Pse VMRO preferon VLEN?

MickoÇka thotë Mickovski/VMRO për formimin e qeverisë së re, kush është i preferuari i VMRO-së? ndërsa pse? Përgjigja nuk është bardh e zi (korrupsioni?), janë vendime dhe veprime politike më afatgjata nga VMRO.

Mbetet ende pa përgjigje, pse VV mbështet VLEN???

 

Pyetje: A do të formoni qeveri edhe nën kushtin për ndryshime kushtetuese?

Mickovski: Me BDI nuk kemi qëllim të jemi!

 

Pyetje: Me VLEN?

Mickovski: Unë nuk kam dëgjuar që VLEN ka kusht të tillë, atë kusht po e imponon BDI, duke kërkuar kashtë për shpëtim.

Bekim Jashari: “Regjimi/aparati shtetëror i Serbisë, të gjitha ata, që nuk u ka interesuar asgjë tjetër përpos fesë dhe që kanë dal vetëm në xhami dhe në shtëpi me shku, si ka nguc hiç fare, por na ka nguc neve dhe s’na ka lan rehat, që kemi dashtë kombin dhe kemi luftuar për liri.”

Bekim JashariBekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari, ka njoftuar se disa organizata arabe pas përfundimit të luftës në  Kosovë në vitin 1999, kanë shkuar te familja e tyre dhe kanë shprehur gatishmërinë që të investojnë në Kullat që të bëhen muze e jashtëzakonshme.

 

Bekim Jashari, ka deklaruar se kushti i vetëm i tyre ishte që në hyrje të kompleksit të shkruhet që Adem Jashari ka luftuar për fe.

“Kanë ardh pasufte shoqata, organizata jo qeveritare nga shtetet arabe te familja dhe kanë thënë jemi të gatshëm me bërë kompleksin një nga muzet më të bukura në botë, me të vetmin kusht që në hyrje të kompleksit të shkruhet se Ademi ka luftu për fe, por ne s’kemi pranuar”, ka treguar Bekimi në intervistën

 

Ai u ka thënë që: “na mysliman jena, por për fe skena luftu, përkundrazi regjimi/aparati shtetëror i Serbisë, të gjitha ata që nuk u ka interesuar asgjë tjetër përpos fesë dhe që kanë dal vetëm në xhami dhe në shtëpi me shku, si ka nguc hiç fare, por na ka nguc neve dhe s’na ka lan rehat, që kemi dashtë kombin dhe kemi luftuar për liri.”

 

“Jo vetëm Adem Jashari, por asnjë shqiptar, e sidomos Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk i kanë rrokur armër për të luftuar për shkak të fesë”, ka deklaruar Jashari.

 

Jehu i Srebrenicës nxeh Vuçiqin e Dodikun

SrebrenicaQendra Përkujtimore Potoçari për viktimat e Srebrenicës.

 

Masakra e Srebrenicës – më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – mund të njihet si gjenocid nga Kombet e Bashkuara, gati 30 vjet pas.

Një propozim-rezolutë, e iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, kërkon që 11 korriku të njihet globalisht si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, dhe pritet të dalë në votim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin maj.

Propozim-rezoluta, mes tjerash, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

 

 

Dokumenti – ndonëse nuk e përmend as entitetin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, e as Serbinë – nxiti reagime të furishme në të dyja këto vende.

Udhëheqësit e tyre mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur si akt të tillë vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi këtë muaj një raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa udhëheqësi i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mblodhi mijëra ndjekës në Banjallukë për të kundërshtuar propozim-rezolutën e OKB-së.

“Ishte një krim në fund të luftës. Pas lodhjes, urrejtjes, vuajtjes, hakmarrjes… Por, nuk ishte gjenocid”, u tha Dodik mbështetësve.

Dodik tha, po ashtu, se nëse OKB-ja e miraton rezolutën për Srebrenicën, Bosnje e Hercegovina do të ndahet. Ai tha se do të ndërmarrë edhe disa “masa të posaçme”, por nuk specifikoi më shumë.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara ishte i menjëhershëm. Ambasada amerikane në Sarajevë tha se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për shpërbërjen e Bosnjës.

“Millorad Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë, derisa ai ndjek agjendën e tij secesioniste dhe e shtyn Bosnje e Hercegovinën drejt konfliktit. Republika Sërpska është entitet brenda shtetit të Bosnje e Hercegovinës”, shkroi Ambasada amerikane në Sarajevë në platformën X.

Kundër rezolutës për Srebrenicën u angazhua në mënyrë aktive edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit, miratimi i saj do të shkaktonte pasoja “në stabilitetin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, në të drejtën publike ndërkombëtare, por edhe në vetë besueshmërinë e OKB-së si garantuese e paqes dhe rendit juridik në botë”.

Në përpjekje për ta parandaluar votimin pro, Vuçiq tha javën e kaluar se ka biseduar me zyrtarë të më shumë se 80 vendeve dhe se do ta vazhdojë “luftën e vështirë”.

Zharko Koraq, profesor në pension i Universitetit të Beogradit, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Vuçiq e përjeton si “shuplakë” kundër tij rezolutën për Srebrenicën.

Ai thotë se regjimi i tij i ka normalizuar njerëzit e dënuar për krime lufte, të cilët, vazhdimisht, janë mysafirë nëpër studiot televizive.

“Pushteti në Serbi është i tronditur, sepse bota po tregon se nuk e ka harruar Srebrenicën dhe se sjellja e Serbisë është e turpshme. Me retorikën që po bën, Vuçiq mbron veten e tij dhe politikën ku ka bërë pjesë”, thotë Koraq.

Në vitet ’90, Vuçiq shërbeu një kohë si ministër i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, të cilin Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vuçiq ishte edhe pjesë e Partisë Radikale serbe, e cila shprehte hapur ambicie për një “Serbi të madhe”, me tokat e vendeve fqinje.

“Ju vrisni një serb dhe ne do t’i vrasim 100 myslimanë”, ishte thënia e tij famëkeqe, disa ditë pas masakrës së Srebrenicës.

Refik Hoxhiq, zëdhënës i dikurshëm i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, thotë për Exposenë se politika që ndjek Vuçiq sot, por edhe Dodik, është e njëjtë me atë të Millosheviqit dhe të Radovan Karaxhiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë.

“Normalisht [kjo politikë sot] nuk i ka dhëmbët e njëjtë. Sot nuk është viti ’92 dhe qëllimet nuk mund të arrihen përmes rrugëve ushtarake, siç kanë menduar Sllobodan Millosheviq dhe Radovan Karaxhiq. Por, në aspektin narrativ dhe ideologjik, bëhet fjalë për politika identike”, thotë Hoxhiq.

Ai thotë se nuk i merr seriozisht kërcënimet e Dodikut, i cili edhe më herët ka thënë se nuk është i pajtimit që Republika Sërpska të jetë pjesë e Bosnje e Hercegovinës.

Koraq, i cili ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër i Serbisë, thotë së Dodik po kërcënon tani në rrethana të tjera gjeopolitike, kur NATO-ja ka rritur praninë si në Bosnje e Hercegovinë, ashtu edhe në Kosovë.

“Po të isha në vendin e tij, do të mendoja mirë se si mund t’i përgjigjet bota provokimit të tij, në kohën kur ajo ka prioritete të tjera, si lufta në Ukrainë, konflikti në Lindje të Mesme, tensionet rreth Tajvanit, por, në të njëjtën kohë, vëzhgon edhe atë që ndodh në Bosnje e Hercegovinë”, thotë Koraq.

Koraq dhe Hoxhiq presin që rezoluta për Srebrenicën të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por nuk presin që të ketë ndonjë ndikim në marrëdhëniet mes vendeve në rajon.

Pa pranimin e së vërtetës nuk mund të ecët përpara, thotë Hoxhiq.

“Kjo është sikur të vendosësh një fashë të vogël mbi një plagë të madhe që ende rrjedh gjak. Nuk mund të ecët përpara, pa i pranuar këto krime. Por, kjo natyrisht nuk mund të pritet nga Aleksandar Vuçiq dhe Millorad Dodik”.

“Andaj, rezoluta nuk do të ndryshojë asgjë te ta, por do të shërbejë si një element në procesin e përballjes me të vërtetën për udhëheqësit e ardhshëm të Serbisë dhe të Republikës Sërpska. Nuk dyshoj se kjo do të ndodhë, herët a vonë”, thotë Hoxhiq.

Në Serbi, disa organizata për të drejtat e njeriut i bënë thirrje Qeverisë së tyre dhe Vuciqit që ta mbështesin rezolutën e OKB-së për përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut tha se do t’u dërgojë një letër Kombeve të Bashkuara, në shenjë mbështetjeje për miratimin e rezolutës.

Edhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, i bëri thirrje asaj që ajo e quajti “elitë intelektuale” që ta mbështesë rezolutën dhe “të mos jetë e painteresuar për të ardhmen e Serbisë”.

“Elita intelektuale në Serbi është arrogante dhe e painteresuar për të ardhmen e Serbisë. Po të mos ishte kështu, a nuk do t’i thoshte presidentit Vuçiq të mos turpërohet duke luftuar kundër rezolutës së OKB-së, që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”, shkroi Kandiq në rrjetin X.

Por, disponimi midis disa qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Beograd është, po ashtu, ndryshe-ndryshe.

“Për mua është e pranueshme që për të gjitha viktimat të ketë një ditë përkujtimore – qofshin ato te ne apo kudo në botë”, thotë Mara.

“Rezoluta është e turpshme. Nuk duhet të miratohet. Unë nuk e arsyetoj krimin, por kush e karakterizon krimin ndaj serbëve?”, pyet Branisllav Kërsmanoviq.

“Mendoj se nuk ishte gjenocid. Nuk duhet shqyrtuar fare. Është politikë kundër Serbisë”, thotë Miqa Millovanoviq.

Kur e karakterizoi si gjenocid masakrën e Srebrenicës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Deri më tash, më shumë se 50 individë janë të dënuar me rreth 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocidin e Srebrenicës.

Në vitin 2003, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të ngjashme, e cila e shpalli 7 prillin si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit mbi Gjenocidin në Ruandë.

Në këtë vend të Afrikës Qendrore, gjenocidi ndodhi në vitin 1994, gjatë një luftë civile. Për vetëm 100 ditë, ekstremistët Hutu vranë rreth 800 mijë njerëz, kryesisht anëtarë të pakicës Tutsi dhe kundërshtarë politikë.

Nëse e miraton edhe rezolutën për Srebrenicën, blloku demokratik perëndimor do të mbyllte një kapitull të errët të viteve ’90, kur ndodhën të dyja këto gjenocide të mëdha, pasojat e të cilave rëndojnë ende.

rel

Zelenskiy ripërsërit kërkesën për sisteme të mbrotjes ajrore “Patriot”

PatriotPresidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i drejtoi sërish një lutje komunitetit ndërkombëtar që të shpejtojë dhe të ofrojë më shumë sisteme të mbrojtje ajrore për vendin e tij. Po kështu zoti Zelenskiy bëri thirrje për nisjen e bisedimeve zyrtare mes Ukrainës dhe Bashkimin Evropian, si dhe që NATO ta ftojë vendin e tij për anëtarësim.

 

Forcat ukrainase përballen me një pozitë të përkeqësuar në lindje vendit dhe po presin dorëzimin e armëve amerikane, pas miratimit më 23 prill të një ndihme nga Kongresi prej 61 miliardë dollarësh, pas disa muajsh vonese. Zoti Zelenskiy ka kërkuar vazhdimisht sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, veçanërisht ato ‘Patriot’.

Zoti Zelenskiy tha se kishte biseduar me udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries si dhe kishte falënderuar Kongresin amerikan për miratimin e paketës së ndihmës. Por ai shtoi se Ukraina po punonte me të gjithë partnerët që dërgesat të vinin me shpejtësi, çka do t’i mundësonte Ukrainës të ruante pozicionet e saj.

Po presim ato vëllime (në armatime) që mund të ndryshojnë situatën në fushën e betejës, në interes të Ukrainës“, tha ai.

Lidhur me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, zoti Zelenskiy tha se Ukraina i kishte përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve për pranim dhe se “tashmë i takonte BE-së të përmbushë detyrimet e saj”, sikurse tha ai.

Ukraina, e cila ka marrë mbështetje të fortë nga shumica e vendeve evropiane që kur Rusia nisi një sulmin ndaj Kievit dy vite më parë, është një vend kandidat për t’iu bashkuar bllokut prej 27-anëtarësh, por procesi pritet të zgjasë me vite.

Mbi hyrjen në aleancën ushtarake të NATO-s, zoti Zelenskiy tha se çdo vend që ndan vlera të përbashkëta dhe është i gatshëm t’i mbrojë ato “meriton një ftesë për në aleancë”.

Ai shprehu optimizëm lidhur mbi perspektivën për paqe, duke iu referuar një takimi të ardhshëm mbi këtë çështje që do të mbahet në Zvicër në data 15 dhe 16 qershor. Rusia nuk është e ftuar në takim e për këtë shkak ka kritikuar çdo takim të kësaj natyre, duke e cilësuar si të pakuptimtë, pa pjesëmarrjen e Moskës në to.

voa

Reagime pas demonstratës së islamistëve në Gjermani

demo gjermaniNë një demonstratë kundër gjoja politikës armiqësore ndaj islamit në Gjermani u dëgjuan tone islamiste e slogane kundër shtetit gjerman. Ministrja e Brendshme, Faeser e quajti demonstratën “të vështirë për t’u duruar”.

 

Pas një demonstrate të organizuar nga islamistët të shtunën në Hamburg, ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser kërkoi një ndërhyrje të fortë të shtetit në rast veprash penale tek organizime të tilla. “Një demonstratë e tillë e islamistëve në rrugët tona është e vështirë për t’u duruar. E mira është, se policia e Hamburgut me një pjesëmarrje të gjerë veproi ndaj veprave penale”, tha Faeser për “Tagesspiegel”. Nuk pati incidente gjatë demonstrimit. Duhet të jenë të qarta vijat e kuqe, ku merr fund mbrojtja e gjerë e lirisë së mendimit dhe shprehjes. “Jo propagandë terroriste për Hamasin, jo parulla urrejtjeje kundër grave dhe burrave hebrej, jo dhunë. Në rast se puna vjen tek vepra të tilla penale, duhet të ketë një ndërhyrje të menjëhershme, të fortë në demonstrata”, tha politikanja socialdemokrate.

 

 

“Muslim interaktiv” kategorizohet si e sigurtë ekstremiste

Të shtunën në Hamburg protestuan më shumë se 1000 vetë që ndoqën thirrjen e islamistëve të “Muslim interaktiv. Në lagjen St. Georg ata dolën në rrugë kundër gjoja një politike armiqësore me të cilën përballet islami në Gjermani dhe fushatës mediatike kundër tij. Organizatorët e demonstratës janë të afërt me grupimin “Muslim interaktiv”, sipas informacioneve të shërbimit të Mbrojtjes Kushtetuese në Hamburg. Ky grupim kategorizohet si i sigurtë ekstremist. Gjatë demonstratës u kërkua nga organizatorët të thirrej “Allahu Akbar”, “zoti është i madh”. Ata që mbajtën fjalim akuzuan politikën dhe mediat për “gënjeshtra të ulta”, dhe “raportim frike”, ku para luftës në Gaza të gjithë myslimanët në Gjermani do duhet të damkosen si islamistë.

Deputeti gjerman i CDU-së dhe ish- kreu i CDU-së për Hamburgun, Christoph Ploß shkroi në platformën X, se ndalimi i “Muslim Interaktiv” duhej bërë me kohë. Ai kërkoi nga qeveria e koalicionit “të mos e nënvlerësojë më islamin radikal”. Edhe partitë e majta duhet të zgjohen dhe t’i dalin kundër islamizmit.

la/ag

Qyteti antik i Bylisit; thesari arkeologjik i Shqipërisë, i panjohur nga turistët

BylisiBylisi është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, por pak i njohur nga turistët vendas dhe të huaj. Qyteti që dikur ishte qendra e Ilirisë jugore ka sipërfaqen më të madhe të mozaikëve në Ballkan, të cilët këtë vit kanë nisur të zbulohen për vizitorët. Ndërtimi i një rruge të re pritet ta kthejë këtë qendër arkeologjike në një itinerar të rëndësishëm turistik.

 

Mbi një kodër të butë mbi rrjedhën e Vjosës, në zemër të Mallakastrës, nga ku shihet që nga Adriatiku deri në kufijtë shtetëroe të Shqipërisë me Greqinë, shtrihen rrënojat e qytetit antik të Bylisit.

Qyteti që jetoi gati dhjetë shekuj ka një harmoni të periudhave të ndryshme historike që nisin nga mesi i shekullit të IV para Krishti, kur mendohet se u themelua, duke shërbyer si endra e Ilirisë jugore dhe deri në fundin e shekullit të VI-të pas Krishtit.

Mure madhështorë rrethues në një sipërfaqe mbi 2 km dhe kulla mbrojtëse që flasin për mjeshtër të paarrirë të gurit, rrënojat e një teatri me rreth 7500 vende, një shëtitore gati 4 hektarë dhe stadium, por edhe tempuj dhe godina banimi dëshmojnë për një periudhë te hershme kur Bylysi ishte kryevendi i këtij rajoni, pasi kontrollonte udhëkalimet e kohës në luginën e Vjosës.

Ardit Shehu, përgjegjës i këtij parku thotë për Zërin e Amerikës se “sipërfaqja e Parkut arkeologjik të Bylysit është 32 hektarë. Bylisi përfaqëson një numër të madh monumentesh që janë nga shekulli i katërt para Krishtit. Monumentet e para të qytetit lidhen me teatrin, gjimanzin, stadiumin, shëtitoren dhe monumente të tjera që janë ngritur më vonë”.

Këtë vit Parkui i Bylisit lidhet me rrugën kombëtare Levan -Tepelenë me një segment të ri gati 7 kilometër që ka nisur të rrisë vizitueshmërinë e këtij thesari arkeologjik të Shqipërisë gati të pashfaqur më parë si për turistët vendas edhe të huaj.

“Këtë vit ka patur edhe një rritje të numrit të vizitorëve, krahasur me vitin e kalur ne kemi dyfishin e të ardhurave. Jemi të kënaqur me infrastrukturën rrugore që na e bën tani të lehtë komunikimin në park. Kemi këtë vit edhe një rritje të numrit të guidave” , thotë përgjegjësi i Parkut Bylis Ardit Shehu .

Sipas studiuesve ndërtimi i kishave në shekullin e V pas Krishtit shënon një pikë kulmore për Bylysin.

Katedralja është nga më të mëdhatë në gjithë rajonin dhe është bazilika më e madhe paleokristiane e Shqipërisë.

“Bylysi, thotë Ardit Shehu , ka sipërfaqen më të madhe të mozaikëve rreth një mijë metër katrorë të cilët kanë nisur të zbulohen për vizitorët”.

“Në Bylys janë rreth një mijë metër katrorë mozaikë dhe këtë e bëjnë një qytet antik të veçantë në Shqipëri dhe më gjerë. Ne kemi menduar që duke filluar nga muaji prill ti hapim gradualisht mozaikët që të jenë të vizituesëhm si për turistët e huaj edhe ata vendas. Mozaikët janë në gjendje shumë të mirë dhe motivet e tyre janë tejet të larmishme”.

Mozaikët paraqesin kryesisht figura shpendësh dhe motive biblike që nga bariu i mirë që kujdesej për ligjet apo një skenë peshkimi.

Ndërsa vizitorë të pakët përshkojnë rrënojat e pesë kishave Albana Shala që jeton në Hollandë thotë se pëlqen të vijë në këtë park të jashtëzakonshëm.

“Unë tani jetoj në Hollandë. Sa herë vij në Shqipëri vij në Bylis me miq të ndryshëm jo vetëm nga Hollanda. Është nga parqet arkeologjike më të ruajtura mirë dhe më i pazbuluari deri tani”, thotë ajo.

Gërmimet arkeologjike në Qytetin antik të Bylisit kanë zbuluar disa nga monumentet më të rëndësishme të tij, por studiuesit flasin se rreth 10% e qytetit është zbuluar deri tani.

Bylisi ka shumë për të ofruar dhe ende shumë për të zbuluar dhe siç thihet në një nga mbishkrimet e gjetura antike “O i huaj, mos e shmang vështrimin nga bukuria e Bylisit.”

voa

Shqipëri, projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” nxit debate

projektligjiNë Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim publik së fundi një projektligj mbi shëndetin seksual dhe riprodhues. Projekti ka ngjallur debate mbi disa risi lidhur me procedurat e terapisë së riprodhimit mjekësor të asistuar, që aktualisht nuk janë të rregulluara plotësisht nga ana ligjore. Profesionistë të fushës së mjekësisë thonë për Zërin e Amerikës se projektligji ka mangësi dhe nuk trajton në thellësi problematikat që lidhen me fetusin dhe nënën. Një moment mjaft i diskutueshëm lidhet me përfshirjen në të, edhe të nënës zëvendësuese.

 

Përfaqësues të sistemit shëndetësor dhe njohës të zhvillimeve shoqërore në vend, po ngrenë shqetësime mbi projektligjin për shëndetin seksual dhe riprodhues. Mjeku obstetër gjinekolog, Astrit Bimbashi thotë për Zërin e Amerikës se së bashku me një grup të gjerë mjekësh, ishin në pritje të rregullimeve ligjore për terapinë e riprodhimit mjekësor të asistuar. Prej 20 vitesh në këtë fushë nuk ka asnjë kontroll thotë ai, ndërsa shton se edhe ky projektligj lë mjaft paqartësi.

“ Projektligji është i mangët sepse nuk përmend incentiva sociale as psikologjike as ekonomike, pra asgjë. Thjesht lejohet apo ndalohet. Përfshirja e termit seksual dhe riprodhues i ka manipuluar ata që kanë bërë këtë ligj, për ta quajtur riprodhimin si terapi të riprodhimit të asistuar. Unë mendoj që ajo fjala “seksual” në emërtimin e projektligjit duhet të hiqet dhe të mbetet ligji i shëndetit riprodhues, që ka disa pika bazë: parariprodhimin, riprodhimin dhe postriprodhimin, adoleshencën, nënën që lind bebin nga 0-6 vjeç, si dhe postriprodhimin menopauzën deri në vdekjen e gruas. Por që të bësh 7 faqe për terapinë mjekësore të riprodhuar dhe të lesh me tre rreshta një problem madhor në Shqipëri që është shëndeti feto-amtar, ne nuk na duket e drejtë”- argumenton Astrit Bimbashi, mjek obstetër gjinekolog.

Përfshirja në projektligj i të drejtës së një gruaje për t’u bërë nënë zëvendësuese ka ngjallur mjaft debate. Nënë zëvendësuese quhet një grua që mbetet shtatzënë nëpërmjet një embrioni të krijuar me fertilizim invitro, dhe mban në uterusin e saj deri në lindje një fetus për llogari të një ҫifti tjetër, i cili e ka të pamundur të lindë fëmijë në rrugë normale. Aktualisht në Shqipëri fertilizimi invitro është rregulluar me ligj prej më shumë se dy dekadash, dhe kryhet thuajse tërësisht në institucionet shëndetësore private. Por në disa të tilla, edhe pse nuk parashikohet në ligj, prej disa kohësh kryhen edhe procedura të riprodhimit mjekësor të asistuar, me nëna zëvendësuese, ose siç quhet ndryshe “surrogacia”. Mjekja obstetër-gjinekologe Afërdita Manaj, e mirëpret përfshirjen në projektligj të kësaj teknike në shëndetin riprodhues, për t’i ardhur në ndihmë mirëqenies familjare dhe një gruaje që nuk mund të lindë.

“Surrogacia është e nevojshme. Të mos mbyllim sytë dhe të sillemi sikur këtu nuk është bërë. Prandaj duhet të rregullohet me ligj, të jetë i kontrolluar nga shteti. Të vendosen taksa për këtë shërbim mjekësor dhe të kontrollohet. Të mbrohen dhe të drejtat e njeriut. Ligji shmang abuzimet”- shprehet Prof. Dr. Afërdita Manaj, mjeke obstetër gjinekologe.

Fusha e veprimit të projektligjit është edhe për shtetasit e huaj, që nënkupton se edhe ata mund të kryejnë në Shqipëri procedurat e riprodhimit mjekësor të asistuar, përshirë dhe surrogacinë. Ligjërimi i nënës zëvendësuese në Shqipëri, synohet në një kohë kur Parlamenti Evropian sapo ka miratuar rregulla të reja për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjen e viktimave të tij. Ligji i ri që u u miratua me 563 pro, 7 kundër dhe 17 abstenime, penalizon gjithashtu martesën e detyruar, adoptimin e paligjshëm dhe shfrytëzimin e zëvendësimit, ose sic quhet ndryshe të surrogacisë, në nivel të BE-së.

Mjeku obstetër gjinekolog Bimbashi edhe pse pranon se ka kryer procedura të tilla, në sistemin privat shëndetësor, është skeptik për to.

“Ne si klinikë kemi kryer dikur raste, por kurrë ndonjëherë me pagesë. Duke qenë një çështje shumë delikate i kërkonim gruas që ta

gjente vetë nënën zëvendësuese. Është tragjedi për një çift bashkëshortësh të mos arrijë të bëjë fëmijë. Por nga ana politike kur shoh që Parlamenti Europian voton me 563 vota kundër surrogacisë, dhe vetëm 7 vota pro do të thotë që ti nuk mund ta kthesh këtë produkt në atë që mendon ti ta bësh”- argumenton Astrit Bimbashi, mjek obstetër gjinekolog.

Kryerja e procedurave të riprodhimit mjekësor të asistuar përmes nënës zëvendësuese është një praktikë shumë e kushtueshme, thonë specialistët dhe mund të nxisë abuzime.

“Jam shumë dakort që të kryhet surrogatizmi për nënat që kanë nevojë, por duhet të ketë kritere shumë të forta. Duhet të përcaktohen disa diagnoza që ndikojnë te çiftet të mos kenë fëmijë dhe shkojnë drejt surrogatizmit. Nëse e lemë të lirë pa kontrolle të forta, pra që mund të vijnë dhe të huaj të bëjnë surrogatizëm në Shqipëri, për diagnoza që mund të sajohen, apo të krijohen në mënyrë false dhe nga mjekët, mund të na çojë në abuzime për shkaqe përfitimi”- thotë për Zërin e Amerikës Alban Haxhi, mjek obstetër gjinekolog.

Një prej aspekteve të tjera të projektligjit ku ndalen njohës të fushës së mjekësisë dhe të zhvillimeve shoqërore, lidhet dhe me rritjen e kohës për ndërprerjen e shtatzanisë, me dëshirën e gruas për arsye të ndryshme, nga 12 javë në 14. Ende janë të paqarta arsyet e këtij përkufizimi të ri ligjor, por eskpertët mendojnë se kjo shtyrje në kohë ngjall shumë diskutime pasi gjinia e fetusit bëhet e dallueshme dhe kjo mund të nxisë fenomenin e abortit selektiv.

“Shtyrja e afatit për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë nga 12 në 14 javë i jep mundësi prirjes kriminale të abortit selektiv, për shkak të dallimit të gjinisë së fetusit. Kur vjen puna për abortin selektiv ne krahasohemi me Azerbajxhanin dhe disa vende të tjera që e kanë në nivel të lartë. Unë mendoj se aborti selektiv është kriminal”- shprehet për Zërin e Amerikës Gëzim Tushi, sociolog.

Edhe mjekja gjinekologe Afërdita Manaj, menon se në këtë kuadër projektligji duhet riparë.

“Ndoshta nuk duhej lejuar ndërprerja vullnetare e shtatzënisë nga java 12-14. Deri në javën 12 ishte mirë. Nuk jam e mendimit që kjo të bëhet rutinë sepse shumë njerëz këtë mund ta shfrytëzojnë për të zgjedhur gjininë e fëmijës”- argumenton Prof. Dr. Afërdita Manaj, mjeke obstetër gjinekologe.

Ministria e Shëndetësisë në një reagim publik pas qëndrimeve kritike mbi elementët e rinj që sjell projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, u shpreh se ky dokument i është nënshtruar konsultimit publik që do të ndihmojë në përthithjen e mendimeve të grupeve të interesit dhe garanton se në fund të këtij procesi projektligji do të reflektojë dhe përfundimet e nxjerra nga këto konsultime.

voa

Mediat: Zbulimi amerikan mendon se vrasja e Aleksei Navalnit ndoshta nuk urdhërua nga Putini

PutinSipas një artikulli të gazetës ‘Wall Street Journal’ të publikuar të shtunën, agjencitë amerikane të zbulimit kanë dalë në përfundimin se ndoshta presidenti rus Vladimir Putin, nuk ka urdhëruar vrasjen e politikanit opozitar Aleksei Navalnit në muajin shkurt ndërsa ai ndodhej në një burg në Arktik.

 

Aleksei Navalni, vdiq në moshën 47 vjeçare. Ai ishte kritiku më i fortë në vend i Vladimir Putinit. Aleatët e tij, të cilësuar si ekstremistë nga autoritetet, akuzuan presidentin rus për vrasjen e tij dhe kanë thënë se do të ofrojnë prova për të mbështetur pohimet e tyre.

Kremlini ka hedhur poshtë çdo përfshirje në vrasjen e Aleksei Navalnit. Muajin e kaluar, Vladimir Putini e quajti vdekjen e politikanit opozitar diçka “të trishtueshme” duke shtuar se ai ishte gati ta shkëmbente atë me Perëndimit me kushtin që zoti Navalni të mos kthehej më në Rusi. Aleatët e zotit Navalny kanë thënë se ishin duke u zhvilluar bisedime mbi këtë çështje.

Në shkrimin e saj gazeta ‘Wall Street Journal’ citonte persona të paidentifikuar që ishin në dijeni të raportit të agjencive amerikane të zbulimit, që sipas tyre kishin arritur në përfundimin se Vladimir Putini ndoshta nuk kishte urdhëruar që zotit Navalni të vritej.

Gazeta shkruante më tej se me këtë përfundim Uashingtoni nuk po e shfajësonte udhëheqësin rus nga përgjegjësia e përgjithshme për vdekjen e zotit Navalni, duke pasur parasysh se politikani opozitar kishte qenë për vite me radhë në shënjestër të autoriteteve ruse, ishte burgosur nën akuza që Perëndimi i ka cilësuar si të motivuara politikisht, si dhe ishte helmuar në vitin 2020, me një agjent nervor.

Kremlini mohon përfshirjen e shtetit në helmimin e vitit 2020.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të shtunën se kishte lexuar artikullin e gazetës, duke shtuar se ai përmbante “spekulime boshe”.

Nuk mendoj se është material me cilësi të lartë që meriton vëmendje“, u tha ai gazetarëve kur u pyet për këtë çështje.

Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ njoftoi se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur njoftimin e gazetës, që citonte burime sipas të cilave, gjetjet ishin “pranuar gjerësisht brenda komunitetit amerikan të zbulimit dhe ishte ndarë nga disa agjenci, përfshirë Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA-n), Zyrën e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar si dhe Njësinë e Zbulimit në Departamentit të Shtetit”.

Të njëjta burime i thanë gazetës se vlerësimi amerikan u bazua në një sërë informacionesh, disa prej tyre të klasifikuara, si dhe në një analizë të fakteve publike, përfshirë kohën e vdekjes së zotit Navalni dhe tek mënyra se si ngjarja sfumoi rizgjedhjen e zotit Putin në mars.

Gazeta citonte gjithashtu një ndihmës të lartë të zotit Navalni, Leonid Volkovin, i cili, i quajti gjetjet e zbulimit amerikan, naive dhe qesharake.

voa

Sërish molotovë e tensione gjatë protestës kundër kryebashkiakut Veliaj

MolotovNë Shqipëri, edhe protesta e sotme e mbështetësve të opozitës para Bashkisë së Tiranës për të kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, u shoqërua me hedhjen e molotovëve drejt hyrjes kryesore të godinës. Përpjekjet e këshilltarëve të opozitës për të hyrë në mjediset e brendshme, u penguan nga forcat e shumta të policisë të rreshtuara rreth ndërtesës. Vala e protestave u nxit nga arrestimet muajin e kaluar të disa drejtorëve dhe ish drejtorëve të Bashkisë, të dyshuar për korrupsion.

 

Hedhja e molotovëve ishte edhe sot pjesë e skenarit të protestës së mbështetësve të opozitës dhe veprimtarëve të Aleancës për Teatrin, ndërsa policia këtë herë, ishte përgatitur duke mbajtur pranë vetes dhe fikse zjarri. Prej katër javësh, çdo të premte, protestuesit përpara godinës së Bashkisë, kërkojnë me forcë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj si dhe transparencë mbi përdorimin e fondeve publike.

Kërkesa e këshilltarëve të opozitës për një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit bashkiak, apo dhe ngritja e një komisioni mbi financat janë hedhur poshtë nga shumica. “Përfaqësuesit e Erion Velisë në kryesinë e Këshillit bashkiak, i thanë Jo, çdo kërkese të opozitës. Këtë të martë, kanë njoftuar mbledhjen e zakonshme të Këshillit. Jo mor jo! Kërkesa jonë është një dhe vetëm një: Mbledhje jashtë radhe, e jashtëzakonshme e Këshillit, ku të vijë Erion Veliaj e të japë llogari se ku kanë shkuar 30 milionë euro të kompanisë 5D. Ne nuk tërhiqemi nga kjo kërkesë. Ata mund të bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë, por qytetarët e dinë tani të vërtetën”, deklaroi Dorin Teliti, nënkryetari demokrat i Këshillit bashkiak të Tiranës.

Kjo kërkesë si dhe angazhimi për të mos u tërhequr nga ky aksion, ishte kreyfjala e folësve të ndryshëm, ndërsa tensioni u rikthye pasi këshilltarët e opozitës kërkuan të hyjnë në mjediset e Bashkisë, dyert e së cilës ishin mbyllur, ndërsa përpara qëndronte një gardh i shumëfishtë forcash policie. Pas këtij momenti që zgjati disa minuta, protesta u mbyll.

Javën e shkuar, hedhja e molotovëve të shumtë nga protestuesish, solli reagime të përfaqësive të huaja diplomatike, nga ambasada amerikane te Delegacioni europian, OSBE, si dhe ambasada të tjera të vendeve europiane, të cilat dënuan shfaqjet e dhunës.

Protestat ndaj kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, u nxitën nga arrestimet e disa drejtorëve dhe ish drejtorëve të rëndësishëm të Bashkisë, të dyshuar se janë të përfshirë në afera korruptive, me fondet publike, përmes kompanisë 5D, të zotëruar prej tyre, nën emrat e personave të tjerë. Me herët është arrestuar dhe drejtori i Punëve Publike Taulant Tusha, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Zoti Veliaj është distancuar prej tyre duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë.

Dalja e shqiptarëve në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut shënon rënie

zgjedhjetDalja e shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit në Maqedoninë e Veriut ka shënuar një rënie krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe kjo vjen si pasojë e dëshpërimit të tyre me partitë politike dhe ikjes së të rinjve nga vendi, sipas njohësit të çështjeve politike, Xhelal Nezirit.

 

Më pak se 30 për qind e shqiptarëve me të drejtë vote dolën për të votuar të mërkurën, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut (KSHZ).

Dy grupimet politike që morën pjesë në zgjedhjet presidenciale me kandidatët e tyre, Fronti Evropian me Bujar Osmanin (13,37%) dhe koalicioni VLEN me Arben Taravarin (9,20%), i fituan rreth 210.000 vota së bashku. Mbi 830.000 qytetarëve maqedonas votuan në zgjedhjet e së mërkurës.

Asnjëri prej kandidatëve shqiptarë nuk ia doli të kalojë në rundin e dytë, pasi Kandidatja opozitare, Gordana Silanovska-Davkova, dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, fituan më shumë vota.

Dalja e ulët në votime, sipas njohësve të çështjeve politike, ka të bëjë me dëshpërimin e elektoratit shqiptar me partitë politike, për shkak të mungesës së ofertave reale për zgjidhjen e kërkesave të tyre.

Preokupim kryesor për të rinjtë, por edhe shtresat e tjera, janë papunësia, ulja e standardit jetësor, prania e madhe e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe rënia e madhe e besimit në sundimin e ligjit.

Dalja e ulët ka qenë evidente edhe në ciklet e kaluara zgjedhore dhe, sipas dhënave të KSHZ-së, në dhjetë vjetët e fundit numri i elektoratit shqiptar është tkurrur për mbi 50.000 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2014 kishin hedhur votën 250 mijë shqiptarë, por krahasuar me zgjedhjet e mëhershme, ulja është edhe më e madhe.

Xhelal Neziri, njohësi i çështjeve politike, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e ofertave të sinqerta politike dhe largimi i të rinjve jashtë vendit, janë dy faktorët që kanë ndikuar në rënien e numrit të votuesve në zgjedhje.

“Edhe koalicioni VLEN, por edhe koalicioni i Frontit Evropian, mbase janë koalicione të reja, por janë të përbërë nga elementë të vjetër. Problemi qëndron te mungesa e një formule për t’i motivuar ata votues që janë apolitikë, që nuk votojnë asnjëherë. Pastaj te qasja politikbërjes nga ana e partive politike, apo mungesa e një opsioni që do të ishte atraktiv, sidomos për gjeneratat e reja”, tha Neziri.

Sipas tij, është shqetësues edhe fakti se, në katër vjetët e fundit, mbi 35 mijë të rinj shqiptarë kanë arritur moshën për të votuar, por nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.

Koalicioni VLEN, i cili përbehet nga katër parti shqiptare, shihej si një alternativë për shqiptarët, dhe në zgjedhje arriti t’i fitojë rreth 83 mijë vota.

Ky koalicion kishte mbështetjen edhe të partisë në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, dhe nga partitë opozitare shihej si një nxitje për pjesëmarrje më të lartë në zgjedhjet e 24 prillit.

Por, analisti Neziri theksoi se partitë opozitare nuk kanë arritur të kuptojnë se “shqiptarët nuk kanë kërkuar që Albin Kurti të vijë këtu dhe të lobojë, por ata kanë kërkuar një model të politikanit të Kurtit” në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk besoj se dikush nga jashtë, qoftë Albin Kurti, Edi Rama apo ndonjë politikanë tjetër që është i popullarizuar ndër shqiptarët, do të mund të ketë fuqi bindëse për t’i detyruar, apo motivuar votuesit që ta përkrahin një opsion vetëm me deklarata, ose me mbështetje më të theksuar logjistike dhe mediatike”, shtoi ai.

Numri i votuesve shqiptarë që kanë dalë në zgjedhjet e këtij muaji mund të jetë edhe më i ulët sesa shifrat zyrtare, pasi pjesë e koalicionit të Frontit Evropian, që udhëhiqet nga BDI-ja, ishin edhe katër parti të komuniteteve, turq, rom dhe boshnjak.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë pjesë e qeverive të Maqedonisë së Veriut prej vitit 2002, me një ndërprerje të shkurtër në periudhën 2006-2008.

Neziri nënvizoi se me figurat që tani janë pjesë e politikës në Maqedoninë e Veriut “vështirë se do të mund të ketë ndonjë ndryshim”, duke paralajmëruar se numri i votuesve shqiptarë “do të vazhdojë të shënojë ulje” në ciklet e ardhshme zgjedhore.

Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, sipas tij, u mungon një lëvizje e mirëfilltë me fytyra të reja politike të cilat kanë “vizion dhe guxim” t’i trajtojnë problemet me të cilat ballafaqohet qytetari shqiptar.

rel