Shpëtim Gjika dënohet me 4 vjet burg, i konvertohet në shërbim prove

gjikaGjykata ka dënuar me katër vjet burg ish -kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikën, dënim ky që do konvertohet në dy vite shërbim prove.

Gjika akuzohet nga prokuroria per vepren penale te “falsifikimit te dokumentave zyrtare” e kryer sipas organit te akuzes ne dy raste dhe ne bashkëpunim.

Ai gjithashtu nuk do të ketë të drejtën e ushtrimit të funksioneve publike për tre vjet. Ndërsa biznesmeni Artur Harxhi u denua me 3 vjet burg për klasifikim dokumentesh.

/ Top Channel

Vuçiq kundërthënës, debat për njohje apo ndarje të Kosovës?

VuciqPërmes ftesës për një dialog të brendshëm në Serbi për Kosovën, të cilën e ka bërë kryetari serb Aleksandar Vuçiq, ky i fundit po përpiqet të marrë mbi vete obligimin historik dhe politik, që çështjen e Kosovës ta zgjidhë në interes të dy popujve, shqiptar dhe serb, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, po ashtu shqiptarë dhe serbë. Ndonëse nismën e Vuçiqit ata e shohin si pozitive, për faktin se opinioni në Serbi do të duhej të ballafaqohej me realitetin aktual, megjithatë, vlerësojnë se ky veprim i Vuçiqit është mjaft i vonuar.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se presidenti serb Vuçiq nuk është i obliguar detyrimisht që ta hapë një dialog të brendshëm në Serbi për Kosovën, për shkak se sipas tij, nuk ka asnjë sinjal se ka marrë ndonjë premtim nga Bashkimi Evropian se mund të përfitojë nga kjo. Siç thotë Tahiri, nëse dialogu në Serbi për Kosovën do t’i qasej fakteve reale, atëherë presidenti serb do të arrinte në situatën që do ta pranonte pavarësinë e Kosovës dhe Dokumentin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e vendit.

Do ta njoh pakon e Ahtisaarit, si dokument ndërkombëtar dhe mbi Kushtetutën e Kosovës, si dokument themelor për të drejtat e serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë, si dhe do të zhvillojë marrëdhënie normale me Kosovën, si shtet fqinj. Nuk shpresoj që do të ketë rivlerësim të marrëdhënieve dhe as shkëmbim të territoreve dhe as marrëveshje të re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do ta shkelte ose nuk do ta respektonte Pakon e Ahtisaarit”, thotë Tahiri.

Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se është mirë që presidenti serb Vuçiq, ndonëse vonë, më në fund është kujtuar të hapë një dialog të tillë të brendshëm në Serbi. Megjithatë, sipas tij, ideja e Vuçiqit, përveç në strukturat e pushtetit, nuk ka ndonjë mbështetje entuziaste te opozita, por as te institucionet tjera, sikurse Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe. Kjo, sipas tij, për faktin se janë humbur mjaft raste deri më tash që të arrihet një zgjidhje, përfshirë edhe dokumentin e Ahtisaarit.

Të gjitha këto nxisin dyshime tek të gjithë faktorët politik dhe tek ata të cilët i fton Vuçiqi për dialog dhe të bisedojnë lidhur me këtë çështje. Mendoj se ky është tentim që zoti Vuçiq ta bartë përgjegjësinë edhe tek disa të tjerë dhe mendoj se ai është krejtësisht i vetëdijshëm për një situatë të tillë”, tha Nojkiq.

Por, a përmbajnë deklaratat e Vuçiqit dhënë medieve serbe lidhur me dialogun e brendshëm në Serbi për Kosovën, pretendime për ndonjë ndarje eventuale ose shkëmbim territoresh?

Në një shkrim autorial për një media të Beogradit, Vuçiq ka thënë se “duhet provuar që të jemi real dhe të mos lejojmë që të humbasim ose dikujt t’ia dorëzojmë atë që kemi, por edhe të mos presim se do të na kthehet në dorë ajo që e kemi humbur kaherë”.

Politologu Tahiri vlerëson se Vuçiq ka shprehur bindjen se duhet respektuar realiteti pa zgjidhje të imponuara.

Pikërisht, duke e respektuar realitetin, realiteti është ky që Kosova është shtet i pavarur, pa ndryshim të kufijsh dhe pa këmbim territoresh. Unë mendoj se ky do të jetë vizioni dhe ky do të jetë mësimi i Vuçiqit. Por, këtë duhet ta imponojë në Serbi, në diskutim me faktorët e Serbisë dhe të shpresojmë që kjo do të jetë edhe platforma përfundimtare e popullit serb dhe e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, si dhe për raportet me popullin shqiptar në Ballkan”.

Ndërkaq, Nojkiq, i quan kundërthënëse dhe pa bazë reale deklaratat e Vuçiqit.

Këto janë konstatime krejtësisht kundërthënëse, në njërën anë ‘nuk do ta japim’, e në anën tjetër ‘nuk mund ta kemi atë që e kemi humbur’. E shoh se po insistohet mjaft për këtë ndarje. Por, ndarja është krejtësisht e papranueshme në këto kushte, sepse, para së gjithash, unë jam krejtësisht i sigurt që një konstatim i tillë nuk e ka pajtimin dhe mbështetjen e asnjë anëtari të bashkësisë ndërkombëtare, që janë mjaft të rëndësishme. Ai vetëm po lason balona provues në mënyrë që ta shohë se në cilin drejtim do t’i orientoj bisedimet”, tha Nojkiq.

Sidoqoftë, dialogu i brendshëm i Serbisë për Kosovën, sipas njohësve të zhvillimeve politike është çështje vetëm e Serbisë. Ndërkaq, sipas tyre, Kosova duhet ta presë vetëm rezultatin e këtij dialogu, cila do të jetë platforma që do të dalë nga ky dialog dhe kush do të jetë pjesë e saj dhe përballë kësaj ta ndërtojë qëndrimin e saj. (rel)

Partitë në Maqedoni, përplasje për borxhin e lartë publik

GruevskiDerisa Qeveria e kryeministrit, Zoran Zaev pretendon se po punon për uljen e borxhit publik të vendit, që sipas saj ka arritur në shifrat më të larta që nga pavarësia e Maqedonisë, opozita nga ana tjetër akuzon ekzekutivin e ri se po e fut shtetin në borxhe të reja.

Të dhënat e fundit të Entit të Statistikës tregojnë se borxhi publik sillet në rreth 5 miliardë euro, apo mbi 50 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Nga Ministria e Financave kanë konfirmuar marrjen e borxheve të reja, por edhe shlyerjen e borxheve të vjetra, dhe se rezultati sipas saj, është në favor të shlyerjes së borxhit prej disa dhjetëra milionë euro.

Por, sipas VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevskime rishikimin e buxhetit për të cilin po debatohet për më shumë se një javë në Kuvend, parashihet marrja e një borxhi të ri prej 150 milionë euro. Nga kjo parti, gjithashtu e vlerësojnë si gënjeshtër vlerësimin e Qeverisë së Zaevit, se kanë zbuluar një borxh të fshehur prej më se 1 miliard euro, gjë që sipas saj nuk qëndron, meqë bëhet fjalë për tentim nga ana e Qeverisë për shpërndarjen e borxhit nëpër ndërmarrje publike dhe institucione tjera në nivelin lokal, dhe për ta prezantuar pastaj si borxh të pa faturuar.

Për atë se sa e suksesshme do të jetë Qeveria e re, po shihet që në fillim të punës së saj. Nëse në fillim nuk vendosen politikat dhe strategjitë se në çfarë drejtimi do ta çoni vendin, do të jetë e kotë. Qeveria e re po rrënon gjithçka që është ngritur nga Qeveria e kaluar, e cila kishte marrë mirënjohje të shumta nga institucione ndërkombëtare për mënyrën se si po e drejtonte vendin. Me rishikimin e këtij buxheti dhe shkurtimet prej qindra miliona euro, kjo Qeveri po dëshmon se interes parësor nuk ka ekonominë, por punësimet partiake. Borxhet e përditshme po dëshmojnë se ajo do të rrënojë atë që është ngritur viteve të fundit”, ka dekluar Liljana Zaturoska, deputete e VMRO-së.

Nga LSDM-ja në pushtet thonë se më së paku për çështje borxhi mund të flet VMRO-ja, e cila sipas saj ka futur në borxh çdo qytetar të Maqedonisë në vlerë prej rreth 2 mijë euro. Ministri i Financave, Dragan Tevdoski së fundi ka zbuluar një borxh të ri, që sipas tij, shteti i ka shfrytëzuesve buxhetorë.

Shuma e obligimeve të papaguara deri më 31 maj të vitit 2017, arrin në 22 miliardë denarë apo 363 milionë euro. Borxhet kanë të bëjnë me ndërmarrjet publike, fondet dhe komunat. Ministria do të shqyrtojë me kujdes të dhënat dhe më pas do të hartojë strategjinë se si do të përballet me këtë borxh”, ka deklaruar Tevdovski.

Njohësit e çështjeve ekonomike, thotë se është iluzion të mendohet se Qeveria do të funksionojë pa borxhe, por se më rëndësi sipas tyre është transparenca dhe dedikimi i borxheve apo shpenzimi i tyre për projekte kapitale.

Normalisht se deklaratat politike që vijnë kryesisht nga VMRO-ja, kanë për qëllim që të jenë aktual pas humbjes së pushtetit, por vlerësoj se një shenjë pozitive e kësaj Qeverie është se huat e reja janë më transparente në projektimin dhe harxhimin e tyre. Ne gjithmonë kemi thënë se marrja e huave duhet të shkojë në projekte kapitale dhe projekte produktive. Qeveria po jep sinjalet e para se pikërisht në këto projekte do t’i adresojnë huat dhe ne duhet të presim dhe të shohin se do a do vazhdojnë me këtë ritëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Bytyçi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. (rel)

Policia në Maqedoni në kërkim të dy agjentëve të zbulimit

goran grujevskiIsh-shefi i Drejtorisë së Pestë për Siguri dhe Kundër-Zbulim i Maqedonisë, Goran Grujevski (foto arkivi).

Policia në Maqedoni është vënë në kërkim të ish-shefit të Drejtorisë së Pestë për Siguri dhe Kundër-Zbulim, Goran Grujevski, dhe agjentit të zbulimit, Nikolla Boshkovski, pasi gjykata ka lëshuar të mërkurën urdhër për arrestimin e tyre.

Sipas njoftimeve të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, Grujevski dhe Boshkovski nuk janë gjetur ende, ndërsa policia vazhdon të kontrollojë terrenin pranë shtëpive të tyre dhe disa lokacione të tjera.

Goran Grujevski akuzohet se ka marrë pjesë në një përgjim të paligjshëm masiv në Maqedoni, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Drejtoria e Pestë për Siguri dhe Kundër-Zbulim, në krye të së cilës ka qenë Grujevski, është përgjegjëse për monitorim të komunikimeve dhe, sipas Prokorurisë Speciale, ajo ka përgjuar paligjshëm zyrtarë, politikanë, gazetarë, diplomatë të huaj dhe mijëra qytetarë të tjerë nga viti 2008 deri më 2015.

Boshkovski akuzohet për të njëjtin rast.

Nuk ka ende informacione nëse Grujevski dhe Boshkovski kanë ikur nga shteti. (rel)

Milionerët e PD-së para popullit

Grupi anti-Basha i të mbeturve jashtë liste do të zhvillojë ditën e premte një takim live në Tiranë nga ku do t’i bëjnë thirrje demokratëve të bojkotojnë votimin për kryetar që do të zhvillohet të shtunën. Në këtë tubim ata do të flasin për të mirën e popullit, për të mirën e demokratëve, për standartet e demokracisë, për ndershmërinë në politikë duke u mburrur edhe me kontributin dhe sakrificat që ata kanë bërë në gjirin e PD për shumë vite.

Kjo do jetë farsa më e madhe e kësaj dekade: disa politikanët më të pasur të të githa kohërave do t’i flasin popullit për ndershmëri dhe demokraci. Po të vlerësosh pasuritë e rreth 30 personave kryesorë të grupit të të mbeturave jashtë liste, kupton se pasuria e tyre e përbashkët i kalon 100 milionë euro. Të gjitha të vëna me  korrupsion duke abuzuar me pushtetin që PD u dha dhe që ata e molën deri në pikën e fundit. Ato që duken nga pasuria e tyre si vila të shtrenjta, makina luksoze, fëmijë që studiojnë në shkollat më të shtrenjta të botës, veshje milionerësh, pushime sheikësh janë vetëm maja e asbergut e pasurive të këtij grupi milionerësh të korruptuar.

Kështu Ridvan Bode, i cili referohet shpesh në rrethet e elitës së Tiranës si “Ridvani ka aq shumë sa nuk e di ku i ka” është më i pasuri i të gjithë grupit jashtëlistor. Ish drejtor i doganave për dy vjet dhe ish ministër i financave për 10 vjet, Bode është një nga politikanët më të pasur Shqipëri. Bode është njeriu që u hapi dyert e doganave dhe rrugët e kontrabandës dhe evazionit tregtarëve më të mëdhenj në Shqipëri, njeriu që dha koncesione korruptive nga skanimi në dogana tek markimi i karburanteve, njeriu që i mbushi doganat me bashkëfshatarët e tij të cilët i paguanin të gjithë haracin Ridvanit. Vetëm pasuria që Ridvani ka deklaruar zyrtarisht është rreth 1,7 milionë euro. Prokuroria e hetoi para dy vjetësh Boden sepse ai nuk justfikonte 1,5 milionë euro të pasurive të deklaruara zyrtarisht nga ai vetë. Por pasuria reale e Bodes vlerësohet mbi 13 milionë euro, e përbërë nga miliona euro në parajsa fiskale, në dhjetra apartamente dhe pronësi të fshehur në kompani të ndryshme.

Genc Ruli është pioner i korrupsionit në Shqipëri, i hetuar dhe shkarkuar nga ministër në vitin 1993 për korrupsion për eksport kontrabandë mallrash të ndaluara. Është politikani i parë që u mor me biznes në tranzicion se hapi një fabrikë tullash në Vorë që e vuri në emër të kushëririt. Kur PD ishte në opozitë për tetë vjet ju lëpi dhe përfitoi nga të gjitha qeveritë socialiste duke qënë këshilltar dhe mbështetës i Fatos Nanos dhe Edi Ramës. U rifut në PD nga Berisha më 2005 kundër dëshirës së demokratëve dhe u bë katër vjet ministër ekonomie dhe katër të tjera ministër bujqësie. Ruli merrte përqindje për çdo kontratë që nënshkruante dhe ka marrë shuma përrallore si ministri përgjegjës për të gjitha koncesionet dhe privatizimet. Vetëm nga rinovimi i paligjshëm i kontratës së kocensionit të minierës së Bulqizës mori disa milionë euro bakshish. Pasuria e Rulit mendohet që i kalon 10 milionë euro.

Astrit Patozi ka treguar një aftësi të madhe që është bërë multimilioner pa qënë asnjë ditë në ekzekutiv. Por Patozi ka qënë i ngarkuari i Berishës për zonën e jugut nga Vlora në Sarandë dhe ka qënë personi që bënte të gjitha emërimet në doganë, në tatime, në hipoteka dhe në çdo vend tjetër në administratë për këto zona. Me këtë pushtet u ëprfshi në shumë afera pronash në bregdetin e jugut dhe u përfshirë në një sërë biznesesh në zonën e Vorës. Ndër gjithë grupin 100 milionësh Patozi ka dallimin që ka makinën më të shtrenjtë dhe më të vecantë, një Maybach prodhim i Mercedesit çmimi i të cilit fillon me 180 mijë euro. Pasuria e Patozit vlerësohet në të paktën 3 milionë euro.

Jozefina Topalli gjatë pushtetit të PD-së ka qënë administratorja e Shkodrës. Çdo gjë në zonën e Shkodrës vendosej prej saj. Topalli ka trashëguar shumë prona të cilat i mori të gjitha gjatë qeverisjes së PD. Ka patur përfitime të tjera në ndërtime dhe biznese të tjera. Përfitimi i saj kryesor ka qënë favorizimi për pronat e saj, prandaj është e vështirë të vlerësohet pasuria e vënë në mënyrë të paligjshme prej saj.

Majlinda Bregu është bërë disa herë qesharake në publik për të justifikuar luksin e saj. Në çantë 5 mijë euro me të cilën u fotografua e justifikoi publikisht se ishte fallco dhe nuk kushtonte fare, kurse makinën 120 mijë euroshe Jaguar u justifikoi se e kishte blerë për pak mijë euro të përdorur. Bregu është përfolur se merrte 30 përqind të të gjitha projekteve të ndihmës së BE që financonte ministria e integrimit ku ajo shërbeu mbi 7 vjet si ministre. Ndërkohë që kunati i saj trafikant i dënuar droge në Itali ka ndërtuar në Shqipëri një perandori biznesesh nga të cilat kunata Bregu ka përfituar duke i afruar kunatit mbështetje dhe mbrojtje. Pasuria e saj është të paktën 4 milionë euro.

Kush lexon deklarimin e pasurisë së Arben Imamit mund të besoj që ai është pronar i ndonjë zyre imobiliare dhe jo politikan prej 27 vjetësh aq shumë lëvizje blerje e shitje shtëpish ka bërë për të justifikuar pasuritë e paligjshme që ka vënë gjatë kohës që ka qënë ministër i mbrojtjes. Imami u bë i famshëm se edhe pronarëve legjitimë nuk ja u kthente pronat e zaptuara nga repartet e rrënuara ushtarake pa marrë 30-40 përqind si pjesë. Imami luftoi 12 vjet kundër PD-së dhe ishte pjesë e qeverive socialiste ku shërbeu disa herë si ministër. Në vitin 2005 Berisha e riktheu në PD kundër dëshirës së militantëve demokratë të ciëlt e urrenin. Berisha e mbajti të fshehur ndaj militantëve katër vjet si shef kabineti dhe pastaj e nxori në skenë si ministër mbrojtjeje. Si ministër   korruptua në çdo gjë që bëri që nga nafta e makinave të ushtrisë dhe reklamat televizive tek privatizimi i pronave ushtarake. Pasuria e tij mendohet se i kalon 2,5 milionë euro.

Genti Malko është ndoshta më i zoti nga të gjithë grupi i të korruptuarve të PD. Jo për nga  madhësia e pasurisë së vënë me korrupsion por nga shpejtësia dhe shkathtësia me të cilën e vuri atë. Malko ka qënë vetëm dy vjet drejtor i agjencisë së kthimit të pronave për qarkun e Tiranës por vuri në këtë periudhë një pasuri që mund të krahasohet me atë të ministrave shumvjeçarë të PD. Vetëm vila e tij në kompleksin lluksoz Rolling Hills ka kushtuar rreth 1 milionë euro. Ndërkohë, që Malko njihet për pasionin e tij të çmëndur për makina të shtrenjta. Ka të paktën 3 makina mbi 100 mijë euroshe mes të cilave një Mercedes sportiv me vlerë mbi 150 mijë euro. Pasuria e tij mendohet të jetë rreth 2 milionë euro.

Zana Guxholli njihet si këshilltarja më e korruptuar që ka pasur ndonjëherë ndonjë kryeministër. E pafytyrë dhe e pangopur ajo ka shitur aksesin tek Berisha dhe ndikimine tij tek biznesmenët që kërkonin leje, licensa e favore. U përfshi në 2009 në një skandal koncesionesh me firmën Interenergo. Guxholli u komentua gjatë në qarqet elitare të tiranës para dy vjetësh pasi i vodhën shtëpinë ku i morën rreth 300 mijë euro kesh që mbante në shtëpi, por që nuk e denonoci dot në polici se nuk kishte asnjë justifikim për burimin e parave. pasuria e saj vlerësohet të paktën 1,5 milionë euro.

Një tjetër jashtëlistor është ish deputeti dhe drejtori i Aluiznit Adrian Kollozi i njohur si ortaku i Patozit në bixhoz dhe biznese është gjithashtu milioner. Ish deputeti Igli Cara gjithashtu milioner ka qënë praktikisht administrator i Durrësit gjatë qeverisjes së PD-së dhe ka peërfituar nga porti tek tatimet e doganat e Durrësit.

Lista e jashtëlistorëve të korruptuar është e gjatë. Faktikisht me pak përjashtime, i gjithë grupimi jashtëlistor përbëhet nga njerëz që dje e molën qeverisjen e PD dhe sot kanë vendosur të dalin para popullit për nder e drejtësi. (Gazeta Impakt / AB)

Turqia blen sistemin raketor rus S-400

erdogan1Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia ka rënë dakord të blejë sistemin rus të raketave S-400, pavarësisht nga shqetësimet e NATO-s. Blerja vjen ndërkohë që Ankaraja përpiqet ta afrojë Moskën, pas rrëzimit nga Turqia të një bombarduesi rus në vitin 2015.

“Tani kemi ndërmarrë hapa me Rusinë për këtë blerje. Marrëveshjet janë nënshkruar,” u tha zoti Erdogan deputetëve të tij. “Me vullnetin e Perëndisë, do të shohim ardhjen e raketave S-400 në vendin tonë dhe do të vazhdojmë pastaj me prodhimin e përbashkët,” tha Presidenti turk.

Zoti Erdogan u përpoq ndërkohë të zbutë shqetësimet e partnerëve të tij të NATO-s, “Përse do të shkaktojë kjo tensione? Një vend duhet të jetë në kërkim të mënyrave ideale për sigurinë e vet,” tha ai.

Ankaraja ka mosmarrëveshje me aleatët e saj perëndimorë lidhur me mbështetjen që ata u japin grupeve siriane kurde që luftojnë kundër Shtetit Islamik, grupe që shihen si terroriste nga Turqia. Një çështje tjetër janë kritikat perëndimore në rritje ndaj Turqisë mbi të drejtat e njeriut.

Partnerët e Ankarasë në NATO kanë shprehur shqetësim rreth përputhshmërisë së sistemit raketor rus me teknologjinë e Aleancës, së bashku me frikën se Moska mund të përdorë sistemin S-400 si një kalë troje për të kompromentuar sistemet e NATO-s.

Kjo çështje pritet të shtojë pikëpyetjet rreth besnikërisë së Ankarasë.

Zaur Gasimov, analist i në Fondacionin Max Webber që merret me marrëdhëniet ruso-turke, thotë se blerja e sistemit S-400 është një hap i kushtueshëm i palës turke për të demonstruar sovranitetin e saj dhe një sinjal për SHBA, BE dhe Gjermaninë. “Duke blerë sistemin S-400, Ankaraja tregon se është e gatshme të afrohet më shumë me Moskën”, thotë analisti.

Ankaraja këmbëngul se sistemi raketor prej 2.4 miliardë dollarësh, i cili njihet si një nga më të efektshmit në treg, përfaqëson çmimin më të ulët në treg. Shitja mbështetet me angazhimin e Rusisë për të transferuar edhe teknologjinë, që gjithashtu është një përparësi e qeverisë turke.

Por, pas blerjes së raketave, qëndrojnë ndoshta arsye të tjera, jo thjesht nevojat për mbrojtje. Ankaraja po përpiqet të bindë Moskën për t’i dhënë fund të gjitha sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Turqisë pas rrëzimit të avionit rus.

Disa nga këto sanksione janë reduktuar pas një sërë takimesh midis Presidentit Erdogan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin. (voa)

Tragjedia në Gostivar, djali dhe babai vdiqën nga kafshimi i rriqrave

riqraNjë tragjedi e rëndë familjare ka ndodhur në një familje shqiptare në fshatin Simnicë të Gostivarit. Të hënën, ndërroi jetë babai ndërsa sot djali i tij 24 vjeçar. Vdekja e 24 vjeçarit M.M, jo zyrtarisht dhe sipas informatave të para që dalin nga Spitali i Gositivarit ka ndodhur si pasojë e kafshimit nga rriqrat. Drejtori i Spitalit të Gostivarit, Ylber Ademi konfirmoi për Globi se pacienti ishte pranuar dje në Spital dhe pas terapisë fillestare është hospitalizuar në Klinikën Infektive të Shkupit. Ademi deklaron që pacienti ishte pranuar me simptoma të etheve, temperaturës së lartë dhe barkëqitjes. Informacioni pritet të konfirmohet pas kryerjes së analizave, ndërkaq, kamerat e televizionit Globi në vendgjarje regjistruan momentin kur edhe një banor i Gostivarit me simptoma të njejta pas pranimit në Spitalin e Gostivarit, u transferua në Klinikat e Shkupit. Drejtori Ademi njoftoi që stafi mjekësor është alarmuar rreth rasteve të fundit dhe janë bërë përgatitje dhe shtim të kapaciteteve në reprartin infektiv dhe repartin e urgjencës. Stafi mjekësor është në gatishmëri për çdo rast eventual që mund të paraqitet. (ina)

Kurti: Kam përkrahjen e ambasadorëve për Qeverinë

Albin_KurtiPresidenti Hashim Thaçi nuk guxon ta shfrytëzojë postin e tij për të “luajtur” me vullnetin e popullit dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Nëse PAN-i dështon ta bëjë Qeverinë, ai duhet t’ia japë shansin lëvizjes “Vetëvendosje” për krijimin e institucioneve të reja.

Sipas Kurtit, përmes zgjedhjeve të fundit populli tregoi se e do një qeverisje nga LVV-ja, mbështetjen ndaj së cilës e kanë konfirmuar edhe ambasadat kryesore të huaja në Prishtinë. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të qeveriset nga PAN-i, i varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e ku rreziqet do të ishin të paditura dhe të papritura.

Megjithatë, kandidati i lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër thotë se kjo do të ndodhte vetëm përkohësisht, sepse “Vetëvendosja” tani ka fuqi të mjaftueshme për ta ndalur “PDK-në e vogël”, siç e quan ai dhe për t’u bërë gati për zgjedhje të shpejta. E nëse do të kishte sërish zgjedhje të reja, sipas Kurtit, “Vetëvendosja” do të dilte me mbi 40 deputetë.

“Këtë e dinë edhe subjektet e tjera, prandaj po përpiqen medoemos të shmangin përsëritjen e zgjedhjeve”, ka thënë ai. Më tej, Kurti ka thënë se aktualisht Kosova i ka vetëm dy opsione. “Të lejohet udhëheqja e PDK-së dhe SHIK-u që ta vazhdojnë plaçkitjen dhe kapjen e shtetit, apo të ndalet përfundimisht kjo gjë, me një qeverisje të Lëvizjes që do të punonte për krijimin e shtetit të së drejtës”, ka thënë ai.

Zëri: Zotëri Kurti, është e pashmangshme pyetja në fillim të kësaj interviste rreth rezultatit zgjedhor të 11 qershorit. Ju keni dalë politikani më i votuar ndërkaq lëvizja “Vetëvendosje” është votuar si partia më e madhe në vend. Çka nënkupton kjo për ju?

Kurti: Kjo për mua nënkupton atë që nënkupton për të gjithë popullin. Edhe ata që më kanë votuar e që kanë votuar lëvizjen “Vetëvendosje”, e kanë bërë këtë sepse dëshirojnë ndryshim të madh e të prekshëm, por edhe ne që e kemi kërkuar votën e tyre e kemi kërkuar gjithnjë duke bërë të qartë se për çfarë qëndrojmë.

Etika jonë qytetare, morali ynë politik, transparenca e organizatës sonë, refuzimi e lufta që ne i bëjmë korrupsionit, programi ynë për zvogëlim të pabarazisë ekonomike e për rritje të zhvillimit, punësimit e mirëqenies, si dhe, e fundit por jo më pak e rëndësishmja, mbajtja gjallë e aspiratës kombëtare shqiptare, të gjitha këto janë premisat e ndryshimit të madh që do ta sjellë lëvizja “Vetëvendosje”, krahasuar me keqqeverisjen, korrupsionin, kapjen e shtetit, varfërimin, pabarazinë, papunësinë, antivlerat dhe antikombëtarizmin që kanë prodhuar qeveritë e deritashme në Kosovë.

Kosova ka dy opsione, SHIK-un ose LVV-në

Zëri: Në mënyrë që kjo “votë për ndryshim” të vijë në shprehje, duhet të ketë një rezistencë nga të gjithë deputetët tuaj, e në veçanti të koalicionit LAA. Aktualisht ne kemi tri opsione parasysh: 1. PAN-i ta krijojë një qeveri të shumicës së thjeshtë; 2. Ta krijojë një qeveri me “bazë të gjerë”, duke përfshirë aty LDK-në, AKR-në apo Alternativën dhe 3. Të dështojë në krijimin e Qeverisë.  Cili është vështrimi i juaj rreth kësaj situate?

Kurti: Në fakt Kosova i ka vetëm dy opsione, të lejohet udhëheqja e PDK-së dhe SHIK-ut që ta vazhdojnë plaçkitjen dhe kapjen e shtetit, apo të ndalet përfundimisht kjo gjë, me një qeverisje të Lëvizjes që do të punonte për krijimin e shtetit të së drejtës dhe për nisjen e rrugës së vështirë por të domosdoshme të zhvillimit ekonomik, të rritjes së prodhimit vendor dhe të punës.

Nëse SHIK-u dhe krerët e PDK-së lejohen të krijojnë Qeveri, për çfarë do të krijohej ajo qeveri? Për ta krijuar një gjyqësor të pavarur? Për ta luftuar krimin? Për ta zhvilluar ekonominë dhe për ta ngritur mirëqenien? Të gjithë e dimë se ata nuk kanë synime të tilla, por kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë të kundërtën e këtyre gjërave.

Andaj janë ndëshkuar prej popullit në zgjedhje dhe sot PDK-ja i ka më pak deputetë sesa i ka pasur kur ka qenë për herë të fundit në opozitë. Kushdo që shkon në qeverisje me PDK-në, i bashkohet një partie në rënie dhe me shpejtësi rrëzohet prej saj. Kushdo që vjen me “Vetëvendosjen”, i bashkohet një force progresive, në rritje e me energji të madhe popullore. Këtë besoj e dinë dhe deputetët e koalicionit LAA dhe shpresoj që të jenë në gjendje ta bëjnë zgjedhjen më të mirë për veten e tyre e vendin tonë.

Zëri: Nëse eventualisht kemi krijimin e një qeverie me shumicë të thjeshtë, pra 61 deputetë apo diçka më shumë, cila do të ishte forca e saj në çuarjen e agjendave të mëdha përpara?

Kurti: Ajo do të ishte një situatë e lehtë për “Vetëvendosjen”, por e vështirë për Kosovën. Sepse ajo qeveri do të ishte qeveri e dobët karshi nesh, por e rrezikshme karshi qytetarëve të Kosovës. Ne si opozitë me 32 deputetë do të mundë ta bënim dyfishin e asaj që kemi bërë më parë. Kjo do t’i përshpejtonte zgjedhjet e reja dhe po të përsëriteshin zgjedhjet, Lëvizja do të dilte me mbi 40 deputetë. Këtë e dinë edhe subjektet e tjera, prandaj po përpiqen medoemos ta shmangin përsëritjen e zgjedhjeve.

Mbi të gjitha, më duhet të flas nga këndvështrimi i të mirës së Kosovës. E nga ky këndvështrim, vendit dhe popullit tonë nuk i duhet as edhe një javë vonesë. Qeveria e lëvizjes “Vetëvendosje” duhet të krijohet një orë e më parë, pasi shtresat e ulëta nuk po kanë bukë të hanë, e shtresat e mesme gjithnjë e më shumë po shndërrohen në shtresa të ulëta. Kur nuk ka fituar lëvizja “Vetëvendosje” në të kaluarën, shumë më tepër ka humbur populli i Kosovës sesa Lëvizja jonë. Por, edhe kur të qeverisë “Vetëvendosja” shumë më tepër fitojnë qytetarët e Republikës sesa Lëvizja jonë.

Zëri: Cili është mendimi juaj për kundërkandidatin tuaj Ramush Haradinaj? Ju duket i denjë për të udhëhequr me vendin?

Kurti: Mendimi im personal është se në një demokraci elektorale janë votuesit që i tregojnë gjithkujt se a është dhe sa është i denjë për të qeverisur me vendin. Në zgjedhjet e vitit 2014 ne ishim subjekti i tretë, andaj edhe kur bëmë thirrje për të krijuar koalicionin opozitar, ne nuk kërkuam postin e kryeministrit. Madje nuk kërkuam asnjë post.

Ata që këmbëngulën për poste më pas e prishën koalicionin dhe e lanë PDK-në në pushtet, gjë që siç dihet pati pasoja katastrofale të migrimit masiv e kosto të mëdha për vendin, që vijojmë t’i paguajmë si shoqëri e si shtet. Edhe sot, synimi për poste kur nuk i ke votat e duhura rrezikon ta sjellë të njëjtin rezultat, lënien e PDK-së në pushtet. Por sot, fatmirësisht, gjërat janë shumë më të lehta për ne, që kemi dalë subjekt i parë dhe shumë të vështira për PDK-në dhe për ata që ajo i josh duke përfituar prej dobësive të tyre.

 Nëse mbetemi në opozitë, përgatitemi për zgjedhje të menjëhershme

Zëri: Po flitet shumë për “rrezikun” e varjes së Qeverisë së ardhshme nga Lista Serbe. A ekziston një rrezik i tillë dhe cili do të mundë të ishte dëmi në praktikë. Në këtë kontekst, nëse vetëm formohet kjo Qeveri, a do të mundë ta çonte mandatin deri në fund?

Kurti: Ne kemi pasur edhe më parë qeveri të varur nga Lista Serbe dhe kjo rezultoi në një skandal të madh që s’do të kishte ndodhur askund tjetër. E kam fjalën për nënshkrimin e marrëveshjes për “Zajednicën”, e cila doli të ishte tërësisht në shkelje të Kushtetutës. Po të mos ishim të bashkuar e të vendosur në opozitë, sot Kosova do të ishte në situatën e Bosnjës, pra një shtet i bllokuar dhe jofunksional. Mirëpo, duhet kuptuar që cilado qeveri e cila varet drejtpërdrejt nga Lista Serbe, varet drejtpërdrejt nga Beogradi. Të këqijat dhe rreziqet që mund të vijnë prej saj janë të shumta, të pritura e të papritura, të ditura e të mosditura. Besoj se është në interesin e Kosovës që të krijohet një qeveri me subjektin më të madh, lëvizjen “Vetëvendosje”. Madje është edhe në interes të minoritetit serb të Kosovës, sepse Lëvizja do t’i përfshinte në qeverisje edhe përfaqësuesit autentikë të këtij komuniteti, të cilët tashmë e kanë denoncuar Listën Serbe si një ndërhyrje jodemokratike nga ana e Beogradit.

Zëri: Si do të veproni ju nëse do të mbeteni në opozitë edhe në këtë mandat. Cila do të jetë qasja e lëvizjes “Vetëvendosje”, në veçanti tani kur keni edhe rritje të ndjeshme të numrave në Kuvend?

Kurti: Qytetarët e duan Lëvizjen në qeveri. Nëse përmes allishverisheve dhe kontrabandës ndodh kjo që thoni ju, atëherë ajo çka do të bëjë lëvizja “Vetëvendosje” është që menjëherë t’i fillojë përgatitjet për zgjedhjet e reja. Edhe një herë po ua kujtoj, një PDK e madhe nuk mundi të qeverisë në tre vjetët e fundit për shkak të opozitës së Lëvizjes me 16 deputetë. Një Lëvizje me 32 deputetë nuk e ka problem ta ndalë një PDK të vogël, e cila gjithnjë e më shumë po zvogëlohet.

Thaçi nuk mund të bëjë puç institucional

Zëri: Presidenti Thaçi ka thirrur në takim konsultativ të gjitha partitë politike në vend për caktimin e një date për konstituimin e Kuvendit. Si e keni parë rolin e presidentit Thaçi në këtë mes dhe përtej këtij takimi, a do të pranojë lëvizja “Vetëvendosje” që të bëhet pjesë në çfarëdo forme e një qeverie me “bazë të gjerë” dhe me çfarë matematikash apo kalkulimesh?

Kurti: Thaçi me veprimet e veta po e vazhdon ashtu si e ka nisur. Që nga fillimi ai ka qenë personi i gabuar për t’u bërë president, pasi është tepër i anshëm dhe ka një histori me mosrespektimin e ligjeve, demokracisë dhe të institucioneve. Të shohim se a do ta shfrytëzojë këtë rast për ta normalizuar sadopak figurën e tij si president. Ne nga ai prisnim vetëm që të caktonte datën e mbledhjes së Kuvendit dhe të procedojë sipas ligjit me mandatin e parë për PAN-in dhe mandatin e dytë për lëvizjen “Vetëvendosje”. Nuk ka nevojë për takime, sepse nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. E kuptoj që është i shqetësuar nga halli i madh që i ka rënë PDK-së, por ky hall nuk do të duhej të na shqetësonte edhe neve të tjerëve.

Zëri: Megjithatë, pas atij takimi presidenti Thaçi caktoi datën e seancës konstituive për 3 gusht?

Kurti: Që do të thotë se nuk ka pasur nevojë për atë takim. E ka ditur që PAN-i është ngushtë për numra dhe atyre u nevojitet një datë në muajin gusht.

Zëri: A besoni që në rast të dështimit të koalicionit PAN për ta formuar Qeverinë e re, presidenti Thaci do jua japë mandatin juve kur dihet që është në diskrecionin e tij?

Kurti: Ne i kemi votat e qytetarëve, sipas gjasave mund ta kemi edhe bashkëpunimin dhe mbështetjen e koalicionit LAA. Edhe ambasadorët e rëndësishëm ndërkombëtarë në Kosovë na kanë ofruar mbështetjen e tyre nëse i kemi numrat e nevojshëm për ta bërë Qeverinë. A mendoni ju se diskrecioni i Hashim Thaçit është aq i rëndësishëm sa të dalë kundër votës së popullit, kundër shumicës në Kuvend edhe kundër ndërkombëtarëve? Ai nuk mund të bëjë puç institucional, pasi nuk është monark absolut në Kosovë, por president i një Republike Parlamentare. Populli është burim i sovranitetit dhe Kuvendi është institucioni që nëpërmjet përfaqësuesve të popullit ka mandat ta krijojë Qeverinë.

Jemi optimistë për diskutimet me LDK-në

Zëri: Cila është formula juaj për krijimin e Qeverisë së re. Kë do të ishit në gjendje ta përfshinit e kë ta lini anash?Tashmë keni pasur dy takime me LDK-në. A mund që ky “flirt” të përfundojë me “martesë”?

Kurti: Nuk ka asnjë “flirt”, por ka premisa për diskutime për përafrimin programor dhe për krijimin e një formule qeveritare. E qartësojmë këtu se asnjë qeveri e “Vetëvendosjes” nuk mund të etiketohet si “martesë”, as sa për metaforë, sepse ne nuk do të jemi aty për hir të njëri-tjetrit si subjekte por për mirëqenien e qytetarëve dhe progresin e shtetit. Koalicioni qeverisës do të jetë bashkim forcash në një mënyrë tepër transparente, ne do t´ia tregojmë gjithë publikut se për çfarë jemi marrë vesh, për termat, për temat, për afatet, sigurisht edhe për emrat e personave të përfshirë. Ne jemi optimistë për këto diskutime. Megjithatë, rezultati i kësaj do të duket kur të na jepet mandati i dytë për krijimin e Qeverisë, pra pas dështimit, sipas të gjitha gjasave, të PAN-it në mandatin e parë.

Zëri: Zotëri Kurti, posti i kryeministrit duket sikur është shndërruar në një “garë” ku të gjithë po shtyhen se cili do ta fitojë. Realisht nëse shikojmë, ky post nuk është ndonjë privilegj i caktuar, në fakt është një obligim i madh që dikush e merr përsipër për të shërbyer në një vend të tërë. Pse ju e kërkoni këtë obligim? Cilat janë ndryshimet që keni në mendje t’i bëni dhe të cilat, sipas jush, do të përmirësonin jetën e qytetarit?

Kurti: Pikërisht pse qeverisja shihet si privilegj e jo si punë, është e domosdoshme ndërhyrja e “Vetëvendosjes”. Ne nuk e shohim postin si privilegj, as nuk jemi të dashuruar me postin, prandaj populli na e dha besimin për ta marrë atë post e atë pushtet. Obligimet që i kemi marrë para popullit, për ta ndryshuar pra atmosferën e politikëbërjes në Kosovë, ne detyrohemi t´i mbajmë. Ne nuk i ikim obligimeve tona, sidomos atyre që i kemi ndaj popullit.

Ndryshimet do të jenë të shumta edhe të prekshme. Së pari, kemi konceptuar një sistem të vetingut për sistemin e drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët. Nuk do të ketë më vend për gjyqtarë të korruptuar e të paaftë. Kriminelët, vrasësit, hajnat, do të dënohen, edhe nëse janë deputetë apo ministra, apo biznesmenë e milionerë. Ndërsa të pafajshmit nuk do të vuajnë më, siç po vuajnë sot pesë aktivistë të vlefshëm të “Vetëvendosjes”.

Ekonomia do të transformohet përmes krijimit të Fondit Sovran, Agjencisë Zhvillimore dhe Bankës Zhvillimore të Kosovës, tri institucione të pavarura publike që do t’i investojnë në Kosovë paratë e kosovarëve, që do ta mundësojnë subvencionimin e aktivitetit prodhues, kreditimin e investitorëve vendorë, si dhe ngjalljen e mëkëmbjen e industrisë sonë. Sipas këtij plani që e kemi zhvilluar në detaj me ekspertë në universitete të shquara të perëndimit, ne do ta dinamizojmë ekonominë e Kosovës, do ta përmirësojmë bilancin tregtar, do të hyjmë në rrugën e zhvillimit dhe punësimit dhe sigurisht që do ta kemi edhe një rritje më të shpejtë ekonomike. Deri më tani qeveritë kanë qenë përgjithësisht administruese të së tashmes, kurse Qeveria jonë do të jetë zhvilluese për të ardhmen.

Zëri: Ju keni përpiluar një program qeverisës të cilën edhe e keni prezantuar, por nëse do t’u thoshim që t’i zgjidhnit tri pikat themelore në të cilat do të bazohej Qeveria juaj, cilat do të ishin ato?

Kurti: Drejtësinë nga shteti për qytetarët si dhe reformat ekonomike për shtet zhvillimor i përmenda më herët, kështu që po përmend tri të tjera.

Ne do ta miratojmë Ligjin për Mbrojtjen e Prodhimit Vendor dhe do t’i rrisim subvencionet e grantet në bujqësi, si dhe do të bëjmë sigurimin e plotë të prodhimit bujqësor. Kjo do të thotë përmirësim të ndjeshëm të kushteve për fermerët dhe bujqit, për ekonominë rurale të Kosovës.

Ne do të krijojmë Tregun e Përbashkët të Prodhimeve e të Shërbimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, të koordinuar dhe tërësisht të integruar sipas praktikave të BE-së. Kjo nuk do të jetë thjesht tregti e lirë, si CEFTA apo si projekte të tjera rajonale, por treg i përbashkët. Ministritë e caktuara, që merren me koordinimin e sektorëve të tregut në Tiranë e në Prishtinë do të krijonin drejtori të përbashkëta planifikuese e ekzekutuese. Ta zëmë, nëse Kosova mbjell patate mjaftueshëm për Kosovën e Shqipërinë, atëherë ose do të synohet eksporti, ose nuk do të ketë nevojë që fermerët në Shqipëri të mbjellin patate. Ata mund ta mbjellin një produkt tjetër dhe do ta kenë tregun e sigurt në Kosovë. Vetëm përmes koordinimit të tillë ne do të mund të rrisim ekonominë e shkallës dhe t’i krijojmë përparësitë krahasuese. Kjo do të ishte përfitim i menjëhershëm i ekonomisë së Kosovës e i Shqipërisë, pasi neve po na ndodh që patatet t’i gjuajmë në lumë, e ata bëjnë të njëjtën gjë me mollët e qershitë. Kjo nuk duhet të ndodhë në kushtet kur populli ynë është kaq i varfër e kemi dhjetëra mijëra njerëz që janë të kequshqyer.

Së treti, po e përmend edhe një tjetër politikë që do ta zbatojmë menjëherë. Ne do të bëjmë sigurimin jetësor të të gjitha forcave të Policisë dhe të zjarrfikësve. Policët dhe zjarrfikësit e Kosovës duhet të mbrohen ekonomikisht nga shteti. Ata shpesh rrezikojnë jetën përballë krimit e vështirësive si zjarret, etj. Sigurimi jetësor është më e pakta që ne u detyrohemi atyre. Pra, me Qeverinë e Lëvizjes familjet e tyre nuk do të jenë kurrë të braktisura.

Do të ndryshohet tërësisht panorama e qeverisjeve lokale

Zëri: Çfarë do të ndodhë me “Temat e mëdha” në pika të shkurtra: Demarkacionin (liberalizimin e vizave), Asociacionin, ushtrinë, Gjykatën Speciale, luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit?!

Kurti: Në pika të shkurtra, për Demarkacionin do të kërkojmë mirëkuptimin e Malit të Zi dhe krijimin e një komisioni të përbashkët me ekspertë nga Mali i Zi, Kosova por edhe ekspertë ndërkombëtarë dhe me transparencën më të madhe e me rigorozitet të dokumentuar shkencor, do të shohim që kufiri të jetë aty ku ka qenë gjithmonë. Mali i Zi deri më tani ka treguar mirëkuptim dhe nuk besojmë se është i interesuar të marrë tokë të Kosovës.

Asociacioni tashmë është shpallur antikushtetues. Ne nuk do të lejojmë që të ndodhë asnjë veprim që shkel Kushtetutën. Ne angazhohemi për ndryshim të Kushtetutës, por ne nuk e lejojmë përbuzjen apo shkeljen e saj. Aty ku shkelet kushtetuta s´ka shtet, e ne jemi në nevojë të madhe për shtet.

Ushtria do të krijohet në bashkëpunim me Shqipërinë, NATO-n, SHBA-në dhe aleatët tanë. Nuk kanë qenë pengesë për ushtrinë miqtë ndërkombëtarë, por mungesa e vullnetit dhe aftësisë e qeveritarëve tanë. Ata e kanë përdorur ushtrinë si një shantazh. Po të kishte qenë çështje tenderësh, ushtrinë do ta kishin krijuar moti. Por nuk e kanë krijuar dhe do ta krijojmë ne.

Gjykata Speciale është një padrejtësi e madhe që Kosovës dhe UÇK-së ia ka bërë PDK-ja dhe forcat e tjera që e votuan. Ne kemi qenë kundër saj, sepse përbalt luftën tonë të drejtë çlirimtare, por edhe është kundër parimeve universale të drejtësisë. Ajo është e vetmja gjykatë në botë që gjykon vetëm një etni. Ne do përpiqemi ta mbrojmë UÇK-në, edhe pse një pjesë të dëmeve të mëdha që ia ka bërë UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli e “Pronto”-t e tjerë, tashmë janë të pariparueshme.

Krimet e bëra prej vitit 2000 e këndej, sidomos krimet e rënda të bëra nga të pasurit e të pushtetshmit, do të hetohen e do të çohen përpara gjyqeve. Do t’i shtojmë e fuqizojmë prokurorët e gjykatësit dhe bashkëpunëtorët e tyre profesionalë. Pas reformës e Vetingut të gjyqësorit, nuk do të ketë më mundësi që “të fuqishmit” të dalin pa u lagur nga gjyqet nëse provohet që kanë bërë krime. Nuk do të dorëzohet më shteti i dobët para kriminelëve, por edhe kriminelët e fuqishëm do të dorëzohen para shtetit.

Zëri: Më 22 tetor kemi edhe zgjedhjet lokale. A pritni që rritja e “Vetëvendosjes” të reflektohet edhe në këto zgjedhje dhe në cilat komuna besoni që do të fitoni?

Lëvizja “Vetëvendosje” doli e para në dhjetë komuna, në Mitrovicë, Vushtrri, Gjilan, Dardanë, Viti, Kaçanik, Han i Elezit, Ferizaj, Fushë-Kosovë e në Prishtinë, duke i lënë pas koalicionet e tjera, edhe pse ato ishin të përbëra nga shumë parti. Po të krahasohet me parti individuale, pra pa koalicione, Lëvizja ka dalë e para edhe në pesë komuna të tjera. Prandaj, në zgjedhjet lokale do të ndryshohet tërësisht panorama e qeverisjeve lokale në Kosovë. Lëvizjes “Vetëvendosje” tashmë i ka ardhur koha, dhe një ideje e organizate që i ka ardhur koha nuk mund t´i dalë kush para për ta ndalur. Ne kemi filluar procesin e brendshëm për përcaktimin e kandidatëve për kryetarë e asamblistë të komunave dhe jemi të bindur se do të kemi një përfaqësim të shkëlqyer.

Zëri: Një pyetje për fund, nëse PAN-i do të arrijë që kësaj radhe ta formojë Qeverinë, a do të jetë Albin Kurti përsëri kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Ne e dimë që këtë e vendosin organet e partisë, mirëpo nëse partia do t’jua besonte një gjë të tillë përsëri, a do ta pranonit?

Kurit: Gjithnjë jam gati të bëj gjithçka që ma kërkon anëtarësia e “Vetëvendosjes”, aktivistët dhe populli.

PAN-i i sigurt se i ka votat, LAA e VV po presin dështimin e tyre

Kreu i AKR-së beson se edhe deputetët e tjerë të partisë së tij, do të votojnë sipas përgjegjësive.

Deputeti i koalicionit LAA, Ilir Deda u shpreh i bindur se koalicioni PAN nuk i ka numrat për zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar Kuvendi, e as formimin e Qeverisë, pasi asnjë deputet i koalicionit LAA nuk do të votojë për asnjërin.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, i cili do të jetë për herë të tretë në Kuvendin e Kosovës, akuzoi zyrën e presidentit për vonesën e thirrjes së seancës. Derisa, u shpreh se janë të gatshëm të udhëheqin institucionet.

I pyetur nëse janë të gatshëm të lëshojnë pe për postin e kryeministrit nëse bëjnë koalicion me koalicionin LAA, nëse koalicioni PAN dështon ta themelojë Qeverinë, Selimi tha se me LDK-në po diskutojnë për programet dhe ende nuk kanë ardhur në fazën e posteve.

Regjistrimi i deputetëve të legjislaturës së gjashtë do të bëhet edhe nesër dhe pasnesër. (rtk)

Kosto e ujit të pijshëm, ERU: Në tiranë shpenzimet deri 250% mbi çmimin aktual

uji shpenzimetKonsumatorët e ujit të pijshëm në Tiranë paguajnë aktualisht 45 lekë për metër kub ujë. Por kjo vetëm për shërbimin që u ofrohet nga ujësjellës kanalizimet.

Pasi shpenzimet e një familje për ujë përllogariten të jenë rreth 4 148 lekë në muaj. Kjo merret në konsideratë edhe në raportin e Entit Rregullator të ujit, dorëzuar në Parlament në vitin 2016, i cili i referohet  të dhënave të INSTAT.

Në raport thuhet se konsumatorët janë të detyruar të paguajnë për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si blerja e depozitave dhe pompave individuale, shpenzimet e energjisë elektrike nga pompat, blerja e ujit për pirje me shishe etj. Që i rrisin realisht këto kosto me mbi 150-250% të tarifës së aplikuar.

Sipas përllogaritjeve të bëra, një familje me 4 anëtarë konsumon në muaj 12 metër kub ujë. Çmimi aktual është 45 lekë dhe kostoja mujore është 540 lekë.

Por për t’u furnizuar një familje me ujë ka kosto të tjera, që sipas përllogaritjeve, rrisin shpenzimet  familje për ujë. Një familje paguan për pompën e ujit 10 mijë lekë të reja plus mirëmbajtjen, vendosjen e depozitës së ujit, harxhon energji elektrike sa herë vendoset pompa e ujit. Nga ana tjetër, blen ujë me shishe për të pirë dhe për gatim.

Ndërkohë, me propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit me 20 lekë pretendohet se ndonëse do të rritet çmimi ujit shpenzimet mujore do të ulen nga 4148 lekë në 936 lekë. Pra, katër herë më pak, pasi do të ketë ujë 24 orë në rubinetin e çezmës nuk do te duhet depozite dhe  shpenzime të tjera.

/ Top Channel

Qendra Informative Shqiptare "Liria"