Molusqet, qeniet me dhëmbë të forta

MolusqeDhëmbët e molusqeve janë tepër të forta. Ato përbëhen nga fibra mikroskopike, 100 herë më të holla se flokët e njeriut dhe më të forta se fibra sintetike.

Në se do të kishim një fije spageti të prodhuar nga ky material me të mund të ngrihej një hipopotam.

Substanca bazë e këtyre dhëmbëve është një lloj minerali nga i cili përbëhet ndryshku. Kjo i lejon molusqet të ngjiten pas gurëve ndërsa ushqehen me leshterikë.

Në të ardhmen ato mund të gjejnë vend përdorimi në makina, anije dhe aeroplanë për t’i bërë këto mjete më të sigurta. Fija e merimangave ka qenë materiali më i fortë natyror biologjik. Por jo më, tani dhëmbët e molusqeve zënë vendin e parë.    (voa)

Trajtim më i shpejtë: 99% e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen

azilantetKryeministri i landit të Saksonisë së Poshtme kërkoi të shtunën trajtimin edhe më të shpejtë të kërkesave për azil që vijnë nga qytetarët e Kosovës. 40% e azilkërkuesve në Gjermani aktualisht vijnë nga Ballkani.

Mediat gjermane njoftojnë se kryeministri i landit gjerman të Saksonisë së Poshtme Stephan Weil i partisë socialdemokrate ka kërkuar që të përshpejtohet sa të jetë e mundur trajtimi i kërkesave për azil që vijnë nga qytetarët e Kosovës. Kërkesat e azilantëve nga Kosova refuzohen në masën 99%, është shprehur kryeministri i landit në gazetën e Hanoverit “Hannover Presse” në botimin e së shtunës. Stephan Weil ka kritikuar faktin që trajtimi i këtyre kërkesave zgjat më shumë se një vit, megjithëse vetë azilkërkuesit e kanë të qartë se ata nuk kanë të drejtë azili në Gjermani.

Qëllimi duhet të jetë sipas kryeministrit të landit të Saksonisë së Poshtme që më së voni pas një tremujori të kemi një vendim të bazuar ligjërisht. Me procedime të tilla të përshpejtuara mund të arrihet reduktimi i numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit. Në muajt e fundit është rritur në mënyrë masive numri i azilkërkuesve nga vendet e rajonit, sidomos nga Kosova, Shqipëria e Serbia. 40% e të gjithë azilkërkuesve në Gjermani aktualisht vijnë nga Ballkani. Për autoritetet ky fluks bllokon fonde dhe punonjësit e zyrave të azilit për të ndihmuar ata refugjatë, të cilëve u është njohur azili, të ardhur nga vendet e luftës dhe krizave.

Kontrolle të rrepta në kufi

Politikanët gjermanë kanë kërkuar shpesh në javët e fundit kontrolle më rigoroze për kufizimin e imigrimit nga vendet e Ballkanit. Vetëm dy ditë më parë ishte ministrja e landit të Baden-Vyrtembergut për Integrimin, Bilkay Öney (SPD) e cila kërkoi kontrolle më të rrepta në kufij. “Kufijtë tani aktualisht janë shumë lehtë të kalueshëm”, ka thënë Öney për gazetën gjermane “Die Welt”, duke shprehur edhe keqardhjen pse nuk janë shpallur vende të sigurta origjine edhe Shqipëria dhe Kosova, ashtu si më parë edhe Serbia, Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia.

Aktualisht kryeministri i landit të Saksonisë kërkon shtimin e personelit për Zyrën Federale të Migracionit, dhe marrjen e shpenzimeve për trajtimin e kërkesave të azilit nga federata. Më 8 Maj kancelarja gjermane Angela Merkel ka ftuar në një takim të nivelit të lartë në zyrën e saj, temë debati do të jenë shpenzimet e akomodimit dhe integrimit të refugjatëve. (dw)

Bie vaksinimi në shkallë globale

vakcinimiOrganizata Botërore e Shëndetit shënon Javën Botërore të Imunizimit çdo vit gjatë javës së fundit të prillit. Këtë vit, Organizata Botërore e Shëndetit raporton se ka rënie të imunizimit dhe se fëmijët nuk po marrin vaksinat që u shpëtojnë jetët.

Luftëra, sëmundje e madje edhe zgjedhje personale kanë lënë fëmijët në vende të pasura dhe të varfëra të paimunizuar. Organizata Botërore e Shëndetit thotë se ritmet drejt objektivave globale për këtë vit janë larg synimeve. Jean-Marie  Okwo-Bele është me Organizatën Botërore të Shëndetit.

“Një në pesë fëmijë të paktën nuk është përfshirë në ciklin rutinë të vaksinave.”  

Në anën praktike kjo nënkupton se një milion e gjysëm fëmijë mund të vdesin nga sëmundje të parandalueshme si poliomeliti, tetanozi e të tjera.

Vetëm nga mesi i prillit filloi përsëri programi i imunizimit në vendet e goditura nga Ebola të Afrikës Perëndimore. OBSH thotë se shumica e fëmijëve të paimunizuar jetojnë në vendet më të varfëra të botës.

Por disa jetojnë në vende të pasura si Shtetet e Bashkuara. Amerika përjetoi përhapjen e fruthit që filloi në parkun Disneyland në Kaliforni dhjetorin e kaluar dhe zgjati deri nga mesi i prillit. Fruthi mund të shkaktojë vdekjen, humbjen e shikimit, dëgjimit apo dëmtim të përhershëm të trurit.

Por disa prindër po lobojnë për të drejtën për të vendosur vetë për vaksinimin. Një prej tyre është edhe Elizabeth Bell.

“Dua të drejtën të vendos se çfarë mund të injektohet në trupin e fëmijës.” 

Shumë prej prindërve shqetësohen se vaksinat shkaktojnë autizmin, pavarësisht studimeve që tregojnë të kundërtën.

Një studim që hedh poshtë ndonjë lidhje mes vaksinës kundër fruthit dhe shytave dhe autizmit është publikuar në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë. Studimi hulumtoi afro 100 mijë fëmijë që ishin vaksinuar deri në moshën pesë vjeçare. Mjeku Anjali Jain udhëhoqi studimin.

“Nuk gjetëm prova të lidhjeve të dëmshme mes vaksinave dhe çrregullimeve të autizmit.”  

Sipas Organizatës Pan American Health, që është pjesë e OBSH, rubela, një sëmundje virale e ngjashme me fruthin, është zhdukur në Amerikë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë synon të eliminojë rubelën nga një tjetër rajon deri nga fundi i këtij viti dhe të dyfishojë përpjekjet për të siguruar që më shumë fëmijë të marrin vaksinat e nevojshme për të qënë të shëndetshëm dhe për një jetë produktive. (voa)

Shqipëria me gazetari në stanjacion

GazetariaDita Botërore e Lirisë së Shtypit 2015 në Shqipëri. Përfaqësuesit e mediave thonë se jemi larg lulëzimit të lirisë gazetareske dhe kemi gazetari në stanjacion.

Që nga viti 1991, 3 Maji, përkujtohet si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë u shpall nga Kombet e Bashkuara, me propozim të UNESCO-s, frymëzuar nga procesi i demokratizimit të shoqërive në Afrikë dhe fundi i Luftës së Ftohtë. Çdo vit, UNESCO përcakton një temë qendrore për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shtypit në mbarë botën. Tema qendrore e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit 2015 është: Le të Lulëzojë Gazetaria! Drejt një Raportimi më të Mirë, Barazie Gjinore! Si paraqitet situata në Shqipëri në raport me këtë temë?

Ylli Rakipi, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve, drejtues i programit ”Të paekspozuarit” një nga më të ndjekurit aktualisht në Shqipëri, në TV “Ora News” thotë për DW: ”Në Shqipëri shtypi, media nuk është drejt lulëzimit, pasi është pjesërisht e lirë. Nëse 10 vjet më parë, ishte politika që ushtronte presion të madh mbi shtypin, median sot janë pronarët që diktojnë politikën editoriale në favor të njërës apo tjetrës parti. Atë që para një dekade e realizonte politika, sot e realizojnë pronarët. Mungesa e lirisë ekonomike është faktori thelbësor, që i detyron pronarët të jenë partnerë të politikës. Për pasojë, një pjesë e rëndësishme e medias ekziston thjesht për trafik influencash me pushtetin dhe politikën. Ajo nuk mund ta informojë publikun në atë mënyrë që ai të jetë në gjendje ë marrë vendime që çojnë në zhvillimin e shoqërisë”.

Në vend të lulëzimit – stanjacion

Ky cënim i lirisë së shtypit dhe deformim i misionit të medias përbën edhe arsyen bazë pse në Shqipëri sot nuk bëhet fjalë për një lulëzim të gazetarisë. Ben Andoni, zëvendëskryeredaktor i revistës së përjavshme”Java” thotë për DW:
“Gazetaria e vitit 2015 është në stanjacion. Mungon një media specifike, ku politikat editoriale të jenë të pavarura. Ekonomikisht është shumë e vështirë që në Shqipëri të bësh një media të pavarur, pasi askush nuk është i interesuar ta mbajë ose të bëjë biznes përmes saj. Media është kthyer në një tifoze të mirëfilltë të politikës. Mjafton të shikosh renditjen standarde të edicioneve të lajmeve që të kuptosh se pesha specifike shkon tek politika, që do të thotë se politika editoriale është krejtësisht e varur nga interesat politike të pronarëve të shtypit dhe medias”

Pushteti i pronarëve dhe kasta e pasuruar e gazetarëve

Ajo që po ndodh në Shqipëri është se pronarët e mediave po shnëdrrohen nga dita në ditë në shkelësit kryesorë të lirisë së shtypit dhe minimit të një gazetarie në shërbim të publikut dhe zhvillimit të shoqërisë. “Pushteti i madh i pronarëve dhe përfitimet që ata marrin nga pushteti janë kërcënimi kryesor ndaj lirisë së shtypit. Pa harruar një kastë gazetarësh të pasuruar frikshëm, që u shërbejnë pronarëve apo grupime që informojnë pa kompetencë për çdo problem” thotë për DW, Ben Andoni.
Situata vjen e rëndohet ngaqë Shqipëria është një vend, që nuk ka një ligj për lirinë e shtypit. Ka vetëm një nen në Kushtetutë ku thuhet se “shtypi është i lirë; liria kufizohet vetëm përmes kushtetutës dhe ndalohet marrja e çdo mase tjetër që prek lirinë e shtypit”. “Mungesa e ligjit dhe shndërrimi i pronarëve në gardianë të medias së tyre përbëjnë kërcënimet kryesore të lirisë së shtypit” thotë për DW, Ylli Rakipi.

Media, korrupsioni dhe ligji

Por peisazhi mediatik në Shqipërisë nuk është uniform lidhur me kufizimin e lirisë dhe gazetarinë në shërbim të publikut.“Ka segmente mediatike që punojnë, që zbulojnë afera korruptive, abuzime me pushtetin, padrejtësira, por e keqja është që pas publikimit të tyre nuk ndodh asgjë, kjo sepse jemi një vend ku ligji ekziston por nuk funksionon. Publikohet një aferë korruptive dhe pas tri ditësh çdo gjë harrohet. Po të ishim në Perëndim dikush do të përgjigjej: ose pushtetari i lartë i korruptuar, ose media, ose gazetari që ka bërë publikimin” thotë Ylli Rakipi.

Për Ben Andonin pak afera korruptive zbulohen nga gazetarët.Për fat të keq ata që punojnë në mënyrë të pavarur janë të paktë.

“Zbulimi i aferave korruptive nga media më shumë përdoret kundër palëve. Në shumicën e rasteve korrupsioni në Shqipëri ka përfshirje të shumëanshme, ndërsa paraqitja e tij në shumicën e rasteve ka vetëm një kah, pa përmendur sistemin. Ka pak gazetarë që punojnë në mënyrë të pavarur, ata janë nën sulm dhe të pasigurtë” thotë ai për DW.

Mungojnë nismat në favor të lirisë së shtypit

Në Raport -Progresin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë vihet në dukje se mbetet një sfidë madhe “ndërhyrja në media e interesave politike dhe ekonomike”. A ka nisma që synojnë lirinë e medias dhe për pasojë luftën ndaj ndërhyrjeve të tilla? “Në Shqipëri nuk ka nisma reale që të favorizojnë lirinë e medias. Ka seminare, projekte të shumta, ku harxhohen jo pak para dhe fonde të BE dhe Perëndimit, ka organizma që janë bërë mjeshtra të këtij biznesi, ” thotë Ylli Rakipi.

Ndërsa Ben Andoni mendon se të tilla nisma nuk mungojnë. Por ato bëhen “nga të njëjtët subjekte, të njëjtët personazhe, që deri më tani nuk kanë arritur asgjë, pasi nuk kanë integritet moral”, thekson ai.“OSBE dhe Instituti i Medias kanë bërë disa nisma, por ato nuk ia kanë dalë mbanë të ndryshojnë situatën, sepse mendoj që autoriteti i tyre nuk i përgjigjet realitetit të sotëm në klimën mediatike shqiptare”, vëren Ben Andoni.
Barazi dhe ekuilibër gjinor?

Për Ylli Rakipin, sa i përket kësaj çështjeje në Shqipëri këtë 3 Maj ka tregues pozitivë. “Ka një raport të mirë gjinor, të ardhur në mënyrë normale, pa u sforcuar. Shpresoj që të mos ketë ndonjë nismë nga qeveria për hartimin e një ligji për barazinë gjinore në media! Të paktën kemi një vetërregullim që bazohet mbi kritere aftësie dhe profesionale.”
Kurse për Ben Andonin situata paraqitet ndryshe. “Dominon pjesa mashkullore, por edhe pjesa femërore, kur vjen në pozicionin vendimmarrës i bindet njësoj interesave”, mendon ai. (dw)

Ish-pjesëtarë të UÇK-së merren në biseda informative

uckIsh-komandantë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së në Maqedoni ditëve të fundit janë marrë në biseda informative.

Një ish-pjesëtar i UÇK-së ka informuar për INA se ditëve të fundit është thirrur në bisedë informative nga ana e DSK (Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit) dhe se arsyeja e ftesës ka qenë incidenti i armatosur në postën policore kufitare Gushincë në Karadakun e Shkupit.

Ai theksoi se është  i shqetësuar nga ky veprim i organeve të sigurimit shtetëror dhe se gjithçka po ndodhë vetëm pas këtij incidenti.

“Unë jam ish-pjesëtar dhe sot i jam kthyer jetës normale, duke kryer punët e përditshme. Nuk kemi lidhje me skenare të errëta apo raste siç ishte incidenti në Gushincë. Disa prej nesh ka kaluar tre luftërat e fundit dhe sot i jemi rikthyer jetës normale me familjet tona. Nuk dij çka na shqetësojnë me këto veprime dhe shqetësimi është edhe tek familjet tona.  Apeloj që Ali Ahmeti ta dij se çka po ndodhë.  Ai dhe funksionarët e tij sot po shfrytëzojnë imunitetin dhe funksionet dhe nuk po shohin përtej kësaj dhe se si po maltretohen disa bashkëluftëtarë. Le të stopojnë këtë që po ndodhë dhe mos të hyjnë skenareve të rrezikshme”, deklaroi për INA, një ish-pjesëtar  i UÇK-së.

Një pjesë e tyre duke mos pasur asnjë mbështetje institucionale, kanë marrë avokatët e tyre për t`u mbrojtur dhe për të shmangur çdo lloj tendence të inskenimeve të mundshme.

Ish-pjesëtarë të UÇK-së gjithashtu informojnë se për këto raste kanë informuar edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Shkup. (INA)

Britania e Madhe kërkon ngritjen e Byrosë së Hetimit

canon cakoBritania e Madhe mbështet dhe inkurajon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një strukturë që do të operojë në kuadër të Ligjit për Policinë e Shtetit, por që u vlerësua si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në formën e kaluar më herët nga mazhoranca.

Ky qëndrim i Londrës u shpreh përmes përfaqësuesit të saj në Tiranë, ambasadorit, Nicholas Cannon. Cannon u takua këtë të mërkurë me drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, por me këmbëngulje është kërkuar ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Ju duhet që ta ngrini atë duke kapërcyer pengesat ligjore që t’ju ndihmojmë  me asistencë. Ne besojmë se ngritja e Byrosë së Hetimit do t’i japë një shtysë luftës kundër korrrupsionit” – tha ambasadori.

Drejtori i Policisë së Shtetit u shpreh se po punohet për të gjetur një zgjidhje ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi kapitullin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Ligjin e Policisë, duke i mbetur bindjes për të ngritur këtë strukturë sipas modeleve më të mira të partnerëve.

Çako shtoi se Policia Shqiptare është në një proces ristrukturimi dhe po i kushtohet vëmendje luftës anti- terror, duke ngritur një Drejtori të posaçme.

Ambasadori Cannon ka  vlerësuar ngritjen e strukturave antiterror dhe ka theksuar faktin se ristrukturimi nuk duhet të mbetet në një institucion të vetëm, por  është kompleks dhe përfshin një sërë hallkash që duhet të funksionojnë bashkë, si Polici, Prokurori e Gjykatë.

Cannon ishte kryediplomati i dytë i vendeve të BE-së që viziton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Të hënën Haki Çako priti ambasadorin italian Massimo Gaiani, i cili i shprehu vullnetin e Italisë për të mbështetur identifikimin nga ajri të parcelave me bimë narkotike, ashtu siç është bërë vitet e fundit.

/ Top Channel

Strasburg, nis debati mbi rezolutën për Shqipërinë, sipas raportit të Fleckenstein

PEParlamenti Europian ka nisur debatin në seancë plenare mbi rezolutën për Shqipërinë, bazuar në raportin e përpiluar nga eurodeputeti i majtë gjerman, Knut Fleckenstein, i cili mbrojti në Strasburg vlerësimet për punën e deritanishme të Tiranës në zbatimin e 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Përfaqësuesja e Presidencës letoneze dhe Komisioneri kroat Mimica përsëritën qëndrimet e shprehura në Komitetin e Jashtëm Europarlamentar, në mbështetje të gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit për dialogun politik, reformat ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal.

I djathti Eduard Kukan këmbënguli për rëndësinë e dialogut konstruktiv politik brenda vendit dhe në rajon, e përmbushjen e reformës së Drejtësisë dhe Administratës Publike. Ai tha se zgjedhjet lokale marrin rëndësi për partitë politike, që të dëshmojnë se zbatojnë parimet demokratike.

Drafti i miratuar me kompromis, paraprakisht muajin e kaluar, pritet të pësojë ndryshime gjatë votimit të së enjtes në seancë plenare, për shkak se PPE dhe grupi liberal vlerësojnë se nevojitet një gjuhë më e ashpër ndaj kryeministrit Rama, për intervistën mbi bashkimin me Kosovën.

Seanca e debatit vijon ende me diskutimet e eurodeputetëve të veçantë mbi “Shqipërinë e Madhe”, papunësinë, azilkërkuesit etj.

Përgatiti: Arta TOZAJ / Top Channel

Situata politike në Maqedoni diskutohet në Kuvend. Bumçi: Shkupi drejt “putinizmit”

Kuvendi ALKomisioni parlamentar i politikës së jashtme ka thirrur për informim përfaqësues të Ministrisë së Jashtme për situatën e tensionuar në Maqedoni.

Sekretari i përgjithshëm Qirjako Qirko në dikasterin e diplomacisë dhe drejtori për Rajonin në të, Bashkim Rama kanë informuar mbi situatën shqetësuese në vendin fqinj, si dhe i janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit për gjendjen e shqiptarëve atje, gjatë raportimit me dyer të mbyllura në komision.

Në vendin që shqiptarët janë faktor shtetformues, paradoksalisht Shqipëria nuk është e përfaqësuar me ambasador, si shkak i bllokimit të diplomatit të karrierës, Fatos Reka, nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Ky fakt është nënivizuar nga kryetarja e komisionit, Arta Dade gjatë pjesës së hapur për mediat.

“Nuk ndërhyjmë në kompetencat që ka presidenti, por është urgjente që Republika e Shqipërisë të paraqitet në nivelin më të lartë, atë të ambasadorit, në ambasadën që ne kemi në Shkup”, deklaroi Dade.

Ndërsa qëndrimi zyrtar për situatën në Maqedoni, ashtu si edhe në raste të tjera është diskutuar me dyer të mbyllura në komision, për shkak të sensibilitetit të çështjeve.

Nënkryetari i këtij komisioni, Aldo Bumçi e shprehu qëndrimin e tij për mediat për atë çka është duke ndodhur në Maqedoni. Ish-ministri i Jashtëm e krahasoi kryeministrin Nikolla Gruevski për politika të ngjashme me ato të presidentit rus, Putin.

“Është shumë e qartë që kriza në Maqedoni nuk ka shkaqe etnike, por është një krizë e krijuar nga zbatimi i putinizmit. Një sistem autoritar që po zbatohet nga qeveria aktuale dhe kryeministri, i cili po kontrollon institucionet e pavarura, median, godet opozitën dhe po zbaton modelin e Putinit në Maqedoni. Një shqetësim i ngritur nga sekretari amerikan i Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë perëndimorë, për këtë rrezik të dobësimit të demokracisë në Europën Lindore dhe në Ballkan”, tha Bumçi.

Nëse situata në Maqedoni duket se nuk ka shumë vend për debat mes palëve politike në Shqiperi, emërimi i ambasadorëve mbetet një objekt debati.

Për Aldo Bumçin, ngërçi i mungesës së përfaqësimit të Shqipërisë në Shkup në nivel ambasadori është propozimi, sipas tij, politik i Ministrisë së Jashtme.

Ndërsa vetë presidenti, që ka refuzuar të dekretojë diplomatin e karrierës Fatos Reka, ka deklaruar se nuk i ka dhënë OK-ejin për shkak të mungesës së konsultimit të qeverisë me të për emrat e ambasadorëve, duke bllokuar disa të tillë.

Në ping pongun e procedurave Presidencë-Qeveri, ajo që mbetet fakt është mungesa e përfaqësimit me ambasador të Shqipërisë në Maqedoni, ku shqiptarët janë etni shtetformuese. / Top Channel

Sigal Prishtina bën historinë, “pushton” Ballkanin

KB Sigal PrishtinaSigal Prishtina ka bërë historinë. Klubi më i suksesshëm në vendin tonë, ka fituar titullin e kampionit të Ligës Ballkanike sonte në Samokove te Bullgarisë, duke mundur Rilskin, me rezultat 71-80.

Basketbollistët e Sigal Prishtinës kanë arritur suksesin më të madh në historinë e klubit të tyre dhe në historinë e shtetit tonë.

PLISAT NLOJBallafaqimi mes Rilskit dhe Sigal Prishtinës, është zhvilluar në pranin e rreth 3000 mijë tifozëve, derisa nuk janë kursyer as fyerjet e tifozëve vendëse në adresë të skuadrës së Sigal Prishtinës.

Periudha e parë është mbyll me epërsinë e nikoqirëve katër pikë epërsi (26-22).

Mirëpo, në pjesën e dytë, prishtinasit morën lojën në duart e tyre dhe arritën që të shkrijnë epërsinë e nikoqirëve, duke shkuar në pushim më dy pikë epërsi (36-38).

Basketbollistët e Sigal Prishtinës mjaft mirë e nisen edhe periudhën e tretë, dhe me rezultatin 57-52, mbyllet kjo pjesëlojë.

Kampionia e Kosovës me lojë të bukur ka vazhduar edhe dhjetëminutëshin e fundit, madje, prishtinasit arrin edhe diferencën në dhjetë pikë epërsi (64-54), ndërsa me rezultatin e përgjithshëm 71-80, Sigal Prishtina rrëmbeu trofeun e Ligës Ballkanike në sezonin e dytë të pjesëmarrjes në këtë ligë ballkanike.

Përfundimisht Sigal Prishtina shkruan historinë e re, dhe tashmë festa e madhe ka nisur në kryeqytet, ku është krijuar një festë e paparë në rrugët e kryeqytetit, sidomos tek sheshi “Zahir Pajaziti”.  (rtk)

Ankthi i shqiptarëve të Maqedonisë është rikthyer

GoshinceU bë shumë zhurmë për një ngjarje e cila cilësohet më shumë si inskenim i qeverisë maqedonase sesa diçka që ka të bëjë me realitetin.

Por, si do që të jetë, aksionet e policisë së këtij shteti, rikthyen tek shqiptarët ankthin e ditëve kur Maqedonia u përfshi në konfliktin e armatosur të vitit 2001.

Kjo ndjenjë e përcjell edhe tash familjen Osmani nga Haraçina e cila u përball me një akuzë që e ngarkon kryefamiljarin si të përfshirë në incidentin e ndodhur në Gushincë.

Pasiguria është prezente tek shqiptarët atje që jetojnë me frikën e një aksioni të radhës. Ekipi i RTK-së ka qëndruar në këto zona që pakkush nga mediat shqiptare ka mundur t’i vizitojë.

Ankthi i shqiptarëve të Maqedonisë është rikthyer pas incidentit të ndodhur në Gushincë të Likovës.

Në kërkim të gjetjes së fajtorit nga ana e Qeverisë maqedonase, anëtarët e familjes Osmani në fshatin Bërrnjac të Haraçinës së Shkupit, ishin në shënjestër të plumbave të policisë së këtij shteti.

Kryefamiljari Sylejman Osmani kërkohet nga policia si i dyshuari kyç për sulmin ndaj policisë maqedonase ditë më parë. Kjo ka bërë që edhe anëtarët e tjerë të kësaj familjeje më shumë të qëndrojnë larg shtëpisë.

Duke mohuar çdo akuzë të autoriteteve, ata theksojnë se e gjithë kjo ngjarje është një kurth.

Kryefamiljarja tregon se gjatë bastisjes, policia nuk arriti të gjente asnjë gjurmë që do ta lidhte këtë familje me aktivitete kriminale.

Haraçina e Shkupit njihet si një nga vatrat ku konflikti i vitit 2001 kishte jehonë më të madhe.
Nga kjo zonë e populluar me shqiptar e deri tek brezi kufitar me Kosovën përkatësisht fshati Malinë dhe Brezë, nevojiten deri në 3 orë rrugë.

Megjithëse mungonin kontrollet e policisë, prezenca e tyre gjatë rrugës vërehej në pothuajse çdo 20 kilometra.

Shtëpia e të kërkuarit shqiptar tashmë e është e lirë nga policia.

Ky objekt ishte përdorur nga familja osmani vetëm në sezon vere pasi ka vite janë shpërngulur në Haraçinë të Shkupit.

Lidhur me këtë rast, banorët e paktë të mbetur në mes dy kufijve nuk duan të thonë as edhe një fjalë.

Heshtja ka mbuluar fshatin për të cilin u bë shumë zhurmë. (Valdete Osmani / rtk)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"