Kategorizimi: më shumë dhe më pak e keqe…

srebrenicaVetëm ata që vendosin për të mos e parë, nuk shohin lidhjen mes të keqes, të ligës, jonjerëzores… Ndaj e “kategorizojnë” në me shumë dhe më pak të keqe… të papranueshme dhe të pranueshme. Ndaj pranojnë të bashkëjetojnë me te, të përfitojnë bashkë me te… !

Cfarë i bën kjo këta individë, parti… !?

Afrim Fanda

NATO: Kosova merr statusin e vendit të asociuar nga AP

natoAsambleja Parlamentare e NATO-s e miratoi të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar. Serbia e kundërshtoi hapur dhënien e statusit të asociuar për Kosovën.

 

Asambleja Parlamentare e NATO-s, që po zhvillon punimet tre ditore në Sofie të Bullgarisë, vendosi të hënën (27.05.) për avancimin e statusit të Kosovës nga vend vëzhgues në vend anëtar të asociuar të kësaj organizate. Shumica e vendeve kanë votuar pro, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar!

Megjithë kundërshtimin e Serbisë çështja e avancimit të statusit të Kosovës në NATO u vendos në agjendën  e organizatës. Zyrtarisht u njoftua më parë se deputetët e AP të NATO-s, ndër të tjera “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asociuar”. “Sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor do të trajtohen, ashtu si edhe strategjitë për mbështetjen e partnerëve në rrezik dhe për rritjen e angazhimit me Jugun Global”, thuhet në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Qysh në mars të këtij viti Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në aleancë, ndërsa të hënën u votua përfundimisht.

Serbia u angazhua kundër statusit të asociuar

Delegacioni i Parlamentit të Serbisë që kryesohet nga kryeparlamentarja serbe, Ana Bërnabiq, i cili ishte pjesë e mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përmes një letre kërkoi që Kosovës të mos i jepet statusi i anëtarit të asociuar. Edhe Instituti Ndërkombëtar për Siguri në Serbi i ka bërë thirrje AP së NATO-s që mos ta avancojë statusin e Kosovës në këtë organizatë, duke argumentuar se “do të ishte e dëmshme si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ashtu edhe për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”. “Nëntë anëtarët aktualë të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë nga vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht dhe se dhënia e të njëjtit status Kuvendit të Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm”, thotë Instituti Ndërkombëtar për Siguri me seli në Serbi.

Asambleja Parlamentare e NATO-s si urë lidhëse

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova pritet të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. AP e NATO-os,  përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s. Aktualisht anëtare të asociuara në Asamblenë Parlamentare të NATO-os, janë nëntë vende  në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta dhe mund të shërbejnë si raportues special të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare. Megjithatë, vendet me statusin e asociuar në AP të NATO-os, nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e organizatës.

KFOR e quan të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave

Në Kosovë ka aktualisht rreth pesë mijë trupa të NATO-s, KFOR-i të cilët janë përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Në fillim të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-os, raportuesi Mark Lancaster, prezantoi pjesë të një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ku thuhet se “KFOR-i negocioi me sulmuesit e Banjskës” për të ikur në Serbi. Në sulmin e 24 shtatorit të vitit të shkuar nga një grup serbësh u vra një rreshter i policisë së Kosovës, ndërsa, përgjegjësinë për këtë sulm e mori Milan Radoiçiq, deri atëherë nënkryetar i Listës Srpska, i cili tash vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate e ka quajtur “të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave”, pjesë të cilit u përfshinë në draftraportin, në nisje të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga raportuesi Mark Lancaster. Në reagimin e KFOR-it, thuhet se “kjo nuk është e vërtetë pasi në asnjë moment KFOR-i nuk është i përfshirë në negociatat e supozuara”. “Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Në reagimin e KFOR-it thuhet, po ashtu, se NATO-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se sulmuesit e Banjskës duhet të përballen me drejtësinë. “Pas dhunës, NATO-ja i ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë brenda një dekade, dhe kjo tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

dw

Investimet në panele diellore ulin importin e rrymës në Maqedoninë e Veriut

paneleKomisioni Rregullator për Energjetikë ka bërë të ditur se gjatë verës amvisëritë në Maqedoninë e Veriut do të furnizohen me rrymë më të lirë dhe gjatë ditës do të kenë plus një orë rrymë me tarifë të ulët.

 

Kjo vjen si rrjedhojë e prodhimit të rrymës nga investimet nga centralet diellore – panelet fotovoltaike që ka ulur dhe importin e rrymës nga jashtë.

Komisioni Rregullator për Energjetikë në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se importi i rrymës gjatë vitit të kaluar (2023), ka shënuar nivelin më të ulët, me vetëm 2.74 për qind nga konsumi i përgjithshëm për dallim nga vitet e mëparshme ka qenë rreth 30 për qind.

Nga ky institucion kanë bërë të ditur se prodhimi i rrymës nga centralet diellore përmes paneleve fotovoltaike brenda një viti është rritur për 300 për qind.

 

Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, tha për Radion Evropa e Lirë (REL), se po shqyrtohet mundësia që për amvisëritë brenda ditës të ketë edhe një orë shtesë të furnizimit me tarifën e lirë të energjisë elektrike.

Aktualisht, brenda ditës amvisëritë me tarifën e lirë të rrymës furnizohen nga ora 13 deri në 15, ndërkohë komisioni po shqyrton mundësinë që ky orar të zgjatet deri në orën 16, si dhe uljen e çmimit të rrymës, në përgjithësi.

“Besoj se importi i energjisë elektrike edhe gjatë vitit 2024 do të jetë shumë i ulët gjë që është në të mirë të shtetit, për faktin se energjinë elektrike arrijmë ta sigurojmë vetë dhe nuk jemi të detyruar të furnizohemi me rrymë nga jashtë vendit. Kjo me gjasë do ta ulë dhe çmimin e energjisë elektrike”, tha për REL-in Bislimovski.

 

Prodhuesit e rrymës nga panelet fotovoltaike thonë se është shumë e komplikuar mbledhja e dokumentacionit për të marrë leje për ndërtimin e centraleve nga burimet e ripërtërishme krahas investimeve të mëdha.

Goran M. i cili ka një central të fotovoltaikëve në rrethinën e Shkupit, thotë se i është dashur të sigurojë 40 dokumente nga institucionet e ndryshme të vendit për sigurimin e lejeve për ndërtimin e tij. Ai thotë se krahas shpenzimeve financiare, kjo i ka marrë edhe shumë kohë dhe energji.

Procedura, sipas tij, komplikohet për shkak të mungesës së kuadrit profesional për energjetikë në institucionet e vendit, po edhe për shkak të mbingarkesës:

“Investimi humb kuptimin për shkak të periudhës së gjatë kohore nga fillimi i punimeve në terren deri te prodhimi i rrymës, përkatësisht fillimi i kthimit të investimit. E gjithë kjo ndodh pasi mbledhja e dokumentacionit përkatës zgjat 2 deri në 3 vjet”, thotë ai për REL-in.

Pasi këto investime mbështeten kryesisht nga kreditë bankare, zvarritja e realizimit të projekteve që kanë të bëjnë me centralet diellore, i bën edhe më të komplikuara.
Ekspertët e energjetikës thonë se ulja e importit të rrymës nuk është dhe aq për duartrokitje pasi pjesa më e madhe investimeve në centralet diellore është kapital i huaj.

David Noshpall, magjistër teknologjisë elektronike dhe informatike, i cili ka dhe një kompani për mbarëvajtjen dhe realizimin e centraleve me panele fotovoltaike tha se përderisa pjesa më e madhe e centraleve diellore me panele fotovolatike është investim privat i kompanive të huaja dhe një pjesë e kompanive vendore dhe nuk është në pronësi të shtetit, nuk mund të llogaritet si prodhim vendor. Sipas tij, në këtë rast nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik.

“Ajo që është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët, është rritja e prodhimit të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtërishme me kapital vendor, duke investuar në hidrocentrale dhe centralet diellore dhe të njëjtat të kenë mundësi të skladimit (mbledhjen deponimin) të rrymës të energjisë dhe shfrytëzimin e rrymës gjatë orëve të nevojshme”, thekson Noshpall.

 

 

Kriza e energjisë, pavarësisht se ka zbehur efektet e saj në bursa, vijon të mbetet shtysa kryesore për biznesin për investimet në burime alternative.

Për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë në vazhdimësi fton qytetarët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të aplikojnë për subvencionim në sisteme diellore për prodhimin e energjisë elektrike për vetëkonsum, të financuar nga Komisioni Evropian.

Por, amvisëritë dhe bizneset e vogla thonë se shumë vështirë arrihet deri te këto ndihma për shkak të procedurës së koklavitur me shumë burokraci.

rel

 

Kafka – Shkrimtari i pavdekshëm edhe 100 vjet pas vdekjes

Kafka100 vjet më parë, më 3 qershor 1924 ndërroi jetë një nga shkrimtarët më të njohur të hapësirës gjermanofolëse. Në të gjithë botën tregimet e tij enigmatike, shpesh të errëta përpihen nga gjenerata të tëra.

 

Kafka lindi në 3 korrik 1883, para 125 vjetësh, në Pragë që në atë kohë bënte pjesë në perandorinë austrohungareze, sot kryeqyteti çek. Praga krenohet sot me shkrimtarin e madh, por qyteti edhe përfiton nga emri Kafka.

 

Biznesi me Kafkën ka funksionuar gjithmonë

Zona e turistëve në Pragë. Ajo të çon nga unaza përmes rrugicave të ngushta të pjesës së vjetër të qytetit. Dyqanët e suvenirëve rreshtohen përkrah njëri-tjetrit. Në mes të mallrave të bie në sy emri i Kafkës. “Kemi bluza me emrin e Kafkës, apo filxhanë me fotografinë e tij:” thotë një shitëse e suvenirëve. Biznesi me Kafkën ka funksionuar gjithmonë tregon ajo. Por edhe në muzeun e Kafkës krahas informacionit mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit të njohur, ofrohen gjithëfarëlloj suvenirësh, në kujtim të figurës së tij. Nga shenjueset për lexim me portretin e Kafkës deri tek mausi i kompjuterit me nënshkrimin e Kafkës.

 

Kafka lindi në një familje hebreje

Në 3 korrik 1883 para 125 vjetësh Kafka lindi në një familje hebreje në Pragë. Pas një fëmijerie dhe rinie të vështirë me një baba që atij i dukej shpeshherë i padrejtë dhe i plotfuqishëm, vijnë studimet në degën e juridikut dhe një punë në një shoqëri sigurimesh. Ky ishte thjesht një profesion për të fituar bukën e gojës. Sepse ajo që donte të bënte Kafka ishte thjesht të shkruante. “Kur Gregor Samsa u ngrit një mëngjes pas ëndrrash të shqetësuara, ai e pa veten në krevat të shndërruar në një insekt të frikshëm.”

Kështu fillon tregimi i Kafkës”Metamorfoza” në të cilin Gregor Samsa vazhdon ekzistencën e tij si një insekt, gjithnjë e më shumë i pavlefshëm derisa ai vdes. Një lehtësim për familjen e Samsës. Të errëta, mistike, ireale të duken tregimet e Kafkës.

 

Absurditetin që përshkruan ai Praga e ka përjetuar në vitet e komunizmit

Letërsinë e Kafkës e karakterizon hendeku i madh mes individit dhe shoqërisë, sqaron Tvrdik. Gjithnjë bëhet fjalë për ballafaqimin e një njeriu të vetmuar me ambientin familjar, më nje shoqëri anonime, me një burokraci të pamëshirmshme teknokrate. Edhe punonjësja në biletarinë e muzeut të Kafkës dridhet kur kujton letërsinë e tij: “Vetë i kam lexuar tregimet e tij dhe gjithnjë me një ndjesi tmerri i kam hedhur mënjanë. Me këtë ne nuk jemi ballafaquar ende. Kam përshtypjen se absurditetin që përshkruan ai, ne e kemi përjetuar në vitet e komunizmit.”

 

Por si është e mundur që Kafka është kaq i dashur për turistët?

“Në vitet 90-të pas rënies së Murit. Praga u rizbulua. një qytet, që ende gjendje në errësirë, që mbulohej me lidhjen me Kafkën dhe veprën e tij. Me sa dukej kjo zgjoi interesin për të zbuluar se si jetohej në këtë qytet të largët. Ky është ndoshta një shpjegim për valën e turistëve pas viteve 90-të. Dhe fenomeni “Kafka i pëlqyeshem” është një zbulim i kohës moderne e postmoderne.

Kafka ndërroi jetë në moshën 40 vjeçare nga turbekulozi i mushkërive në Kierling të Austrisë. Por ai nuk do të vdesë kurrë me veprën që kanë lënë pas, thonë studiesit dhe adhuruesit e tij.

dw

G7 synon të përdorë paratë e ngrira ruse në ndihmë të Ukrainës “së shkatërruar”

G7Grupi i Shtatë Vendeve të Industrializuara do të shqyrtojë alternativa për shfrytëzimin e të ardhurave nga pasuritë e ngrira të Rusisë, për të rritur fondet për Ukrainën e shkatërruar nga lufta, thanë të shtunën, ministrat e Financave të G7-ës, por pa dhënë detaje se si do ta bënin këtë.

 

Vendet e G7-ës dhe aleatët ngrinë rreth 300 miliardë pasuri ruse pak kohë pasi Moska nisi agresionin ndaj vendit fqinj në shkurt të vitit 2022.

“Po bëjmë përparime në diskutimet mbi rrugët e mundshme për shfrytëzimin në dobi të Ukrainës të përfitimeve të jashtëzakonshme që rrjedhin nga pasuritë ruse”, tha G7 në përfundim të një takimi dy ditor në veri të Italisë.

Mbështetja financiare për Ukrainën dhe rritja e eksporteve të Kinës ishin dy nga çështjet kryesore në komentet e ministrave të financave, që u mblodhën në qytetin Stresa.

Shtetet e Bashkuara kanë nxitur partnerët e saj të G7-ës, Japoninë, Gjermaninë, Francën, Britaninë, Italinë dhe Kanadanë që të mbështesin një kredi që mund t’i sigurojë Kievit deri në 50 miliardë dollarë në një afat të afërt. Kjo çështje do të diskutohet nga udhëheqësit e G7-ës në takimin e nivelit të lartë në jug të Italisë në mes të qershorit. Megjithatë, formulimi i kujdesshëm i deklaratës, që nuk përmban shifra apo detaje, pasqyron shumë aspekte ligjore dhe teknike të cilat duhet të trajtohen përpara se të jepet një kredi e tillë.

“Nuk jemi ende gati për gjetjen e mekanizmave të qarta, të mëtejshme për të financuar Ukrainën, por për këtë çështje tani do të punohet intensivisht”, u tha gazetarëve ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.

Ministri i Financave të Rusisë, Anton Siluanov paralajmëroi se Rusia do të përgjigjet në mënyrë të ndërsjellë në rast se Perëndimi, përdor në mënyrë të paligjshme, siç u shpreh, ai pasuritë ruse. Qeveria e tij tashmë ka marrë kontrollin e disa bizneseve perëndimore aktive në Rusi.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha se mundësia për një hua për Kievin ishte “alternativa kryesore” që mund të shqyrtojnë udhëheqësit e G7-ës muajin e ardhshëm, por shtoi se “nuk do të përjashtonte mundësi të tjera”.

Negociatorët e G7-ës kanë diskutuar për javë të tëra se si të shfrytëzohen më mirë pasuritë ruse, si llogaritë bankare dhe letrat me vlerë, të cilat janë ngrirë nga institucionet financiare në Evropë. Një marrëveshje e mundshme duhet të firmoset nga të 27 vendet anëtare të BE-së.

Ministrave iu bashkua të shtunën ministri i Financave i Ukrainës, Serhiy Marchenko, ndërsa forcat ukrainase po përpiqen të frenojnë ofensivën ruse në veri dhe në lindje të vendit.

KRITIKAT NDAJ KINES

Rritja e eksporteve të Kinës dhe ajo që ministrat e G7 e quajnë “mbikapaciteti” i saj industrial ishte një çështje kryesore në takimin që u mbajt në Stresa.

“Shprehim shqetësime në lidhje me përdorimin nga Kina të politikave dhe praktikave jo-tregtare që dëmtojnë punëtorët, industritë dhe qëndrueshmërinë ekonomike”, thuhet në deklaratë.

“Ne do të vazhdojmë të mbikëqyrim ndikimet e mundshme negative të mbikapacitetit dhe do të shqyrtojmë marrjen e hapave për të siguruar konkurrencë në kushte të barabarta, në përputhje me parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT)”, theksohej më tej në deklaratë.

voa

Rusia kryen sulme në Kharkiv, Zelenskyy njofton për marrjen në kontroll të disa zonave

ZelenskyySulmet e sotme të Rusisë në rajonin ukrainas të Kharkivit vranë dy persona dhe plagosën afro 30 të tjerë, tha guvernatori i rajonit, Oleh Syniehubov.

 

Gjatë fjalimit të tij të premten, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy tha se forcat ukrainase kishin rimarrë zonat pranë territorit ku patën hyrë forcat ruse gjatë sulmit të papritur në këtë rajon.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve ruse Interfax citoi ministrin e Mbrojtjes së Rusisë të deklaronte se trupat e Moskës kanë marrë nën kontroll zonën Arkhanhelske, në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk.

Po ashtu, sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, forcat ruse po përparojnë në rajonin Kharkiv, pasi kanë zmbrapsur dy kundërsulme të forcave ukrainase.

voa

Kostovicova: Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën nuk e përmend përgjegjësinë kolektive të serbëve

SrebrenicaUdhëheqësia e Serbisë ka arritur që me sukses të përziejë përgjegjësinë kolektive me atë individuale sa u përket krimeve të luftës, ndonëse e dimë që drejtësia ndërkombëtare bazohet në idenë e përgjegjësisë individuale. Kështu thotë Denisa Kostovicova, profesoreshë e politikave globale në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

 

“Në fakt, nëse e lexoni tekstin e rezolutës, aty nuk përmendet përgjegjësia kolektive e asnjë grupi”, ka thënë ajo, duke iu referuar rezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që e njeh 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare për Kujtim të Gjenocidit në Srebrenicë.

Sipas Kostovicovas, Serbia dhe udhëheqësia aktuale serbe e kanë ndërtuar legjitimitetin e tyre në narrativën historike që vë në pikëpyetje, minimizon dhe mohon rolin e tyre në luftërat dhe shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.

“Mohimi i gjenocidit ua mohon dinjitetin viktimave”

 

Radio Evropa e Lirë: Çfarë rëndësie ka miratimi i rezolutës për Srebrenicën nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, fillimisht për viktimat, më të dashurit e tyre, si dhe për të vërtetën dhe drejtësinë, pavarësisht faktit që në votim janë vërejtur dallime të thella?

Denisa Kostovicova: Mendoj që votimi është shumë i rëndësishëm. E shpall 11 Korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë. Ka rëndësi të madhe simbolike. Ka implikime praktike si në rajon, ashtu edhe në botë.

Siç e thatë, e vendos në qendër nevojën e të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave për pranim të aktit. Ajo që ata kanë përjetuar, është krimi më i rëndë në tokën evropiane pas Luftës së Dytë Botërore, kur forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Në këtë drejtim, ne mund të themi se rezoluta është e orientuar në të kaluarën. E njeh të keqen e kryer në të kaluarën. Mirëpo, mendoj se janë edhe disa elementë të rëndësishëm. Rezoluta flet edhe për gjendjen aktuale të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. Mohimi i gjenocidit ndikon në mohim të dinjitetit të viktimave, në fakt ua minimizon vuajtjet.

 

Në këtë pikë rezoluta e prek të tashmen, ndonëse është e orientuar edhe në të ardhmen. Duke bërë thirrje për parandalim të gjenocidit, vihet në pah edhe përgjegjësia e një shteti dhe roli i edukimit, si dhe programeve tjera, për parandalim të mohimit të gjenocidit në të ardhmen. Prandaj, në këtë kontekst, e shoh këtë rezolutë – qartazi të fokusuar në Srebrenicë – si mbështetëse të kulturës së memorializimit dhe që u ofron njerëzve në Srebrenicë një mundësi për të jetuar jetë më të mirë. Pra, viktimat e Srebenicës do të bëhen pjesë e kujtesës globale.

 

Por, mendoj që është e rëndësishme që ta vendosim rezolutën e 23 majit në kontekst më të gjerë global, sepse kjo rezolutë që ka të bëjë me Srebrenicën dhe krijimin e një Dite Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit, ndjek hapat e rezolutave tjera. Shembull është rezoluta që ka inauguruar Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit për gjenocidin në Ruandë.

Kjo rezolutë është shumë e ngjashme në themel, pasi bën thirrje për njohje të viktimave. Natyrisht, ekzistojnë edhe rezoluta të tjera të Kombeve të Bashkuara, shembull ato që përkujtojnë Nakban – zhvendosjen masive me forcë të palestinezëve më 1948. Para saj ka qenë rezoluta tjetër për Ditën Ndërkombëtare për Kujtim të Holokaustit. Po e them këtë, sepse ky hap e shpërfaq një normë globale të memorializimit dhe njohjes së viktimave në skenën globale.

Ndërkohë, është arritur edhe te politizimi i kësaj rezolute. Në Serbi dhe Bosnjën fqinje, sidomos në Republikën Sërpska, është thënë kinse kjo ngjarje i veçon në një mënyrë serbët, e që në fakt kur e shohim në kontekst global, nuk është ashtu.

 

“Serbia po largohet prej Evropës”

Radio Evropa e Lirë: Pse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka qenë aq e ndarë si organizatë botërore? Ajo, në fakt, në ditët e sotme është e ndarë në shumë çështje të tjera të ngjashme. A do të thotë kjo se vendet anëtare janë më të interesuara në interesin e tyre gjeopolitik, sesa në të vërtetën dhe drejtësinë?

Denisa Kostovicova: Do të thosha se në situatën aktuale globale, në kontekst të rritjes së gjeopolitikës, mendoj se Asambleja e Përgjithshme, edhe kur ka të bëjë me çështjet e luftës dhe paqes e drejtësisë, i reflekton këto lloj riorganizimesh tektonike që po ndodhin sot në botë, dhe kjo ka ndodhur edhe në këtë rast. Fakti që ka qenë e ndarë, që nuk ka pasur një vendim unanim, nuk është befasi. Nuk është aspak befasi.

Mirëpo, nëse analizojmë më thellë dhe e vështrojmë këtë riorganizim dhe debatin për miratim të rezolutës së 23 majit, mendoj që Serbia është vënë në pozitë të vështirë, në aspektin politik dhe atë gjeopolitik, sepse Serbia pozicionohet si e distancuar prej normës dhe rregullit evropian, dhe si shtet që është duke e rritur varësinë ndaj Rusisë dhe Kinës. Diçka e tillë e shtyn Serbinë në një pozitë të paqëndrueshme, pasi në të njëjtën kohë është në anën e kundërt të rendit evropian, por, prapëseprapë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe varet aq shumë prej fondeve të bllokut evropian.

 

Koncepti “fantazmë” i serbëve si “komb gjenocidal”

Radio Evropa e Lirë: Ndonëse i pranojnë në përgjithësi mizoritë e tmerrshme që janë kryer në Srebrenicë, shumë në Serbi mohojnë se diçka e tillë përbën gjenocid. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, e kanë quajtur nocionin e gjenocidit në Srebrenicë si të fabrikuar. Dy liderët thonë se rezoluta për gjenocid në Srebrenicë i kthen të gjithë serbët në gjenocidal, ndonëse në dokument nuk përmenden serbët si fajtorë. Pse është udhëheqësia serbe kaq e zemëruar dhe kundër?

Denisa Kostovicova: Janë disa aspekte me rëndësi, fillimisht për mënyrën se si Serbia, apo udhëheqësia serbe e kanë ndërtuar legjitimitetin për narrativën historike në veçanti, e cila e minimizon dhe mohon rolin e Serbisë në shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.

Kjo besoj që është rrënja e kësaj logjike etnocentrike që aplikohet në çështjet e viktimizimit, apo jo? Kur them etnocentrike, e nënkuptoj pozicionin në të cilin thuhet se serbët janë dhe kanë qenë viktimat më të mëdha të këtij konflikti, dhe kjo lidhet shumë me atë që kemi diskutuar dhe ka të bëjë me gjenocidin në Srebenicë.

Prandaj, mendoj që kjo është pjesë shumë e rëndësishme e mohimit të krimeve të kryera prej disa serbëve. Me fjalë të tjera, nuk është bërë asnjë shqyrtim kritik i rolit të serbëve në këto luftëra. Ajo që është problematike këtu është ndërtimi i disa tropeve që po përdoren, dhe ky koncepti që serbët janë komb gjenocidal është koncept fantazmë, që përdoret për të diskredituar gjithë procesin e llogaritjes së dëmeve në të kaluarën si dhe i hap derën politizimit të trashëgimisë së luftës.

Ajo çfarë e bën këtë çështje të komplikuar është që udhëheqësia ka arritur që me sukses të përziejë përgjegjësinë kolektive me atë individuale kur është fjala për krimet e luftës. Ne e dimë që premisa e drejtësisë ndërkombëtare penale ka të bëjë me përgjegjësi individuale. Dhe, në fakt, nëse lexohen tekstet e rezolutave, aty nuk përmendet përgjegjësia kolektive e asnjë grupi. Në këtë drejtim, e kam parë si të zgjuar propozimin e diplomatëve malazezë që kanë propozuar amendamentin që përcakton se fajësia është individuale dhe tregon se ky koncepti fantazmë është politik dhe instrumental, dhe mëton shmangie prej përgjegjësisë.

Ajo çfarë shoh si problematike këtu është që narrativa ekzistuese e bën shumë të vështirë sfidimin e kësaj logjike të përmbysur. Po flas këtu për njerëzit e zakonshëm. Krijohet klimë shumë sfiduese dhe demonstron sa e vështirë është që të adresohen këto çështje kur debatet e lira dhe të arsyeshme janë të mbyllura. E kemi parë që disa parti, përfshirë edhe organizata të shoqërisë civile, organizata për të drejta të njeriut, e kanë veçuar këtë pikë të përgjegjësisë kolektive dhe individuale. Megjithatë, aktualisht këta zëra janë duke u shtypur në Serbi.

 

“Mohimi i gjenocidit për të treguar që të gjithë kanë vuajtur”

Radio Evropa e Lirë: Pse ky dallim në mes të krimeve të luftës dhe gjenocidit ka rëndësi jo vetëm për shumë serbë, por edhe në rastet tjera? Shembull është Turqia kundër përshkrimit të mizorive kundër armenëve, një shekull më parë, si gjenocid, ndonëse pranohet që janë kryer krime të tmerrshme përgjatë Luftës së Dytë Botërore?

Denisa Kostovicova: Sepse një kategorizim i tillë i krimit flet për një lloj specifik të krimit dhe përgjegjësisë. Në atë kontekst, kur e analizojnë kontekstin në Ballkan, aty ekziston ideja e relativizimit të krimeve. Ekziston një vijë e hollë, pasi duke pranuar se një grup mund të ketë kryer ose ka kryer gjenocid, nuk nënkupton që anëtarët e atij grupi nuk ka qenë po ashtu viktima, apo jo?

Por, duke e mohuar gjenocidin tentohet të krijohet mendësia që të gjithë kanë vuajtur njëjtë. Mirëpo, të thuhet që të gjithë kanë vuajtur dhe kanë qenë viktima, të në të dyja anët, nuk nënkuptohet që kanë ekzistuar lloje të ndryshme të krimeve për grupe të ndryshme. Ka pasur shumë përpjekje për të dokumentuar dhe krijuar dokumente zyrtare të krimeve të luftës, që kanë dështuar në rajon. Disa prej tyre janë dokumentuar. Në disa prej tyre në krye të përpjekjeve ka qenë shoqëria civile.

Ajo që mund të nxirret në përfundim është se kjo lloj transparence do të parandalonte instrumentalizimin dhe politizimin e viktimave dhe shifrave të atyre që kanë vdekur në luftë.

 

“Nuk do të ketë pretendime për kompensim”

Radio Evropa e Lirë: Serbia dhe Republika Sërpska pretendojnë se rezoluta e miratuar në OKB për gjenocidin në Srebrenicë mund të çojë në përtëritjen e padisë së Bosnjës kundër Serbisë, përfshirë kërkesën për dëmshpërblim për dëme të luftës. Cilat janë gjasat?

Denisa Kostovicova: Nuk mendoj se ka gjasa. Kjo rezolutë nuk krijon fakte të reja ligjore. Kjo rezolutë shërben për përkujtim dhe ua njeh dinjitetin viktimave.

 

Radio Evropa e Lirë: Ndoshta Vuçiqi dhe politikanë tjerë serbë kanë tentuar që në këtë mënyrë të shmangin përgjegjësinë politike për luftën në vitet ’90, e cila ka rezultuar me shumë mizori, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë. Gjatë proceseve gjyqësore në Hagë, përgjegjësia për krime lufte është individualizuar. Por në ato procese, udhëheqësia serbe është konsideruar përgjegjëse për mosparandalim të gjenocidit në Srebrenicë. A do të mund të hapë diçka e tillë çështjen e përgjegjësisë për këtë gjenocid?

Denisa Kostovicova: Do të përgjigjem thuajse njëjtë. Miratimi i rezolutës nuk është proces ligjor që zbulon fakte të reja. Në fakt, edhe përgjatë debatit, rezoluta u referohet pothuajse të gjitha fakteve ekzistuese. Aktualisht, nuk ka një tribunal ndërkombëtar që do t’i analizonte këto çështje. Në fakt, prej mbylljes së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, çështjet kanë kaluar në legjislaturat e brendshme.

 

“Mohimi i krimeve është burim destabilizimi”

Radio Evropa e Lirë: Ka pretendime në Serbi dhe Republikën Sërpska që diçka e tillë do të rrezikonte pozitën e entitetit boshnjak, përfshirë disa pretendime radikale për shfuqizimin e tij si vepër gjenocidale. Sa realiste janë?

Denisa Kostovicova: Këtu kemi të bëjmë me përmbysje strategjike të narrativave. Ekziston kjo narrativë prej mohuesve të krimeve të luftës që thonë se krimet e luftës krijojnë jostabilitet, dhe kjo është e drejtë, është situatë destabilizuese sepse ata po i mohojnë krimet e luftës. Të jetosh me një krim lufte, që ka trashëgimi kaq të rëndë, nuk është diçka e lehtë në aspektin politik. Prandaj është e rëndësishme që të adresohen, që të adresohen në një mënyrë që përbën rishqyrtim kritik të roleve të palëve të ndryshme në dhënie fund të konfliktit, në njohje të të gjitha viktimave, pavarësisht kush janë dhe prej cilës etni.

 

“Prodhimi i krizave për të ruajtur pushtetin”

Radio Evropa e Lirë: Millorad Dodik, president i Republikës Sërpska ka thënë se Qeveria e tij ka propozuar zyrtarisht ndarjen prej Bosnjës. Nëse tenton ta realizojë këtë, a do të rezultojë me gjakderdhje, jo vetëm në Bosnje, por edhe në rajonin e Ballkanit?

Denisa Kostovicova: Vështirë për t’u përgjigjur. Kjo deklaratë e bërë më 23 maj përputhet shumë me logjikën që dikush varet prej prodhimit të krizave për të ruajtur pushtetin. Pyetja e madhe është se deri në çfarë shkalle mund të prodhohet jostabilitet me shpresën që jostabiliteti nuk do ta çojë rajonin në tjetër drejtim që e rrezikon edhe vetë Dodikun?

Është vijë e hollë që kërkon balancë. Nuk mund të parashikoj çfarë mund të ndodhë, mirëpo e shoh që një lloj i atillë i krizave, dhe abuzimi me kriza, si stil i qeverisjes, është mjaft i dëmshëm.

Janë edhe disa çështje të rëndësishme në marrëdhëniet serbe, të cilat nuk janë adresuar kur janë bërë këto kërcënime dhe hapa radikalë. Nëse Republika Sërpska do të ndahet, a do t’i bashkohet Serbisë? Nëse i bashkohet Serbisë, a do t’i nënshtrohet Republika Sërpska regjimit të Beogradit? Këto tensione potenciale vendosin më pas në dyshim këto lloj kërcënimesh dhe se sa realiste mund të jenë ato.

 

Nacionalizimi si instrument për të larguar vëmendjen prej problemeve reale

Radio Evropa e Lirë: Pse mohimi i gjenocidit është intensifikuar në Serbi me kalimin e kohës, sidomos në 12 vjetët e fundit, prej ardhjes së Vuçiqit në pushtet? A ka të bëjë me kontrollin e narrativës për historinë, apo me politika ditore, sikurse përhapja e ndikimit të Serbisë në rajon, e ashtuquajtura Bota Serbe, pasi Serbia, siç e thatë në fillim të intervistës, insiston që serbët kanë qenë viktimat më të mëdha të rënies së Jugosllavisë?

Denisa Kostovicova: Po, ke të drejtë. Mund të vërehet që sa më larg që shkohet në luftërat e së kaluarës, aq më të pranishme janë ato në të tashmen. Por, kjo ka të bëjë edhe me instrumentalizim, shfrytëzim dhe abuzim të viktimave, duke i njohur ata, në disa ditë edhe duke i përkujtuar në nivel lokal, por i duke harruar dëmshpërblimet për ta. Kjo, në njëfarë mënyre ka krijuar këtë trashëgimi nacionaliste ku e mban regjimi njërën dorë. Në anën tjetër, diçka kësisoj shërben si instrument për të shpërqendruar vëmendjen prej problemeve që ka Serbia në qeverisje, përparim ekonomik dhe integrime evropiane. Sa më shumë që kalohet kohë në këto çështje, aq më pak kohë mbetet për zgjidhje të problemeve reale, siç është korrupsioni.

 

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, Vuçiq e ka përmendur se mund të bashkësponsorojë një rezolutë për gjenocid kundër popullit sovjetik, derisa Qeveria e Malit të Zi është duke shqyrtuar mundësinë e propozimit të një rezolute për gjenocidin në Jasenovac gjatë Luftës së Dytë Botërore. A është një lloj gare që mund t’i bëjë të pavlera rastet e gjenocidit, në vend që të shërbejë për respektim të viktimave?

Denisa Kostovicova: Absolutisht. Është një lloj gare, që nuk do të jetë e rëndësishme askund përveç kontekstit mikrorajonal, në politikën e brendshme serbe, me logjikën e njëjtë të shpërqendrimit prej temave të rëndësishme.

 

Rezistenca e narrativave liberale në Serbi

Radio Evropa e Lirë: Si do të mund të ndikojë rezoluta e OKB-së në dinamikën e Ballkanit, në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë?

Denisa Kostovicova: Është pyetje e mirë dhe e vështirë. Në njërën anë i kemi parë të gjitha këto dinamika ku mohimi i krimeve të luftës krijon shumë përçarje. Por në anën tjetër, kemi edhe forca tjera në rajon që e kundërshtojnë këtë qasje. Është e rëndësishme të cekim se, pavarësisht kontrollit që ka regjimi serb mbi mediat, ai prapëseprapë nuk ka arritur ta bëjë këtë mohim si narrativë të përgjithshme.

Ekzistojnë grupe, grupe të shoqërisë civile, madje edhe parti që kundërshtojnë këto narrativa. Në parim ata po i formulojnë ato, apo jo? Ato flasin për një Serbi që do të marrë përgjegjësi, në aspektin e adoptimit të vlerave të Perëndimit. Është interesante të shohim cili do të jetë rezultati në të ardhmen. Një skenar i errët është që këta zëra alternativë të margjinalizohen plotësisht, mirëpo qëndrueshmëria e tyre është për lavdatë, madje edhe vetë ekzistenca e tyre.

Në lidhje me Srebrenicën, por edhe me shkeljet tjera të të drejtave të njeriut dhe me krimet tjera të luftës që janë kryer, qasja e Serbisë na jep një lloj shembulli për atë që po vëzhgojmë edhe në Ukrainë, në kontekstin aktual të luftës, por edhe në kontekstin e luftës në Gazë, që ndonëse ekziston një proces gjyqësor në gjykata penale, jetojmë në një kohë kur është shumë e lehtë që të kontestohen dhe diskreditohen faktet.

Dhe, kjo besoj që është sfida më e madhe. Kjo është ndër sfidat më të mëdha për pajtim, për përmirësim të marrëdhënieve që prishen aq shpejt dhe brutalisht prej luftërave.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Rivotimi në Maqedoninë e Veriut, koalicioni Vlen fiton një vend në parlament

deputetetPas përsëritjes së votimeve të mërkurën në shtatë qendra në zonat zgjedhore numër 5 dhe 6 në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe koalicioni Fronti Evropian humbi një vend deputeti, ndërsa koalicioni Vlen fitoi një vend më tepër në parlament.

OBRM-PDUKM ka 58 deputetë,

LSDM 18

BDI 18,

VLEN 14,

“E Majta” 6 dhe

ZNAM 6.

Rivotimi në fshatin Llërcë të komunës së Zhelinës pranë Tetovës rezultoi në fitoren e koalicionit Vlen, duke e çuar në 14 numrin e ligjvënësve të këtij koalicioni të partive shqiptare. Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim me koalicionin e tij do të ketë një deputet më pak, përkatësisht 18, aq sa ka dhe Lidhja Social Demokrate dhe nuk mund të quhet më forca e dytë politike në vend.

Në zonën e pestë, që përfshin Ohrin, Strugën, Krushevën dhe vendbanime të tjera u rivotua në gjashtë qendra, por rezultati mbetet i njejtë, pa ndryshime në numrin e deputetëtve. Por këto nuk janë rezultate përfundimtare për shkak se mund të ketë akesa nga palët e përfshira në procesin e rivotimit.

Votimi u përsërit në shtatë qendra votimi të zonave 5 dhe 6 në perëndim dhe jugperëndim të vendit pas ankesave të koalicionit Vlen, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe partisë “E Majta” për parregullsi në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

BDI-ja dhe Fronti Evropian e kanë cilësuar vendimin për rivotimin si një skenar i përbashkët i të gjitha partive dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për ta devijuar vullnetin e popullit dhe shkelur legjitimitetin e dalë nga pocesi i votimit më 8 maj.

Ndërkaq, “Vlen” dhe VMRO akuzuan BDI-në për blerje votash, për trysni dhe shantazhe ndaj votuesve në zgjedhjet e para dy javëve.

VMRO dhe “Vlen”, sipas pritjeve, mund të pajtohen deri në fund të javës për ndarjen e ministrive dhe posteve të tjera qeveritare dhe për programin e kabinetit qeveritar të drejtuar nga Hristijan Mickovski. Por, këto parti nuk kanë shpjeguar qëndrimin lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese për të futur pakicën bullgare, që paraqet kusht për ecjen e vendit drejt Bashkimit Evropian. Zoti Mickovski ka përsëritur shprehjen se qeveria e tij nuk do të veprojë sipas “diktatit bullgar”.

Nga ana tjetër, në Shkup ka shqetësime nga mundësia e izolimit të vendit sa i takon procesit të integrimit evropian, nëse nuk respektohen marrëveshjet ndërkombëtare me Greqinë dhe Bullgarinë.

voa

Detajet e projektit hekurudhor Durrës – Prishtinë që do të mbështetet nga Britania

hekurudha durres prishtineNdërsa Britania e Madhe do të ofrojë mbështetje për projektin e hekurudhës Durrës – Prishtinë, Shqipëria dhe Kosova kanë deklaruar se kjo linjë përfaqëson një projekt strategjik shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

 

Projekti nis me portin e ri të Durrësit, që do të ndërtohet në Porto Romano dhe do të ketë si pikë fundore portin e thatë në Prishtinë.

Ideja për ndërtimin e një linje hekurudhore që lidh Shqipërinë me Kosovën ka nisur shumë vite më parë, por gjatë vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor. Ai u finalizua në mbledhjen e të dy qeverive në Prishtinë, në 20 Qershor 2022, duke i hapur rrugë zbatimit të projektit.

Në nëntor të vitit që shkoi Hekurudha Shqiptare shpalli konsorciumin fitues, që do të hartojë studimin e fizibilitetit, që do të shërbejë më pas për tenderimin dhe zbatimin e projektit. Afati për përfundimin e dokumentit është 14 muaj nga nënshkrimi i kontratës, çka do të thotë se ai do të mund të dorëzohet gjatë vitit 2025.

Ndërkaq, ndonëse studimi i fizibilitetit nuk ka përfunduar, qeveria shqiptare dhe ajo kosovare kanë deklaruar se e pëlqyeshme është  gjurma që nis në Portin e ri të Durrsit në Porto Romano, vazhdon drejt Shkodrës, Gjakovës e përfundon në Prishtinë. Paralelisht, në mars të këtij viti u bënë edhe ndryshimet buxhetore, me qëllim financimin e portit tregtar në Porto Romano.

Fillimisht, u deklarua se porti do të ndërothej përmes partneritetit publik – privat, por më pas u vendos ndërtimi me fonde buxhetore. Shkak për këto ndryshime sipas qeverisë është fakti se zona do të jetë jo vetëm tregtare, por edhe militare dhe se ky investim është pjesë e angazhimit të Shqipërisë si anëtare e NATO-S. Për këtë vepër portuale janë akorduar 9.88 mld lekë, ndërsa parashikohet mbështetje buxhetore me 14.7 mld lekë për vitet buxhetore 2025 dhe 2026.

/ rtsh.al /