, që e përcjell gjendjen politike, shoqërore, shtetërore shqiptare se disa pjesëtarë të klasës politike më shumë mendojnë e përpiqen të marrin prej Shqipërisë e Kosovës sesa t’u japin atyre. Ajo që japin çmohet në mënyra të ndryshme, kurse ajo që marrin quhet korrupsion, ryshfet, plaçkitje, uzurpim, vjedhje e ku ta dimë si ndryshe.

36.

Konflikti i interesave midis të pushtetshmëve, në njërën anë, dhe të tjerëve, kryesisht të shpërfillurve, në anën tjetër, ende është i heshtur dhe i pashprehur. Do të vijë koha kur do të shprehet duke i sjellë pasoja të rënda njëmendësisë shoqërore e shpirtërore. E kuptueshme. Klasa politike i ka mjetet për atë uzurpim të interesave: i ka mediat që i shërbejnë, e ka policinë, i ka argatët e paemërtuar dhe i ka mjetet e tjera të ndryshme të kontrollit.

Shtresat e tjera, duke i përfshirë këtu edhe shtresën e intelektualëve, janë dhe mbeten të heshtura, të pranguara kryesisht për shkak të varfërisë!

37.

Populli shqiptar i ndarë në dy shtete sot për sot nuk ka fuqi biologjike, ekonomike, shpirtërore, qytetëruese, kulturore, për t’iu shmangur zvetënimit të identitetit të tij në Bashkimin Evropian. Ruajtjen, zhvillimin dhe pasurimin e identitetit të tij nuk mund ta gjejë në Bashkimin e sotëm Evropian qoftë edhe për arsye se në të janë forcuar nacionalizmat e vjetër e po krijohen edhe nacionalizma të rinj.

Për këtë arsye bashkimi i dy shteteve shqiptare, i Shqipërisë e i Kosovës, të cilat vetëm ashtu të bashkuara mund të krijojnë e të zhvillojnë politikë të përbashkët, integruese, bëhet kusht për ruajtjen, zhvillimin dhe pasurimin e Identitetit kombëtar shqiptar në Bashkimin Evropian.

38.

Në kohën, në shoqërinë e në qytetërimin siç janë koha, shoqëria dhe qytetërimi i përtashëm është me rëndësi të dihet e të çmohet mendimi shumë domethënës i shkrimtarit të madh gjerman, Gëte, i shprehur shkurt: “Në disa kohë, për shkrime (për mendime e për vendime) karakteri është shumë më i rëndësishëm sesa talenti”.

39.

Disa njerëz i njohim, por kurrë nuk mund t’i kuptojmë plotësisht. Arsyeja është e thjeshtë. Na bëhen të pakuptueshëm me disa mendime të tyre. Një prej mendimeve të këtilla është mendimi për përkushtimin ndaj Evropës i quajtur evropianizmi. Evropianizmi i disa prej tyre, mjerisht, nuk bazohet në dashurinë ndaj Evropës por në urrejtjen dhe në përbuzjen e Lindjes, sidomos në urrejtjen dhe në përbuzjen e fesë islame. Le t’i mëshirojmë evropianistët e tillë të rrejshëm.

Përkushtimin ndaj Evropës disa nga ata tani kanë filluar ta plotësojnë e disa të tjerë ta ndërrojnë me Amerikën e amerikanizmin. Ata nuk e adhurojnë amerikanizmin për shkak të arriturave e vlerave të mëdha të SHBA-ve, për shkak të qytetërimit, kulturës, demokracisë liberale, shkencës me të cilën i sollën fryte të mëdha njerëzimit, por për shkak tjetër: për shkak se amerikanizmi, thonë, është më koniunktural, më i leverdishëm sesa evropianizmi.

40.

Politikani që nuk sheh përtej kthesës së parë dhe politikani që nuk e di se si do të jetë shteti, populli, kombi i tij pas njëzet vjetëve nuk kanë të drejtë etike të merren me politikë dhe të jenë zyrtarë shtetërorë. Ky është mësimi politik që Evropa ia ka dhuruar me kohë Botës.

Fragmente nga libri testamentar që do të botohet me titullin “Alfabeti i kulturës demokratike” nga Rexhep Qosja

 

Kryqi te Kodra e Diellit

kisha e xhamiaProblemi nuk qëndron as tek kryqi/kisha, as tek xhamia, për absurditet të dyja të vendosura aty ku nuk e kanë vendin – në një qendër rekreative skijimi (Kodra e Diellit, Tetovë)!

 

Shqiptarët as nuk i friksohen as e urrejnë kryqin, dhe nuk kanë nevojë që kryqin ta luftojnë me xhami, sepse si popull i kanë të dy besimet, në harmoni me njëra tjetrën.

Problemi qëndron tek marrëveshja e hershme në dëm të shqiptarëve, në mes të serbëve dhe turqve, sipas te ciles, gjithcka që që është e krishterë/ortodokse është sllave dhe gjithacka gjë që është muslimane është turke. Të dyja projekte me synime asimilimi dhe përvetësimi të historisë dhe territoreve të shqiptarëve.

Për fat të keq, e zbatuar gjatë gjithë kohës, pa një rezistencë të organizuar nga vet shqiptarët, si nga pushteti komunist, ashtu edhe edhe nga koalicionet qeveritare të PPD me LSDM, BDI me VMRO, BDI me LSDM, e vazhdon të zbatohet edhe sot, nga koalicioni i Lëvizjes “Besa” me VMRO.

Më e keqja është që vendosja e kryqeve nga ana e pushtetit bëhet jo për nevoja të besimtarëve, por me motive ekskluzivisht politike. E edhe ngritja e xhamive në afërsi, bëhet gjithashtu jo për nevoja të besimtareve por si kundërpërgjigje politike. Të dyja përfaqësojnë interesa të huaja, dhe të dyja janë në kundërshtim të qartë me interesat kombëtare të shqiptarëve.

Afrim Fanda

Baerbock Serbisë: Nuk mund të ulesh në dy karrige

BaerbockNë prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock shprehu “shqetësim të madh për tendencat e propagandës nacionaliste” në vend.

 

Ministrja gjermane e jashtme, Annalena Baerbock, dhe homologia e saj sllovene, Tanja Fajon, duan të promovojnë integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimornë BE.  Por edhe vendet duhet të kryejnë reformat e tyre në këtë drejtim, thanë dy kryediplomatet pas një takimi të tyre të martën, 5.12.2023, në Lubjanë.

“Nuk mund të ketë zona gri në Evropë”, tha Annalena Baerbock. “Në një kohë kur presidenti rus, i cili në çmendurinë e tij perandorake po sulmon jo vetëm Ukrainën, por edhe rendin e paqes në Evropë, duhet të jetë e qartë se ne mbrojmë këtë paqe”, tha ministrja e Jashtme. Këtë e demonstruan 55 shtetet në takimin e fundit të OSBE-së në Shkup dhe kjo vlen edhe më shumë për Bashkimin Evropian.

 

Ballkani Perëndimor në BE – një domosdoshmëri gjeostrategjike

Ministret e Jashtme të Gjermanisë dhe Sllovenisë, Baerbock dhe Fajon, siguruan se duan ta shtyjnë përpara anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. “Ky zgjerim është një domosdoshmëri gjeostrategjike,” tha Tanja Fajon. Zgjedhjet e ardhshme në Serbi do t’i shtojnë një dinamikë të veçantë procesit.

Është shumë e rëndësishme që në të njëjtën kohë me procesin e anëtarësimit në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, Ballkani Perëndimor të mos lihet anash. “Agresioni në Ukrainë ka rritur ndjeshëm rreziqet e sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Fajon. Ajo u ankua për largimin e shumë të rinjve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, çka është pasojë e mungesës së perspektivës. “Ata nuk kanë më besim në historinë e këtij procesi të zgjerimit”, tha Fajon.

Tanja Fajon tha më tej se shpreson që zgjedhjet parlamentare në Serbi të jenë “demokratike dhe transparente”, por shtoi se edhe “BE-ja të dërgojë sinjale të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit. Fajon pret mbi të gjitha progres në negociatat e anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën dhe lehtësimin e vizave për Kosovën. “Deri në fund të dekadës ne duhet të ndërmarrim disa hapa të mëtejshëm në lidhje me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor”, tha ministrja e Jashtme sllovene.

 

Serbia të ndjekë rekomandimet e OSBE-së

Në lidhje me sjelljen e lidershipit në Beograd ndaj BE-së dhe marrëdhënieve të ngushta me Rusinë, Baerbock tha: “Kur flasim tani për zgjerimin, është e qartë se nuk mund të ulesh njëkohësisht dy karrige”. Prandaj, bisedimet e anëtarësimit duhet të shoqërohen me një angazhim për paqen, sigurinë dhe vlerat brenda Bashkimit Evropian. “Prandaj jam jashtëzakonisht e shqetësuar për zhvillimet e fundit, veçanërisht në Serbi, në lidhje me tendencat propagandistike nacionaliste”, tha ministrja e Jashtme gjermane.

Qëndrimi i Serbisë ka ndikim edhe në çështjen e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet Serbisë dhe BE-së. “Kjo do të thotë gjithashtu se ne po i ndjekim nga afër zgjedhjet e reja në Serbi”, tha Baerbock. Qeveria serbe duhet të zbatojë rekomandimet e OSBE-së në lidhje me institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut nga zgjedhjet e fundit në vitin 2020, paralajmëroi Baerbock. Politikania e Partisë së Gjelbër përmendi në mënyrë specifike “dështimin për të garantuar qasje të barabartë në media për të gjithë kandidatët politikë në të kaluarën” dhe foli për presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e funksioneve dhe burimeve publike nga qeveria serbe.

“Kjo është arsyeja pse është po aq e rëndësishme që t’i shikojmë nga afër këto pika me synimin për zgjedhjet e reja,” tha Baerbock. Edhe nëse disa nga këto pika janë në të kaluarën, ato janë ende një problem sot.

Baerbock ishte në Lubjanë për një vizitë të shkurtër dypalëshe. Atje ajo foli me kolegen e saj sllovene Tanja Fajon dhe me kryeministrin Robert Golob. Ministrja e Jashtme gjermane vizitoi edhe Qendrën Kombëtare të Logjistikës, e cila u pajis rishtazi për situata krize pas përmbytjeve të fundit. Gjermania ishte vendi që i dha Sllovenisë ndihmën më të shpejtë pas katastrofës së përmbytjeve.

dw

Fushata zgjedhore në Serbi: Kosova sjell pikë, BE jo

VucicBE ka një imazh gjithnjë e më të keq në Serbi, ndaj “rruga evropiane” nuk është më moto e partive në fushatë. Kosova është sërish një nga temat kryesore.

 

Dy javë para zgjedhjeve, është e qartë se çështja e “rrugës evropiane” të Serbisë nuk luan pothuajse asnjë rol në fushatë. Nga ana tjetër, tema e Kosovës është në krye të prioriteteve dhe as autoritetet nuk mund ta shmangin atë, edhe nëse do të dëshironin. Këto dy gjëra – që flitet pak për BE-në dhe shumë për Kosovën – janë të lidhura ngushtë mes vete, thonë bashkëbiseduesit e DW.

“Regjimi thjesht nuk mund të ndikojë në disa gjëra”, thotë historiani dhe politologu Stefan Radojkoviq. Çështja e Kosovës po merr një hapësirë ​​të madhe në fushatë, kryesisht për shkak se SHBA-ja dhe BE-ja po “ushtrojnë presion” këtë vit përmes marrëveshjeve të paraqitura në Bruksel dhe Ohër, duke thënë hapur se presin një njohje de facto të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi, thotë Radojkoviq.

“Ata insistuan në planin franko-gjerman, i cili për pasojë u bë shumë i pranishëm në mediat serbe”, thotë ai për DW. “Gjithashtu, qëndrimi i Albin Kurtit ndaj komunitetit serb është i tillë që edhe mediat kryesore në Serbi duhet t’i kushtojnë hapësirë.

 

Kosova dhe temat e përditshme

Një thënie e vjetër e analistëve dhe anketuesve në sondazhe, e cila përsëritet nga fushata në fushatë, është se Kosova është më pak e rëndësishme për votuesin mesatar sesa çështjet e “jetës së përditshme”. Por në një moment çështja e Kosovës imponohet si më e rëndësishmja.

“Prioriteti i votuesit është lufta kundër papunësisë, standardi më i mirë i jetës dhe stabiliteti ekonomik”, thotë Aleksandar Ivkoviq nga Qendra për Politikë Bashkëkohore.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit është në vendin e dytë, ndërsa Kosova në vendin e tretë, nëse në Kosovë nuk shpërthen kriza. Por pikërisht në raste të tilla rritet interesimi për këtë temë”, tha Ivkoviq për gazetën “Blic”.

Për këto çështje “jetike” insiston edhe në këtë fushatë qeveria e Aleksandar Vuçiqit. Në takimin e madh parazgjedhor në Arenën e Beogradit, në fjalime përsëri u përmendën më shpesh rrugët, hekurudhat, stadiumet, vendet e punës dhe pagat. Por, asnjë nga folësit, sidomos Vuçiq, nuk harroi të flasë për “mbrojtjen e integritetit territorial”, duke thënë se “nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës”.

Sipas Stefan Radojkoviq, qeveria u godit nga një “stuhi” që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. Së pari, lufta në Ukrainë solli presion të madh, e më pas nisi rritje të çmimeve që prekin qytetarët. E presioni vazhdon edhe për “zgjidhjen” e çështjes së Kosovës.

Radojkoviq thotë se partitë e djathta e kanë nuhatur këtë si një moto për të fituar pikë në fushatë. “Nëse partitë e djathta ose konservatore morën disa vota vitin e kaluar për çështjen e luftës në Ukrainë – në të cilën Serbia nuk ka asnjë rol – atëherë në mënyrë të pashmangshme del edhe çështja e Kosovës, e cila është shumë më afër”, thotë Radojkoviq.

“Është gjithashtu e qartë së shumica e votuesve kanë qëndrime negative ndaj çdo propozimi perëndimor,” shton ai.

 

Zgjedhësit e Vuçiqit

Shumë vëzhgues e interpretuan edhe kthimin e ish-presidentit Tomislav Nikoliq në fushatën e Partisë Përparimtare Serbe si një përpjekje për të rikthyer votuesit e lëkundur të SNS. Sepse, shikuar nga sondazhet, Vuçiq nuk i ka kartat më të fuqishme në dorë, kur është fjala për temën e Kosovës. Sipas një sondazhi të bërë në tetor nga New Serbian Political Thought (NSPM), vetëm 14 për qind e votuesve besojnë se “pozita e Serbisë dhe serbëve” në Kosovë është më e fortë me këtë qeveri në Beograd, ndërsa rreth 50 për qind mendojnë se është më e dobët.

“Shumë thonë se elektorati i Vuçiqit është korruptuar në një farë mënyre. Por ai megjithatë është i ankoruar në spektrin e djathtë”, thotë Radojkoviq. “Ata gjithashtu kanë njëfarë pasigurie në lidhje me politikën e Vuçiqit për Kosovën – ku ka shumë të panjohura”.

Radojkoviq vëren se edhe lista pro-evropiane “Serbia kundër dhunës” ka mbajtur qëndrim më të ashpër ndaj Kosovës. Radojkoviq i referohet raportit të fundit të DW për vizitën e përfaqësuesve të kësaj liste pro-evropiane në Berlin.

Aty Borko Stefanoviq (SSP) ka thënë se ky koalicion do të ruajë “pikëpamjen kushtetuese” të Kosovës dhe se nuk është i detyruar të mbajë premtimet që Vuçiq u ka dhënë përfaqësuesve evropianë me dyer të mbyllura.

Kosova është një lloj “pule e artë” në fushatën e shumë partive, ndërsa për listën më të fortë qytetare ndër temat e fuqishme janë edhe çështjet e dhunës, krimit dhe korrupsionit, e deri tek varfërimi i qytetarëve.

 

BE është një temë për “kamikazët”

Burimet e DW thonë se partitë janë të vetëdijshme se Bashkimi Evropian nuk është temë e mirë që sjell pikë në fushatë. Sepse rruga drejt BE-së po zgjat shumë, e politikanët evropianë shumë shpesh e mbështesin Aleksandar Vuçiqin në këto çështje. Ndërkohë që tani politikanët kryesorë nga BE-ja po kërkojnë haptazi njohjen de fakto të Kosovës.

Politologu Srgjan Cvijiq, një ekspert i mirë i Bashkimit Evropian, thotë se vetëm një “kamikaz politik” do ta kishte çështjen e anëtarësimit në BE në krye të fushatës. “Sepse të gjitha mediat nën kontrollin e regjimit janë anti-BE dhe antiperëndimore. Çfarë do t’i sillte një partie opozitare kacafytja me tabloidet e Vuçiqit?”, tha Cvijiq për DW.

“BE-ja nuk është temë e rëndësishme e fushatës. Mund të jetë tronditëse për dikë nga jashtë, por nuk është. Ka shumë çështje të tjera më urgjente në rend dite”, thotë ai, duke përmendur shembujt e krimit, dhunës dhe çështje të tjera që nxitën protesta masive pranverën e kaluar.

Ndërsa çështa e BE në sondazhe nuk ka qenë kurrë më keq. Sipas NSPM, vetëm 39 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE, ndërsa 51 për qind janë kundër.

 

A ka ndonjë tjetër rrugë evropiane?

Shumë gjëra tregojnë se Beogradi zyrtar nuk po shkon më drejt BE-së. Sipas raportit të publikuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane, nga vera e vitit 2022 deri në verën e vitit 2023, Serbia ka miratuar vetëm 27 për qind të rregulloreve të planifikuara ligjore të kërkuara nga BE. Pas ardhjes në pushtet të SNS-së, në gjysmën e parë të vitit 2013, janë miratuar rreth 85 për qind e rregulloreve. Gazetari Boshko Jakshiq mendon, se “një pjesë e përgjegjësisë, jo e vogël, i takon edhe Bashkimit Evropian”.

“Perëndimi po nxiton të normalizojë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithçka tjetër është për ta e parëndësishme”, përfundon Jakshiq.

dw

Miratohet në pak minuta “Buxheti 2024”, mbyllet seanca mes tymueseve dhe shpërthimeve

Kuvendi“Buxheti 2024”, është miratuar në pak minuta në një seancë të pazakontë plenare me 74 vota pro, 4 kundër dhe asnjë abstenim.

 

Deputetët e opozitës grumbulluan karriget rreth foltores, mes përplasjes me Gardën, ndezën sërish tymuese me ngjyra, ndërsa u dëgjuan edhe shpërthime në sallë.

Mes përplasjes së tavolinave dhe thirrjeve “Turp, turp”, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka miratuar nen për nen “Buxhetin 2024”.

 

Deputeti demokrat, Asllan Dogjani u përjashtua nga seanca, pas ndezjes së tymueses.

Garda e Republikës ishte vendosur në gatishmëri për të siguruar mbajtjen e rregullit gjatë seancës së sotme në Kuvend, ku pritej të miratohej nen për nen buxheti për vitin 2024.

Kujtojmë se opozita paralajmëroi kaos dhe bllokim të punës në Kuvend, pas përjashtimit me 10 ditë të 6 deputetëve; Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti, si protagonistët e tensioneve herën e shkuar për të sabotuar me flakadanë e flakë punën e Kuvendit.

Top Channel