Borrell: Ballkani Perëndimor është oborri i BE-së

BorellShefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të mërkurën në mbrëmje se Ballkani Perëndimor mbetet përparësi strategjike e bllokut dhe është “politika e jashtme më e rëndësishme” për të.

Ai i bëri këto komente në fillim të një darke joformale me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, për të diskutuar situatën në rajon pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Ballkani Perëndimor nuk është oborri ynë i pasmë, por oborri ynë, dhe ne dëshirojmë që të përballemi së bashku me veprimet përçarëse të Rusisë drejtpërdrejt në rajon përmes dezinformimit dhe sulmeve kibernetike”, tha zoti Borrell.

“Lufta e fundit në Evropë ishte në Ballkan, tani është në Ukrainë dhe sot do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi ndikimin global dhe rajonal të kësaj lufte të (Vladimir) Putinit, një luftë jolegale kundër popullit ukrainas dhe kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha ai.

Zoti Borrell tha se ndër temat që do të diskutohen me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe veprimi në një linjë i tyre me Bashkimin Evropian.

“Unë do të përgëzoj partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor që janë plotësisht në linjë dhe që nga dita e parë me reagimin e Bashkimit Evropian ndaj agresionit rus kundër Ukrainës. Dhe do t’u bëj thirrje edhe të tjerëve ta bëjnë të njejtën. Shumica e tyre e kanë bërë dhe do t’ujanë bëj thirrje tjerëve që ta bëjnë”, tha ai.

Serbia dhe Bosnja e Hercegovina mbetën dy vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë refuzuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Zoti Borrell shfaqi shqetësimet për situatën në Bosnje e Hercegovinë duke theksuar se “nuk ka hapësirë për cenimin e sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”. Ai tha se këtë do t’ia përmend udhëheqësit serb të Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik.

Por, udhëheqësi i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik tha se kriza politike në këttë vend do të mund të zgjidhet përmes dialogut të brendshëm.

“Ne kemi probleme të mëdha politike brenda Bosnjës e Hercegovinës. Ne po përgatitemi për zgjedhje në të cilat nuk arritëm të zbatojmë reformën zgjedhore. Ekziston një pakënaqësi thelbësore për faktin se po rrezikohet kushtetutshmëria e njerëzve dhe të drejtat e tyre. Kemi përshtypjen se kemi të vendosur një të emëruar të Kombeve të Bashkuar të rrejshëm dhe kjo po e përkeqëson situatën dhe duhet që nëpërmjet dialogut politik në Bosnje e Hercegovinë të zgjidhen problemet me të cilat po përballemi”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se do të ketë diskutime të vështira për shkak të siç tha shumë çështjeve që janë shfaqur ndërkohë. Ai tha se ka dëgjuar paralajmërime që Kosova mund të aplikojë të enjtën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar kundërpërgjigje nga Serbia.

“Është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin dhe për të destabilizuar Serbinë. Unë do të flas për këtë në mënyrë më të hollësishme më vonë, të presim se çfarë do të bëjnë ata. (Donika) Gërvalla ka paralajmëruar mundësinë e aplikimit në Këshillin e Evropës për nesër, të presim dhe të shohim. Nëse ata e bëjnë këtë, atëherë është e qartë se për ta nuk ekziston as marrëveshja e Brukselit, as marrëveshja e Uashingtonit, as Rezoluta 1244 dhe se do ta shfuqizojnë plotësisht rendin juridik ndërkombëtar. Do të jetë interesante të shihet se kush nga të gjithë ata që betohen se do të respektojnë të drejtën ndërkombëtare do të mbështesë diçka të tillë”, tha ai duke nënvizuar se Serbia do të përgjigjet seriozisht dhe me përgjegjësi.

Por, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nuk e përmendi çështjen e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ndërsa theksoi se pret që në darkën joformale të diskutohet rreth mundësive për një integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian. Ajo tha se Kosova ështët e gatshme për marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të vijë pikërisht këtu për të arritur një marrëveshje sepse dialogu asaj do t’i shërbej, arritjes së marrëveshjeve dhe jo takimeve të shpeshta pa rezultate, prandaj ditën e premte zëvendëskryeministri do të jetë këtu dhe do të shohim se çfarë rezultatesh do të kemi. Delegacioni i Kosovës është shumë i gatshëm për të sjellë rezultate në këtë proces të dialogut”, tha ajo.

Ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë pritet të taakohen të premtën në Bruksel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

voa

Komuna e Tetovës ka shkarkuar drejtoreshën e gjimnazit Teuta Llallën

gjimnazi-tetoveMe kërkesë të këshillit të shkollës, Komuna e Tetovës shkarkoi drejtoren e gjimnazit “Kirill Pejçinoviq”, Teuta Llallën, shkruan Alsat.

Vendimi për shkarkimin vjen pas revizionit të brendshëm, i cili ka konstatuar disa shkelje. Ndërkohë Komuna ka iniciuar edhe padi ndaj Teuta Llallës.

“Revizioni i brendshëm komunal ka konstatuar shkelje brenda institucionit, Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, andaj dhe të njëjtin e kemi dorëzuar si raport edhe tek këshilli i gjimnazit dhe në bazë të këtij raporti dhe shkeljeve që e kanë shqyrtuar, i kanë propozuar kryetarit të komunës  shkarkimin e drejtoreshës së Gjimnazit”, u shpreh Nazmi Dauti, udhëheqës i sektorit për arsim në komunën e Tetovës.

Raporti të cilin e siguroi Alsat, vërteton shkelje në tetë pika: realizimi i disa punimeve ndërtimore pa pasur kontratë valide me firmën, pa formuar komision mbikëqyrës për realizimin e punëve ndërtimore dhe mungesë të dokumentacionit të duhur për realizimin e këtyre punimeve ndërtimore.

Drejtorja e shkarkuar Teuta Llalla e ka quajtur revizionin selektiv duke paralajmëruar edhe ankesë.

“…përfshin periudhën vetëm gjer sa unë jam drejtoreshë dhe një hapësirë e madhe kohore nuk është mbuluar nga revizioni dhe kam dyshimet e mia se ky është revizion selektiv. Pikërisht për këtë, unë në konsultim me ligjin, konstatoj se nga ana e kryetarit të komunës janë bërë veprime të përshpejtuara dhe unë do ndjek hapat ligjore kundrejt kësaj çështjeje”, tha Teuta Lllalla, drejtoreshë në largim e Gjimnazit të Tetovës.

Alsat mëson se revizioni i brendshëm komunal është duke vepruar edhe në disa shkolla të tjera fillore dhe të mesme.

alsat

Ideja e Macronit që mund të lërë Ballkanin Perëndimor jashtë BE-së

MacronNjohësit e politikave të Bashkimit Evropian thonë se propozimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për krijimin e një organizate të re politike me qëllim të bashkimit të vendeve që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut, është një përpjekje e tij për ndaluar zgjerimin e BE-së.

Toby Vogel, analist dhe ekspert për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor me bazë në Bruksel, vlerëson se ideja e presidentit Macron nuk do të përkrahet nga shtetet e bllokut.

Përveç që e cilëson propozim të zbehtë dhe me shumë paqartësi, Vogel thotë se Macron përmes kësaj ideje shpërfaq kundërshtimet që ka në raport me anëtarësimin e shteteve të reja në BE.

“Është e qartë se zgjerimi [i BE-së] nuk po shkon askund, sigurisht jo për Ballkanin Perëndimor dhe një nga arsyet për këtë është presidenti [Emmanuel] Macron. Ka qenë ai i cili ka bllokuar, për shembull, hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, thotë Vogel në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Franca kundërshtoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2019. Macron tha atëbotë se këto shtete duhej të bënin ende progres.

E, duke folur në Strasburg më 9 Maj në Ditën e Evropës, Macron, kur iu referua kërkesës së Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në BE, tha se mund të duhen dekada për të ndodhur diçka e tillë.

Komentet i bëri pasi paraprakisht presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se në qershor planifikon të japë mendim lidhur me kërkesën e Ukrainës për anëtarësim.

Macron është shprehur kundër përshpejtimit të procedurës për Ukrainën, por edhe për shtetet e tjera, me arsyetimin se duhet respektuar standardet.

Në vend të përshpejtimit ai propozoi atë që e quajti “komunitet politik evropian”, që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, sikurse Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga blloku.

Vogel mendon se qëllimi i vërtetë i propozimit të presidentit Macron është që ai të paraqitet si mik i Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, shtetet të cilat mëtojnë integrimin në BE, ndërsa në të njëjtën kohë nuk e mbështetë anëtarësimin tyre.

“Tani, ajo që vërtet dyshoj se qëndron pas idesë së Macronit është si të thuash: ne do t’ju japim statusin e kandidatit, por më pas do t’ju lëmë në harresë ku ju në të vërtetë nuk jeni anëtar, por gjithashtu nuk jeni krejtësisht jashtë BE-së… Kjo do të ishte një mënyrë për të mbajtur jashtë [BE-së] Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainën dhe të gjithë të tjerët, gjë që unë dyshoj se në fund është ajo që ai [Macron] dëshiron në të vërtetë”, thekson Vogel.

Presidenti francez, Macron, si dhe zyrtarët francezë në përgjithësi kanë mbajtur qëndrime kundërshtuese në raport me anëtarësimin e shteteve të tjera në bllokun evropian.

Franca prej vitesh e kundërshton edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ndonëse janë plotësuar të gjitha kriteret që BE-ja i kishte vënë në udhërrëfyes.

Weber: Asgjë më shumë se një alternativë e zgjerimit

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, e sheh idenë e prezantuar nga presidenti francez më shumë si një tendencë për të shuar procesin e zgjerimit.

“Mendoj se ajo çfarë ai [Emmanuel Macron] po propozon këtu parimisht,[është] një alternativë e procesit të zgjerimit të BE-së edhe pse ai e ka shmangur që ta thotë këtë. Ai është i gatshëm për të gjetur një format që do ta zhdukte çështjen e zgjerimit të BE-së”, thotë Weber.

Weber thotë se është e qartë që brenda shteteve të BE-së ka mospajtime të mëdha sa i takon zgjerimit të mëtejmë të bllokut.

Ideja e Macronit është mirëpritur nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili e përshkroi atë si “një sugjerim mjaft interesant për t’u përballur me sfidën më të madhe me të cilën përballemi”. Mirwpo, i dërguari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, më 10 maj në Beograd në një intervistë për agjencinë Tanjug ka thënë se “Gjermania dëshiron që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të kenë një të ardhme në BE”.

Duke iu referuar deklarimit të Sarrazinit, Weber thotë se Qeveria gjermane është kundër një anëtarësimi të kategorisë së dytë në veçanti për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Pra, Qeveria gjermane e ka kuptuar mjaft mirë se çfarë po synon zotëri Macron dhe ka mospajtime në mes të Francës dhe Gjermanisë sa i takon zgjerimit të BE-së, pasi Gjermania vazhdon të qëndrojë te mbështetja e perspektivës për anëtarësim në BE nisur nga vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Weber.

Ai shton se BE-ja ka nevojë ta rimendojë procesin e zgjerimit dhe se nuk është i nevojshëm asnjë mekanizëm tjetër, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi edhe ashtu ka pasur iniciativa të ndryshme që nuk janë treguar efikase përfshirë këtu Procesin e Berlinit si dhe idenë rajonale Ballkani i Hapur.

Procesi i Berlinit është një nismë e disa shteteve anëtare të BE-së, nën udhëheqjen gjermane, që kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Ballkani i Hapur ishte një ide që gjeti përkrahje të fuqishme në Serbi dhe Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Ballkani i Hapur u prezantua si alternativë e vendeve të rajonit përmes së cilës ideja ishte të krijohej një zonë e përbashkët politike dhe ekonomike.

Kjo iniciativë nuk gjeti mbështetje në Kosovë, Mal të Zi, si dhe Bosnje e Hercegovinë.

Si u komentua propozimi në rajon?

Qeveritë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë nuk e kanë komentuar propozimin e presidentit francez, Macron. Por, mendime rreth iniciativës kanë dhënë në Serbi dhe Maqedoni të Veriut.

Më 10 maj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk ka biseduar me presidentin e rizgjedhur të Francës për më shumë se një muaj dhe se nuk do të ndërhyjë në mënyrat e vendimmarrjes brenda Bashkimit Evropian.

“Do të doja të dëgjoja se cili është plani i tij përfundimtar që të mund të deklarohem”, tha Vuçiq në një paraqitje para mediave në Serbi.

Propozimi i Macronit është mirëpritur në Maqedoni të Veriut.

Zëdhënësi i Qeverisë maqedonase, Dushko Arsovski, tha të mërkurën më 11 maj se propozimi është “një mundësi të shkëlqyer për bashkimin e vendeve që nuk arritën të anëtarësohen në bllok ose nuk deshën në një moment të caktuar, duke pasur parasysh situatën e re gjeopolitike”.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Besnik Osmani, tha se propozimi i Macronit më shumë ka të bëjë më Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, por jo edhe me Ballkanin Perëndimor.

Ku është rajoni në procesin e anëtarësimit?

Maqedonia e Veriut ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2004. Ka vetëm statusin e vendit kandidat. Ende nuk i ka hapur negociatat për anëtarësim.

Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2009, është shtet kandidat, por ende nuk i ka hapur negociatat për anëtarësim.

Mali i Zi është vend kandidat dhe ka aplikuar për pranim në BE në vitin 2008.

Serbia, po ashtu, është shtet kandidat dhe ka aplikuar për pranim në BE në vitin 2009.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë një hap më pas. Kanë statusin vetëm të shtetit kandidat potencial.

Statusi i vendit kandidat jepet nga Këshilli Evropian në bazë të një opinioni të Komisionit Evropian, të hartuar pas aplikimit për anëtarësim në BE.

Vendet kandidate potenciale janë ato vende që potencialisht mund të aplikojnë për anëtarësim në BE.

rel

“SPAK të hetojë korrupsionin”, Rama: Të drejtën të shpreh qëndrimin për punën e drejtësisë nuk ma heq askush

RamaMe një sqarim për kritikat e tij ndaj SPAK bërë në Asamblenë e PS, e ka nisur kryeministri Edi Rama, konferencën e sotme me gazetarët.

Rama rishprehu edhe një herë qëndrimin e tij lidhur me nevojën që SPAK-u të hetojë në mënyrë gjithëpërfshirëse korrupsionin e politikanëve dhe gjykatësve e prokurorëve të korruptuar, ndërsa theksoi se askush nuk mund ta ndalë të shprehë opinionin e tij për punën e drejtësisë së re.

“Qëndrimi im në Asamblenë Kombëtare të PS-së lidhur me nevojën që SPAK-u të hetojë në mënyrë gjithëpërfshirëse korrupsionin e politikanëve dhe gjykatësve e prokurorëve të korruptuar të cilët si të tillë janë përjashtuar nga procesi i vettingut. Disa e kanë quajtur këtë presion mbi drejtësinë, disa frikë nga humbja e pushtetit, ndërsa të tjerë e kanë komentuar si përpjekje për të fshehur dështimet e qeverisë apo orvatje të kota.

Pavarësisht interpretimeve për mua më e rëndësihme është që ky diskutim të bëhet. SPAK së shpejti mbush tre vjet, vetting 5 vjet dhe për pak vite, pritja e popullit për drejtësi mbush 35 vjet. Si dikush që për shkak të detyrës e ka udhëhequr politikisht moralisht dhe vendosmërisht reformës në drejtësi, në emër të forcës politike që i ka dhënë kësaj reforme gjithë mbështetjen, por edhe si njeriu që është sulmuar më shumë për këtë reformë, edhe nga mbështetësit e saj që janë krejt të palumtur sot, unë besoj se të drejtën në këtë moment që mbyll një cikël dhe hap një tjetër, të drejtën që ta ndaj me opinionin publik qëndrimin për punën e drejtësisë nuk ma heq askush. Kujtoj se i kam dhe i kemi mbështetur të gjitha veprimet dhe  vendimet e SPAK, pa asnjë koment, përvec inkurajimit. E kemi bërë të qartë dhe e kemi treguar që dikush në radhët tona që ka llogari të hapur me drejtësinë derën e kësaj partie e ka të mbyllur.” u shpreh Rama.

Top Channel

Gazi natyror dhe Kosova

gaziEdhe çështja e ndërtimit të një gazsjellësi është shndërruar në çështje të politikës ditore për poenë politikë. Në aspektin e analizës së politikave, projektet si ky kërkojnë studim të kostove dhe përfitimeve dhe duhet të analizohen për një periudhën 30 vjeçare. Këtu duhet të përfshihen të gjithë faktorët dhe pasojat e mundshme të projektit duke përfshirë edhe ato që në projekte biznesore quhen eksternalitete (efekti mjedisor e shëndetësor). Disa faktorë të rëndësishëm ekonomik janë: kostoja për buxhetin publik (përveç ndihmave, ku përfshihet shpronësimi), kohëzgjatja e projektit, parashikimet e çmimit të gazit, kostoja e termocentralit me gaz dhe kostoja e rrjetit për ngrohje të amvisërive.

Kosova nuk ka komoditet të ngutet drejt një projekti madhor ashtu siç kishte ndodhur me projektet për autostradat. Kosto e autostradës Prishtinë-Vërmicë ka qenë përafërsisht sa buxheti total i Kosovës në vitin kur është nënshkruar kontrata e ndërtimit. Pasojat e atyre projekteve vërehen në degradimin social si kosto oportune, për shkak të orientimit të buxhetit në autostrada.

Në të njëjtën kohë duhet të analizohen kostot oportune dhe fizibiliteti i projekteve alternative. Sa i përket pasojave mjedisore, gazi natyror nuk është i ripërtërishëm, por është më i pastër se thëngjilli. Kurse, sa i përket çmimit të furnizimit me gaz, çmimi është i ndikuar nga faktorë rajonalë dhe dallon nga çmimi i naftës, për shembull, që shitet me një çmim në tregun botëror. Kjo domethënë që gazi që ofertohet nga shtetet më afër Kosovës do të jetë më i lirë për t’u importuar. Nëse gazsjellësi lidhet me TAP, atëherë gjasat janë më të mëdha që ai të jetë gaz azerbajxhanas. Dhe nëse lidhet me terminalin e gazit të lëngshëm, i njohur si LNG në Aleksandropulis në Greqi, i cili pritet të hyjë në funksion në fund të 2023-së, do të mund të furnizohet nga shtete të ndryshme që eksportojnë LNG. Sido që të jetë, kjo nënkupton që Kosova, për herë të parë do të përdorte një burim domethënës nga jashtë për të prodhuar rrymë dhe do t’i ekspozohet fluktuimeve botërore e rajonale të çmimeve të gazit, ngjashëm siç bën tash me rrymën elektrike.

Tre eksportuesit kryesorë të LNG-së janë Katari, Australia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që pritet të dalë në krye të listës këtë vit, të pasuar nga Rusia, Malajzia e shtete tjera. Kërkesa për LNG është në rritje e sipër, për shkak të rritjes së kërkesës së përgjithshme në Azi, por edhe për shkak se gazi shihet si një alternativë më e pastër dhe zëvendësim i përkohshëm i thëngjillit drejt kalimit në burime të ripërtërishme të energjisë. Në rast të një konflikti në Ukrainë, dhe nëse Rusia vendosë ta pakësojë furnizimin e gazit në Evropë, kërkesa për LNG vetëm se do të rritet.

Rusia është furnizuesi kryesor i Evropës me gaz dhe ekziston argumenti që vetë forcimi i industrisë së gazit e forcon ndikimin e Rusisë. Në anën tjetër, rritja e furnizimit të Evropës me gaz likuid, nga SHBA-ja, Australia dhe Katari e shtete tjera, shihet si një mënyrë për të zvogëluar ndikimin e Rusisë ne furnizim të Evropës me gaz si dhe zvogëlim të ndikimit gjeopolitik të saj.

Gazo-politika

Projektet e gazsjellëseve nuk janë vetëm ekonomike por ato kanë aspekte gjeo-ekonomike dhe gjeo-politike. Një gazsjellës i tillë do ta lidhte Kosovën me shtete si Greqia dhe Maqedonia e Veriut, kurse përmes importit të gazit do të krijonte potencialisht lidhje me shtete tjera si Azerbajxhani e SHBA-ja. Një pyetje me rëndësi është se, a do të përfundonte ky gazsjellës në Kosovë, apo do të vazhdonte drejt shteteve tjera si Mali i zi, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe potencialisht Kroacia?

Një projekt i tillë rajonal do ta forconte pozitën politike të Kosovës. Për t’u realizuar kjo duhen marrëveshje ndërshtetërore dhe ndërmjetësimi i SHBA-së si furnizues potencial me LNG, si dhe përkrahja e BE-së si financues i pjesshëm i projekteve. Gjithashtu, mundësia për qarkullim të dyanshëm, do ta lehtësonte opsionin e realizimit të një projekti në të ardhmen që e bën gazifikimin e thëngjillit, kështu duke ia lejuar Kosovës shfrytëzimin e një visari vendor për eksport.

Autor: Dr. Seb Bytyçi Autori është bartës i Programit për Politikë dhe Ekonomi të Universitetit të Londrës/LSE në Riinvest dhe Bashkëpunëtor i jashtëm në Universitetin e Wincesterit.

Në fanellë Shqipëria dhe Kosova/ Media serbe komenton veshjen e kombëtares së Ukrainës

fanella ukrainaPushtimi rus i Ukrainës ka bërë që thuajse e gjithë bota të jetë solidare ndaj këtij vendi në këtë luftë të paprovokuar nga Vladimir Putin.

Kjo ka bërë që në Ukrainë të hidhet ideja e krijimit të një fanelle të re për të falënderuar të gjithë kombet që i janë gjendur pranë popullit ukrainas në këto momente të vështira.

Bëhet fjalë për një fanellë ku shfaqet harta e Ukrainës me kufijtë të vijëzuar nga flamujt e të gjitha vendeve që kanë ndihmuar vendin dhe këtu përfshihen edhe flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa në qendër të hartës së Ukrainës është shkruar ‘Të Bashkuar për Ukrainën’.

Por kjo nismë padyshim që nuk është parë me sy të mirë nga vende të caktuara siç është Serbia, media e së cilës ka reaguar keq ndaj këtij gjesti teksa e ka përkufizuar si provokim duke ngritur pyetjen sesi një vend që nuk e ka njohur Kosovën si shtet, të bëjë një veprim të tillë

“Provokim ndaj Serbisë. Ukraina e vendos flamurin e shtetit të ashtuquajtur të Kosovës në fanellën e re!?”-shkruhet “Novosti Online-Fanella i përmban të gjithë flamujt e vendeve që e mbështesin Ukrainën në luftën me Rusinë. Serbia nuk është në të. Por, ajo që është interesante është që Ukraina nuk e njeh shtetin fals, të shpallur në territorin e provincës jugore serbe”.

Por jo vetëm kaq, në fanellë është edhe mbishkrimi U24 që mund t’i referohet një hyrje të shpejtë të mundshme të Ukrainës në BE, ndërsa në pjesën e pasme te numrat, janë emrat e qyteteve të përfshira në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë

Ndërkaq, Ukraina ka nisur përgatitjet në Slloveni për ndeshjen e playoffit të Botërorit të Katarit me Skocinë, një sfidë që do të luhet në 1 qershor.

Top Channel

Ministri austriak Schallenberg optimist për zgjidhjen e ngërçit Shkup-Sofje

SchallenbergMinistri austriak për çështjet e Evropës Alexandër Schallenberg ishte të martën për vizitë në Shkup, ku tha se shikon një mundësi drejt zgjidhjes së ngërçit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Zoti Schallenberg e quajti zgjerimin e Bashkimit Evropian një nevojë gjeo-strategjike dhe u shpreh optimist për arritjen e një zgjidhjeje në muajt e ardhshëm.

 

Ministri austriak për çështjet e Evropës dhe ato ndërkombëtare, Alexander Schallenberg erdhi në Shkup nga Sofja, në përpjekje të zgjidhjes së ngërçit midis dy vendeve fqinje që po mba peng integrimin e vendit të vogël ballkanik drejt Bashkimit Evropian. Zoti Schallenberg ka shpresa se mosmarrëveshjet do të zgjidhen para se të fillojnë pushimet verore. Në një konferencë për media ai nuk dha shumë hollësi për bisedat me autoritetet bullgare, ndërsa theksoi se Blloku ndodhet para një vendimi gjeopolitik, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe rrezikun e mundshëm për rajonin e Ballkanit që imponon hapjen e rrugës së zgjerimit të BE-së.

Për Austrinë është një detyrë gjeo-shtrategjike që Ballkani Perëndimor të bëhet patjetër pjesë e Bashkimit Evropian. Këtë e kemi thënë para 20 vjetësh dhe u kemi premtuar këtyre shteteve (anëtarësimin në BE)”, tha zoti Schallenberg. Ai tha se për shkak të rrethanave në Ukrainë tani është koha që BE të tregojë besueshmëri.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të bëjnë një hap përpara dhe përfundimisht të fillojnë bisedimet me BE-në”, tha zyrtari i lartë austriak.

Ministri austriak tha se Maqedonia e Veriut paraqet shembull për konttibutin e dhënë lidhur me qëndrueshmërinë në rajon dhe se kjo gjë duhet tëe vlerësohet nga BE-ja. Bashkimi Evropian, shtoi ai, duhet të dëshmojë se ka fuqi gjeopolitike të bëjë hapa të përshtatshëm drejt një procesi të ri. Në të kundërtën, ndoshta do të ballafaqohemi me shtete të cilat do të sjellin destabilizim, u shpreh ministri austriak.

Lidhur me bisedimet Shkup–Sofje, ndonëse tha që janë gjëra të vogla ato që kanë mbetur pa u zgjidhur, zoti Schallenberg u shpreh se nuk mundet që njëra palë të lëshojë pe dhe tjetra të jetë bllokuese. “Mendojmë se duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët sepse këto janë çështje të ndjeshme”, tha ai.

Por, pala maqedonase nuk shikon ndryshim të kursit në Sofje, madje ministri i jashtëm Bujar Osmani është shprehur se nëse deri në qershor, para takimit të pritshëm të Bashkimit Evropian për marrjen e datës, nëse nuk zgjidhen problemet me Sofjen, atëherë Maqedonia e Veriut do t’i ngrijë bisedimet me fqinjin e saj. Kjo gjë shikohet si ultimatum në Sofje.

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani tha se Maqedonia e Veriut pret që BE-ja të tregojë përcaktim strategjik për Ballkanin Perëndimor në këto rrethana të reja gjeopolitike.

Bullgaria kërkon mes tjerash që pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut të bëhet pjesë e kushtetutës së këtij vendi, një veprim që është kundërshtuar haptas nga Shkupi.

voa

Çfarë zbulon zëri për personin?

lajm zanorKur dërgjojmë zërin e një personi, krijojmë automatikisht edhe përshtypjen për karakterin e tij. Çfarë zbulon në të vërtetë zëri? Për këtë janë bërë shumë studime.

Shumica prej jush ndoshta e njihni këtë situatë: Kur flasim me një person në telefon ose dëgjojmë ndonjë podcast edhe pa e parë kurrë atë automatikisht krijojmë përfytyrimin për këtë person.

Ne nuk krijojmë vetëm një ide për moshën dhe gjininë e personit, për edhe për dukjen e tij, gjatësinë apo forcën. Ne nga zëri i tij dallojmë po ashtu edhe nëse dikush është i mërzitur, miqësor, i interesuar ose me nerva. E besojmë se vetëm përmes zërit mund të krijojmë një përshtypje edhe për personalitetet e njerëzve të tjerë.

Zërat e thellë konsiderohen më tërheqës

Studimet psikologjike kanë treguar në të kaluarën se zëri i një personi luan një rol të rëndësishëm edhe në përzgjedhjen e një partneri, e në rastin e një politikani mund të ndikojë edhe votimin e tij apo jo.

Në veçanti lartësia e zërit duket të jetë vendimtare. Në studimet e shumta thuhet se zëri i thellë shpreh dominimin, atraktivitetin, inteligjencën dhe ndershmërinë.

E nëse kjo tingëllon si një lajm jo i mirë për personat me zë më të hollë, me zërat kërthitës, atëherë duhet thënë se deri më tani janë studiuar në radhë të parë se çfarë asociacionesh ngjall tingulli tek dëgjuesit. Kjo tregon shumë pak për karakterin e vërtet të personit.

Çfarë domethënie ka vërtet zëri?

Psikologu Christoph Schild nga Universiteti i Siegenit thekson se njerëzit mund të gabojnë edhe me interpretimet e zërit: “Mike Tyson, për shembull, njihet për zërin e tij mjaft të lartë, por në të njëjtën kohë është ndoshta më shumë një person dominues.”

Schild ishte pjesë e një ekipi kërkimor të udhëhequr nga psikologia Julia Stern. Ata së bashku kanë bërë kërkime në Universitetin e Göttingen dhe kanë dashur të zbulojnë se çfarë tregon vërtet zëri për personalitetin e një personi?

Thënë shkurt: Po. Disa tipare të personalitetit mund të lexohen edhe nga zëri, por vetëm disa.

Dominant, të ekstrovertuar, më aktivë në seks

Studiuesit kanë bërë kërkime me 2.217 burra dhe gra, ndërsa studimin e kanë publikuar në vitin 2021. Numri i grave në studim ka qenë më i lartë – 1.299. Stern dhe ekipi i saj donin të dinin nëse një zë i lartë apo i ulët pasqyron tipare të karakterit. Njerëzit me zë më të thellë janë më dominues, më ekstrovertë, më pak të shoqërueshëm dhe seksualisht më aktivë – këto ishin hipotezat e studiuesve që donin t’i testonin.

Për këtë qëllim u bënë regjistrime audio të të gjithë personave, për të përcaktuar lartësinë e saktë të zërave. Si mosha ashtu edhe gjinia u morën parasysh. Studiuesit mblodhën të dhëna edhe për sjelljen dhe dëshirën seksuale – sa dominantë, ekstrovertë, neurotikë, të shoqërueshëm, të hapur ndaj përvojave të reja dhe sa të ndërgjegjshëm vlerësohen pjesëmarrësit.

Stern dhe ekipi i saj konfirmuan disa nga hipotezat e tyre. Sipas studimit, njerëzit me zë më të thellë janë më dominues, më ekstrovertë dhe më shpesh të interesuar për seksin jashtë lidhjeve të rregullta. “Në rastin e thellësisë së zërit, studiuesit aktualisht supozojnë se ndryshimet në thellësinë e zërit mund të jenë rezultat i përzgjedhjes seksuale”, thotë Christoph Schild. “Këtu supozohet se thellësia e zërit funksionon si një sinjal “i ndershëm” që synon të pengojë konkurrentët e mundshëm dhe të tërheqë partnerë të mundshëm.” Bazuar në këtë supozim, sipas Schild, mund të ketë kuptim që një zë i thellë të lidhet me një tipar personaliteti që ndërlidhet edhe me përzgjedhjen e partnerit, siç është dominimi.

Zëri nuk sqaron të gjitha

Tiparet e tjera të personalitetit lidhen më pak me zërin: Sa neurotik, i ndërgjegjshëm, i shoqërueshëm ose sa i hapur është një person, ka më pak gjasa të na tregojë zëri i një personi. Ndoshta kjo është një prehje për të gjithë ata që luftojnë me zërin e tyre më të lartë dhe më të hollë. Zërat e thellë nuk janë tregues i tipareve se një person është vetëm joshës. Ndërkohë që zëri nuk jep ndonjë informacion të besueshëm as për shumë tipare të tjera të rëndësishme të karakterit.

dw

Zbulimi amerikan: Rusia po përgatitet për një konflikt të gjatë në Ukrainë

UkrainaLufta tre-mujore e Rusisë në Ukrainë ndodhet “në një lloj ngecjeje” dhe Presidenti rus Vladimir Putin duket se po përgatitet për një konflikt të gjatë, thanë të martën zyrtarë të lartë të zbulimit amerikan.

Rusia, e cila e quan sulmin “një operacion special ushtarak”, dislokoi muajin e kaluar më shumë trupa në Ukrainë, për një ofensivë të madhe në pjesën lindore të vendit, por përparimi ka qenë i ngadaltë.

Sulmi i Rusisë në ditët e para të luftës në fund të shkurtit për të marrë Kievin dështoi si pasojë e rezistencës së fortë ukrainase.

Rusët nuk po fitojnë dhe as ukrainasit nuk po fitojnë, dhe situata është futur në një lloj ngecjeje“, tha gjeneral-lejtnanti Scott Berrier, kreu i Agjencisë së Zbulimit Ushtarak, para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura.

Ai shtoi se deri më tani, 8 deri 10 gjeneralë rusë janë vrarë në luftën e përgjakshme.

Lufta ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve, ka detyruar miliona ukrainas të largohen nga vendi dhe ka kthyer qytetet të tëra në gërmadha. Moska nuk ka shumë çfarë të tregojë për fitore me përjashtim të një rripi në jug dhe disa territore të vogla në lindje.

Presidenti Vladimir Putin u bëri thirrje rusëve të vazhdojnë betejën, gjatë një fjalimi triumfator me rastin e Ditës së Fitores ndaj nazizmit të hënën, por heshti lidhur me planet për një përshkallëzim të sulmit në Ukrainë. Perëndimi kishte parashikuar që ai mund ta përdorte fjalimin në Sheshin e Kuq, për të urdhëruar një mobilizim të përgjithshëm.

Gjatë së njëjtës seancë në Senat, Drejtoresha e Agjencisë së Zbulimit Kombëtar Avril Haines tha se një fitore e Rusisë në rajonin e Donbasit, që shtrihet në pjesën lindore të Ukrainës, mund të mos i japë fund luftës.

Ne vlerësojmë se presidenti Putin po përgatitet për një konflikt të gjatë në Ukrainë, gjatë së cilit ai mund të synojë të arrijë qëllime përtej Donbasit“, u tha zonja Haines senatorëve.

Zonja Haines shtoi se zoti Putin po pret që vendosmëria e perëndimit të dobësohet me kalimin e kohës. Ndërsa konflikti vazhdon, janë ngritur shqetësime mbi dinamikën e tij në muajt e ardhshëm.

Si rezultat i mospërputhjes së ambicieve që ka Putini me aftësitë ushtarake konvencionale të Rusisë në terren, në muajt e ardhshëm mund të shohim një trajektore më të paparashikueshme dhe potencialisht përshkallëzuese”, tha zonja Haines.

Armët taktike bërthamore

Shqetësimi perëndimor mbi rrezikun e një lufte bërthamore u rrit pasi zoti Putin nisi sulmin në Ukrainë, më 24 shkurt, me një fjalim gjatë të cilin ai foli mbi fuqinë bërthamore të Moskës dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për t’iu kundërvënë Rusisë: “do t’ju çojë në pasoja të tilla që nuk i keni hasur kurrë në historinë tuaj”.

Autoritetet ruse thanë muajin e kaluar se po planifikojnë që deri në vjeshtë, të dislokojnë raketat e sapotestuara balistike ndërkontinentale “Sarmat”, të cilat janë të afta për të kryer sulme bërthamore kundër Shteteve të Bashkuara.

I pyetur mbi mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore taktike nga zoti Putin, zoti Berrier tha: “Tani për tani, ne nuk e shohim (një gjë të tillë)”.

Zonja Haines tha më herët se komuniteti i zbulimit beson se zoti Putin do të autorizonte përdorimin e armëve bërthamore vetëm nëse ai mendonte se kërcënohej ekzistenca e shtetit rus.

Të martën Ukraina bëri të ditur se forcat e saj kishin rimarrë disa fshatra nën kontrollin e trupave ruse në veri dhe verilindje të Kharkivit, duke bërë përpara me një kundërofensivë që mund të sinjalizojë një ndryshim në rrjedhën e luftimeve, duke vënë në rrezik disa prej përparimeve kryesore të Rusisë.

Këshilltari i ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, Yuriy Saks, tha se forcat vendase po i shtynin forcat ruse jashtë rrezes së Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, i cili ka qenë nën bombardime të vazhdueshme që nga fillimi i luftës.

Kundërsulmi mund të sinjalizojë një fazë të re në luftë, ndërsa Ukraina tashmë është hedhur në ofensivë pas disa javësh në të cilat Rusia ndërmori një sulm në shkallë të gjerë, por pa bërë ndonjë përparim.

Duke zmbrapsur forcat ruse që kishin marrë kontrollin e zonave në periferi të Kharkivit, ukrainasit po godasin tashmë linjat e furnizimit që mbështesin forcën kryesore sulmuese ruse në jug të vendit.

Ata po përpiqen të frenojnë rusët duke ndërprerë linjat e furnizimit, sepse kjo ka qenë një nga dobësitë kryesore (të rusëve). Ukrainasit po i afrohen kufirit rus. Ndaj çdo përparim që rusët shënuan në ditët e para, në verilindje të Ukrainës, po e humbasin gjithnjë e më shumë“, thotë Neil Melvin i institutit të politikave mbi Rusinë, me bazë Londër.

Po sot forcat ruse goditën me raketa portin e Odesës, me sa duket për të ndërprerë rrugët e furnizmit të Ukrainës me armë.

Sipas zyrtarëve ukrainas sulmi ka ndodhur të hënën dhe raketat kanë goditur një qendër tregtare si dhe një magazinë. Një person humbi jetën dhe 5 janë plagosur.

Sipas zyrtarëve ukrainas, një pjesë e raketave kanë qënë të vjetra, të epokës sovjetike, ndërsa disa kanë qënë raketa moderne hipersonike.

Zyrtarë ukrainas, britanikë dhe amerikanë, thonë se Rusisë po i mbarojnë me shpejtësi armët me precision të lartë, duke shtuar rrezikun që të përdorë raketa të zakonshme, që mund të shkaktojnë më shumë dëme.

Që kur Presidenti Putin nuk arriti të merrte Kievin në ditët e para të luftimeve, ai e ka kthyer vëmendjen nga rajoni industrial i Donbasit në lindje dhe sipas disa ekspertëve, synimet e Moskës mund të përfshijnë edhe shkëputjen e plotë të Ukrainës nga brigjet e saj në Detin e Zi.

Kjo do t’i jepte Rusisë mundësinë të lidhej përmes tokës si me Gadishullin e Krimesë, që e aneksoi në vitin 2014, ashtu edhe me Transdnistrian, rajonin separatist të Moldavisë.

Edhe në se Rusia nuk do të arrinte ta shkëpuste Ukrainën nga Deti i Zi dhe duket, se ajo nuk i ka forcat e nevojshme për ta bërë këtë, vazhdimi i goditjes së Odesës me raketa, pasqyron rëndësinë e këtij qyteti si një pikë nevralgjike transporti.

Odesa, porti më i madh i Ukrainës, është gjithashtu pika kryesore nga eksportohet gruri dhe bllokada e Rusisë ka shkaktuar tashmë vështirësi në furnizimin global me drithëra.

voa

Ç’lidhje ka lufta e Ukrainës me krimin kibernetik?

cyberNë kohë normale hapësira digjitale është e mbushur me rreziqe. Po ashtu luftërat zhvillohen edhe në hapësirën digjitale. Enti gjerman i kriminalistikës, BKA, jep një pasqyrë alarmuese të krimit kibernetik.

 

Edhe vetë Enti Federal i Kriminalistikës, BKA, ka qenë në shënjestër të sulmeve kibernetike. Në fillim të muajit maj, hakerat i lëshuan një mori pyetjesh serverit të disa prej autoriteteve dhe ministrive gjermane. Sulmi DDos (Distributed Denial of Service) kishte si synim të mbingarkonte institucionet gjermane në mënyrë që ato të mos ishin më të arritshme. Sulmin e mori përsipër duke u prononcuar në Telegram, një grup hakerash rusë, që e quan veten “Killnet”.

Ata nuk patën shumë sukses me BKA. Ajo që arritën ishte vetëm zgjatja e kohës së hapjes së faqes së internetit, tha për Deutsche Wellen zëvendëspresidentja e BKA, Martina Link. Në kuadër të pasqyrimit nga BKA të „Gjendjes së krimit kibernetik”, Link tha se sulmi është më shumë një sulm i “nivelit të ulët”.

Por ky sulm DDos jo shumë i dëmshëm, ishte sinjali i fundit që tregon ekzistencën e një zhvillimi të ri dhe të rrezikshëm: Link tregon për solidarizimin e grupeve kibernetike dhe kolektivave të hakerave me Rusinë ose me Ukrainën. Kështu ata bëjnë sulme përkatëse, siç bëri “Killnet”. Gjatë këtyre sulmeve „ekziston rreziku që ato të prekin edhe palët e paanshme, edhe nëse nuk e dëshirojnë një gjë të tillë”, shpjegon zëvendëspresidentja e BKA.

E sigurt është se: Lufta në Ukrainë zhvillohet edhe në hapësirën digjitale – dhe prej andej mbërrin në Gjermaninë digjitale. Prandaj Arne Schönbohm, president i Zyrës Federale gjermane për Sigurinë në Teknikën e Informacionit, (BSI) thotë për Deutsche Wellen se: “Duke pasur parasysh sulmet ruse kundër Ukrainës, BSI vazhdon të shohë rritjen e rrezikut për Gjermaninë”. Schönbohm i bën thirrje sipërmarrjeve, organizatave dhe institucioneve që të kontrollojnë masat e sigurisë në teknologjinë e informacionit, dhe t’i përshtaten gjendjes konkrete të rrezikut. “Që me fillimin e sulmit rus kundër Ukrainës, në Gjermani ka pasur shtim të incidenteve të veçanta në sigurinë e teknologjisë së informacionit, por ato kanë qenë me ndikim të pjesshëm,” thotë shefi i BSI.

Katastrofa e parë kibernetike

Por shumë sulme kibernetike kanë konsekuenca më të mëdha, që ndihen nga çdo qytetar. Një shembull i sjellë nga Martina Link ka të bëjë me rrethin e Anhalt-Bitterfeldit. Në fillim të korrikut të kaluar, hakerat patën sulmuar administratën lokale me të ashtuquajturin Ransomware. Ky software i dëmshëm, kodon të dhëna dhe programe të caktuara. Serveri dhe hardwari duhet të fikeshin. Kështu ndihmat sociale nuk mund të jepeshin më, po ashtu si lejet e qarkullimit për automjetet. Autoritetet lokale thanë, se ishin bërë përpjekje për të bërë presion digjital me anë të një katastrofe kibernetike. Kjo gjë nuk kishte ndodhur ndonjëherë në Gjermani.

Gjatë një sulmi tjetër të ndodhur nëntorin e kaluar, u prek një firmë softweresh, programet e së cilës përdoren nga një e katërta e zyrave të mjekëve në Gjermani. Struktura e serverit dhe e rrjetit u koduan dhe nuk ishin më në gjendje të punonin.

Krimi kibernetik është në lulëzim: BKA sheh rritje të sulmeve me 12 përqind duke regjistruar 150 mijë raste. Ekspertët mendojnë se numri faktik i rasteve është shumë më i madh se sa i rasteve të regjistruara: Kur shoqata digjitale, Bitkom, pyeti vitin e kaluar më shumë se 1000 firma nga të gjitha sektorët, nëntë nga dhjetë firmat pranuan se kanë qenë viktima të sulmeve kibernetike. Dëmet nga vjedhja, spiunimi dhe sabotazhet për ekonominë gjermane vlerësohen të jenë gjithsej 223 miliardë euro. Një shifër, që zonja Link e BKA-së, e përsëriti kur foli për „Gjendjen e krimit kibernetik”. Duke mos harruar të përmendë, se shuma e dëmeve do të dyfishohet brenda dy vitesh.

Corona nxiti edhe krimin kibernetik

Për, siç thotë raporti, „rritjen sinjifikante të numrit të rasteve”, Martina Link jep disa arsye: Me hovin e digjitalizimit, të nxitur nga pandemia e Coronës është arritur të krijohen shumë mundësi të reja veprimi, të cilat edhe vihen në përdorim. Përveç kësaj është zhvilluar edhe më tej ekonomia e ilegalitetit digjital: Raporti mbi gjendjen flet për keqbërës profesionistë dhe të tillë që i ndajnë punët. Flet dhe për ekonomi shërbimi të aftë për të bërë krime, shërbime që ofrohen në pazaret e ilegale dhe që u hyjnë në punë kriminelëve. Ato ofrojnë çdo gjë që të mund të blihet për Bitcoin, që nga rrjetet e të dhënave të kartave të kreditit deri tek programet dëmtuese. Dhe meqenëse keqbërësit e shpërndajnë punën dhe punojnë në vende të ndryshme, policia e ka të vështirë që t’i ndjekë. Kuota e zbulimit është 30 përqind, duke qenë nën mesataren e statistikave policore të kiminalistikës (PKS).

Duke pasur parasysh ndërthurjet ndërkombëtare të keqbërësve, Martina Link kërkon bashkëpunim ndërkufitar. „Kjo gjë është zhvilluar pozitivisht vitet e fundit,” tha ajo për Deutsche Wellen. Dhe tregon për shembullin “Emotet” të vitit të kaluar. Autoritetet policore të disa vendeve, patën shkatërruar në një aksion të përbashkët infrastrukturën e këtij sistemi softweresh dëmtues.

Shkrirje kufijsh

Shqetësimi që ka kriminalistja është se ajo sheh përzierje gjithnjë e më të madhe të kufijve midis hakerave kriminelë dhe hakerave të drejtuar nga shteti. Gjë me të cilën do i ktheheshim sërish pasojave të luftës në Ukrainë. Në fund të muajit shkurt, në Gjermani 3000 impiante që prodhojnë energji nga era, nuk mund të lidheshin për të bërë mbarëvajtjen. Ajo bëhet me internet dhe impiantet lidhen me rrjetin nëpërmjet një operatori satelitor. Ky ishte sulmuar nga hakerat, pikërisht mëngjesin e 24 shkurtit, pra ditën e fillimit të luftës. Mbase sepse të njëjtin operator përdorin edhe autoritetet ukrainase dhe ushtria ukrainase.

Në raportin e fundit vjetor të verës 2021, Zyra për mbrojtjen e kushtetutës, në Gjermani shkruan: „Shërbimet ruse të inteligjencës përdorin në sasi të madhe sulmet kibernetike, që bëhen për interesat gjeopolitike të Rusisë.” Dhe jep një listë grupesh hakerash që mendohet të jenë të shërbimeve sekrete. Mes tyre bën pjesë përshembull “Fancy Bear”, që është aktiv të paktën që nga viti 2004. Por edhe “Snake”, një “sulmues me sjellje shumë klandestine, me përvojë të madhe teknike dhe me objektiva ndërkombëtarë.”

Haya Shulman është profesore për Informatikën në Universitetin Gëte të Frankfurtit dhe shefe sektori në Institutin Fraunhofer. Ajo si eksperte e kibernetikës është e sigurt, se në Gjermani nuk janë regjistruar sulme kibernetike që të kenë lidhje me luftën e Ukrainës, gjë që nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë. Sepse „sulmet e suksesshme kibernetike nuk zbulohen”, thotë Shulman për Deutsche Wellen. Ajo përmend sulmin mbi parlamentin gjerman, Bundestag në vitin 2015. Ose sulmin mbi rrjetin e të dhënave të Federatës, në vitin 2016. Rrjeti i sulmuar, shërbente për komunikimin midis zyrës së kancelarit, ministrive dhe autoriteteve të sigurisë. Pjesa më e madhe e tij është shkëputur tani nga interneti, dhe vlerësohet si i sigurt.

dw