Kamberi: S’mund të ketë standarde të veçanta vetëm për pakicën ‘hyjnore’ në Kosovë

Shaip KamberiPërfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se standardet që do të vendosen për komunitetin serb në Kosovë, duhet të jenë standarde për të gjitha pakicat në Ballkanin Perëndimor.
“Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shikojmë krijimin e standardeve të veçanta, që do të vlejnë për një pakicë ‘hyjnore’ në veri të Kosovës”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë duke iu referuar pakicës serbe.

Fundjavën e kaluar, Kamberi dhe disa përfaqësues të boshnjakëve që jetojnë në Serbi, takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kërkesë e tyre e përbashkët ishte që pakicat në Serbi të gëzojnë të drejta të njëjta sikurse pakica serbe në Kosovë.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga kabineti i Kurtit, ata u shprehën të pakënaqur me pozitën e shqiptarëve dhe të boshnjakëve në Serbi, sidomos në komunat: Novi Pazar, Tutin, Sjenicë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Komunitetet e ndryshme duhet të trajtohen pa dallim në kuadër të parimeve universale dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët kanë para vetes një plan evropian për këtë qëllim. Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por versioni në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, ka përfshirë, mes tjerash, një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Cilat janë kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Serbi?

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kamberi, i cili është deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se kërkesa themelore e shqiptarëve është që të kenë trajtim të barabartë në shtetin ku jetojnë.

Si çështje problematike, ai përmend “pjesëmarrjen joadekuate” të shqiptarëve në punën e institucioneve shtetërore dhe arsimimin.

“Pesëmbëdhjetë breza të të rinjve shqiptarë përballen me mosnjohjen e diplomave [nga Kosova] dhe ata po ikin prej këtu”, thotë Kamberi.

REL-i pyeti Ministrinë e Arsimit të Serbisë se sa diploma të marra në Kosovë janë njohur dhe a njihen ato vetëm për vazhdim të shkollimit apo edhe për punësim, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Kamberi thotë se janë duke kërkuar edhe ato të drejta që Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës ua garantojnë minoriteteve me standardet e tyre.

Pakica shqiptare në Serbi jeton kryesisht në komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Cilat janë kërkesat e përfaqësuesve boshnjakë në Serbi?

Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Enis Imamoviq, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik në Sanxhak, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha të drejtat që u garantohen apo u jepen serbëve në Kosovë apo serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, duhet t’u jepen edhe boshnjakëve, shqiptarëve dhe pakicave të tjera në Serbi.

“Të jepen të drejta që garantohen me Kushtetutë, t’u jepet mundësi pakicave kombëtare që të integrohen në vendin ku jetojnë… Ne nuk e ndiejmë këtë kur bëhet fjalë për boshnjakët”, thotë Imamoviq, i cili ishte i pranishëm në takimin me Kurtin, më 4 shkurt.

Partia e tij i ka dy deputetë në Kuvendin e Serbisë dhe e ka mbështetur propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në komunat e Novi Pazarit, Tutinit dhe Sjenicës, në jugperëndim të Serbisë, shumica e popullsisë është boshnjake.

I pyetur nëse komuniteti i tij kërkon një organizim si Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë – i cili nuk është formuar ende, por ka një marrëveshje për të – Imamoviq thotë se është kundër dhënies së parimit etnik për komunat.

Imamoviq shton se boshnjakët këmbëngulin, po ashtu, në detyrimin e Serbisë për t’i zbardhur të gjitha krimet që kanë ndodhur kundër boshnjakëve të Sanxhakut, nga vitet ‘90 deri në vitin 2000.

Më 1993, në Shtërpce janë vrarë 20 persona – kryesisht boshnjakë – që kanë qenë duke udhëtuar me tren nga Beogradi për në Tivar.

Më 1992, ndërkaq, janë vrarë 17 boshnjakë nga Sjeverini, në kufirin midis Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Duke e komentuar takimin në Prishtinë, Imamoviq thotë se ai po bisedon me të gjithë ata që “kanë dëshmuar se janë miq të popullit boshnjak”.

“Nuk shoh asnjë arsye që udhëheqësit shtetërorë të shqetësohen. Për ta, çdo kërkesë për të drejtat e boshnjakëve është një formë destabilizimi”, thotë Iamoviq.

Çfarë tha kryeministrja e Serbisë?

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se serbët në Kosovë nuk mund të trajtohen si pakicë kombëtare, sepse Kosova është “krahina jonë autonome”.

Kosova shpalli pavarësinë 15 vjet më parë dhe ajo njihet prej më shumë se 100 vendeve të botës, përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian.

Bërnabiq tha se takimi i disa përfaqësuesve politikë të shqiptarëve dhe boshnjakëve nga Serbia me kryeministrin e Kosovës, është përpjekje për ta destabilizuar Serbinë.

Ajo shtoi se të drejtat e pakicave kombëtare në Serbi respektohen, se pakicat kanë këshillat e tyre kombëtarë dhe se marrin pjesë në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike të Serbisë.

Çfarë thonë qytetarët në Preshevë dhe në Novi Pazar?

Nexhad Beluli, biznesmen nga Presheva dhe pronar i Televizionit Spektri, i cili transmeton programe në gjuhën shqipe, thotë për Radion Evropa e Lirë se politikanët vendas duhet të merren me zhvillimin ekonomik lokal dhe tërheqjen e investitorëve.

“Këtu nuk ka vende pune, nuk ka perspektivë, të rinjtë po largohen nga vendi dhe ata po udhëheqin ‘politikë të lartë’”, thotë Beluli.

Amina Muriq, nga Novi Pazari, e pyetur për iniciativën e politikanëve boshnjakë, thotë se fjalët e thëna nga politikanët nuk kanë më peshë për të.

“Por, nëse e shikoj situatën pavarësisht asaj se kush e ka thënë, unë dua që të drejtat e boshnjakëve në Serbi të merren pak më seriozisht”, thotë Muriq për Radion Evropa e Lirë.

“Më duket se ne boshnjakët kemi nevojë për pak më shumë përpjekje, në krahasim me qytetarët tjerë, për të arritur të njëjtin nivel dhe rezultat”, shton ajo.

Amer Fehratoviq, nga Novi Pazari, thotë se nuk i kërcënohen të drejtat.

“Gjithmonë ka mënyra për t’i realizuar këto të drejta dhe ne kemi mjete ligjore për t’i siguruar ato”, thotë ai.

Ai shton se boshnjakët dhe pakicat tjera kombëtare mund të mos jenë mjaftueshëm të informuara për të drejtat e tyre.

Fahrudin Klladniçanin, nga Iniciativa akademike joqeveritare “Forum 10” nga Novi Pazari, thotë për Radion Evropa e Lirë se boshnjakët në Novi Pazar, Tutin dhe Sjenicë dhe shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ballafaqohen me të njëjtat probleme.

Si problem të madh, ai përmend përfaqësimin e pjesëtarëve të komunitetit boshnjak apo shqiptar në polici, gjyqësor, prokurori – pra, në organet shtetërore që ekzistojnë edhe në nivelin lokal.

“Në Novi Pazar, ju keni një situatë ku në prokurori, polici e gjyqësor, 80 për qind e punonjësve janë serbë, ndërsa shumica që jeton në atë zonë, është boshnjake”, thotë Klladniçanin.

Sipas tij, është legjitime të vihet në dukje një problem, zgjidhja e të cilit varet nga shteti.

Por, ai shton se problemet e boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi janë ndryshe nga problemet e serbëve në Kosovë, sepse rrethanat politike dhe sociale janë ndryshe.

Klladniçanin, po ashtu, thotë se është e natyrshme që përfaqësuesit e shqiptarëve nga jugu i Serbisë të shkojnë në takimet në Prishtinë, për shkak të lidhjeve politike dhe të veçanta që kanë.

Në buxhetin e vitit 2022, Qeveria e Kosovës, për herë të parë, ka ndarë mjete, përkatësisht dy milionë euro, për komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Në buxhetin e vitit 2023, për këto komuna janë ndarë 1.2 milion euro.

Në mes të vitit 2018, shqiptarët nga jugu i Serbisë kanë miratuar një deklaratë, me të cilën i kanë kërkuar Beogradit, Prishtinës dhe Brukselit që ta përfshijnë zgjidhjen e statusit të pakicës kombëtare shqiptare në Serbi në dokumentin përfundimtar të marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit.

Por, për përfaqësuesit e boshnjakëve, Klladniçanin thotë se ata shkojnë në takime në Kosovë kur situata politike në Serbi është e trazuar, siç është tani, për shkak të deklarimit që duhet të bëjnë në lidhje me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Mendoj se bëhet fjalë për një proces të menduar politik për të provokuar Beogradin zyrtar”, thotë Klladniçanin.

Të drejtat e pakicave kombëtare në Serbi

Në Serbi, të drejtat e komuniteteve pakicë rregullohen me Kushtetutën e Serbisë dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare, si dhe me ligje dhe rregullore të tjera.

Me to garantohen dhe mbrohen të drejtat individuale dhe kolektive të pjesëtarëve të pakicave kombëtare, para së gjithash në fushën e arsimit, përdorimit zyrtar të gjuhës, informimit dhe kulturës.

Sipas ligjit, shteti është i detyruar që, në programet e radios dhe televizionit publik, të sigurojë përmbajtje informative, kulturore dhe edukative në gjuhën e pakicës kombëtare.

Gjithashtu, parashihet që anëtarët e pakicave kombëtare në Serbi t’i zgjedhin këshillat nacionalë, për të ushtruar të drejtat e tyre për autonomi kulturore.

Në zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë, listat zgjedhore të pakicave kombëtare mund të sigurojnë mandate edhe kur fitojnë më pak se 3 për qind të votave, që është pragu zgjedhor.

Serbia, gjithashtu, ka marrë përsipër ta respektojë Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

Të drejtat e serbëve në Kosovë, të garantuara me Kushtetutë dhe ligje

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës, një ulëse ministrore në Qeveri dhe së paku dy zëvendësministra.

Po ashtu, një nënkryetar i Kuvendit të Kosovës duhet të jetë nga radhët e komunitetit serb.

Gjuha serbe, ashtu si shqipja, është në përdorim zyrtar në gjithë territorin e Kosovës.
Komuniteti serb ka kanalin e vet televiziv në kuadër të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës.

Komunitetet joshumicë, përfshirë serbët, kanë të drejtën e arsimimit në gjuhën e tyre amtare. Megjithatë, serbët në Kosovë i ndjekin mësimet sipas plan-programit të Serbisë në të gjitha nivelet.

Në Kosovë ekziston edhe Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura, i cili synon të sigurojë mbrojtjen e manastireve, kishave dhe objekteve të tjera fetare ortodokse serbe, si dhe të vendeve historike dhe kulturore që kanë rëndësi të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Ky ligj, ndër të tjera, ndalon ndërtimin ose zhvillimin industrial, ndërtimin e digave, termocentraleve, rrugëve transitore e kështu me radhë në zonat e mbrojtura.

Ligji për shërbimin civil parasheh që në kuadër të shërbimit civil në institucionet e nivelit qendror, minimumi dhjetë për qind e pozitave të rezervohen për komunitetet joshumicë, që i plotësojnë kriteret për punësim.

Me një marrëveshje që kanë arritur Kosova dhe Serbia në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, është paraparë edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky asociacion do të kishte kryetar, nënkryetar kuvend dhe këshill.

Megjithatë, marrëveshja për të nuk është zbatuar kurrë dhe Kosova është nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar atë.

rel

Një tjetër çështje penale nga dosja “Gërdeci”, SPAK hetime dhe për korrupsion, përveç Mediut ‘në sitë’ dhe ish-funksionarë të tjerë të lartë

SPAK-MediuTeksa dosja për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu ka kaluar në Gjykatën e Posaçme, SPAK në njoftimin zyrtar sot ka deklaruar se ka ndarë një çështje penale ku po heton për veprën penale të korrupsionit.

 

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se ende nuk ka saktësuar SPAK nëse Mediu është person nën hetim për këtë vepër penale, por pranon zyrtarisht faktin se është duke kryer hetime sa i përket veprës penale të korrupsionit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë kryer hetime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrotjes dhe ndërmarrja Meiko, e cila në atë kohë drejtohej nga Ylli Pinari, i cili është dënuar dhe e ka përfunduar dënimin e drejtësisë shqiptare ndaj shoqërive të huaja Edvin ltd me seli në Qipro dhe AEY me seli në Florida, SHBA. Në lidhje me këtë episod, hetimet paraprake sipas SPAK nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes me numër 271 9/1 e vitit 2023 dhe po vijojnë hetimet për veprat penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve shtetërorë apo i të zgjedhurve vendorë dhe veprën penale të pastrimit të parave.

Kjo nuk do të thotë që po hetohet vetëm mbi rolin e z. Mediu, por po hetohet mbi të gjithë ish-funksionarët e lartë të cilët janë marrë direkt dhe indirekt me këtë çështje dhe për të parë nëse ka pasur akte të korrupsionit dhe nëse gjatë kësaj veprimtarie mund të jetë bërë dhe pastrim parash.

Në lidhje me këtë çështjes, pak ditë më parë u thirr dhe u mor në pyetje edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha pasi në dosjen hetimore ndodhet një shkresë, me mbishkrimin ‘për Shkëlzen Berishën’.

Një shkresë e cila sipas akteve të kohës të vitit 2008-2009 kishte dalë nga Ministria e Drejtësisë në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes pavarësisht si ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, ashtu dhe Shkëlzen Berisha kanë deklaruar se ajo shkresë është e falsifikuar dhe nuk qëndron, nga ana tjetër SPAK është duke hetuar dhe rreth këtij momenti për të parë nëse ka ndonjë lidhje të mundshme të Shkëlzen Berishën në lidhje me aktivitetin e demontimit të armëve në punishten e Gërdecit.

Hetimi po shtrihet mbi të gjithë ish-zyrtarët e kohës të cilët janë kryesisht zyrtarë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Drejtësisë apo ministri të tjera të linjës për veprën penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

ballkanweb

Ju lumtë juve krerëve trima të ASH, për këtë përkrahje pa rezervë për kushtet e kryeministit Albin Kurtit për Asociacionin njëetnik të Komunave me Shumicë Serbe.

Albin ASHPor na sqaroni pak, kush janë këto „QARQE TË NDRYSHME NACIONALISTE“ në Ballkanin Perëndimor, që do ta shfrytëzonin këtë „precedent të rrezikshëm për stabilitetin rajonal“ të krijuar nga kërkesat shoviniste të Beogradit!?

Kroatët? Malazezët? Bosnjakët? Sllovenët?

Apo mos e keni fjalën për shqiptarët?

Po shqiptarët „gëzojnë të drejta të garantuara sipas standardeve më të larta evropiane” !?

Sqaroni pak shqiptarët, çfarë është qëndrimi i juaj për faktin që 30,8% serbë në Bosnje dhe Hercegoninë kanë njësinë e tyre shtetorëre (Republika Serbska) dhe kroatët me 15,4% janë popull shtetformues dhe kanë kantonet e tyre në Federatën Boshnjake, e gjithe kjo në shtetin konfederal me pesë nivele qeverisëse. Ndërkohë që për shqiptarët, 30% të popullsisë në ish IRJM, mjafton statusi i pakicës në shtetin me regullim unitar?

Jeni dakord me këtë status kushtetues të shqiptarëve?

Apo hyrja në koalicionin bashkëqeverisës me LSDM dhe BDI i sqaron të gjitha?

Sqaroni pak opinionin shqiptar, se çfarë e bën një parti shqiptare, pjesëmarrja në ekzekutivin e shtetit që diskriminon me kushtetutë shqiptarët?

Besoj e dini, sepse e keni sqaruar shumë mirë kur bëhej fjalë për BDI-në!

AF

Katastrofa e tërmetit – Luftë me kohën

SiriaNumri i viktimave të tërmetit në rajonin tuko-sirian vazhdon të rritet. Kërkimi për të humburit në temperaturat rreth zeros bëhet më dramatik. Në Turqi ka mbërritur ndihma nga jashtë, në Siri gjendja është e vështirë.

 

Ende vazhdon të rritet numri i viktimave në tërmetin katastrofik në Siri dhe Turqi. Temperaturat rreth zero gradë e bëjnë kërkimin e të humburve edhe më të vështirë. Sinoptikanët tuq paralajmërojnë madje për borë dhe shi. Numri i viktimave aktualisht ka kaluar 8700 vetë (gjendja më 08.02.08:00) Më shumë se 30.000 vetë janë plagosur. Një organizatë amerikane, Pacific Disaster Center bën fjalë për rreth 23 milionë vetë që janë prekur nga katastrofa.

 

Në Siri tërmeti goditi më të dobtit

Në një kohë që në Turqi ka mbërritur ndihma nga vendi dhe ajo ndërkombëtare, në Siri gjendja është shumë e vështirë. Mijëra vetë ende presin aty për shpëtim dhe ndihmën e parë. Sipas organizatave humanitare siriane qindra familje janë ende nën rrënoja. Tërmeti në rajonin sirian goditi ata njerëz që edhe më parë jetonin në kushte të rënda varfërie. Shumë refugjatë të brendshëm, që para katastrofës jetonin në godina gjysmë të rrënuara duhet të kalonin natën jashtë në temperatura ngrice, bëri të ditur një zëdhënëse e UNHCR-s. Një nga rajonet më të prekura është Idlib, që ndodhet nën kontrollin e rebelëve dhe nuk kontrollohet nga qeveria në Damask.

Për shkak se mungon gjithçka që duhet për shpëtim, puna për kërkimin e njerëzve në rrënoja po ecën shumë ngadalë, bën të ditur organizata humanitare siriane, Helmetat e Bardha. Edhe mjekët janë të mbingarkuar dhe nuk mund të trajtojnë të gjithë të plagosurit, bën të ditur Organizata Monituruese Siriane për të Drejtat e Njeriut.

 

Ministrja e Jashtme gjermana, Annalena Baerbock ka kërkuar hapjen e të gjithë pikave kufitare për të mundësuar ndihmë më të shpejtë humanitare për Sirinë. Ajo kërkoi që të gjithë aktorët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Rusinë duhet të përdorin “ndikimin e tyre tek regjimi sirian që ndihma humanitare të mbërrijë vërtet tek viktimat.” Rusia është aleate e pushtetmbajtësit sirian, Bashar al Asad.

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, Khaled Habubati i bëri thirrje BE të heqë sanksionet kundër vendit të tij dhe të sjellë ndihma për sirinë. Qeveria siriane ka siguruar, se ndihmat do të dërgohen edhe në zonat që nuk kontrollohen nga Damasku.

 

la/tgsch

Kryeministri Kurti takoi Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të QUINT-it në OSBE dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Abbott

quint osbe KurtiKryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, priti në zyrën e tij Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të QUINT-it në OSBE dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

 

Diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të QUINT-it në kuadër të fushëveprimit të OSBE-së dhe se si ky bashkëpunim mund të thellohet gjatë gjysmës së dytë të mandatit qeverisës. Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e OSBE-së dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë institucioneve të Republikës.

Ai i njoftoi ambasadorët me zhvillimet e fundit në vend dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare përfshirë këtu edhe atë të Bashkimit Evropian.

Kosova është histori e dyfishtë e suksesit, nënvizoi kryeministri Kurti. Me trendin pozitiv të rritjes ekonomike në dy vitet e fundit dhe përmirësimin për 20 pozita në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, për 17 pozita në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit dhe renditjen në vendin e parë për herë të dytë radhazi në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore, Kosova po dëshmon se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë krah për krah, tha ai. Gjithashtu, ambasadorët u njoftuan edhe për politikat sociale, si ajo e arsimit publik falas, shtesave për lehona dhe fëmijë, dhe masat e punësimit në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, për të cilin Kryeministri Kurti tha se është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.

Ambasadorët vlerësuan ndryshimet pozitive në vend dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma. Në të njëjtën kohë, konfirmuan mbështetjen e vendeve të tyre ndaj Kosovës.

Ambasadorët e QUINT-it në OSBE janë Michael Carpenter, Përfaqësuesi i Përhershëm i ShBA-së, Christine Fages, Përfaqësuese e Përhershme e Francë, Gesa Braeutigam, Përfaqësuese e Përhershme e Gjermanisë, Stefano Baldi, Përfaqësuesi i Përhershëm i Italisë dhe Neil Bush, Përfaqësuesi i Përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeminstia

Tërmeti apokaliptik në Turqi e Siri/ Shkon në 9400 numri i viktimave, mijëra të tjerë të plagosur. “Luftë” me kohën për të gjetur të varrosurit e gjallë

termeti-turqiMë shumë se 9,400 njerëz kanë vdekur pas një tërmeti dhe qindra pasgoditjesh në Turqi dhe Siri.

Autoriteti i menaxhimit të fatkeqësive të Turqisë ka raportuar 800 persona të tjerë të vdekur që nga përditësimi i fundit në orën 6:40 të mëngjesit.

 

Në të gjithë Sirinë dhe Turqinë, 1700 persona janë regjistruar si të vdekur që nga ora 1:40 e mëngjesit. Autoriteti i menaxhimit të fatkeqësive në Turqi tha se ka pasur 6,957 vdekje në vend dhe 37,000 njerëz të plagosur.

Në Siri, 2,530 kanë vdekur: 1,280 në zonat e kontrolluara nga kryengritësit dhe 1,250 në pjesët e kontrolluara nga qeveria të vendit.

 

Në total, të paktën 9,487 persona kanë humbur jetën.

 

Mijëra ndërtesa të shembura në të dy vendet dhe agjencitë e ndihmës po paralajmërojnë për pasoja “katastrofike” në veriperëndim të Sirisë, ku miliona njerëz të cenueshëm dhe të zhvendosur tashmë po mbështeteshin te mbështetja humanitare.

 

Përpjekjet masive të shpëtimit janë duke u zhvilluar me komunitetin global që ofron ndihmë në operacionet e kërkimit dhe rikuperimit. Ndërkohë agjencitë kanë paralajmëruar se viktimat nga fatkeqësia mund të rriten ndjeshëm.

Më shumë se 23 milionë njerëz mund të preken nga fatkeqësia

Punonjësit e urgjencës punuan gjatë një nate tjetër të ftohtë, në një garë të dëshpëruar kundër kohës për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pasi mijëra ndërtesa u shembën

Të afërmit e viktimave të pajisur me kazma dhe lopata iu bashkuan përpjekjeve të furishme të shpëtimit në një nga qytetet turke të goditura më keq, ndërsa familjet e shqetësuara thanë se shërbimeve të shpëtimit iu desh shumë kohë për t’iu përgjigjur në disa zona.

Një gjendje e jashtëzakonshme tre mujore është shpallur në Turqi nga presidenti Recep Tayyip Erdogan në 10 provincat më të prekura nga tërmeti.

Vendet në mbarë botën po dërgojnë mbështetje për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit, duke përfshirë ekipet e specializuara, qentë nuhatës dhe pajisjet, duke përfshirë Italinë, SHBA, Izraelin dhe Tajvanin.

Një nga tërmetet më të fuqishme prej një shekulli që goditi rajonin tronditi banorët në orët e hershme të mëngjesit të së hënës rreth orës 4 të mëngjesit. Tërmeti goditi 23 kilometra (14.2 milje) në lindje të Nurdagi, në provincën Gaziantep të Turqisë, në një thellësi prej 24.1 kilometra (14.9 milje), tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS).

Një seri pasgoditjesh jehoi nëpër rajon në orët e menjëhershme pas goditjes fillestare. Një pasgoditje me magnitudë 6.7 pasoi 11 minuta pas goditjes së tërmetit të parë, por tërmeti më i madh, i cili ishte me magnitudë 7.5, goditi rreth nëntë orë më vonë në orën 13:24, sipas USGS.

Ajo pasgoditje me magnitudë 7.5, e cila goditi rreth 95 kilometra (59 milje) në veri të tërmetit fillestar, ishte më i forta nga më shumë se 100 pasgoditjet që janë regjistruar deri më tani.

Ekipet e shpëtimit tani po garojnë me kohën dhe rrënojat për të nxjerrë të mbijetuarit nga mbeturinat në të dy anët e kufirit. Më shumë se 5700 ndërtesa në Turqi janë shembur, sipas agjencisë së vendit për fatkeqësitë.

Tërmeti i së hënës ishte gjithashtu një nga më të fortët që ka përjetuar Turqia në shekullin e kaluar – një tërmet me magnitudë 7.8 goditi lindjen e vendit në vitin 1939, i cili rezultoi në më shumë se 30,000 të vdekur, sipas USGS. (Ballkanweb)

 

Përndryshe Kryeminsti Edi Rama ne faqen e tij në Facebook njofton se

Grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura pjesë e skuadrës së kërkim-shpëtimit sapo ka mbërritur në Stamboll.

Ata do të ndihmojnë në kërkimin e trupave nën rrënoja dhe t’i ofrojnë atyre ndihmë të shpejtë.

“Sapo mbërriti në Stamboll edhe grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura pjesë e skuadrës së kërkim- shpëtimit”, shkruan Rama.

Çështja Gërdeci, SPAK dërgon për gjykim ish-ministrin Fatmir Mediu, ja akuza ndaj tij. Veçon çështjen për…

fatmir-mediuProkuroria e Posaçme dërgon për gjykim ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci”.

 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, mbi bazën e vendimit nr.205, datë 24.09.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (që ka vendosur revokimin e vendimit nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu), ka regjistruar procedimin penal nr.279 viti 2021 dhe ka kryer hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal.

Në përfundim të hetimeve paraprake është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.279 viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Per proçeduren e trajtimit te armeve, teknikes dhe pajisjeve te forcave te armatosura, te hequra nga armatimi dhe perdorimi, persa i perket shitjes per çmontim dhe çmilitarizim te nje sasie municioni”, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.

 

Gjatë hetimeve të këtij proçedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal.

Ballkanweb

Qeveria: Lojrat e fatit 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme

qeveriaQeveria e RMV-së në seancën e sotme të 127-të, ka vërtetuar Propozimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojra të fatit dhe për lojrat argëtuese, propozuar nga Ministria e Financave.

 

Me qëllim të mbrojtjes së të rinjve, me ndryshimet dhe plotësimet, propozphet që hapësirat afariste respektivisht vendpagesat e lojrave të fatit të jenë në largësi jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.

Me ligjin ekzistues nuk është vërtetuar largësia nga shkollat fillore dhe të mesme të hapësirave afariste ku organizohen lojrat e fatit, respektivisht nuk vërtetohet kriteri i këtillë – thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Gjithashtu, siç përcjell KlanM komunikatën e press-shërbimit qeveritar, në mesin e qëllimeve të ndryshimeve të propozuara përmendet edhe nevoja e përforcimit të dëshmive të nevojshme për dhënien e licensave, si dhe saktësimi i asaj që një shoqëri tregtare me një licensë organizon një lloj loje të fatit. Gjithashtu rriten edhe kompensimet për dhënien e licensave për lojrat e fatit – thuhet në komunikatë.

klan

Sot ose nesër mbyllet marrëveshja për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri

taravariNegociatat mes LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët për zgjerimin e  shumicës janë drejt finalizimit duke qenë se të dy palët pranojnë se për një pjesë të madhe të çështjeve tashmë ka marrëveshje. Aleanca për Shqiptarët, marrëveshjen eventuale të grupeve të punës do ta kalojë në filtrin e Kuvendit Qendror.

 

“Jemi nga përfundimi. Mund të them se një pjesë dërrmuese e marrëveshjes është arritur. Besoj se sot ose nesër finalizohet definitivisht marrëveshja dhe atëherë do ta bëjmë publike, edhe ne edhe qeveria. Mendoj se duhet të përfundojë gjithçka dhe atëherë të tregojmë. Do të ishte jokorrekte që të themi diçka dhe atëherë të ndryshojë”, tha Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Kryeministri Kovaçevski konfirmoi pritjet për një rezultat pozitiv nga negociatat. Ai pret që Alternativa po ashtu të mbetet pjesë e shumicës.

“E di se ka progres të mirë në këto bisedime sa u takon përcaktimeve programore dhe ekipimit kadrovik. Alternativa, po ashtu, është partner i çmuar në qeveri. Unë kam mendim shumë të mirë për të gjithë partnerët tanë të koalicionit. Sot dhe nesër do të ketë bisedime edhe me Alternativën, me z.Gashi dhe kolegët e tij. Unë shpresoj që do të mund të arrihet rezultat pozitiv nga këto bisedime që të gjithë së bashku të vazhdojmë ndërtimin e një koalicioni për Maqedoni evropiane”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Të pyetur nga Alsat, nga Alternativa nuk konfirmojnë nëse janë në dijeni të çështjeve për të cilat deri tani LSDM-ja dhe ASH-ja janë dakorduar.

“Ne kemi qëndrim që nuk zhvillojmë negociata përmes mediave. Ne kemi një marrëveshje valide dhe e respektojmë atë deri në fund. Pas përfundimit të negociatave ndërmjet LSDM-së dhe ASH-së, nëse cenohet marrëveshja jonë për bashkëqeverisje atëherë organet e partisë do të marrin vendim”, thonë nga Alternativa.

Pozitat, koadrot eventuale si dhe pikat konkrete të marrëveshjes janë akoma të pakonfirmuara.

Jozyrtarisht, siç ka informuar dhe më herët Alsat, negociatat zhvillohen kryesisht për Ministrinë e Drejtësisë dhe të Shëndetësisë. Kurse nëse nuk arrijnë ta marrin Shëndetësinë, ASH-ja këmbëngul për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Eventualisht, nëse Alternativa lëshon pushtetin, ASH-ja kërkon plus Ekologjinë ose Ministrinë e Shoqërisë Informatike.

Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë

ose

Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale

(Pa Alternativën)

Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Ekologjisë ose Ministria e Shoqërisë Informatike

Pozitat e zv/ministrave të cilët janë në tavolinë të negociatave varen nga ministritë që do të marrin, por, jozyrtarisht, bisedimet zhvillohen kryesisht për zv/ministrin e Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe Punës dhe Politikës Sociale. Në fokus po ashtu është kërkesa për të menaxhuar me Inspektoratin e Punës dhe Politikës Sociale dhe të Arsimit. ASH-ja kërkon të udhëheqë me dy nga këto institucione: Fondi Pensional, Fondi Shëndetësor ose Mepso si dhe zhvillon negociata për pozitën e zv/drejtorit në Drejtorinë e Doganave ose në Drejtorinë e të Ardhurave Publike.

 

Negociatat për kuadrot

 

Zv/ministër të Mbrojtjes

Zv/ministër të Punëve të Brendshme

Zv/ministër të Punës dhe Politikës Sociale

 

Inspektorati i Punës

Inspektorati i Arsimit

 

Fondi Pensional

Fondi Shëndetësor ose

Mepso

 

Zv/drejtor të Doganave ose

 

Zv/drejtor të të Ardhurave Publike 

 

alsat

“Nuk e shpreh dot tmerrin”/ Gazetari raporton nga Turqia pas tërmetit: Priten lëkundje të forta në vijim

Sokol BrahajGazetari Sokol Brahaj ka raportuar nga Turqia tmerrin e situatës katastrofike të shkaktuar nga një tërmet i fortë 7.8 ballë duke lënë pas mijëra viktima.

Në një lidhje direkte për “Top Story” ai tha se tmerri ndihet kudo në juglindje të Turqisë, ku rreth 20 mln banorë kanë mbetur jashtë banesave të tyre të pasigurta tashmë pas tërmeteve të fuqishme të 24-orëve të fundit.

Ai tha se sizmologët kanë paralajmëruar se të tjera tërmete të forta priten në vijim si pas-lëkundje, ndërsa në terren janë dërguar të gjitha grupet e kërkim-shpëtimit.

Kanë rënë mbi 90 tërmete 5 ballë e sipër. Një tmerr i paparashikueshëm që nuk e shpreh dot. Sizmologët në këtë fushë e kanë studiuar, në atë zonë pritej një tërmet i madh. Sipas tyre pritet që të ketë për javë të tëra tronditje jo të vogla. Menaxhimi nga ana e qeverisë janë në maksimum, e gjithë Ankaraja është drejtuar atje, ministrat, presidenti ka dhënë direktivat e veta. Forcat e kërkim shpëtimit janë drejtuar atje, zona është sa harta e Anglisë. 20 mln banorë, askush s’hyn ma në banesën e tyre, është ftohtë, borë shi. Shteti bashkitë, ndihmat ndërkombëtare kanë arritur në zonë. Në perëndim pllakat tektonike janë të ndryshme, nuk është dëgjuar, por në Stamboll është dëgjuar. Nuk jepen informata të sakta, por priten lëkundje të përmasave që vazhdojnë të frikësojnë atë popull”- raporti nga Turqia gazetari Sokol Brahaj.

Top Channel