Isa Boletini në Vlorë

Isa BoletiniFotografi e Petro Dhimitrit, e riprodhuar nga Kel Marubi, të patriotit për Pavarësinë Kombëtare, Isa Boletini e të trimave të tij tek mbërrijnë në Vlorë, disa ditë pas 28 nëntorit 1912.

 

Lidhur me këtë imazh, studiuesi Qerim Vrioni shkruan:

“Fotografia është bërë në rrugën kryesore të qytetit, në atë kohë me emrin “Liria” (sot rruga muze “Justin Godard” në lagjen e vjetër “Muradie”), disa dhjetëra metra para se ajo të bashkohet me Sheshin e Flamurit. Autori i saj (…) kishte ngritur trekëmbëshin e aparatit aty për të përjetësuar ato ditë të shënuara, e ndoshta ishte edhe në dijeni se atypari, do kalonin kosovarët me Isën në krye.(…) Isa Boletini, edhe pse nuk është në qendrën optike të fotos, kuptohet lehtë se është kryesori në atë grup njerëzish, edhe ngase ai ecën një hap para të tjerëve. Nga vështrimi i fotos të bien në sy trupat viganë të tyre, por sidomos ecja e lirshme dhe dinjitoze.”

 

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Kel Marubi, Isa Boletini me kosovarë në Vlorë, riprodhim, pa vit.

KultPlus

Dështon rezoluta që kërkon dialog me serbët për rikthim në institucione

AlbinNë Kuvendin e Kosovës të mërkurën, më 30 nëntor, nuk ka kaluar një rezolutë e propozuar nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që kërkonte veprime të Qeverisë në lidhje me rikthimin e serbëve të dorëhequr nga institucionet e Kosovës.

Qindra serbë të Kosovës nga katër komunat veriore të vendit, që nga fillimi i nëntorit kanë dhënë dorëheqje nga disa institucione të Kosovës, përfshirë Policinë, gjyqësorin, si dhe në nivel politik në komuna dhe në Kuvendin e Kosovës.

Dorëheqjet u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin e targave të veturave që lëshohen nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës në RKS.

Për këtë, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, e propozoi një rezolutë për votim në Kuvend që ndër tjerash kërkonte që “institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë”.

Një pikë tjetër e kësaj rezolute, e cila mori 21 vota për e 42 kundër, kërkonte edhe mbajtjen e një samiti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë.

 

Kurti për dorëheqjet e policëve: Duhet të ketë aplikime të reja për punë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të së mërkurës ku ishte thirrur në interpelancë ka komentuar dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës duke thënë se vakumet duhet mbushur me “aplikime të reja për punë”.

doreheqjet e serbeveDuke folur specifikisht për dorëheqjet e 578 zyrtarëve policorë që vijnë nga komuniteti serb në Kosovë, ai tha se dorëheqjet janë bërë “për arsye të paqena”.

“Thoshin morale e individuale e teksti i njëjtë për secilin prej tyre”, tha Kurti duke komentuar tekstin, me të cilin kanë dhënë dorëheqje këta zyrtarë.

Kurti tha gjithashtu se “nuk është e vërtetë që në veri të Kosovës nuk ka Polici”, pas dorëheqjes së serbëve.

“Nuk ka ndërtesë të Policisë pa Polici të Kosovës. Policia jonë është atje. Edhe nëpër rrugët atje ka Polici të Kosovës”, tha Kurti.

 

Ai tha se vazhdimisht bën thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet e Kosovës, mirëpo sipas tij, nuk mund të bëhet thirrje politike për kthim.

“Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional”, tha Kurti.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 24 nëntor konfirmoi se serbët nga veriu i Kosovës do të kthehen në institucionet e Kosovës kur të plotësohet kushti i dytë, pra të formohet Asociacioni. Ky Asociacion është dakorduar në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por është i papranueshëm për Qeverinë e Kosovës, sepse e sheh atë si trup monoetnik.

 

Ndaj fjalimit të kryeministrit Kurti reaguan deputetë të opozitës.

 

Enver Hoxhaj, deputet opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës tha se situata në veri të vendit “nuk është vetëm vakum institucional”.

“Është humnerë politike. Aktualisht, nuk ka as institucione shtetërore (në veri), as proces politik për t’i krijuar ato. Situata në veri të vendit ka qenë çdo herë komplekse, por pas 5 nëntorit (dita e nisjes së dorëheqjeve) është një kolaps shtetëror”, tha ai.

 

Ndërkaq, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu parti opozitare, i kërkoi Kurtit koordinim me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.

“Kosova duhet të kërkojë marrëveshje finale, jo të mesme, jo fillestare. Duhet të flasë vetëm për njohje të ndërsjellë e jo për implikime të tjera që atakojnë edhe interpretimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe lënë hapësirë për ndonjë interpretim të ri”, theksoi ai.

Më 23 nëntor, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për targat, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Marrëveshja parasheh që Kosova të pezullojë planin për riregjistrim të makinave dhe që Serbia të mos lëshojë më targa serbe për qytetarët në Kosovë.

rel

Kurti: Shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit është obligim kushtetues

AlbinKryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është ftuar në interpelancë ka folur rreth zhvillimeve të fundit për targat në veri dhe arritjes së ujdisë në Bruksel.

 

Kryeministri Kurti tha shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit nuk është diçka e jashtëzakonshme, por është obligim kushtetues e ligjor, i institucioneve të sigurisë dhe është betim i përbashkët që kanë bërë në këtë Kuvend.

“Në këtë kuptim Policia e Kosovës nuk është duke bërë asgjë të jashtëligjshme e të jashtëzakonshme, por është duke e zbatuar misionin e saj kushtetues e ligjor. Të gjitha aktivitetet e policisë duke përfshirë nga patrullimet rutinore e deri te operacionet tërë territorin e republikës nuk janë bërë asnjëherë me qëllim ndaj një etnie të caktuar në zona të caktuara apo për arsye të caktuara”, tha Kurti.

Duke shtuar se Policia nuk e ndjekë askënd sipas përkatësisë etnike, por sipas veprimeve e sjellëve individuale e grupore.

“Natyrisht në asnjë vend tjetër ris në veri nuk është luftuar angazhimi i drejtë e ligjor i Policisë së Kosovës kjo ka ndodhur sepse me vite të tëra veriu i vendit ka qenë i kontrolluar nga Beogradi përmes grupeve të ndryshme kriminale që në disa raste kanë pasur mbështetje nga qeveritë e së fundi u konfirmua haptazi që kanë pasur mbështetje edhe nga strukturat e larta të menaxhmentit të policisë ne drejtorinë rajonale të veriut”, tha ai, raporton RTKlive.

Kurti tha se Policia e ka zbatuar çdo ditë ligjin dhe kudo misionin e tyre për sundim të ligjit që duhet ta ketë në shënjestër krimin e organizuar e korrupsionin, përndryshe nuk ka kuptim.

“Është e vërtetë që policia si askund tjetër është sfiduar pikërisht në veri të vendit, 11 herë janë bllokuar e sulmuar për tu eliminuar, por nuk janë ndalur asnjëherë , janë realizuar 38 operacione policore prej të cilave 33 operacione të antidrogës, janë shkatërruar 6 laboratorë të drogës me investime qindra milionëshe, janë sekuestruar mbi 40 kilogramë substancë narkotike rreth 110 mijë e uro dhe mbi 370 mijë dinar serb. Prandaj janë sulmuar zyrtarët policor sepse kanë shkundur themelet e grupeve kriminale atje e unë iu falënderohem e i jam përjetë mirënjohës për këtë punë sakrifikuese që e kanë bërë. Ata që janë kundër ligjit e duan paligjshmërinë. Ata nuk e kanë hall veprimin e policisë por e kanë hall praninë e policisë”, tha ai

Shefi i qeverisë tha se Policia e Kosovës nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokal, për shkak të angazhimit të atë zonë policët falënderohen çdo ditë nga qytetarët në veri për punën dhe angazhimin në ofrimin e sigurisë për ta.

“Dëshmia se serbët lokal nuk kanë asnjë problem me ne dhe institucionet tona është edhe procesi i pranimit të qortimit nga ana e tyre për përdorimin e targave ilegale. 1800 qortime fiks janë shpërndarë deri në mëngjesin e 24 nëntorit dhe nuk është shënuar asnjë ankesë asnjë incident gjatë shpërndarjes së tyre e në komunikacion e procesi i regjistrimit ka vijuar me kërcënime e sulme ndaj qytetarëve që janë pajisur me targa RKS atyre u janë djegur veturat e pronat e tyre në mbrëmjet e ditëve që kanë pranuar e vendosur targat RKS”, tha ai

Sipas tij Policia e Kosovës është ballafaquar me dorëheqje të orkestruara nga Beogradi të eprorëve policor e me dorëheqje pas kërcënimeve ndaj zyrtarëve të tjerë policor.

“Policia në atë zonë është ballafaquar me çdo lloj sfide prandaj edhe këtë po e menaxhojnë suksesshëm që të jenë në nivel detyre për çdo qytetar pa dallim e të mos lënë askund vakum. Policia kufitare në Leposaviq deri kur kemi ardhur në qeveri ka pasur një zyre të vogël punë e ndërkohë ajo është vija kufitare me më së shumti qarkullim, rrjedhimisht ka pasur më shumë kontrabandë dhe kalim ilegal kufiri, por ka munguar vullneti për luftim të tyre dhe rrjedhimisht edhe për forcim të kapaciteteve tona policore”, tha ai

Kurti tha se tani janë tri stacione policore të vijës së gjelbër të kufirit që angazhohen në luftim të kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe çdo ilegaliteti atje, në Jarinje, Bërnjak e Jasenovik.

“Në pikën 2 të rezolutës, thuhet komunikim me serbët lokal për të kthyer besimin e ndërsjellë. Komunikimi me qytetarët lokal serb po ndodhë e njëkohësisht po ndodhin edhe investime. Pas 22 vitesh është investuar në veri në infrastrukturë. Për herë të parë po shtrohen rrugët që lidhin fshatrat në veri. Qytetarëve po iu afrohet qasje më e shpejtë e më e lehët e qarkullimit. Gjatë javëve në vazhdim do ta mbështesim edhe Telekomin që ta zgjerojë rrjetin edhe në komunat veriore në vlerë prej 1 milion euro. Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policor, nuk është venim i imi as i MPB-së, nuk ashtë vendim politik, vendim politik ka qenë dorëheqja politike, për bindjen time për arsye të paqena. Thoshim morale e individuale e teksti krejt i njëjte për secilin prej tyre, e njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur secilin prej tyre, ky është vendim politik. Unë e përsëris thirrjen time që asnjë serb të mos i braktisë institucionet e kjo është thirrja ime e vazhdueshme. Institucionet nuk janë të qeverisë por të gjithë qytetarëve, mirëpo aty ku ka vakum duhet ët ketë aplikime të reja për punë”, tha ai.

Sipas tij vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional të atyre që i duan ato vende pune. “Natyrisht të gjithë janë të mirëseardhur por këtë nuk e vendosë as kryeministri e as ministri i brendshëm por kjo rregullohet sipas procedurave dhe rregulloreve të policisë që vlejnë për të gjithë zyrtarët pa dallim”, tha Kurti.

 

 

Abdixhiku akuzon Kurtin se e ka pranuar Asociacionin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kur dëgjoi fjalimin e kryeministrit Albin Kurti, iu krijua përshtypja se jeton në një univers paralel.

Abdixhiku e akuzoi kreun e Qeverisë se e ka pranuar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me marrëveshjen e nënshkruar për targat në Bruksel më 23 nëntor.

“Kur dëgjon pozicionimet e Qeverisë të krijohet përshtypja që jeton në një univers paralel, dy bota që s’përputhen me njëra-tjetrën. Kryeministri foli sot për siguri dhe luftë ndaj krimit, ndërsa sot mbi 17% e territorit të Kosovës është pa polic, pa prokuror, pa gjykatës dhe pa shërbime bazë. Një dhunë familjare s’ka kush ta trajtojë në veri. Me çka mbahet shteti? Me fjalime prej Prishtinës? Pushteti na flet se si ka qëndruar qasja në dialog, por po e lexoj një paragraf të asaj që paraqiti Borrelli në dokumentin e marrëveshjes për targa. ‘Të gjitha palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog’. E keni pranuar Asociacionin. Mund të ketë dyshime se sa është i mirë, por e keni pranuar. Në marrëveshjen e parë që keni nënshkruar, zotoheni për implementim. Çfarë ndryshimi është ky? Kjo është e vërteta kundrejt universit paralel që e krijoni ju”, ka thënë Abdixhiku në Kuvend të mërkurën.

 

Hoxhaj propozon seancë të mbyllur të Kuvendit për veriun

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka propozuar mbajtjen e një seance të mbyllur të Kuvendit për çështjen e veriut, pas tensioneve për targat.

Sipas tij, situata në veri është në pikën më të ulët politike në vitet e fundit.

“S’është vetëm vakum, por humnerë politike ku komunat e Kosovës janë pa kryetarë, ku asambletë janë pa këshilltarë, ku Policia është pa policë… Data 4-5 nëntor është më e keqja në historinë moderne të shtetit të Kosovës. krejt çka është ndërtuar nga pavarësia është shembur”, ka thënë Hoxhaj.

“Situata në veri ka qenë çdo herë komplekse, por pas 5 nëntorit është një kolaps shtetëror. Kryeministri nuk duhet të na tregojë sa paragrafë i ka komunikata e BE-së, por të na tregojë sa zyrtarë shtetërorë janë dorëhequr”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, Kurti ka qenë historikisht gabim në disa tema.

“Dua të dëgjoj çka do të ndodhë me zgjedhjet në veri. Çka do të ndodhë me çështjen e asociacionit. A do të kemi marrëveshje që përfshin anëtarësimin në OKB apo njohjen, apo asnjërën e as tjetrën. Unë e ftoj kryeministrin që të shkojë në Washington, në Londër, Berlin, Paris, Bruksel. Nuk është e rrezikshme diplomacia e tavolinave. Më e rrezikshme është ajo e terrenit. Kam një bindje që nëse situata nuk kalohet në veri të vendit, unë kam frikën që nëse në mars 2023 flasim me gjuhën e njëjtë, ne do ta kemi problemin Prishtinë – Mitrovicë”, ka thënë Hoxhaj.

 

Kurti: Të gëzohemi që s’varemi nga Lista Serbe

 

Duhet të jemi të gëzuar që Qeveria nuk varet nga Lista Serbe sepse deri tani do të kishte ndonjë mocion mosbesimi, ka thënë të mërkurën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalim para deputetëve në Kuvend, ai e ka mbrojtur qasjen që ka për dialogun me Serbinë. Ka theksuar se qytetarët kanë votuar masivisht për një qasje të re në dialog.

“Kam ftuar politikanët për konsultim, përfshirë edhe thirrësin e interpelancës [Ramush Haradinaj]. Ajo që na bashkon është sovraniteti dhe integriteti territorial. Qytetarët kanë votuar për qasjen e re në dialog. Kritikat i mirëpres, por në të njëjtën kohë, duhet ta kuptoni qartësisht, drejtësinë dhe dobinë e kësaj qasje të re. Sikur të ishim sikur qeveritë e kaluara, kur vareshin nga Lista Serbe, ndoshta do të kishte mocion mosbesimi pas këtyre veprimeve që kemi bërë, por ja që ka ndodh ndryshimi i madh dhe kjo nuk po bëhet e mundur. Duhet të gëzohemi që Qeveria nuk varet nga Lista Serbe, që jemi pavarësuar nga strukturat ilegale që kanë pasur qëllim destruktivitetin e vendit”, ka theksuar Kurti para deputetëve.

Kreu i ekzekutivit bëri me dije se komunikimi me serbët lokalë po vazhdon. Thotë sa janë takuar me organizata joqeveritare e qytetarët.

Kurti shtoi se serbët lokalë nuk kanë asgjë kundër institucioneve të Kosovës. Si dëshmi për këtë, thotë se Policia e Kosovës shqiptoi 1800 masa qortuese, dhe për to nuk pati asnjë ankesë apo incident. Lavdëroi punën e Policisë.

“Policia nuk po bën asgjë të jashtëligjshme apo të jashtëzakonshme pasi po kryen obligimet ligjore për shtrirje të sovranitetit. Operacionet e Policisë nuk janë bërë asnjëherë për përkatësi etnike apo ndaj një vendi të caktuar. Policia e ka zbatuar çdo ditë ligjin dhe misionin e tyre për sundim të ligjit që duhet ta ketë në shënjestër korrupsionin. Policia është sulmuar si asnjëherë më parë në veri, por ia ka dalë. Jam përjetë mirënjohës për këtë punë sakrifikuese që e kanë bërë. Policia nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokalë. Dëshmia me serbët lokalë që nuk kanë asgjë kundër institucioneve të Kosovës është se janë shqiptuar 1800 qortime dhe nuk ka pasur asnjë ankesë, asnjë incident gjatë shpërndarjes së tyre. Policia është ballafaquar me dorëheqje të orkestruara nga Beogradi, por po e përballojnë”, shtoi ai.

Për marrëveshjen për targat më 23 nëntor, Kurti u shpreh se nuk do të arrihej pa zhvillimet që ndodhën më 21 nëntor. Pret që udhëheqësit evropianë ta çojnë përpara planin për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Kurti: S’ka kthim në punë me thirrje politike, serbët të aplikojnë nëpër konkurse

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se serbët e dorëhequr që duan të kthehen në vendet e tyre të punës duhet ta bëjnë përmes aplikimeve në konkurse.

Kreu i Qeverisë në një interpelancë para deputetëve të mërkurën, ka theksuar se dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është bërë në mënyrë politike, dhe sipas tij, kthimi i tyre nuk mund të bëhet me thirrje politike, por në mënyrë profesionale.

“Dorëheqja e tyre ka qenë politike. Secila letër e dorëheqjes ka pasur tekstin e njëjtë. Të gjithë e kishin dorëheqjen për moral. Aty ku ka vakum, duhet të ketë aplikime të reja. Dorëheqja politike nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim. Duhet të aplikojnë në mënyrë profesionale ata që duan ato vende të punës”, ka thënë Kurti në Kuvend.

 

AAK-ja kërkon që të nisë dialogun për t’i kthyer serbët në institucione e samit në SHBA për njohje reciproke

 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që krerët e shtetit të nisin dialogun me serbët e Kosovës për t’u kthyer në vendet e punës nëpër institucione.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, duke prezantuar në Kuvend një rezolutë për situatën në vend, pas tensioneve javën e shkuar për shkak të targave, ka propozuar edhe që të kërkohet samit disaditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar diskutim për njohje reciproke me Serbinë.

“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 23 vjet. Për fat të keq edhe veprimet e institucioneve nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar. Kryeministri i vendit në vend që të përfillë kërkesën e ndërkombëtarëve ka nisur implementimin e vendimit me faza për t’i dhënë mundësinë Serbisë që të shpallet si viktimë”, ka thënë Haradinaj.

Në propozim-rezolutën e AAK-së është përmendur edhe shtyrja e menjëhershme e implementimit të vendimit për targat ilegale, gjë që tashmë veçse ka ndodhur pas pajtimit që u arrit me Serbinë në Bruksel.

Haradinaj ka kërkuar që kryeministri, presidentja e kryeparlamentari të nisin dialogun me serbët në vend për t’u kthyer në institucione, pas dorëheqjes masive që bënë pasi Qeveria vendosi të ndëshkojë ata që mbajnë targa ilegale të veturave.

Kreu i AAK-së ka kërkuar edhe komunikim intensiv të Qeverisë me opozitën.

BE dakordohet për liberalizim të vizave për Kosovën

beAmbasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kanё miratuar mandatin negociues të Këshillit tё BE-sё pёr për një rregullore për udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

 

Konform mandatit tё miratuar, Presidenca do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian, thuhet ne komunikatën pёr shtyp lёshuar nga BE.

Ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, Jan Lipavsky lidhur me kёtё vendim ka vlerësuar se heqja e vizave po bёhet falё përpjekjeve tё Kosovёs nё forcimin e kontrollit kufitar, menaxhimit të migracionit dhe të sigurisё.

Ai shpreson qё ky bashkëpunim i mirë, vetëm sa do të forcohet edhe në të ardhmen.

“Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë që të arrijmë sё shpejti marrëveshjen me Parlamentin Evropian për ta shndërruar premtimin nё realitet”, ka porositur shefi i diplomacisë çeke, Jan Lipavsky.

Sipas mandatit tё miratuar, heqja e vizave do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast, jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Bashkimi Evropian, ndryshe shpreson qё sistemi ETIAS tё bёhet funksional deri nё nёntor tё vitit qё vjen, e nё kёtё rast nuk duhet pritur janarin e vitit 2024, sepse bashkë me ETIAS hynë në fuqi edhe liberalizimi i vizave.

Agjencia Federale e Punës angazhohet për më shumë punëtorë të huaj

Andrea Nahles drejtuese e Agjencisë Federale të PunësAgjencia Federale e Punës në Gjermani pohon, se ekonomia dhe kompanitë e mesme mbështesin ardhjen e fuqisë punëtore nga vendet e tjera. Ekonomia nuk mund të funksionojë në formën e tanishme pa punëtorët shtesë.

 

Shefja e Agjencisë Federale të Punë, Andrea Nahles, bën thirrje për më shumë emigracion në Gjermani. “Për shkak të ndryshimit demografik, nuk ka asnjë skenar ku mund t’ia dalim pa emigracion të madh”, tha Nahles për gazetën Süddeutsche Zeitung. “Gjermania është një vend imigrimi.” Republika Federale ka nevojë për rreth 400.000 punëtorë shtesë dhe punëtorë të kualifikuar në vit, shtoi ish-shefja e Partisë Socialdemokrate (SPD), tani drejtuese e Agjencisë Federale të Punës.

 

Nahles: Ende shumë pengesa për punëtorët e huaj

Punëtorët e huaj ende duhet të kapërcejnë një numër relativisht të madh pengesash për ardhjen në Gjermani. Kjo fillon me pengesat në lëshimin e vizave dhe kalon përmes zyrave të imigracionit me staf të pamjaftueshëm e deri tek njohja e diplomave dhe barrierat gjuhësore. Prandaj, politikanët duhet të veprojnë dhe t’i lehtësojnë gjërat, mendon Nahles. Sigurimi i punëtorëve të kualifikuar është çështja qendrore e tregut të punës.

Në të njëjtën kohë, kreu i Agjencisë Federale të Punësimit paralajmëroi se edhe potenciali i brendshëm i punëtorëve duhet të shfrytëzohet më mirë. “75 për qind e grave janë të punësuara, por shumë punojnë me kohë të pjesshme. Të rinjtë me prejardhje migrimi duhet të mbështeten më shumë se më parë,” tha ajo. Gratë me prejardhje migrimi janë kanë shpesh më shumë pengesa në tregun gjerman të punës. “Edhe të moshuarve apo të papunëve nuk u janë dhënë mundësi të mjaftueshme deri më tani.”

 

Schnitzer: Lehtësimi i marrjes së shtetësisë “absolutisht i mirëpritur”

Në këtë kuadër, kryetarja e ekspertëve ekonomikë, Monika Schnitzer, mbështeti reformën e ligjit të shtetësisë të planifikuar nga qeveria federale. Marrja më e lehtë e shtetësisë forcon integrimin e të huajve që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, tha për gazetat e grupit Funke kryetarja e këshillit të ekspertëve, duke folur për zhvillimet e përgjithshme ekonomike. “Në funksion të ndryshimit demografik dhe mungesës në rritje të punëtorëve, në veçanti punëtorëve të kualifikuar, kjo është padyshim për t’u mirëpritur.”

Shoqata Federale e Bizneseve të Mesme (BVMW) gjithashtu mbështet këto plane. Reduktimi i pengesave burokratike në natyralizimin e inxhinierëve të softuerëve si dhe personelit të infermierisë mund të jetë një avantazh i rëndësishëm për ardhjen dhe mbetjen e tyre në Gjermaninë në terma afatgjatë, tha Drejtori i rrjetit editorial Gjermani (RND) Markus Jerger.

Qeveria federale dëshiron të ulë pengesat ligjore për marrjen e shtetësisë gjermane. Në të ardhmen, duhet të jetë e mundur të merret shtetësia pas vetëm pesë vjetësh qendrimi në Gjermani, në vend të tetë vjetëve siç është tani. Në rastin e “arritjeve të veçanta të integrimit” kjo duhet të jetë e mundur pas tre vjetësh. Partitë e Unionit e refuzojnë projektin, e rezerva ka edhe një pjesë e partisë liberale në pushtet, FDP.

 

Zyra Federale e Statistikave: Emigracioni më i lartë neto që nga viti 1990

Ndërkohë, Enti Federal i Statistikave njoftoi se në gjysmën e parë të vitit 2022, më shumë se një milion njerëz me shtetësi të huaj kanë ardhur në Gjermani. Emigracioni neto nga janari deri në qershor ishte 1.046.000, sipas zyrës me seli në Wiesbaden. Kjo është vlera më e lartë brenda një gjysmë viti, që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990.

Popullsia në Republikën Federale u rrit me 2.9 milionë nga fundi i vitit 2014 deri në mes të vitit 2022. Por numri i njerëzve me shtetësi gjermane është zvogluar, thonë statisticienët. Rritja është kryesisht për shkak të migrimit të refugjatëve nga rajonet e përfshira në luftë dhe dhunë, si në Siri, Afganistan dhe Irak në 2015/2016. Por numri këtë vit është shtuar veçanërisht për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë, e flukse mjaft të mëdha ka edhe nga vendet e BE-së, si Rumania, Bullgaria dhe Polonia.

 

bc/sti/fab (afp, dpa, epd, kna)

Xhubleta është zyrtarisht pasuri e gjithë njerëzimit

XhubletaXhubleta, aftësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit janë përfshirë në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

 

Për këtë ka folur edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, duke e quajtur një dhuratë për 110-vjetorin e Pavarësisë.

“Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë”, ka thënë ajo.

Margariti ka treguar se, pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Tanimë, xhubleta është “pasuri e gjithë njerëzimit”.

Koleksionistja Luljeta Dano ishte zëri i parë i nismës së përfshirjes së xhubletës nën mbrojtjen e UNESCO-s, e cila ende vazhdon edhe sot.

Ajo ka folur para pak kohësh për Albanian Post.

Sipas saj, të dhënat historike dhe antropo-arkeologjike të kohëve të sotme, tregojnë se Xhubleta mund të jetë minimalisht prezente prej katër mijë vjetësh.

“Kampione” apo subjekte të ngjashme me të, janë gjetur në Bosnie, gjithashtu dhe në zona të tjera në Mesdhe – gjë që e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetërimet antike të Mesdheut.

Xhubleta na paraqitet sot si veshje tradicionale e grave në Alpet Shqiptare, por misioni i saj për të veshur gruan, as nuk fillon dhe as nuk mbaron me funksionin utilitar të të veshurit.

Shtjella thithëse e Xhubletës gjendet më shumë në atë që nuk duket dhe që nuk dimë për këtë veshje monumentale.

Ndoshta, si gratë arbëreshe që kur u vendosën në jug të Italisë pas vdekjes së Skënderbeut në kezat e tyre qëndisën vulat e fshehta të fisnikërisë arbre që do të tretej me shekujt, ashtu edhe Xhubleta, si një veshje kozmonauti, ka shërbyer si një transportuese kalimesh nga koha në kohë, me funksion të lartë kultik për të lartësuar hyjninë e lashtë, Magna Matter, Nëna e Madhe, për të mbrojtur zinxhirin e pashkëputur të jetës, me shenjëza të mirëpërcaktuara e të gjalla që ndikojnë rrjetën energjitike të natyrës së jetës.

“Xhubleta në kulturën shqiptare vesh amën e trashëgimisë kulturore, si histori dhe si strehë shpirtërore”, ka thënë ajo.

albanianpost

Indonezi, fushata e imunizimit ndaj poliomielitit goditet nga dezinformatat mbi sëmundjen

poliomielitShfaqja e disa rasteve me poliomielit ka nxitur një fushatë të re imunizimi në Indonezi, një vend ku rreth 10 vite më parë, sëmundja ngjitëse u deklarua e zhdukur. Por fushata po ndesh në probleme kryesisht në një provincë konservatore, dhe autoritetet fajësojnë për këtë dezinformimin e përhapur se vaksina bie ndesh me besimet fetare.

 

Shumë fëmijë, shoqëruar nga prindërit e tyre u rreshtuan për t’u vaksinuar kundër poliomielitit në sheshin e qytetit Sigli, i cili ndodhet në skajin verior të ishullit indonezian të Sumatrës. Fushata nisi pas identifikimit të katër rasteve me poliomelit, një sëmundje tejet ngjitëse që u shpall e zhdukur rreth 10 vite më parë. Virusi u zbulua për herë të parë në tetor, tek një djalë 7-vjeçar që vuante nga paraliza e pjesshme. Ai jetonte në provincën Aceh pranë qytetit Sigli. Që nga ajo kohë janë zbuluar tre raste të tjera. Ky zhvillim ka nxitur një fushatë imunizimi masiv dhe shpërndarje në masë të informacionit mbi sëmundjen.

Zyrtarët thonë se niveli i imunizimit ndaj poliomielitit në provincën konservatore është shumë më i ulët në krahasim me pjesën tjetër të vendit. Sipas tyre përpjekjet po pengohen nga dezinformimi i përhapur se vaksina bie ndesh me besimet fetare, krahas informacioneve të tjera të pavërteta rreth saj. Po kështu qeveria i ka dhënë përparësi vaksinimeve kundër COVID-19-s.

Fushata që filloi më 28 nëntor synon të vaksinojë rreth 1.2 milionë fëmijë në këtë provincë, thotë Maxi Rein Rondonuwu, drejtor i përgjithshëm për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve, në ministrinë e Shëndetësisë.

“Sa herë që paraqitet një rast me paralizë, duhet ta raportojmë, pasi kemi marrë një çertifikatë se në vend është zhdukur poliomieliti. Të gjitha rastet e njoftuara dërgohen për t’u analizuar në zyrën qendrore”, thotë ai.

Me një popullsi prej 275 milionë banorësh, Indonezia është vendi i katërt më i populluar në botë si dhe kombi më i madh me shumicë myslimane.

Provinca Aceh është tejet konservatore dhe e vetmja në vend që lejohet të praktikojë Sheriatin sipas besimit mysliman. Ky ishte një lëshim i bërë nga qeveria në vitin 2006 për t’i dhënë fund një lufte me separatistët.

Lajmet e rreme se vaksina e poliomielitit përmban mish derri ose alkool, të ndaluara sipas besimeve myslimane, janë përhapur veçanërisht në zonat rurale, duke i ndërlikuar përpjekjet për vaksinim, thotë kreu i zyrës së Shëndetësisë në provincën Aceh, Hanif.

“Kjo sëmundje kur shfaqet me simptoma shkakton paralizë të përhershme, ndaj po kryejmë një fushatë imunizimi në mënyrë që në Aceh të mos shfaqet më, asnjë rast me poliomielit”, thotë ai.

Në vitin 1988 Asambleja Botërore e Shëndetësisë miratoi një rezolutë për çrrënjosjen globale të poliomielitit. Që nga ajo kohë rastet janë ulur me më shumë se 99%, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sëmundja u zhduk në Indonezi në vitin 2014, dhe vetëm në dy vende, Afganistan dhe Pakistan, sëmundja ngjitëse ndeshet rregullisht në zona të caktuara.

Poliomieliti prek kryesisht fëmijët nën moshën 5 vjeç. Megjithatë, njerëzit e pavaksinuar, të çdo moshe, mund të infektohen dhe raste të kësaj natyre, ndonëse sporadike, vazhdojnë të shfaqen.

voa

 

Presidenti gjerman Steinmeier: “Ne nuk e harrojmë Ballkanin”

SteinmeierNë një intervistë ekskluzive me DW presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, flet për përparimet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt BE dhe hedh dyshime në seriozitetin e rrugëtimit të Serbisë

 

Deutsche Welle: Zoti President, ju po udhëtoni në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Lufta e Ukrainës ka krijuar një dinamikë të re në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. A do ta përshpejtojë kjo luftë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE?

Frank-Walter Steinmeier: Nuk e di, nëse do ta përshpejtojë, por udhëtimi im synon pikërisht të sinjalizojë se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i lënë në harresë. Natyrisht, ne kemi patur edhe debate me kolege dhe kolegë nga Ballkani Perëndimor, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre se mos dëshira e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të trajtohet ndoshta më shpejt se të gjitha kandidaturat e tjera të bëra nga vendet e Ballkanit Perëndimor. E kuptoj padurimin, por si shumë të tjerë, edhe unë do t’u siguroj se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i harruar. Dhe udhëtimi në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri shërben gjithashtu për të dërguar mesazhin për të gjithë rajonin: Nëse do të bëjnë progresin përkatës në vendet e tyre, atëherë edhe rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të bëhet më e menaxhuesme.

 

Megjithatë, BE-ja nuk ka një plan kohor për Ballkanin Perëndimor. Kështu që disa vende i kanë caktuar vetë datat se kur synojnë anëtarësim, si për shembull, në vitin 2030. A do t’u  thoni deputetëve se kjo datë është realiste, kur të flisni në parlamentet e këtyre vendeve?

Unë jam President, e jo profet! Pradaj, siç thashë, kjo varet nga vullneti i brendshëm për t’u reformuar dhe nga gatishmëria për t’i zbatuar realisht reformat. Por sot ne mund të argumentojmë edhe ndryshe karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sepse, për shembull, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë hapa vendimtare përpara. Kjo forcon vetëbesimin në këto vende dhe gjithashtu ua bën të qartë të tjerëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, se ky hap ia vlen. Dhe, të mos harrojmë se, përtej çështjes së anëtarësimit në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe gjatë këtij rrugëtimi shënohen përparime. Në Berlin filloi shumë vite më parë Procesi i  Ballkanit Perëndimor. Siç më kujtohet, ka qenë shumë e vështirë në fillim. Por, duke pasur parasysh samitin e fundit, atëherë mendoj se udhëtimi me letërnjoftime, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e evropianëve për të ndihmuar në rritjen e çmimit të energjisë, janë përparime domethënëse. Pra, e kuptoj padurimin, pa diskutim. Por nuk jemi as në fazën kur duhet të flasim për shkurajim. Jo vetëm për shkak të Ukrainës, sepse ne të gjithë jemi duke mbajtur një sy nga Ballkani Perëndimor, por edhe sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ku ka hapa përpara.

 

BE-ja pret reforma të shpejta nga Ballkani Perëndimor, por gjithashtu thotë se duhet të reformojmë veten së pari, përpara se të jemi të gatshëm për të pranuar anëtarë të rinj. Dhe sa mendoni se mund të zgjasë kjo?

Duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Por më duhet t’jua pranoj se nuk shoh asnjë shenjë për momentin që institucionet evropiane do të reformohen së shpejti. Duke qenë se unë i njoh institucionet evropiane prej shumë vitesh edhe nga brenda, e di që jemi në një seri krizash multiple, kujtoj krizën e euros, na kujtohet kriza e refugjatëve e viteve 2015 dhe 2016. Si BE kemi pasur një sfidë të madhe me luftimin e pandemisë. Sigurisht, të gjitha këto ishin  kriza që vijuan me shpejtësi njëra pas tjetrës dhe, siç e shohim tani, kriza e pandemisë nuk ka përfunduar ende, dhe lufta e agresionit rus kundër Ukrainës është një barrë për të gjithë ne. Gjëra të tilla thithin energji dhe nuk lënë hapësirë në kokat e njerëzve për reforma të brendshme, megjithëse jam dakord që ato janë urgjente.

Në luftën e Ukrainës, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor po tregojnë solidaritet të madh. Ato po zbatojnë sanksionet kundër Rusisë, me gjithë shqetësimet e mëdha për pasojat. Përjashtim bën Serbia, e cila tregon vazhdimisht afërsinë e saj me Moskën. A i shpërblen BE-ja mjaftueshëm këto qëndrime solidariteti të vendeve të Ballkanit Perëndimor? Dhe si duhet të sillet ajo me Serbinë?

Për t’iu përgjigjur pjesës së parë të pyetjes, kjo është një nga arsyet, pse unë jam në rajon tani. Sepse dua të krijoj një përshtypje për atmosferën e atjeshme. Dhe mendoj se me siguri do të marrim një pamje të përgjithshme për atmosferën. Që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria jo vetëm dëshmojnë solidariteti me Ukrainën, jo vetëm demonstrojnë qëndrim të përbashkët, për shembull, në rritjen e presionit ekonomik ndaj Rusisë, por edhe përmbushin detyrimet e tyre brenda NATO-s, veç kësaj, Shqipëria përfaqësohet edhe jashtë NATO-s, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mendoj se meriton njohje dhe respekt. Por kjo është diçka që duhet të nxisë vetëbesimin në këto vende. Nëse është kështu, sigurisht që këtë do ta shoh  gjatë udhëtimit tim. Dhe sa i përket Serbisë, pra pyetjes suaj të dytë, ne po mundohemi ta bindim Serbinë se rruga që po bën Serbia tani, ngre pyetje rreth seriozitetit, me të cilin ajo po bën rrugëtimin e saj në drejtim të BE-së. Kam gati 20 vjet që ndjek rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian dhe kam qenë shpesh në Serbi. Jam i sigurt se njerëzit në Serbi nuk duan të qëndrojnë prapa dëshirës, ​​që  vjen edhe nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor për t’iu afruar Bashkimit Evropian e për t’u bërë dikur anëtarë të tij. Në këtë aspekt, unë mund të shpresoj dhe do të vazhdoj të përpiqem ta bind lidershipin politik në Serbi që të ndjekë këtë rrugë pa mëdyshje.

Së fundi, edhe dy fjalë për konfliktin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që u zgjidh në minutën e fundit. Çfarë mund të bëjnë Gjermania dhe Evropa për të frenuar realisht dhe në terma afatgjatë këtë rrezik sigurie në rajon?

Për sa i përket konfliktit, mendoj se kjo shkon me pyetjen e fundit, sepse zgjidhja e konfliktit ndoshta ka treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është Evropa, sa i rëndësishëm është Bashkimi Evropian në rajon. Nëse nuk do të ishte kjo dëshirë ndaj Evropës, atëherë në thelb Evropa nuk do të kishte fuqi negociuese në konflikte të tilla ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por duke qenë se dëshira për të ardhur në Evropë, për t’u bërë dikur anëtarë të Bashkimit Evropian, është ende e theksuar në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa e ka këtë fuqi negociuese, këtë mundësi negociuese dhe arriti ta shmangë këtë konflikt, në pamje të parë të vogël, atëherë edhe konfliktet më të mëdha në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të adresohen, dhe në këtë kuptim, të zgjidhen në mënyrë paqësore.

dw

Dua Lipa realizon shqiponjën dy krenare gjatë koncertit për 110 vjetorin e Pavarësisë

DuaKëngëtarja Dua Lipa ka realizuar me dy duart shqiponjën dy krenare dhe më pas ka vënë mbi supe flamurin kuq e zi gjatë koncertit madhështor për 110 vjetorin e Pavarësisë.

 

Ajo është e ftuar speciale për festat e nëntorit, ndërsa po dhuron plot emocion dhe adrenalinë me këngët e saj shesh, të cilat kanë korrur një sukses mbarëbotëror.

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ndodhet prej disa ditësh në Shqipëri, ndërsa një ditë më parë ajo mori nënshtetësinë shqiptare nga presidenti i vendit, Bajram Begaj.

Ka qenë fillimisht kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili ka ndarë pamjet nga koncerti madhështor i Duas. Ajo gjithashtu dha një mesazh shumë të rëndësishëm gjithë një konference për shtyp para koncertit.

Ylli ndërkombëtar tha se duhet të ndryshohet stigma ndaj shqiptarëve, lidhur me përcaktimet raciste nga sekretarja e Brendshme britanike, Suella

Braverman, ndërsa vuri theksin edhe tek rëndësia e liberalizimit të vizave të Kosovës.

Veç pjesëmarrjes në një ditë të rëndësishme për Shqipërinë, 27-vjeçarja me këtë koncert mbyll edhe turneun në kuadër të albumit të saj “Future Nostalgia”.

tch