Si nëpër filma, por skenari “dështon” në fund/ Të burgosurve në Maqedoninë e Veriut u zbulohet tuneli

tuneli idrizovePërmes gërmimit të një tuneli prej 60 metrash një grup prej 8 të burgosurish kishin planifikuar të arratisen nga burgu i Idrizovës në Shkup.

 

Një gjë e tillë u zbulua nga organet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut të cilët thonë se kanë parandaluar arratisjen e planifikuar.

“Pas marrjes së njohurive kriminalistike, se një grup prej së paku prej 8 të burgosurve të cilët janë të dënuar për vepra penale serioze me dënime prej 10 vjet deri në burg të përjetshëm, kanë përgatitur arratisje nga burgu, duke gërmuar tunel, MPB ka zbatuar aktivitete penale operative për kontroll të informatave pas çka të njëjtat i ka ndarë me Drejtorinë e Zbatimit të Sanksioneve”, tha Toni Angellovski

Kryeministri Dimitar Kovaeçvski tha se gjithçka që është e nevojshëm është ndërmarrë për këtë rast, ndërsa drejtori i deritanishëm i këtij burg, Shpend Tahiri është shkarkuar nga detyra dhe në vendin e tij si është emëruar gjeneral-majori, Zoran Jovanovski.

“Të gjitha informacionet të cilat kanë të bëjnë me këtë institucion i kanë shërbimet që janë të angazhuar për sigurinë në shtet përfshirë edhe MPB-në, ASK dhe drejtorinë për ekzekutim të sanksioneve dhe gjithçka që është e nevojshme është ndërmarrë në këtë drejtim”, tha kryeministri Kovaçevski.

Në muajt e fundit janë regjistruar edhe të tjera arratisje spektakolare nga burgjet e vendit.

Top Channel

Ora verore E diell, 26 mars 2023 në ora 2:00 - Ora dimërore E diell, 29 tetor 2023 në ora 3:00

Ora verore dhe dimerore

ora verore dhe ora dimërore

Më 26 mars bëhet ndërrimi i orës, si çdo vit në javën e fundit të marsit përfundon llogaritja e orës dimërore, dhe kalojmë në llogaritjen e orës verore, prandaj akrepat e orës do shkojnë për 60 minuta përpara.

 

Qeveria e Maqedonisë në seancën e sotme mori vendim që të dielën (26 mars) akrepat e orës të lëvizin për një orë përpara, gjegjësisht në orën 02:00 akrepat e orës do të zhvendosen në ora 03:00.

 

Ndërsa llogaritja e orës dimërore, përsëri do të bëhet po të dielën (29 tetor) akrepat e orës do të lëvizin për një orë prara, gjegjësisht në orën 02:00 akrepat e orës do të zhvendosen në ora 01:00.

 

Bisedimet Shqipëri-Greqi/ Klima pozitive, pritet vetëm dhënia e lejes nga dy presidentët

RamaKryeministri Rama mbyll sot vizitën e tij zyrtare në Greqi, pas takimeve me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, presidenten e vendit dhe kreun e parlamentit.

 

Gazetari i Top Channel Artur Bibe raportoi pas takimit të zhvilluar me palëve se ishte një vizitë me klimë pozitive politike.  Dy palët janë më afër se kurrë për adresimin dhe zgjidhjen e një sërë problemesh që kanë me njëri-tjetrin.

“Ka qenë klimë pozitive e vizitës së Ramës në Greqi. U prit me shumë respekt dhe dashamirësi nga presidentja, kryetarja e parlamentit, ministri i jashtëm dhe kryeministri grek. Është një klimë që rrallë e kemi parë në marrëdhëniet dy paleshë, çka tregon se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Do jetë vijimi i një  i një procesi të gjatë, që duket se po konkretizohet hap pas hapi”- raportoi gazetari Bibe nga Greqia.

Në takimin mes kryeministrit Rama dhe presidentes se Greqisë u shfaq optimizëm për zgjidhjen e problemeve te mbetura pezull.

Temat kryesore të marrëdhënieve shqiptare-greke janë marrëveshja e detit dhe heqja e ligjit të luftës. Presidenti është ai që do të firmosë në dy rastet, dhe duket se kanë një rol të madh që do të kulmojë me dhënien e autorizimit nga Begaj për ekipin negociator.

Ka nisur rrugëtimi i çështjes, ku deti do të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Zgjidhja e këtij problemi të çlirojë tepër energji pozitive dhe këtë e ka konfirmuar pala greke e ajo shqiptare.

Palët flasin, dialogojnë dhe në këtë dialog ka produkte të tjera siç janë marrëveshjet e karakterit rajonal dhe klima e investimeve greke në Shqipëri.

Top Channel

Kurti: të dënohet refuzimi i Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit

Albin Vucic BE OherKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën mbrëma se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka refuzuar një ofertë që ai e quajti “zemërgjerë” për vetmenaxhim të serbëve të Kosovës, në një asociacion që kryeministri Kurti tha se do ta hartonte dhe propozonte.

 

“Pas refuzimit për të nënshkruar marrëveshjen e 27 shkurtit dhe para se të refuzonte sërish të nënshkruante aneksin e zbatimit me 18 mars, presidenti serb refuzoi ofertën time zemërgjerë për vetmenaxhim të serbëve, në një asociacion që unë do ta hartoja dhe propozoja”, shkroi kryeministri Kurti në rrjetin social Twitter.

Më herët gjatë ditës zoti Kurti tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë sjelljen e Serbisë, e cila siç tha ai po refuzon të nënshkruaj pajtimin e arritur në Ohër për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Ai i bëri këto komente pak ditë pas pajtimit që u arrit në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

“Edhe marrëveshjen bazë edhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara, për neve kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë nuk nënshkruaj, e ndërmjet takimeve thotë nuk zbatoj gjë. Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nuk ka ndryshuar aspak, ndërsa theksoi se nuk do të zbatojë pjesët e saj që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Nuk ka bisedime për anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të marrëdhënieve, pa tensione e pa konflikte, Serbia do ta zbatojë”, tha ai në Beograd pas takimit me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani.

Bashkimi Evropian nuk i është përgjigjur kërkesës së Zërit të Amerikës për të sqaruar qëndrimin e bllokut lidhur me këtë çështje deri në përgatitjen e këtij materjali.

Sipas marrëveshjes së Ohrit, Kosova është zotuar t’i jap një shkallë më të gjerë të “vetë-menaxhimit” komunitetit serb në Kosovë dhe të zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit.

Kryeministri Kurti tha se formulimi ‘vetmenaxhim’ i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës.

“Me ndërmjetësit evropian do të jemi në kontakt të vazhdueshëm, me partnerët tanë amerikanë që i falenderojmë për kontributin e vazhdueshëm, gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe do të duhej që në atë formulimin për vetmenaxhimin e komunitetit serb, të adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u përmbushur”, tha ai.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën pasi njoftoi ministrat e Jashtëm të bllokut mbi marrëveshjen e Ohrit, se nënshkrim nuk ka pasur për arsye ligjore, por se palët janë pajtuar për të përmbushur plotësisht detyrimet që dalin nga marrëveshja.

Zoti Borrell e cilësoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si urgjente.

“Nuk niset ndërtimi i shtëpisë nga kulmi, niset nga disa gjëra që janë më urgjente dhe janë disa gjëra shumë, shumë urgjente. Aneksi thekson qartë se Kosova ka marrë obligim që menjëherë të nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne do të ndjekim nga afër se si palët i zbatojnë këto detyrime që janë pjesë integrale e integrimit të tyre evropian”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha të martën se tani çështja thelbësore është mosnënshkrimi i marrëveshjes nga Serbia dhe jo themelimi i Asociacionit.

“Topi është në anën e Serbisë, përse nuk po nënshkruan ajo? Pra në vend se të diskutohet përse nuk po nënshkruan Serbia, më thuhet kur do ta themelosh Asociacionin. Prandaj është e rëndësishme t’i qëndrojmë besnik interesave të Kosovës, shtetëore, të popullit tonë sepse ne kemi qenë konstruktiv e kreativ, të gjitha pyetjet duhet të jenë në Beograd tani”, tha ai.

Plani evropian për të cilin palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel ndërsa me 18 mars në Ohër për zbatimin e tij, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Mosnënshkrimi i dokumentit në takimin e Ohrit ka nxitur mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thonë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, ajo është detyrim ligjor i tyre.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të hënën se diskutimi rreth nënshkrimit është “përqendrim ndaj diçkaje që nuk ka ndikim në faktin se ka një marrëveshje, që palët duhet të fillojnë vënien në jetë të saj”.

voa

BE-SHBA kërkjojnë zbatimin e marrëveshjes

Albin oherShefi i politikës së Jashtme të BE Josep Borrell, tha se zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, do të mbikëqyret nga një komision i përbërë nga të dyja vendet dhe Bashkimi Evropian. Ajo është ligjërisht e obligueshme.

 

 

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i njoftoi ministrat e jashtëm të BE-së, për marrëveshjen e Ohrit, që u arrit ndërmjet Kosovësdhe Serbisë me 18 mars. Sipas Borrell, kjo është një arritje e madhe dhe, siç tha, “më nuk do të jemi në gjendje krize, por në implementim të marrëveshjeve të arritura më parë me 27 shkurt në Bruksel”.

“Këto marrëveshje hyjnë në fuqi me deklaratën që e lëshova. Nuk ishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por të dyja palët u pajtuan se deklarata ime është përkushtim nga ana e tyre për të plotësuar tërësisht obligimet që dalin nga kjo marrëveshje e aneksi i implementimit”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë evropiane përsëriti që Prishtina zyrtare e ka urgjente fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kalendari kërkon që secila palë ta bëjë pjesën e vet, nuk fillon ndërtimi i shtëpisë nga kulmi. Disa nga këto gjëra janë shumë urgjente, e kam thënë se Kosova urgjentisht duhet të përkushtohet për formimin e Asociacionit. Janë bërë një sërë zotimesh dhe ne do të shohim se si palët do t’i përmbushin ato”, tha Borrell.

 

Marrëveshjet e Ohrit

Në takimin e Ohrit, që u mbajt më 18 mars, nën ndërmjetësimin e kryediplomatit evropian, kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq, ranë dakord me aneksin e  zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Marrëveshja që u publikua nga Bashkimi Evropian me 27 shkurt në Bruksel, ka 11 nene, por nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja palët që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë edhe pasaportat, diplomat dhe targat. Marrëveshja kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili nuk  pëlqen ta quaj Asociacion, thotë se Kosova “do të udhëhiqet prej standardeve më të larta që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim”.

“Ekziston një paragraf i cili flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit jo-shumicë serb dhe natyrisht se ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim”, tha kryeministri Kurti, pas një takimi që zhvilloi me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Prishtinë.

 

Shtimi i presionit

Presion mbi Prishtinën dhe Beogradin zyrtarë që të nisin menjëherë zbatimin e marrëveshjes po bëjnë edhe SHBA-të. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që ishte vëzhgues në takimin e Ohrit, tha se pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është historik, dhe palët duhet të fillojnë menjëherë vënien në jetë të saj. Sipas tij, marrëveshja ka detyrime ligjore për t’i përmbushur. Prishtina duhet ta bëjë punën e saj, e këtë duhet ta bëjë edhe Serbia, tha ai duke shtuar se Beogradi duhet të fillojë mirnjohjen e dokumenteve të Kosovës dhe simboleve kombëtare.

“Për Kosovën është e rëndësishme që të fillojë hartimin e versionit të saj të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka shumë detyrime të tjera, por mendoj se këto janë më të rëndësishmet”, tha zoti Escobar, në një konferencë më gazetarë në distancë.

“Ne besojmë se duhet të jetë një (Asociacion) që u shërben interesave të popullit të rajonit, një që funksionon për të dyja palët, që lejon serbët etnikë të marrin pjesë plotësisht në jetën civile dhe demokratike të Kosovës. Por duhet të jetë edhe një Asociacion që nuk shkel strukturën kushtetuese të Kosovës apo prek funksionalitetin e saj”, tha Gabriel Escobar. Ai e bëri të qartë se pajtimi i Kosovës dhe Serbisë në Ohër për zbatimin e marrëveshjes është obligim ligjor, ndonëse nuk kishte nënshkrime.

 

Zbatimi është obligim ligjor

“Dua ta bëjë të qartë.Ky është detyrim ligjor për të cilin Serbia është pajtuar, sikurse edhe Kosova. Diskutimi rreth nënshkrimit është përqendrim ndaj diçkaje që nuk ka ndikim në faktin se e kemi një marrëveshje. Është një marrëveshje, ne e trajtojmë të tillë, të dyja palët hynë në të me seriozitet dhe Bashkimi Evropian e konfirmoi se është e tillë në sytë e tij”, theksoi emisari amerikan Gabriel Escobar.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme ta zbatojë marrëveshjen e arritur me Kosovën në Ohër, por vetëm deri te vijat e saja të kuqe.

 

Vijat e kuqe të Serbisë

“Vijat tona të kuqe, me të cilat nuk pajtohemi përfshijnë njohjen reciproke: jo njohje e Kosovës dhe as anëtarësim i Kosovës në Kombet e Bashkuara”, tha Daçiq në Bruksel, gjatë një konference donatorësh, pas tërmetit që ka goditur Turqinë. Sipas tij, marrëveshja e Ohrit, “është vetëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve dhe asgjë më shumë se kaq”.

“Mendoj se është vazhdimësi e asaj që kemi filluar rreth 10 vjet më parë, dhe në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme të dihet se kjo është një marrëveshje për hapat e mëtejshëm në normalizimin e marrëdhënieve dhe jo për çështjet e statusit”, u shpreh Daçiq.

Sidoqoftë, plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve për të cilin Prishtina dhe Beogradi u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa me 18 mars u pajtuan për zbatimin e tij, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Pikërisht për këtë partitë opozitare në Kosovë, ftuan për të enjten në seancë parlamentare kryeministrin Kurti, të raportojë për marrëveshjen për të cilën opozita thotë se do të dëmtojë për një periudhë të gjatë proceset integruese të vendit.

dw

Mbipeshkimi dhe ndotja dëmtojnë habitatin detar të Shqipërisë

MbipeshkimiNë bregdetin shqiptar, ndotja e ujërave dhe peshkimi pa kriter ka sjellë rënien e sasisë së peshkut dhe dëmtimin e gjallesave detare, ndërsa Ministria e Bujqësisë thotë se po merr masat e duhura për të minimizuar dëmet. Në bregdetin shqiptar, ndotja e ujërave dhe peshkimi pa kriter ka sjellë rënien e sasisë së peshkut dhe dëmtimin e gjallesave detare, ndërsa Ministria e Bujqësisë thotë se po merr masat e duhura për të minimizuar dëmet.

 

Në luginën e Patokut buzë detit Adriatik, peshkatarët kanë gjetur mënyra të reja për të nxjerrë peshkun në breg.

Boshti i këtij automjeti të vjetër të markës “Benz” shërben për të vënë në lëvizje litarët, ku janë mbërthyer rrjetat e peshkimit. I gjithë procesi drejtohet nga kabina e makinës.

Praktikat primitive të peshkimit nuk janë problemi i vetëm i peshkatarëve të kësaj zone. Shqetësim kryesor është minimizimi i stokut të peshkut. Në lagunën Kune Vain, ulja e sasisë së peshkut lidhet me shumë faktorë.

Një ndër më të rëndësishmit është ndotja që vjen nga qyteti i Lezhës apo nga kimikatet që përdoren për tokat bujqësore, të cilat mbërrijnë në lagunë përmes hidrovoreve.

“Problemi i ndotjes është hidrovori, i cili bjen të gjitha mbeturinat e zonave përreth. Të gjithë detergjentet dhe helmet kalojnë në lagunë dhe peshku detyrimisht që nuk hyn. Vetë laguna është cekur nga hyrja e Drinit që futet brenda. Ka ra me shumë- shumë hyrja e peshkut dhe prodhimi i peshkut”, thotë Çelë Gjetja, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në Kune-Vain.

Rënia e stokut të peshkut nuk është e kufizuar vetëm në luginën e Patokut, por është e shpërndarë në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë. Sipas studiuesve të fushës, kjo ka ndodhur për shkak të peshkimit pa kriter dhe të paligjshëm, por edhe nga kompanitë e mëdha që operojnë në këtë biznes.

“Pranohet gjerësisht që në tre dekadat e fundit, ka një ulje të stokut të peshkut. Nëse kapnim 100 peshq, 100 ngjala sot kapim 25. Kohët e fundit vëret një shqetësim i të gjithë peshkatarëve, që quhet peshkim në nivel të vogël. Ata ndeshen me faktin që kompani të mëdha, të cilat kanë anije të fuqishme, gjuajnë jo në zonën e përcaktuar disa milje larg bregut, por ato futen edhe në pjesën fundore duke gjuajtur në këtë mënyrë edhe në hapësira që nuk iu përkasin atyre. Kjo ka efekte shumë negative”, thotë Spase Shumka – profesor i Akuakulturës në Universitetin Bujqësor të Kamzës.

Sipas të dhënave të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë, FAO, deti Mesdhe ka një shkalle të lartë të mbipeshkimit dhe vetëm 36.6% e specieve janë të shfrytëzuara në mënyrë të qëndrueshme.

Bazuar në rekomandimet e FAO, Shqipëria ka ndaluar dhënien e lejeve të reja për peshkim tregtar profesional prej vitit 2020 si dhe i ka pajisur anijet e mëdha të peshkimit me sistem monitorimi satelitor për të ndaluar aktivitetin e tyre përtej distancës prej 3 milje detare ose 50 metra thellësi.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, peshkimi tregtar me anije të mëdha është sektori më i formalizuar i ekonomisë, ndërsa sistemi i monitorimit mundëson vëzhgimin e tyre në kohë reale nëpërmjet satelitit.

“Që nga fundi i janarit 2022 deri më sot, asnjë anije peshkimi nuk ka hyre në zonë të ndaluar dhe nuk është marrë asnjë masë administrative”.

Ekspertët e Akuakulturës i vënë në dyshim rezultatet e ministrisë, pasi në ekspeditat e tyre kanë gjetur dëme në habitatin e detit, që sipas tyre nuk mund të shkaktohen kurrsesi nga peshkatarët e vegjël dhe mjetet e tyre primitive.

“Gjithnjë e më pak ne ndeshim molusqe që janë specifike për zonat e thella, të cilat gjuhen me trata. Ose sfungjerët e detit pothuajse po shkojnë drejt niveleve minimale. Yjet e detit, iriqët e detit, kastravecët e detit por edhe grupe të tjera siç janë knedarët… Si rezultat i përdorimit të tratave, ato nuk janë dëmtuar jo vetëm në zonën e tyre të cilën ne e quajmë zona cirkalitorali, zonë që shkon mbi 40 metra thellësi, por edhe në zona të tjera të cilat janë më të cekëta“, thotë zoti Shumka.

Profesor Shumka e konsideron gjithashtu shqetësuese gjuetinë e peshqve në madhësi shumë të vogël dhe apelon për më shumë kontroll ndaj operatorëve të peshkimit.

voa

Polarizimi politik në Ballkanin perëndimor dhe Europën lindore, studiuesit theksojnë rreziqet

polarizimi politik BallkanNë Tiranë, polarizimi politik vlerësohet nga studiuesit si një dukuri, që frenon fuqizimin e demokracisë. Akademikë perëndimorë dhe vendas theksuan gjatë një konference të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, që shembuj si Rusia tregojnë shumë mbi rrezikun rrëshqitjes në autokraci.

 

Akademiku i njohur Wolfgang Merkel theksoi sot gjatë konferencës në Tiranë se polarizimi politik është një sfidë e demokracive, dhe vende të Europës Lindore dhe të Ballkanit perëndimor duhet të bëjnë shumë kujdes për ta shmangur këtë dukuri.

Ai ka studiuar burimet e polarizimit politik bazuar në të dhënat nga 34 vende të ndryshme demokratike dhe në tranzicion.

Studiuesi kujtoi se nga vitet 1950 të shekullit të kaluar dhe deri sot kanë ndodhur vetëm rritje të polarizimeve politike, dhe këto u zbehën disi vetëm në vitet 90 për shkak të kolapsit të perandorisë sovjetike dhe regjimeve autoritare të Europës lindore.

Në Europën lindore dhe në Ballkanin perëndimor, ku ndikoi Sllobodan Millosheviç me luftërat e tij, shtoi akademiku Merkel, sipas ekspertëve, nuk mund të flitet për ndonjë demokraci cilësore në dy dekadat e fundit.

“Serbia është pak a shumë në nivelin e Ukrainës së paraluftës, ndërsa Rusia është segmenti më i ulët në kriteret e demokracisë. Në Rusi polarizimi politik ka vazhduar të rritet nga vitet ‘90 të shekulli të kaluar e deri sot, por edhe opozita është më e fortë, ndonëse jo aq mjaftueshëm e fortë që të fuqizojë demokracinë pas luftës. Në gjendjen e sotme opozita atje nuk duket e përgatitur për të zhvilluar demokracinë. Rusia nuk kanë qenë ndonjëherë në një sistem demokracie, sepse ajo kaloi robërinë e pasurive kolektive, që solli autokraci dhe anarki, mungesë të shtetit, e më pas sollën drejtues si Putini që rindërtoi një shtet autoritar”, thotë akademiku Merkel.

Ai theksoi se në Europën lindore dhe rajone të ngjashme mund të kapërcehet lehtë nga demokratizimi në autokratizim.

“Në Shqipëri, Serbi dhe Ukrainë ekziston një nivel i lartë i polarizimit politik. Polarizimi shënon distancën midis dy kampeve politike, që nuk komunikojnë, nuk bashkëpunojnë. Polarizimi dëmton qasjen konstruktive në këto shoqëri. Shqipëria ende ka një hendek mjaft të konsiderueshëm ndaj demokracive me performancë të mirë”, tha zoti Merkel.

Studiuesit vlerësuan se këtyre vendeve u nevojitet demokraci gjithëpërfshirëse në shërbim të mirëqeverisjes dhe në pjesëmarrjen e forcave opozitare.

Qytetarët duhet të kërkojnë frytet e punës së sistemit politik përmes llogaridhënies së partive dhe të ndikojnë, që polarizimi të mos ketë përhapje, theksuan ata.

Akademikët pohuan se në Europën lindore ekzistojnë polarizimet asimetrike, ndërkohë që në vendet perëndimore kanë ndodhur transformime të thella në dy dekadat e fundit në ekonomi, teknologji dhe fusha të tjera, duke kapërcyer krizat mëdha financiare, që ndodhën në fillim të viteve 2000.

Ata theksuan se vendet me demokraci të reja duhet të mbajnë larg militantizmin dhe polarizimin, dhe të zgjedhin demokratikisht politikanët e tyre, në mënyrë që të shmangin autokracinë, siç ndodh në vendet me demokraci të konsoliduara liberale.

voa

Cilat do të ishin akuzat e mundshme ndaj ish-presidentit Trump?

TrumpAkuzat e mundshme penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump në Nju Jork kanë të bëjnë me një pagesë për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels në ditët e fundit të fushatës presidenciale të vitit 2016, në këmbim të heshtjes së saj.
Pagesa u bë nga ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, si pjesë e një skeme për të parandaluar publikimin e lajmeve të dëmshme politikisht rreth marrëdhënieve jashtëmartesore të manjatit të pasurive të patundshme.

Zoti Cohen pranoi fajësinë në lidhje me këtë rast në vitin 2018, por prokurorët federalë nuk e paditën zotin Trump, duke ia lënë prokurorit të qarkut të Nju Jorkut që ta ndiqte çështjen në bazë të ligjeve të shtetit.

Në gjyqin ndaj zotit Cohen në vitin 2018, prokurorët federalë detajuan hollësitë se si ai, nën urdhrat e zotit Trump, u përpoq të parandalonte bërjen publike të pretendimeve ndaj kandidatit Trump për këtë marrëdhënie.

Përveç zotit Cohen, një rol kyç në këtë përpjekje luajti David Pecker, kreu i kompanisë American Media Inc. (AMI), që në atë kohë publikonte tabloidin National Enquirer.

Zoti Pecker, një mik i vjetër i zotit Trump, kishte ofruar “të ndihmonte me menaxhimin e artikujve të mundshëm negativë rreth marrëdhënieve (të zotit Trump) me gra” duke identifikuar histori që mund të bliheshin për të mos u botuar.

Në gusht të vitit 2016, AMI ra dakord t’i paguante ish modeles së revistës Playboy Karen McDougal 150,000 dollarë për të drejtat e historisë së saj rreth një lidhjeje të dyshuar me zotin Trump në periudhën 2006 – 2007.

Dy muaj më pas, një përfaqësues i zonjës Daniels, informoi AMI-n se aktorja pornografike do të fliste publikisht për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump dhe ishte e gatshme ta shiste historinë e saj.

Zoti Pecker nuk arriti dot një marrëveshje me zonjën Daniels dhe e vuri agjentin e saj në kontakt me avokatin Cohen, i cili negocioi një marrëveshje prej 130,000 dollarësh për të “blerë heshtjen (e saj)”, thanë prokurorët në gusht të vitit 2018.’

Një pagesë në këmbim të heshtjes nuk është krim. Por prokurorët federalë thanë se zoti Cohen ndërmjetësoi pagesat për zonjën Daniels dhe zonjën McDougal, në një përpjekje për të ndikuar në fushatën presidenciale.

Për më tepër, thanë prokurorët, ajo që duhej të ishte raportuar si shpenzim fushate elektorale, u regjistrua si shpenzim ligjor, një shkelje e ligjeve federale për financimin e fushatave. Organizata Trump më vonë e rimbursoi zotin Cohen në bazë të një “marrëveshjeje për shërbimet e tij” ligjore.

Në fakt, sipas prokurorëve federalë, “nuk ekzistonte një marrëveshje e tillë dhe faturat mujore të paraqitura nga zoti Cohen nuk ishin për ndonjë shërbim ligjor, që ai kishte ofruar në vitin 2017.”

Në gusht 2018, zoti Cohen pranoi fajësinë për tetë akuza penale federale, përfshirë shkelje të ligjit të financimit të fushatave në lidhje me pagesën prej 130,000 dollarësh për zonjën Daniels.

Para se të pranonte fajësinë, zoti Cohen pranoi nën betim se pagesat i kishte bërë në këmbim të heshtjes së saj “në koordinim dhe nën drejtimin” e ish-presidentit.

Zoti Trump ka pranuar se zotit Cohen iu rimbursuan 130,000 dollarët e paguara për zonjën Daniels për të ndaluar “akuzat e saj të rreme dhe shantazhuese”.

Por ai ka mohuar se pagesa ishte “kontribut për fushatën”.

“Nuk ka pasur shkelje tek ajo që kemi bërë”, i tha ai agjencisë Reuters në vitin 2018.

Zoti Cohen kreu dënimin me rreth tre vjet burg përpara se të lirohej në vitin 2021.

Prokurorët federalë nuk e akuzuan ish-presidentin Trump dhe çështja kundër tij u ndërpre në vitin 2019.

Edhe ish-prokurori i qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance, nuk ngriti akuza ndaj zotit Trump.

Por prokurori aktual i Manhatanit, Alvin Bragg, i zgjedhur në nëntor 2021, ka rihapur hetimin për të përcaktuar nëse zoti Trump ka shkelur ndonjë ligj shtetëror në lidhje me pagesat në këmbim të heshtjes.

Ende nuk dihet se cilat do të jenë akuzat ndaj ish-presidentit nëse ato ngrihen, por ekspertët ligjorë thonë se ka të ngjarë që ato të përqendrohen tek falsifikimi i dokumenteve financiare të kompanisë së zotit Trump.

Sipas kësaj teorie, zoti Trump dyshohet se nën justifikimin e një shpenzimi ligjore, fshehu pagesat për heshtjen e zonjës Daniels, duke shkelur ligjet federale për zgjedhjet, thonë ekspertët ligjorë.

Sipas ligjit të Nju Jorkut, falsifikimi i të dhënave të biznesit konsiderohet zakonisht si një kundravajtje. Për ta ngritur akuzën në nivelin e një vepre penale, prokurorët duhet të vërtetojnë se veprimi i mashtrimit është kryer me qëllim të kryerjes, ndihmës, ose fshehjes së një krimi tjetër.

“Ky krim tjetër duket se është shkelja ligjeve federale për financimin e fushatave, gjë për të cilën Departamenti i Drejtësisë më parë nuk pranoi të ngrinte akuza,” shprehet Jonathan Turley, një profesor i së drejtës në Universitetin George Washington, në gazetën “The Hill”.

Zoti Trump ka thënë se “nuk ka bërë absolutisht asgjë të gabuar” dhe e ka quajtur hetimin e Prokurorit të Qarkut të Nju Jorkut një “gjueti shtrigash” të udhëhequr nga një prokuror “racist”. Prokurori Bragg është afrikano-amerikan.

Ky nuk është i vetmi rast penal që i kanoset ish-presidentit.

Në shtetin tjetër, atë të Xhorxhias, prokurorët po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave penale në lidhje me përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale 2020 në këtë shtet, ku ai humbi me një diferencë të ngushtë ndaj presidentit aktual Joe Biden.

Ndërkohë, prokurori i posaçëm, i emëruar nga Departamenti i Drejtësisë Jack Smith, po heton rolin e zotit Trump në përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve, si dhe trajtimin nga ana e tij të dokumenteve të klasifikuara, pasi la detyrën.

Nëse ndaj tij do të ngrihej ndonjë akuzë penale, zoti Trump do të bëhej ish-presidenti i parë në histori që akuzohet penalisht.

voa

KRISHTI ME KAMXHIKUN

Fan Noli

KRISHTI ME KAMXHIKUN

 

Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë

Janë shtruar sarafët’) pa shpirt e pa besë,

Tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë,

Thon’ ashtu Israelin e mbrojn’ e shpëtojnë.

 

Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,

Dhe shkëlqejnë në kish’ e në fron me kurorë,

Vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten

Dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten.

 

Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar

Na u ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar;

Nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë,

Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.

 

Çdo i shenjt’ ideal, çdo shtëpi Perëndie

Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie:

Kush fitonte më tepër, ay ishte usta,

Dhe kush nukë plaçkitte ish krejt budalla.

 

Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë,

Krisht’ i ëmbël u-ndes dhe u-bë i vështirë:

Me kamçik e me fshikull sarafët i dboj,

Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.

 

Dhe Shën Pjetr’ i gëzuar ahere i tha:

“Ja tani e ke nisur tamam, or usta!

Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro,

Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto.”

 

“Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,

Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar;

Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin.

Se shpirt-robi s’çlirohet askurrë pa drurin.”

 

Jesu Krishti s’ dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun.

Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,

Dhe i tha: “S’e ka fajin kurrizi, po truri,

Se lirin’ e sjell drita e mëndjes, jo druri.”

 

“Merr-e prapë kamçikun, Shën Pjetri u- përgjeq,

Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.

Përkëdhel’ u kurrizin dhe do t’të besojnë,

Vraj-i, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t’adhurojnë”.

 

Jesu Krishti s’dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun.

Dhe s’u-unj përsëri që ta merrte kamçikun:

Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,

Dhe e shëmpnë çlironjësin, fen’ e atdhenë.

 

– Poezi nga Fan Noli

“Ngrirja” e çmimeve: Brenda muajit kursehen vetëm 200 denarë

cmimet-shporta-marketDeanoski për REL: Rreth 110.000 punonjës në sektorin publik me pagë minimale

 

Derisa qeveria reklamohet se po lufton inflacionin e lartë, masa e fundit për “ngrirjen” e çmimeve është në shënjestër të kritikave të sindikatave që vlerësojnë se kjo masë është e vonuar. Sipas tyre, shteti duhej të reagonte më herët dhe të mos lejonte që çmimet e bukës, miellit dhe vajit të rriten për 120%.

Ata thonë se “ngrirja” e çmimeve në produkteve themelore të ushqimit, nuk do të thotë uljen e shpenzimeve mujore, në kushte kur inflacioni në vend është ndër të të lartit në Evropë.

“Jemi shumë vonë me masat. Duhej ta kishin parashikuar më herët dhe të bëhej “ngrirja” e çmimeve sikurse në Shqipëri, Serbi, B e H dhe Kosovë. Kursimet për një muaj me blerjen e pastave, bukës, qumështit dhe bulmetit do të jenë 200 denarë për një muaj. Por, kur do t`i shihni çmimet e mishit, pemëve e perimeve, sipas nesh, nuk ka ulje”, thotë Tërpe Deanoski nga Sindikata e AOJSHQ-së

Momentalisht ndjehet mungesa e madhe e fuqisë punëtore, në sektorin publik dhe privat. Gjatë ditës së djeshme virale u bë një fotografi, për të cilën thuhet se janë punëtorë të Bangladeshit, që kanë mbërritur për të punuar në vendin tonë. Nga Sindikata thonë se me 400 euro pagë mujore vështirë se punëtorët e huaj do të mbesin në vend.

“Nuk mund të vijnë të punojnë kur paga fillestare është 23.000 denarë, kurse në sektorin privat 50.000, por nëse shkojnë jashtë vendit shumë më tepër. Sindikata e Ndërtimtarisë njoftoi se vetëm gjatë një viti për 12.000 është ulur numri I fuqisë punëtore, që kanë shkuar jashtë vendit”, thotë Deanoski.

Pagat e rreth 110.000 të punësuarve në sektorin publik janë gati se paga minimale në vend. Pikërisht pagat e ulëta janë aryseja kryesore për ikjen e punonjësve të këtij sektori jashtë vendit – thonë nga Sindikata.

Sipas tyre, rritja e pagës minimale për 2.107 denarë, nuk do të ketë efekt duke marrë parasysh se shporta konsumuese momentalisht është 50.000 denarë, që sipas Sindikatës, duhen dy paga e gjysmë minimale që një familje katëranëtarëshe të mbijetojë gjatë një muaji.

klan