Maqedoni e Veriut: Konstatohet varianti i ri i koronavirusit

Ministri FilipçeMutacioni britanik i koronavirusit konfirmohet edhe në Maqedoninë e Veriut. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë, se nuk ka vend për panik.

Forma e re virusit pas mutacionit është zbuluar në laboratorin e klinikës “Zhan Mitrev” tek një pacient 46 vjeç, i cili tashmë është shëruar. Pacienti ka deklaruar, se nuk ka pasur kontakt dhe nuk ka udhëtuar jashtë shtetit. Laboratori kishte përcaktuar se pacienti dyshohej se kishte një mutacion në virus, dhe më pas ishte izoluar. Sipas informacionit që laboratori i ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha mutacionet që përcaktojnë llojin britanik janë identifikuar në analizat përkatëse të këtij pacienti.

Filipçe : Nuk ka vend për panik

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë, se nuk ka vend për panik pas shfaqjes së parë të variantit britanik të koronavirusit, por qytetarët duhet detyrimisht t’i respektojnë të gjitha masat paranadaluese.”Mutacioni mund të ndodhë edhe nga vetë virusi që do të thotë se jo domosdoshmërisht ai mund të bartet nga jashtë. Ne ishim në pritje të paraqitjes së këtij lloj mutacioni në vendin tonë, sepse ai tashmë është i pranishëm në shumë shtete evropiane dhe në vendet e ballkanit.

Ky lloj mutacioni i virusit ka 70% transmentim më të shpejtë, por nuk ka vend për panik, mbetemi të kujdeshëm”, deklaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Në shkurt nis vaksinimi, por ende nuk ka vaksina

Qeveria ka dhënë dritën e gjelbër për planin e imunizimit të popullsisë kundrejt koronavirusit.Vaksinat anti-COVID ende nuk kanë arritur në Maqedoninë e Veriut edhe pse angazhimi për sigurimin e tyre zhvillohet në disa fronte. “Në bazë të planit që e miratuam, vaksinimi do të bëhet në tri faza, ndërsa vaksinat e para që presim të arrijnë nga kompania Pfizer do të jetë në fillim të muajit shkurt”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë Muhamed Hoxha.

Shkupi i interesuar edhe për vaksinat kineze

Autoritetet maqedonase kanë njoftuar, se janë duke e shqyrtuar mundësinë e furnizimit me vaksina kineze kundër COVID-19, ndonëse kanë theksuar se prioritet mbetet furnizimi përmes programit Covax. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nuk e sheh si problematike furnizimin me vaksinat e prodhuara nga kompanitë kineze edhe pse ato ende nuk janë miratuar për përdorim nga Agjencia Evropiane e Barnave. “Janë plotësisht të përshtatshme, vaksinat kineze janë të njohura për ekspertët tanë. Pikërisht ekspertët kanë analizuar pothuajse të gjitha vaksinat që tani janë në treg, kështu që nuk ka asnjë pengesë administrative dhe natyrisht, nuk ka dyshim për cilësinë e vaksinave kineze”, u shpreh Filipçe.

Që nga shfaqja e rastit të parë me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut janë diagnostikuar 91.555 persona, prej tyre 2.821 kanë vdekur, 80.008 janë shëruar ndërsa 8.726 raste janë ende aktive.

dw

TI: Shqipëria, Kosova asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit

corruption index 2020Viti 2020 solli një tablo të zymtë përsa i takon korrupsionit në botë, ku shumica e vendeve ka bërë pak ose aspak përparim në drejtim të luftës ndaj kësaj dukurie. Në raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë, organizata Transparency International thotë se korrupsioni jo vetëm minoi përgjigjen globale ndaj pandemisë COVID-19, por kontribuoi në një krizë të vazhdueshme të demokracisë. Sipas Transparency International, dy të tretat e vendeve ose kanë mbetur në vend ose kanë pësuar rënie përsa i takon luftës kundër korrupsionit. Shqipëria dhe Kosova kishin 36 pikë në një sistem llogaritjeje të indeksit ku 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni dhe zero, korrupsioni më i lartë. Kolegia Keida Kostreci njofton:

Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem madhor në Shqipëri dhe Kosovë, që pengon përparimin demokratik dhe frenon aspiratat e qytetarëve për një jetë më të mirë, sipas Transparency International.

Krahasuar me vitin e kaluar, Shqipëria ka një pikë më shumë, ndërsa Kosova nuk ka ndryshuar numër pikësh, por të dyja vendet janë në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe pa përparim në luftën kundër tij.

Shqipëria është dy vende më lart sesa vitin e kaluar, ndërsa Kosova tri vende më poshtë, por vetë organizata u kushton më shumë rëndësi pikëve.

“Metodologjia jonë e vë theksin më shumë tek rezultatet e vendeve ndërsa renditjet janë gjithmonë relative dhe varen nga ecuria e vendeve të tjera”, thotë për Zërin e Amerikës Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë.

Zonja Prokic thotë se ngecja në këtë nivel për pothuajse një dekadë tregon mangësitë në sundimin e ligjit.

“Pa këtë sundim funksional të ligjit, institucionet nuk janë në gjendje të punojnë në mënyrë efektive dhe të ndjekin rastet e korrupsionit”, thotë ajo.

Zonja Prokic thotë gjithashtu se ajo që ndikon tek mungesa e përmirësimit është ndikimi politik mbi sistemin gjyqësor, mungesa e kapacitetit të institucioneve dhe mungesa e pavarësisë së institucioneve gjyqësore kryesisht për të proceduar rastet e korrupsionit.

Këto dukuri thotë ajo, i sheh si në Shqipëri, edhe Kosovë, po ashtu si edhe prirjen për mungesë transparence kur bëhet fjalë për prokurimet publike.

“Dhe nuk flas vetëm për procesin e prokurimit kur tenderët shpallen dhe vendosen, por kjo vlen edhe për menaxhimin e kontratave publike. Është shumë e rëndësishme që kjo të bëhet në një mënyrë transparente dhe të sigurojmë që këto kontrata të mos merren vetëm nga kompanitë që janë pranë vendim-marrësve në institucionet shtetërore”, thotë ajo.

Një nga aspektet që ka analizuar për vitin 2020, Transparency International është edhe lidhja mes shkeljeve të standardeve demokratike në përgjigjen ndaj COVID-19-ës dhe nivelit të korrupsionit në vend. Sa më i lartë korrupsioni, aq më të larta shkeljet.

Shqipëria

Raporti i këtij viti ka analizuar se si gjithë këto mangësi janë reflektuar edhe tek pasojat për COVID-in dhe Transparency International ka ndeshur probleme në këtë drejtim në Shqipëri.

“Kemi vërejtur shqetësime në lidhje me transparencën edhe në prokurimin publik të lidhur me COVID-in. Dhe kjo është diçka që me të vërtetë meriton shumë vëmendje nga ana e qeverisë. Do të ishte shumë inkurajuese nëse qeveria të reagonte për ato shqetësime”, thotë zonja Prokic.

Por shqetësimet shtrihen përtej zbatimin e rregullave anti-korrupsion.

“Kanë të bëjnë edhe me trajtimin e shoqërisë civile dhe trajtimin e mediave të pavarura dhe gazetarëve investigative. Jemi dëshmitarë që pretendimet e tyre shpesh hidhen poshtë dhe se ata trajtohen si një lloj opozite në vend që të shihen si një faktori korrigjues në shoqëri”.

Duke iu referuar paketës anti-shpifje, zonja Prokic thotë se është një çështje shumë e ndjeshme dhe se këto veprime kanë ndikim tek lufta kundër korrupsionit.

“Ato jo vetëm që shkelin lirinë e shprehjes së qytetarëve, por gjithashtu frenojnë, ose më saktë kanë një efekt frikësues dhe paralizues tek njerëzi që ndoshta mund të vendosnin të raportonin raste korrupsioni ose të paraqisnin prova për akuzat për korrupsion”, thotë zyrtarja e Transparency International.

Kosova

Dallimi për Kosovën, thotë zonja Prokic është tek të veçantat e zhvillimeve politike atje.

“Situata në Kosovë është vërtet e mbingarkuar me çështje që janë thellësisht politike dhe kjo ka çuar mendoj në ngecje të përpjekjeve anti-korrupsion”, thotë ajo.

Ajo shton se kuadri institucional dhe ligjor po formohet dhe kjo jep arsye për një optimizëm të matur.

“Por që të mund të themi se vendi me të vërtetë po përpiqet të bëjë ndryshime të thella, duhet të shohim që ato ligje po zbatohen dhe institucionet janë plotësisht funksionale. Dhe kjo akoma, për fat të keq mungon”, thotë ajo.

Si Kosova, edhe Shqipëria kanë vend për përmirësim kur bëhet fjalë për liritë e medias, lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit dhe shoqërinë civile.

“Niveli i demokracisë është I lidhur ngushtë me efektivitetin dhe suksesin në luftën kundër korrupsionit”, thotë zonja Prokic.

Tipare dhe sfida të përbashkëta në rajon

Bosnje-Hercegovina ka pësuar një rënie prej shtatë pikësh që prej vitit 2012 dhe kështu përbën rast shqetësues në rajon. Edhe Serbia ka pësuar një rënie prej katër pikësh.

Por kjo nuk do të thotë që ato janë shumë më keq se vendet e tjera. Edhe me këtë rënie, Serbia ka 38 pikë, dy pikë më shumë se sa Shqipëria dhe Kosova, ndërsa Bosnje-Hercegovina ka 35 pikë, një pikë më pak se Shqipëria dhe Kosova, pra statistikisht është pothuajse i njëjti nivel. Edhe Maqedonia e Veriut ka 35 pikë.

Por rënia graduale ose ngecja në vend në Ballkanin Perëndimor ka pasoja që shkojnë përtej abstraksionit të normave demokratike.

“Kur qytetarët nuk shohin përmirësim në luftën kundër korrupsionit, ata nuk shohin perspektivë për të ardhmen e tyre. Dhe për fat të keq vendet e rajonit janë gjithashtu ndër vendet me rrjedhje më të madhe të trurit në shkallë globale”, thotë zonja Prokic.

Duhet që institucionet të bëhen më efektive që qytetarët të bëhen më optimistë, thotë ajo.

Një pikë tjetër ku e vë theksin zonja Prokic është hendeku mes adoptimit të një kuadri legjislativ dhe zbatimit të tij. Madje ajo thotë se ky hendek është refkektuar në indeksin e përvitshëm të Transparency International.

Vitet kur rezultatet ishin më të larta për këto vende, ishin ato kur po ngriheshin institucione ose po bëheshin ndryshime të rëndësishme legjislative të parashikuara për për sisteme më të forta kontrolli midis pushteteve, ose për legjislacion më të fortë anti-korrupsion dhe kornizë zbatimi.

“Dhe tani shohim tendencën e rënies ose ngecjes e cila është një mënyrë tjetër për të mos përparuar, por që lidhet me mungesën e zbatimit. Kur mungesa e zbatimit të ligjeve që janë relativisht të mira është aq e përhapur, duhet të pyesim veten nëse qeveritë po e marrin seriozisht këtë çështje”, thotë zonja Prokic.

Ajo shton raportet e progresit të Komisionit Evropian nxjerrin në pah këtë element si shumë domethënës.

Dhe aspekti tjetër është mungesa e balancës dhe ndarjes së pushteteve dhe një ndikim shumë të fortë të degës ekzekutive mbi degën legjislative dhe mbi gjyqësorin.

“Për të pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, është e nevojshme që secila prej degëve të pushtetit të jetë në gjendje të kontrollojë të tjerat, që mediat të jenë të lira dhe shoqëria civile të jetë e lirë në rolin e saj të vëzhguesit dhe që qeveritë dhe ekzekutivi të vënë në zbatim ligjet dhe jo të përpiqen të frenojnë zërat e kritikëve”, thotë zyrtarja e Transparency International.

voa

Perceptimi i korrupsionit në sektorin publik

korupsioniSipas organizatës Transparency International për vitin 2020: Kosova ka shënuar rënie në luftën e saj kundër korrupsionit edhe atë për 3 pozita, Shqipëria ka rritje për 2 pozita, ndërsa Maqedonia e Veriut ka rënie për 5 pozita, siç vërehet edhe nga tabela, vendet e Ballkanit janë pranë njëri tjetrit.

Covid 19: prej 2236 testeve, kemi 394 raste të reja, 9 viktima dhe 387 persona të shëruar

E merkureGjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 2236 teste dhe 394 raste të reja të Covid-19 u regjistruan në:
  • Shkup – 190 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Kavadarci – 29 (me 38.741 banorë)
  • Veles –19 (me  54.384 banorë)
  • Delçevë –16 (me 17.713 banorë)
  • Kumanovë – 14 (me 109.228 banorë)
  • Ohër- 12 (51.591 banorë)
  • Dibër – 12 (me 20.863 banorë)
  • Gostivar – 11 (111.252 banorë)
  • Berovë – 7 (me 12.813 banorë)
  • Prilep – 7 (me 75.132 banorë)
  • Manastir – 7 (me 91.983 banorë)
  • Shtip – 7 (me 43.625 banorë)
  • Demir Kapi – 7 (me  4.039 banorë)
  • Kërçovë – 6 (me 56.937 banorë)
  • Strumica – 5 (me 57.175 banorë)
  • Gjevgjeli – 5 (me 22.706 banorë)
  • Tetovë – 5 (në territorin e Tetovës me 200.678 banorë që dtth.: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, + Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, + Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, + Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, + Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe + Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë).
  • Sveti Nikollë – 4 (me 17.683 banorë)
  • Vinicë – 4 (me 19.391 banorë)
  • Negotinë – 4 (me  19.327 banorë)
  • Koçani – 3 (me 37.758 banorë)
  • Krushevë – 3 (me 9.418 banorë)
  • Kriva Pallanka – 3 (me  20.820 banorë)
  • Strugë – 3 (me 65.801 banorë)
  • Radovish – 3 (me 29.100 banorë)
  • Probishtip – 2 (me 15.085 banorë)
  • Kratovë – 2 (me 9.376 banorë)
  • Pehçevë – 2 (me 5.517 banorë)
  • Resnjë –2 (me 16.313 banorë)

(Vërejtje: Numri i banorëve është numri zyrtar i banorëve të regjistruar, por ajo realisht duhet të ketë rënie, për shkak të shpërnguljeve (kryesisht nga Maqedonia lindore) në Shkup dhe jashtë shtetit.) 

Kanë ndërruar jetë 9 pacientë, dy pacientë nga Shkupi (74 dhe 82), dy nga Kërçova (61 dhe 70), nga një: Resnja (77), Manastiri (87), Vinica (57), Ohri (79) dhe Prilepi (65).

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistron 387 pacientë të rikuperuar nga: -Shkupi 255 -Kumanova 21 -Tetova 15 -Strumica 15 -Velesi 14 -Resnja 12-Manastiri 11-Dibra 8 -Gostivari 7 -Kavadarci 5 -Shtipi 4 -Kërçova 3 -Demir Hisari 3 -Delçeva 2 -Ohri 2-Gjevgjelia 2- Sveti Nikola 2-Koçani 2 -Bogdanci 2 -Berova 1 -Valandova 1.
 
Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostifikuara që nga fillimi i epidemisë është 91555, numri i pacientëve të rikuperuar është 80008, numri i vdekjeve 2821 dhe numri i rasteve aktive është 8726.
Kujdes!
 
Kujdes, jo vetëm nga covid 19, por edhe nga “hulumtuesit e pavarur”, “ekspertët”, “analistët”, “mjekët”, “hoxhallarët”, “misionar”, njerëz të papërgjegjshëm,  injorantët, të cilët komentojnë me hamendje ndaj çdo studimi dhe ndaj çdo mase që ndërmerren nga institucionet përgjegjëse shëndetësore në të gjithë botën, si dhe kujdes edhe nga Televizionet komerciale, portalet e ndryshme, rrjetet sociale, të cilët për të plotësuar programet e tyre, janë në gjendje të emitojnë gjithçka, vetëm e vetëm që të përfitojnë personalisht, pa çarë kokën nëse veprimet e tyre shkaktojnë pasoja.
 

Besoni vetëm institucionet përgjegjëse shëndetësore dhe jo individët!

Mbani maskën, ashtu si që mbani pantallonat në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.

Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar.
 

Ju lutemi mbroni vetveten = ashtu do ti mbroni edhe të afërmit tuaj.

- Besoni #faktet të mos e sfidojmë shkencën, komunitetin e mjekëve, e të ekspertëve të shëndetit publik dhe
- të mbrojmë veten, familjet tona dhe njerëzit që na rrethojnë.
- Secili mund të kontribuojë për kufizimin e përhapjes së #COVID19.

Pandemia në Kosovë: Provokimi i Serbisë për vaksinat

Mitrovica veriorePresidenti serb, Aleksandar Vuçiç njofton një fushatë të vaksinimit ndaj koronavirusit për veriun e Kosovës pa e informuar qeverinë dhe autoritetet në Prishtinë. Kjo e thellon hendekun mes popullsisë në Kosovë.

Është një ditë e ftohtë dhe me re, jo shumë njerëz ndodhen jashtë nëpër rrugë. Ndaj është më mirë të udhëtosh me taksi, sepse këtu në veri të Kosovës nuk i duan gazetarët kuriozë, veçanërisht ata shqiptarë. Kushdo që bie në sy si përfaqësues i shtypit vrojtohet, madje ndonjëherë edhe mund të ndiqet nga djem që të ngjallin frikë me limuzina të zeza, të cilët të afrohen në një mënyrë jo miqësore.

Rrugës në Mitrovicë, në anën veriore të qytetit përgjatë lumit Ibër: Qyteti është i banuar pothuajse tërësisht me serbë, si i gjithë veriu i Kosovës. Për javë të tëra qarkullojnë fjalë, se gjoja ka nisur një fushatë e madhe vaksinimi ndaj koronavirusit, financuar dhe koordinuar nga qeveria e Beogradit në Serbi, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, që është kryesisht shqiptare. Për çfarë bëhet fjalë?

Udhëtimi për në spitalin lokal në skajin perëndimor të Mitrovicës veriore të çon përpara ndërtesave me parafabrikate, që prej motit me re duken edhe më të zymta se sa janë zakonisht. Një flamur serb varet në ndërtesën e spitalit, hyrja ruhet nga një njeri i sigurimit i veshur me të zeza. Tek e pyesim, se me kë mund të flasim lidhur me sa thuhet për fushatën e vaksinimit, ai përgjigjet i vrenjtur në fytyrë: “Askush këtu nuk jep ndonjë informacion!” Ai thërret një koleg për përforcim. Një grua me një pallto të bardhë del gjithashtu nga ndërtesa. “Ju nuk keni punë këtu”, thotë ajo duke iu drejtuar gazetarëve me një zë të mprehtë, “largohuni prej këtej!”

Mosmarrëveshje e re midis Beogradit dhe Prishtinës

Kosova në krizën e koronavirusit: Të gjitha vendet evropiane aktualisht po përpiqen të marrin sa më shpejt të jetë e mundur një vaksinë për veten e tyre. Për Kosovën mundësia ndoshta do të jetë vetëm në shkurt – të paktën nga kjo periudhë kohore Ministria e Shëndetësisë në Prishtinë do të shpallë fillimin e vaksinimit.

Ndryshe në veri, i cili kontrollohet kryesisht nga Serbia dhe ku autoritetet kosovare kanë pak ndikim: Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç njoftoi në një aeroport ushtarak pranë Beogradit tha, se do të fillonte një fushatë gjithëpërfshirëse e vaksinimit në veri të Kosovës, fillimisht për ata mbi 75 vjeç, pastaj edhe për të gjithë të tjerët.

Qeveria kosovare nuk është informuar zyrtarisht për këtë deri më sot. Njoftimi i Vuçiçit bëri bujë të madhe në Kosovë. Në fund të fundit, presidenti serb në këtë mënyrë ndërhyri drejtpërdrejt në sovranitetin e një vendi të pavarur të njohur nga shumica e shteteve evropiane – në një situatë në të cilën raportet midis Serbisë dhe Kosovës janë në një pikë të ulët dhe dialogu mes drejtuesve politik të të dyja shteteve i moderuar nga Bashkimi Evropian ka kohë që është i ngrirë.

I rrezikshëm nga ana mjekësore 

Por njoftimi i Vuçiçit nuk ishte vetëm një provokim politik. Nëse është e saktë, do të ishte gjithashtu e rrezikshme nga ana mjekësore. Sepse është e paqartë për cilën vaksinë po fliste presidenti serb, kur njoftoi fushatën e vaksinimit për veriun e Kosovës. Gjithashtu e paqartë është se ku dhe në çfarë kushtesh ishte dhe do të jetë vaksinimi – nëse kjo tashmë ka ndodhur. Po të ishte ashtu, Serbia jo vetëm që do të shkelte rregulloret e përgjithshme të importit të Kosovës, por edhe origjina, mënyra e veprimit, efektet anësore dhe efektet afatgjata të vaksinës mbeten të panjohura për autoritetet në vend.

Ndërkohë kryeministri kosovar Avdullah Hoti e ka përshkruar fushatën e vaksinimit si të paligjshme dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar hetim. Por nga Beogradi nuk ka asnjë informacion zyrtar, tha Zemaj për DW. “Unë kam porositur autoritetin mbikqyrës farmaceutik dhe inspektoratin shëndetësor për të hetuar në bashkëpunim me policinë dhe prokurorin publik,” tha Zemaj. Ai flet për një “politizim të fushatës së vaksinimit” nga Serbia. Me këtë pakicës serbe që jeton në Kosovë i propagandohet diçka, që në fund të fundit vetëm mund t’i dëmtojë ata.

Sistemi shëndetësor paralel

Shoqëria kosovare tashmë është e ndarë kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor. Në veri të vendit ekziston de facto një sistem shëndetësor paralel – spitalet dhe qendrat shëndetësore lokale faturojnë përmes kompanive të sigurimeve shëndetësore në Serbi. Pra, kujdesi shëndetësor për njerëzit në veri të Kosovës funksionon praktikisht përmes Serbisë dhe jo përmes Kosovës.

Që kjo ndarje në sistemin e kujdesit shëndetësor ka potencial të rrezikshmëm politik u duk qartë të hënën (25.01) ku qindra mjekë dhe infermierë demonstruan në Mitrovicë para zyrës së prokurorit publik kosovar kundër “trajtimit të tyre jo human” nga autoritetet kosovare. Protesta u shkaktua si rrjedhojë e hetimeve të kryera nga qeveria kosovare lidhur me deklaratat e pesidentit të Serbisë Vuçiç i cili njoftoi fushatën e vaksinimit. Sipas protestuesve, ata janë marrë arbitrarisht në pyetje.

Vend nën mjegullën e vaksinimit

Ndërkohë, mbetet plotësisht e paqartë nëse një fushatë vaksinimi në shkallë të gjerë po ndodh realisht në veri të Kosovës, apo nëse kjo është vetëm propagandë nga presidenti serb. Kjo përshtypje të krijohet kur flet me njerëzit në vend. Njëra prej tyre është edukatorja e kopshtit Jelena Vuçiniç. Ajo është ulur në një kafene në rrugën kryesore në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës. “Personalisht, nuk kam parë asgjë në lidhje me këtë fushatë vaksinimi”, thotë 42-vjeçarja. “As unë dhe askush në familjen time nuk jemi vaksinuar, përfshirë edhe miqtë dhe të njohurit e mi. Kam lexuar vetëm në mediat lokale se vaksinimet kanë filluar.” Kështu si Jelena apo ngjashëm shprehen edhe të tjerët. Askush nuk i njeh personalisht të vaksinuarit.

Pyetjet e DW adresuar qeverisë serbe dhe Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me fushatën e vaksinimit mbeten pa përgjigje. Vetëm një gjë është e sigurt në mjegullën e vaksinave kosovare: konflikti i pazgjidhur midis Kosovës dhe Serbisë, madje edhe në kohën e pandemisë së koronavirusit, vetëm sa e thellon më shumë hendekun midis dy grupeve etnike, midis popullatës së Kosovës.

dw

14 ditë pasi mori dozën e parë të vaksinës Pfizer, infektohet me Covid-19 Pëllumb Pipero

piperoMjeku infeksionist, Pëllumb Pipero ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit.

Ndonëse ishte ndër personat e parë që morën dozën e parë të vaksinës së Pfizer, rezultati i testit të tij doli pozitiv.

Top Channel mëson se Pipero është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka dalë pozitiv të martën,  14 ditë pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer. Që prej fillimit të pandemisë, mjeku infeksionist shërbeu në spitalin Infektiv, i njohur ndryshe si Covid 1, ndaj të gjithë pacientëve që kishin nevojë për trajtim ndaj koronavirusit.

Procesi i vaksinimit në vendin tonë nisi me datë 11 janar në orën 15:00 në stadiumin ‘Air Albania’, ku u vaksinua edhe kryeministri Edi Rama. Të vaksinuarve të parë pritet tu jepen dozat e dyta javën tjetër për të siguruar mbrojtjen ndaj koronavirusit.

Dihet se doza e parë e vaksinës nuk sjell mbrojtje 100% ndaj sëmundjes, ndaj sugjerohet që të bëhen dy doza në mënyrë që trupi të arrijë të përgjigjet ndaj Covid-19 dhe të krijojë antitrupa.

Deri tani, Shqipëria ka siguruar 975 dozat të vaksinës anti-COVID nga një vend i BE, për të cilin është preferuar që të mos thuhet emri. Në ditën e vaksinimit, kryeministri Edi Rama tha se vaksina do të jetë jo e detyrueshme megjithëse është e këshilluar për të gjithë.

Top Channel

Gjyqi ndaj ish Presidentit Trump avancon pavarësisht rezistencës së fortë të senatorëve republikanë

SenatShumica e republikanëve në Senatin amerikan votuan të martën kundër zhvillimit tëtë akuzave ndaj ish-Presidentit Donald Trump për nxitje të rebelimit, që lidhet me sulmet e 6 janarit në Kapitol, duke sinjalizuar se ai ka të ngjarë të ketë vota të mjaftueshme për të siguruar pafajësinë.

Votimi ishte 55-45 në favor hapjes së gjyqit, por vetëm pesë republikanë u bashkuan me 50 senatorët demokratë. Dy të tretat e votave të senatorëve janë të nevojshme për ta shpallur atë fajtor, që do të thotë se 17 senatorë republikanë do të duhet të votonin së bashku me 50 senatorët demokratë për ta shpallur fajtor ish-presidentin Trump pas gjyqit të plotë që pritet të fillojë më 9 shkurt.

Një mbështetës izotit Trump, Senatori nga Kentaki, Rand Paul propozoi votimin nëse Senati do të duhej të vazhdonte me gjyqin, duke e quajtur atë një “mashtrim antikushtetues”.

Senatori Paul argumentoi se Senati nuk mund të zhvillojë një gjyq ndaj një qytetari privat, që zoti Trump tani është pasi mandati i tij mbaroi të mërkurën e kaluar kur demokrati Joe Biden u inaugurua si Presidenti i 46-të i vendit. Në fakt, Senati ka zhvilluar gjyqe për qytetarë privatë në të kaluarën.

Edhe para votimit, shumë republikanë të Senatit dukej se po hiqnin dorë nga mbështeja për ta shpalluar fajtor zotin Trump për nxitje të kryengritjes për ngjarjet e dhunshme të 6 janarit në Kapitol. Qindra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin në përpjekje për të penguar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit të fituara nga demokrati Joe Biden.

Të 100 senatorët, 50 demokratë dhe 50 republikanë, bënë betimin të martën si juristë në gjyqin kundër zotit Trump, megjithëse hapja e gjyqit është shtyrë deri më 9 shkurt.

Ligjvënësit republikanë kanë në dorë fatin e zotit Trump, edhe pse mandati katër-vjeçar i ish-presidentit në Shtëpinë e Bardhë përfundoi më 20 janar me inaugurimin e demokratit Joe Biden.

Joe Biden, i cili ka shpërbyer 36 vjet si senator dhe 8 vjet në postin e nënpresidentit në administratën e Presidentit Obama, i tha rrjetit CNN të hënën se ai mbështet zhvillimin e gjyqit por nuk mendon se një numëri i mjaftueshëm republikanësh do të votojnë kundër zotit Trump për ta shpalluar atë fajtor.

Senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, një mbështetës i zotit Trump që e ka këshilluar ish-presidentin për procedurat e ardhshme, tha se “ka vetëm një grusht republikanësh, dhe numri i tyre po bie, të cilët do të votojnë kundër tij (zotit Trump).”

Senatorë të shumtë republikanë kanë thënë se zoti Trump mban një pjesë të përgjegjësisë për sulmin e dhunshëm në Kapitol që la pesë të vdekur, duke përfshirë një oficer policie vdekja e të cilit po hetohet si vrasje. Në një tubim të 6 janarit pranë Shtëpisë së Bardhë, zoti Trump vazhdoi të shprehte akuzat e tij të pabazuara për manipulim të zgjedhjeve që, sipas tij, ia mohuan atij një mandat të dytë presidencial dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij të marshonin drejt Kapitolit dhe të “luftonin” për të penguar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden.

Në javët pasuese, autoritetet arrestuan dhjetëra protestues që sulmuan Kapitolin, që në mbarë botën shihet si simboli i demokracisë amerikane, dëmtuan disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Veprimet e dhjetra protestuesve të tjerë janë ende duke u hetuar.

Por disa ligjvënës republikanë, megjithëse shpesh e kanë kritikuar zotin Trump, vunë në dyshim zhvillimin e një gjyqi në kohën kur ai është larguar nga posti dhe sugjeruan se protestuesit janë fajtorë për sulmin e dhunshëm.

“Ne do të dëgjojmë [argumentet ligjore kundër zotit Trump], por unë ende kam problem në lidhje me kushtetutshmërinë e gjyqit, dhe precedentin që ai krijon me përpjekjen për të dënuar një qytetar privat”, tha senatorja republikane nga Ajova, Joni Ernst.

“Ai tregoi udhëheqje të dobët, mendoj se të gjithë jemi dakord me këtë. Por protestuesit janë ata që hynë në Kapitol. Ata e bënë këtë veprim me vetëdije. Pra, ata mbajnë përgjegjësinë për këtë”,shtoi ajo.

Senatori republikan nga shteti i Uiskonsinit, Ron Johnson pyeti: “Pse po e bëjmë këtë? Nuk mund të mendoj për diçka më përçarëse dhe jo shëruese sesa një gjyq për dënimin e një presidenti tashmë të larguar nga detyra. Ky është thjesht një veprim hakmarrës. Kjo është qesharake.”

Të dielën, Senatori republikan nga Florida, Marco Rubio tha në emisionin “Fox News Sunday” se “ne thjesht do të kthehemi përsëri në atë që kemi kaluar në pesë vitet e fundit, duke e nxjerrë atë në gjyq.Ky do të jetë një veprim i keq për vendin.”

“Ky nuk është një gjyq penal. Ky është një proces politik dhe do të nxisë përçarjet që kanë paralizuar vendin”, shtoi ligjvënësi republikan.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer hodhi poshtë argumentet republikanëve se zoti Trump duhet t’i shpëtonte gjyqit sepse atij i ka mbaruar mandati si president.

“Duket se ekziston një farë shprese se republikanët mund të kundërshtojnë akuzat ndaj ish-presidentit mbi bazën e procesit, në vend që të merren me sjelljen e tij të tmerrshme”, tha senatori Schumer. “Më lejoni të jem krejtësisht i qartë: Kjo nuk do të jetë e pranueshme.”

Dy gazeta të mëdha, The Washington Post dhe The New York Times, thanë se sondazhet e tyre treguan një kundërshtim të gjerë midis senatorëve republikanë për ta dënuar zotin Trump. Washington Post tha se 29 nga 50 senatorët republikanë janë kundër dënimit të ish-presidentit, ndërsa New York Times tha se 27 prej tyre e kundërshtojnë këtë veprim.

Me 67 vota të nevojshme për ta shpallur fajtor, kjo me sa duket e lë fatin e zotit Trump në duart e një numri të vogël senatorësh republikanë nëse nuk shfaqen më shumë prova që e lidhin atë me sulmimin ndaj Kapitolit, dhe që do të mund t’i detyronin ata të rishqyrtonin vendimin e tyre për këtë çështje.

Disa republikanë, megjithatë, mbeten të hapur për mundësinë e votimit në mbështetje të dënimit, duke përfshirë udhëheqësin e pakicës republikane Mitch McConnell dhe senatorin nga shteti i Jutës,Mitt Romney, i cili ka qenë kandidat i republikanëve për president në zgjedhjet e vitit 2012 në të cilat ai humbi, dhe i vetmi republikan që votoi për ta dënuar zotin Trump në gjyqin e parë në Senat.

Senatori Romney, ndërsa nuk u zotua të votonte për ta shpallur fajtor, i tha rrjetit CNN të dielën se “unë besoj se nxitja për kryengritje është një vepër e dënueshme. Nëse jo, atëherë çfarë është ajo?”

Ai tha se beson se zoti Trump ishte “bashkëpunëtor në një sulm të paparë ndaj demokracisë sonë”.

Çfarëdo që të ndodhë në gjyqin e ardhshëm, zoti Trump do tëvazhdojë të jetë Presidenti i vetëm në historinë 245 vjeçare të Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit ngrihen akuza dy herë, dhe i pari president që përballet me një gjyq në Senat pas largimit nga detyra.

Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza ndaj tij në vitin 2019, për përpjekje për të marrë ndihmë nga Ukraina për të hetuar zotin Biden përpara zgjedhjeve të nëntorit. Senati e liroi atë nga akuza shkurtin e kaluar.

Ligjvënësja Madeleine Dean e Pensilvanisë, një nga ligjvënësit demokratë që do të luajnë rolin e prokurorëve në gjyqin kundër zotit Trump në Senat, i tha rrjetit CNN se ata do të “ofrojnë argumente të forta” për të nxjerrë në dritë “gënjeshtrën e madhe” se zoti Trump kishte humbur zgjedhjet për shkak të manipulimeve.

Ajo e quajti nxitjen e kryengritjes nga zoti Trump “një krim të jashtëzakonshëm, të urryer. Publiku amerikan e pa atë që ndodhi.”

“Ky ishte një moment i frikshëm … i nxitur nga presidenti,” tha ajo. “Kjo nuk mund të mbetet pa përgjigje.”

Dhoma e Përfaqësuesve i dorëzoi zyrtarisht akuzat ndaj zotit Trump për “nxitje të kryengritjes” në Senat të hënën në mbrëmje.

Dy javë më parë, Dhoma e Përfaqëuesve votoi me 232 pro dhe 197 kundër për ngritjen e akuzave ndaj zotit Trump. Dhjetë ligjvënës republikanë u bashkuan me të gjithë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në votimin për ngritjen e akuzës ndaj ish Presidentit Trump.

voa

Kushtetuesja nis nga puna/ Përparësi 6 çështje! Ende pa datë padia për zgjedhjet lokale

Gjykata KushtetueseNuk ishin çështjet e nxehta politike, as beshtja e pronave dhe as shkelja e të drejtave në procese gjyqësore që e zbriten gjykatën kushtetuese pas tre viteve mos funksionim, në seancën e saj të parë.

Por rishikimi i dënimeve gjyqësore, që teksa drejtësia është nën riformatim shumë të dënuar kanë shfrytëzuar facilitetet ligjore  dhe kanë kërkuar rishikime dënimesh në shkallët e para. Por gjyqtari Erjon Bani, duke u referuar kërkesës të të dënuarit Artan Muca e pezulloi çështjen dhe ja çoi për shqyrtim gjykatës kushtetuese me argumentin se nuk mundet që një gjykatë e shkallës më të ulët të vlerësojë vendimet e gjykatave më të larta.

Në agjendën e Gjjykatës Kushtetuese si prioritare për muajin shkurt janë njoftuar 6 çështje , mes tyre padia e shoqatës  kombëtare “Pronësi me Drejtësi ” për çështjen e pronave, mandej kërkesat e qytetarëve kundër parregullsive gjyqësore dhe padia e Kontrollit të lartë të shtetit për financat e qeverisjes vendore.

Ndërkohë pa datë mbeten paditë me përmbajtje politike  si cështja e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, përplasja mes kryeministrit dhe presidentit për dekretet e ministrave, si dhe padia e partisë republikane që kundërshton  ndalimin e  tubimeve politike  për shkak të masave anticovid. Sidoqoftë për shqetësimin e masave   anticovid, pavarësisht se kur do të zbresë në seancë për ta shqyrtuar kërkesën në fjalë,  gjykata kushtetuese është treguar e qartë  me njoftimin se seancat plenare do të mbahen pa praninë e publikut për shkak të masave kufizuese anticovid.

Top Channel

Maqedonia e V. orientohet kah vaksinat kineze

Sinopharm KinaAutoritetet maqedonase kanë njoftuar se janë duke e shqyrtuar mundësinë e furnizimit me vaksina kineze kundër COVID-19, ndonëse kanë theksuar se prioritet mbetet furnizimi përmes programit COVAX, teksa shteti po realizon bisedime të drejtpërdrejta edhe me kompaninë amerikane, Pfizer.

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, më 25 janar deklaroi për televizionin Alsat se nuk e sheh si problematike furnizimin me vaksinat e prodhuara nga kompanitë kineze edhe pse të njëjtat ende nuk janë miratuar për përdorim nga Agjencia Evropiane e Barnave.

“Janë plotësisht të përshtatshme, dokumentet, certifikatat që të gjithë prodhuesit e vaksinave i posedojnë nga vendet amë. Mënyra në të cilën vlerësohen të gjitha rezultatet e studimeve klinike, procesi i bërjes së vaksinave, posaçërisht ato për të cilat po flasim (vaksinat kineze), janë të njohura për ekspertët tanë. Pikërisht kjo është ajo që ata kanë analizuar për pothuajse të gjitha vaksinat që tani janë në treg, kështu që nuk ka asnjë pengesë administrative dhe natyrisht, nuk ka dyshim për cilësinë e tyre”, tha Filipçe.

Ministri Filipçe shtoi se deri në fund të javës, ministria që ai drejton do të japë më shumë detaje sa i përket kontratës për furnizimin me vaksinat kineze dhe çmimin e tyre.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, kishte deklaruar për një media vendore se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s mbetet e orientuar kah institucionet perëndimore sa i përket furnizimit me vaksinat kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Vaksina të prodhuara nga Kina deri më tani ka siguruar Serbia, e cila po ashtu përdor edhe një vaksinë të prodhuar në Rusi.

Pikërisht për furnizimin me vaksina ruse dhe kineze nga ana e Serbisë, Zaev kishte deklaruar, se kjo ndodh pasi ky shtet nuk ka aspirata për t’u anëtarësuar në Aleancën veri-atlantike.

“Serbia nuk ka aspirata për anëtarësim në NATO dhe është normale të jetë më e hapur drejt Lindjes, Rusisë dhe Kinës dhe bën marrëveshje me këto vende. Ne jemi anëtar në NATO dhe në përgjithësi mbetemi të orientuar kah Perëndimi dhe vaksinat e konfirmuar nga institucionet perëndimore”, kishte deklaruar Zaev më 22 dhjetor, 2020.

Deri më tani, Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar për përdorim vaksinat kundër koronavirusit të prodhuara nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech dhe të kompanisë Moderna. Por, vaksinat kineze ende nuk janë miratuar për përdorim në vendet evropiane.

Vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe të Modernas janë krijuar duke përdorur një teknologji më të avancuar të quajtur mRNA, ndërkaq vaksinat kineze janë krijuar duke pasur për bazë një virus të dobësuar.

Vaksinat me teknologjinë mRNA, nuk përmbajnë në vete virusin, por përmes kësaj teknologjie mundësohet përpunimi i kodit gjenetik të virusit.

Serbia tashmë ka pranuar kontingjentin e parë prej një milion dozash të vaksinës së kompanisë kineze, Sinopharm. Në këtë shtet, përveç kësaj vaksine, qytetarët mund të zgjedhin të vaksinohen edhe me vaksinën ruse, Sputnik-V apo me atë të Pfizer dhe BioNTech. Ndërkaq, vendi i parë i BE-së, që ka nënshkruar kontratë për furnizim me vaksinë kineze është Hungaria.

Opozita: Vonesat në furnizim me vaksina, paaftësi e qeverisë

Partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut kanë thënë se zvarritja e procesit të furnizimit me vaksina, tregon paaftësinë e autoriteteve qeveritare.

“Mendoj se ne si shtet që në fillim ngecëm me marrëveshjet që bëheshin me kompanitë që prodhojnë vaksina e edhe për sa i përket programit COVAX”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arben Taravari nga koalicioni opozitar, Aleanca për Shqiptarët – Alternativa.

Taravari, i cili në të kaluarën ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë, shprehet skeptik se Maqedonia e Veriut mund të fillojë fushatën e vaksinimit në masë para muajit maj apo qershor.

“Nuk është keq që qytetarët të kenë më shumë opsione, edhe vaksinat kineze t’i kemi këtu, por edhe vaksinat e dy kompanive të tjera, e pastaj njerëzit le ta pranojnë atë për të cilën mendojnë se është më e mira”, thekson Taravari.

Edhe Andon Çibishev, që është anëtar i Komisionit parlamentar për Shëndetësi, akuzon qeverinë për paaftësi, për shkak të vonesave për sigurimin e vaksinës.

“Një herë na bindën se gjithçka është në rregull, se autoritetet tona kanë arritur marrëveshje për sigurimin e 500 mijë apo 800 mijë dozave përmes sistemit COVAX dhe pastaj doli se praktikisht nuk funksionon ky sistem dhe se nuk do të marrim vaksina. Madje dëgjuam dhe arsyetime nga presidenti i shtetit dhe ministri i Shëndetësisë se ne jemi treg shumë i vogël prandaj injorohemi” ka theksuar Çibishev, i cili vjen nga radhët e partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka thënë se ka porositur mbi 1.6 milion doza të vaksinave kundër koronavirusit. Prej tyre, 800 mijë doza janë të vaksinës së prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech, ndërkaq 833 mijë të tjera janë nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, program ky që ka për synim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra.

Maqedonia e Veriut, më 18 janar bëri të ditur se do të marrë si donacion nga Serbia edhe 8 mijë doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, por të njëjtat ende nuk kanë arritur për shkak të problemeve administrative.

rel

Lëkundje në Shqipëri, tërmet me magnitudë 3.8 të shkallës Rihter, ja ku ishte epiqendra

erthquakeLëkundje tërmeti janë regjistruar mesditën e sotme, në orën 15:32 në vendin tonë.

Tërmeti ishte me magnitudë 3.8të shkallës Rihter, epiqendra ishte 28 km në veri të Durrësit dhe 20 km në jugperëndim të Laçit, në një thellësi prej 2 km.

Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo në njerëz.

Ndërkohë lëkundjet janë ndjerë edhe në Tiranë.

tch