Një jetë pritje për trupat e pajetë

Ferdonie QerkeziFerdonie Qerkezi, 65 vjeçe nga Gjakova, i mbanë të freskëta kujtimet e hidhura të vitit 1999, kur forcat serbe i kishin vrarë burrin dhe katër djemtë e saj.

Ajo rrëfen se si me datën 27 mars të vitit 1999, policia serbe hyri në shtëpinë e saj dhe ia morën bashkëshortin dhe katër djemtë,Artanin 24 vjeç, Armendin 23, Ardianin 18 dhe Edmondin 14 vjeç.

Tani ajo jeton vetëm në “Shtëpinë muze”, të mbushur me gjësendet e më të dashurve të saj.

Për lajmin e parë, Ferdonia ka pritur deri më 2005, kur ekspertiza ligjore kishte dëshmuar identifikimin e trupave të dy djemve të saj të vrarë.

Por, sot e kësaj dite, 18 vjet pas, vazhdon t’i kërkojë trupat e bashkëshortit dhe dy djemve tjerë, të cilët ende konsiderohen si persona të pagjetur të luftës.

Në vitin 2005 kam marrë lajmin se pas analizave të bëra janë gjetur trupat e Artanit, i vrarë në Rogovë të Hasit, si dhe të Edmondit, të cilit trupin ja kanë gjetur në Vërmicë të Prizrenit”, thotë Qerkezi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse në vitin 2008, ajo i ka identifikuar vetëm rrobat e djalit të saj Ardianit, të gjetura nga misionet ndërkombëtare, zonja Ferdonie thotë se trupin nuk i ka gjetur, ndonëse ajo tregohet e vendosur t’i kërkojë.

Me lot në sy, Ferdonie Qerkezi rrëfen jetën e saj të lumtur para 18 vjetësh kur në shtëpinë e saj jetonin nëntë anëtarë të familjes.

Atëherë, ishte 46 vjeçare dhe jetonte me bashkëshortin dhe katër djemtë, dy prej të cilëve ishin martuar të njëjtën ditë.

Zonja Ferdonie nuk arriti të bëhet gjyshe, pasi vetëm katër muaj pas martesës, të dy djemtë iu vranë.

Data 27 mars e vitit 1999, për të dhe familjen e saj, ishte data më e kobshme.

Në vitin 1999, në shtëpinë time ka ndodhur një tragjedi e madhe. Policia serbe mi mori burrin edhe 4 djemtë e mi. Në orën 11, kanë ardhur policia. Në shtëpi kemi qenë 23 persona, 11 meshkuj, 12 femra”.

Këta (të tjerët) kanë qenë fqinjë e familjarë, si dhe shokë të djalit. Gjithë meshkujt i ka marrë policia atë ditë”, rrëfen ajo.

Policia fillimisht i kërkoi lejet e identifikimit. I dërgoi në Polici dhe më pas u kthyen. Na mbyllën fillimisht brenda në shtëpi, ku më pas i morën meshkujt dhe dolën. Unë mendova se donin t’i shpëtonin, pasi policët që erdhën, ne i njihnim ata. Ishin të Gjakovës dhe njiheshim me ta’’, thotë zonja Qerkezi.

Ajo rrëfen edhe një episod tjetër tragjik të asaj dite, kur policia ia mori edhe djalin e vogël, i cili ishte ende fëmijë.

Unë e zgjova e dhe djalin e vogël i cili atëherë ishte 14 vjeç, që t’ua dorëzojë atyre për ta shpëtuar, sepse edhe në shtëpi ishim në rrezik”.

Ata flisnin shqip shumë mirë. Dhe më thanë, nuk ke nevojë të frikësohesh sepse ne erdhëm që t’ju mbrojmë dhe t’ua shpëtojmë jetën. Por pasi i morën unë më kurrë nuk i pashë, as bashkëshortin e as katër djemtë e mi, të cilët ende vazhdoj t’i kërkojë’’, tha Qerkezi.

Familja Qerkezi është një nga shumë familjet në Kosovë që përjetuan tmerret më të rënda të luftës së viteve 1998-99. Institucionet e Kosovës nuk kanë të dhëna të sakta, por thonë se janë mbi 12 mijë persona të vrarë gjatë kësaj lufte. Kurse 1656 persona konsiderohen ende të zhdukur.

Nga varrezat e ndryshme në Kosovës e Serbi janë identifikuar rreth 2500 persona, kurse të paidentifikuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndodhen edhe 400 pjesë nga mbetjet mortore.

Është paralajmëruar se në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi i Kosovës do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, të jetë një nga temat e diskutimit. (rel)

Kosovë: Asociacioni i komunave serbe duhet themeluar natyrshëm

ura mitrovicaAmbasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se Kosova ka marrë përsipër themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, Serbia ka detyrim t’i përmbushë detyrimet nga dialogu në Bruksel.

Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se pala kosovare duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të mundësonte integrimin e komunitetit serb. Në anën tjetër Serbia duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje që u nënshkrua me 19 prill të vitit 2013.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të duhej të themelohej natyrshëm, në përputhje me ligjet kosovare. Fundja, ky hap do të duhej ta mundësonte një integrim më të mirë brenda Kosovës. Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe është një obligim ndërkombëtar, të cilin Kosova e ka marrë përsipër për ta zbatuar. Në të njëjtën mënyrë edhe Serbia është e obliguar për t’i përmbushur detyrimet e saj nga dialogu i zhvilluar në Bruksel, siç është për shembull Marrëveshja për Energjinë”, ka thënë për mediet lokale ambasadori gjerman Christian Heldt.

Për “detyrimin ndërkombëtar” që Kosova ka për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, flet edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri për Komunitete e Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiç. Ai thotë se lista “Srpska” e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës, pret që gjatë vitit 2018 të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Ne kërkojmë garanci nga Brukseli si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi dhe insistojmë brenda Qeverisë së Kosovës, ashtu si kemi bërë kur kërkuam që në programin e Qeverisë të përfshihet kjo çështje, përkatësisht që Asociacioni të themelohet ashtu siç është nënshkruar në Bruksel”, ka thënë Dalibor Jevtiç.

Haradinaj: Asocacioni do të formohet në pajtim me kushtetutën e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij, thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet, por ai do të jetë në pajtim vetëm me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në dhjetor të vitit 2015 pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, të datës 25 gusht 2015, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, njëra nga partitë më të mëdha politike opozitare, lëvizja Vetëvendosja, është kategorikisht kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Deputeti i kësaj partie, Albin Kurti, tashmë disa herë e ka përsëritur që ai është kundër dialogut me Beogradin, por jo kundër dialogut me serbët e Kosovës.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë i akorduar në Bruksel është projektuar si një Republikë Serbe brenda në Kosovë duke ndjekur shembullin e asaj në Bosnje dhe Hercegovinë. Për ne kjo është e papranueshme dhe këtë nuk do ta lejojmë që të ndodhë”, ka ripërsëritur Albin Kurti.

Kosova dhe Serbia, tash e më shumë se pesë vjet zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve. Të dy presidentët, ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tashmë janë dakorduar që të hyhet në një fazë të re të dialogut Kosovë-Serbi. Ky dakordim u arrit pas një viti qendrimi në vend të dialogut Kosovë-Serbi.

Dialogu është përcjellë nga shkallëzime dhe tensione në skenën politike kosovare

Në një tryezë diskutimi që në fundjavë u zhvillua në Prishtinë nga “Forumi 2015”, në të cilën bëjnë pjesë shumë organizata të shoqërisë civile, u diskutua “e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi në realitetin e ri politik në këto dy vende”. Në këtë forum u konstatua se pas një viti qendrim në vend të procesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, elitat politike dhe bashkësia ndërkombëtare duken të vendosura për vazhdimin e këtij dialogu. Mirëpo, siç u tha në forum, deri më tash, ky proces është përcjellë nga shkallëzime dhe tensione në skenën politike kosovare dhe dialogu është kritikuar për mungesë të transparencës dhe mosimplementim të marrëveshjeve të arritura.

Në këtë forum u tha se “nga dialogu Kosovë-Serbi, ka pasur protesta, ka pasur marrëveshje që nuk janë implementuar. Pikërisht për këtë temë duhet të ketë një analizë, duhet të ketë një ide që marrëveshjet e pazbatuara të trajtohen urgjent. Është koha që në Kosovë të ketë më shumë seriozitet se çka mund të pritet nga ky dialog, që është konsideruar jo transparent. Publiku kosovar ka qenë në hije nga ky dialog dhe pikërisht për këtë publiku kosovar tash e tutje duhet të njoftohet vazhdimisht për rrjedhën e dialogut”, thuhet në konstatimet nga diskutimi i “forumit 2015”.

Sidoqoftë, që nga viti 2013 kur Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për përmirësimin e raporteve janë nënshkruar një sërë marrëveshjes, disa nga të cilat tashmë janë implementuar, ndërsa, disa të tjera akoma jo. Është marrëveshja për drejtësinë e cila sipas qeverisë së Kosovës do të fillojë së zbatuari me datën 17 të këtij muaji.

Me zbatimin e kësaj marrëveshjeje është paraparë që të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë. Sipas marrëveshjes për rajonin e Mitrovicës është paraparë një Gjykatë Themelore, e cila do të funksionojë në dy objekte. Prokuroria do të funksionojë në një objekt në veri të Mitrovicës. Gjykatësit dhe prokurorët do të punojnë së bashku dhe nuk do të ndahen mbi baza etnike. Në veri do të vendoset edhe një sektor i Gjykatës së Apelit. Në bazë të marrëveshjes për drejtësinë, në krye të Prokurorisë në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërkaq në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb. (dw)

Weiss, Barish dhe Thorne fitues të Nobelit në fizikë

nobel fizikShkencëtarët Rainer Weiss, Barry Barish dhe Kip Thorne u bënë fitues të çmimit Nobel në fizikë për punën e tyre në zbulimin e valëve gravitacionale.

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave e njoftoi çmimin sot së bashku me një shpërblim prej 1.1 milion dollarësh.

Teoria e përgjithshme e relativitetit e Albert Ajnshtajnit parashikoi ekzistencën e valëve gravitacionale që krijohen sa herë që masa përshpejtohet, por konkretisht valët janë vëzhguar vetëm kohët e fundit.

Weiss, Barish dhe Thorne ishin figura kyçe në punën e Observatorit LIGO, i cili mat edhe deformimet më të vogla që valët i shkaktojnë hapësirës dhe kohës kur kalojnë nëpër Tokë.

Valët gravitacionale u zbuluan për herë të parë nga Observatori LIGO në vitin 2015. Shkencëtarët thonë se këto valë janë prodhuar nga përplasja e dy vrimave të zeza duke krijuar një të vetme me përmasa gjigande. (voa)

Ballkani Perëndimor dhe Katalonja

harta ballkaniVendet ish-jugosllave po përcjellin me shumë vëmendje zhvillimet rreth referendumit në Katalonjë. Edhe në Ballkanin Perëndimor ka shumë tendenca secesioniste.

Jo vetëm në Barcelonë por edhe në Serbi prej kohësh valon flamuri katalonas. Të gjitha zyrat e Ligës së Socialdemokratëve të Vojvodinës (LVS) kanë nxjerrë në dritare flamujt e kësaj province spanjolle, në shenjë solidarizimi me Katalonjën. Shefi i LSV Nenad Çanak ka udhëtuar vet në fundjavën e kaluar në Barcelonë, për të ndjekur nga afër ecurinë e referendumit për pavarësi. “Ky referendum do të ketë pasoja serioze politike. Spanja e centralizuar si ajo sot nuk do të mund të ekzistojë në të ardhmen.”

Ndërsa në Rijekë të Krocisë, partia autonome lokale “Lista për Rijekën”, kërkon që presidentja dhe kryeministri i Kroacisë të ndërprejnë heshtjen dhe të denojnë “dhunën  brutale” ndaj qytetarëve katalonas. Një shtet i cili ka kërkuar edhe vet solidaritetin e botës deri në arritjen e pavarësisë, nuk ka të drejtë të heshtë, kumtoi kjo parti.

Rajoni i secesioneve

Nuk dihet nëse është për shkak të Spanjës apo problemeve të Serbisë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, por shumë liderë të shteteve pasuese të ish-Jugosllavisë kanë heshtur për referendumin e pavarësisë në Katalonjë. Ndërkohë që Ballkani Perëndimor ka probleme si asnjë rajon tjetër me tendencat secesioniste, që nga vitet 90-të. Boshnjakët, serbët, kroatët dhe sllovenët më të moshuar kujtojnë vitet e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Bosnje-Hercegovina ka edhe sot probleme serioze me tendencat për secesion. Por edhe në rajonet tjera ka zëra që kërkojnë më shumë autonomi. Ngjashëm sikur në Katalonjë, edhe në Serbi ka rajone më të fuqishme ekonomike që kërkojnë më shumë autonomi financiare nga qendra në Beograd. Por edhe në Kroaci.

“A ka Istra të drejtë të jetë e pavarur nga Kroacia?”, shtron pyetjen portali “Index.hr”. Por megjithë faktin që Istra vërtet paguan shumë tatime dhe përfitime në llogari të Zagrebit, politikanët e atjeshëm kanë hedhur poshtë mundësinë e ndonjë referendumi për decentralizimin e Kroacisë. Me siguri që ka njerëz që mendojnë se Istra duhet të jetë e pavarur, thotë politikani Ivan Jakoviq për Index: “Por kjo nuk është politika jonë. Ne duam një autonomi sa më të gjërë të Istrës por jo edhe shtet të pavarur.”

Ndërsa Vojvodina e ka statusin e krahinës autonome në Serbi që nga viti 1945. Me Kushtetutën e vitit 1974 autonomia ishte zgjedhur edhe më shumë. Por në vitin 1989, kjo autonomi është shkurtuar nga autokrati i atëhershëm serb Sllobodan Millosheviq. Statusi i autonomisë është rikhtyer zyrtarisht prap në vitin 2002. Ndërsa me ndryshimet kushtetuese të vitit 2006 është zgjeruar autonomia financire. Por Beogradi ka hedhur poshtë deri tani të gjitha kërkesat e Çanakut për rikthimin e autonomisë së vitit 1974.

Tendencat tjera secesionise

Kërkesat e nacionalistëve shqiptarë në Maqedoni dhe jug të Serbisë për bashkim me Kosovën dhe krijimin e një “Shqipërie të Madhe” kundërshtohen jo vetëm në Beograd por edhe në bashkësinë ndërkombëtare. Ajo ka frikë se me ndryshimin e kufijëve mund të shpërthejnë edhe konflikte të reja në këto rajone.

Kërkesat dhe kërcënimet më të zëshme për secesion dëgjohen në Bosnje-Hercegovinë. Kroatët e Bosnjes kërkojnë entitetin e tyre. Ndërsa lideri i serbëve Millorad Dodik kërkon prej vitesh mbajtjen e një referendumi dhe ndarjen e Republikës Serpska nga Bosnje-Hercegovina. Tendosjet etnike janë dëshmuar në këto rajone në 15 vitet e fundit si mjeti mër i fuqishëm për mbajtjen e pushtetit.

Shpresat dhe dëshpërimet

Tendencat seperatiste në shtetet ish-jugosllave kanë dëmtuar edhe procesin e reformave ekonomike. Vetëm Sllovenia mund të krenohet sot me një standard shumë më të lartë jetese se në kohën e ish-Jugosllavisë. Madje edhe Kroacia, si anëtare e Bashkimit Evropian, ka probleme shumë serioze me papunësinë e të rinjve dhe eksodin e shumë njerëzve që duan të punojnë diku tjetër. Varfëria, papunësia dhe ikjet janë pjesë e të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë. Shpresat për një të ardhme më të mirë nuk janë realizuar as në Serbi, Maqedoni apo Mal të Zi.

Bosnje-Hercegovina e bllokuar është me vite të tëra larg statusit të kandidatit për anëtarësim në BE. Një perspektivë të hidhur për të ardhmen ka edhe Kosova si vendi më i varfër në Evropë. Të drejtën e lirisë së lëvizjes pa viza e kanë fituar edhe Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina, por jo edhe shtetasit e Kosovës, të cilët detyrohen ende të presin në rende të gjata para ambasadave të huaja. Serbia me të gjitha forcat po bllokon pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008 dhe të festuar me eufori të jashtëzakonshme. Gjendja në Kosovë edhe më tej i ngjanë një gjendje të përhershme të një vendi paslufte. (dw)

Tre shkencëtarë marrin çmimin Nobel në kimi

nobel kimiJacques Dubochet, Joachim Frank dhe Richard Henderson kanë fituar çmimin Nobel në kimi për punën e tyre në thjeshtimin dhe përmirësimin e paraqitjes grafike të biomolekulave.

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave e njoftoi çmimin të mërkurën bashkë me shumën prej 1.1 milion dollarësh që e shoqëron atë.

Shkencëtarët prodhuan imazhe tridimensionale të molekulave, që sipas akademisë ka hapur për biokiminë “një epokë të re”.

Studiuesit tani mund të ngrijnë përbërjet kimike të molekualve të gjalla në kushtet e lëvizjes dhe të bëjnë të dukshme procese që nuk janë parë kurrë më parë, gjë që është vendimtare si për të kuptuar thelbin e kimisë së jetës ashtu edhe për evolucionin e produkteve farmaceutike“, thanë autoritetet e Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave ndërsa njoftuan çmimin. (voa)

Rusia dërgon në Serbi dy avionë luftarakë MiG-29

MIG29Një transportues ajror rus Antonov-124 me dy avionë luftarakë MiG-29 në bord u ul në një aeroport ushtarak në periferi të Beograd.

Këta janë dy nga 6 MiG-ët e përdorur që Rusia po i jep Serbisë sipas një marrëveshjeje të arritur në muajin mars.

Avionët MiG po jepen falas por vlerësohet se montimi dhe riparimet që do t’u bëhen atyre priten t’i kushtojnë Serbisë rreth 235 milionë dollarë.

Sipas marrëveshjes, Rusia gjithashtu premton të dërgojë falas 30 tanke T-72 dhe 30 automjete luftarake.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë, ndërkohë që është shprehur për një rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. (voa)

Psikologjia e vrasësve masivë

policDhuna me armë ndërpret sërish një grumbullim paqësor dhe dhjetëra njerëz vriten. Këtë herë ndodhi në Las Vegas, ku një sulmues i armatosur shtiu ndaj mijëra njerëzve të mbledhur për një festival muzikor mbrëmjen e së dielës. Të paktën 59 persona vdiqën. Mbi 500 të tjerë u plagosën. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, u hedh një sy arsyeve se përse njerëzit kryejnë këto akte mizore.

Kur filluan të shtënat, në Las Vegas po zhvillohej një festival i muzikës country.

Reagimet janë sërish të parashikueshme. Flamujt ulen në gjysëm shtizë. Presidenti i drejtohet kombit.

“Bashkëqytetarët e mi amerikanë; mblidhemi sërish sot në hidhërim, tronditje dhe zi”, tha Presidenti Trump.

Vëllai i sulmuesit reagoi i shokuar.

“Nuk kam fjalë”, u shpreh ai.

Studimet e FBI-së tregojnë se vrasjet masive janë trefishuar gjatë viteve të fundit. Në SHBA, armët e zjarrit janë më të preferuarat.

Deri mbrëmjen e së dielës, sulmi me armë në një klub të Orlandos në qershorin e vitit të kaluar ishte sulmi më vdekjeprurës në historinë amerikane.

Nga ai sulm vdiqën 49 persona.

Por, vrasësit kanë përdorur edhe kamionë të ngarkuar me pleh kimik… si dhe aeroplanë në vitin 2001 në Nju Jork.

Nga këto raste të shumta vrasjesh masive, psikologët patën mundësinë të krijojnë një profil të vrasësve.

“Zbuluam se këta individë kanë më shumë të përbashkëta se sa diferenca”, thotë psikologu ligjor, J. Reid Meloy.

Dr. Meloy thotë se vrasësit kanë një historik problemesh psikiatrike. Janë shumica meshkuj me marrëdhënie intime problematike, dhe që i shohin vrasjet si rifitim statusi.

Edhe sulmuesit e ashtuquajtur “ujqër vetmitarë” pretendojnë se përfaqësojnë ndonjë kauzë.

“Shpesh, rrugëtimi drejt dhunës fillon me një pakënaqësi personale të përbërë nga tre komponentë. Së pari, ekiston një ndjenjë humbjeje; së dyti, është ndjesia e poshtërimit; dhe së treti, ekziston mllef dhe fajësim i një personi apo grupi njerëzish si shkaktarët e problemit”, thotë Dr. Meloy.

Një faktor është qasja ndaj armëve dhe gjithashtu edhe mediat sociale. Lajmet për vrasjet shkojnë në mbarë botën nëpërmjet Facebook-ut dhe Twitter-it.

“Më shkruanin në Facebook për të më thënë që nuk e gjenin dot. Në 6:10 të mëngjesit e pashë emrin në listën e viktimave dhe më filluan lotët”, thotë shoqja e një prej viktimave të Orlandos.

Dr. Meloy thotë se mediat sociale i bëjnë vrasësit të njohur dhe se të tjerë që i shikojnë vrasjet drejtpërsëdrejti online dëshirojnë t’i imitojnë.

Dr. Meloy parashikon edhe më shumë vrasje masive në të ardhmen. (voa)

Haradinaj përballet me kërkesën e opozitës për shkarkimin e Rikalos

Ramush&RikaloMe kërkesë të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj është paraqitur në interpelancë në Kuvend për të informuar deputetët rreth akuzave publike të shfaqura nga disa banorë të lagjes Dardania në Prishtinë ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo. Ai vjen nga Lista Serbe, si pjesë përbërëse e koalicionit aktual qeverisës.

Ministri Rikalo, sipas deklaratave të këtyre qytetarëve të publikuara në mediat lokale, akuzohet për sjelljet e tij abuzuese ndaj fqinjëve gjatë periudhës së vitit 1999. Ai, sipas këtyre banorëve, ishte përfshirë në disa raste të keqtrajtimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka sqaruar para deputetëve në Kuvend se kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër, por sipas tij, nuk ka asnjë informatë se i njëjti ka qenë i përfshirë në rate të tilla.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës,Avdullah Hoti kërkoi nga kryeministri Haradinaj shkarkimin e ministrit Rikalo. Ai tha se seanca është thirrur si mundësi që Haradinaj të japë sqarime rreth këtyre akuzave publike. Dyshimet e qytetarëve, nënvizoi ai, duhet të trajtohen drejt.

Andaj, LDK, theksoi Hoti, kërkon shkarkimin e Rikalos dhe vazhdimin e hetimeve ligjore ndaj tij.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj tha se nga momenti kur i ka dëgjuar akuzat e qytetarëve ai ka kërkuar sqarime nga institucionet kompetente.

Drejtoria për Inteligjencë dhe Analizë e Ministrisë se Punëve të Brendshme është përgjigjur; nuk ka raste të raportuara në sistemin informativ të Policisë së Kosovës. Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kam marrë ketë përgjigje; në lidhje me kërkesën e parashtruar, ju informojmë se në databazën e PSRK nuk evidentohet asnjë shënim apo rast që ka të bëjë me informacione që po qarkullojnë për personin Nenad Rikalo. Edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) nuk ka dorëzuar ndonjë informatë në Prokurorin e Shtetit për veprën e dyshuar krime lufte të raportuar në media për personin Nenad Rikalo“, tha Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nuk ka asnjë dëshmi që Nenad Rikalo ka kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më herët edhe vet ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, anëtar i Listës Serbe i ka cilësuar fushata të rrejshme raportimet për të dhe konstatimet se ai ka keqtrajtuar fqinjët shqiptarë në lagjen Dardania të Prishtinës, gjatë kohës së luftës, në vitin 1999. Përmes një deklarate me shkrim, ai ka theksuar se të gjitha këto, janë informata të pasakta. (rel)

Maqedonas apo bullgarë? Sofja kërkon të flasë, ligji favorizon Shkupin

ditmirDebati mbi projekt-ligjin për pakicat kombëtare, ka hasur kundërshtitë e tij nga Bullgaria. Përfaqësia diplomatike e Sofjes i është drejtuar zyrtarisht me një email Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkon të jetë pjesë e tryezës së diskutimit që do të mbahet të martën.

Kërkesë kjo, e cila është pranuar dhe dy përfaqësues të Ambasadës Bullgare do të jenë në atë tryezë.

Në krah të tyre dhe dy shoqata që pretendojnë ekzistencën e minoritetit bullgar në Shqipëri.  Por referuar Censusit të vitit 2011, nuk figuron asnjë shtetas i regjistruar me prejardhje Bullgare, por janë 5512 me prejardhje maqedonase.

E duket se ky është dhe fakti që ka vënë në alarm Sofjen zyrtare, e cila ka nisur menjëherë ofensivën e saj diplomatike, për të përfshirë dhe bullgarët, në listën e 8 pakicave kombëtare që njihen në Shqipëri nga ky projekt-ligj. Por vetë deklarimi është faktor kryesor për përcaktimin e ri ligjor të atij që do njihet si minoritet.

“Në rast se i referohemi pakicave, të cilat listohen në ligj, mund të thuhet me kompetencë që këto janë pakica që kanë dalë nga kombinimi i dy kritereve apo i dy aspekteve që unë sapo përmenda. Pra, i vetë-deklarimit, i aspektit subjektiv dhe i anës objektive të punës që bëjnë institucionet për verifikimin e asaj ç’ka deklarohet”, u shpreh Ditmir Bushati.

Nuk dihet se çfarë mund të kërkojnë bullgaria dhe dy shoqatat ekzistuese që pretendojnë pakicë bullgare në Shqipëri. Tashmë censusi është një fakt i kryer. Verifikimi do të përbënte një kosto të lartë për qeverinë, pa folur për komplikimet, sidomos me shtetin fqinj te Maqedonisë.

Por nga ana tjetër në një janar bullgaria merr presidencën e bashkimit evropian. Për Shqipërinë që kërkon negociata në qershor, kjo është tashmë një dhimbje koke shtesë.

/ Top Channel

FBI: Ende i paqartë motivi i sulmit në Las Vegas

Las VegasPolicia e Las Vegasit njoftoi se një 64 vjeçar qëlloi me armë mbi turmën në një koncert të muzikës country të dielën në mbrëmje. Sipas njoftimeve, janë vrarë të paktën 58 persona dhe mbi 515 të tjerë janë plagosur. Personi që shtiu vrau veten, sipas burimeve të policisë.

FBI-ja është angazhuar në hetime, në mbështetje të forcave lokale të rendit. Sipas FBI-së, autori i sulmit nuk ka patur lidhje me terrorizmin ndërkombëtar. Edhe CIA këshilloi të kihet kujdes dhe të mos nxirren përfundime të nxituara, pas një deklarate të bërë prej grupit Shteti Islamik i cili mori përgjegjësinë për tragjedinë në Las Vegas. Zëdhënësi i CIA-s Jonathan Liu tha se agjencitë amerikane të zbulimit janë në dieni të pretendimit të ISIS-it. Por ai shtoi se njerëzit nuk duhet të nxitojnë për të gjykuar “para se të gjenden faktet”.

Shteti Islamik ka thënë se personi që shtiu, Stephen Paddock e kreu sulmin në emër të këtij rrjeti sepse kishte përqafuar fenë islame dhe kishte shprehur besnikëri ndaj kësaj organizate disa ditë më parë, por policia thotë se nuk ka asnjë sinjal, asnjë dëshmi që ai kishte kontakte me rrjete ndërkombëtare terroriste.

Forcat e rendit thonë se ende nuk kanë një shpjegim për këtë akt. Në fakt, personi në fjalë Stephen Paddock, nuk kishte pasur asnjë kontakt me forcat e rendit më parë. Sherifi i Las Vegasit Joseph Lombardo tha se janë kontrolluar të gjitha sistemet kompjuterike dhe se emri i tij nuk ka dalë asnjëherë në skenë. Ai as nuk ka qenë ndëshkuar ndonjëherë qoftë edhe ndonjë me gjobë trafiku rrugor. Polia ka zbuluar se ai ishte i dhënë pas kumarit, por motivi mbetet mister.

Forcat e policisë arritën të futen në banesën e tij sot dhe reagimi i tyre ishte habia që nuk gjetën asnjë të veçantë, asgjë të pazakontë që lidhej me këtë akt tronditës.

Sipas sherifit të Las Vegasit, policia kishte gjetur pak municion, por asgjë të përmasave dhe natyrës makabre të sulmit. Personi hapi zjarr nga kati 32 i Hotelit Mandalay Bay në Las Vegas, pasi theu xhamin e dritares së dhomës së Hotelit. Ai shtiu mbi turmën prej rreth 22 mijë njerëzish që kishte ardhur për të ndjekur koncertin.

Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes në pjesën jugore të qytetit, e njohur si Las Vegas Strip, ku ndodhen hotelet dhe kazinotë më të famshme të qytetit, tregonin njerëzit që fshiheshin për t’u mbrojtur dhe vraponin duke bërtitur, ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna armësh.

“Të shtënat vazhdonin pa pushim. Kishte vetëm pauza të shkurtra. Por, dukej se vazhduan për rreth 20 minuta. Sapo krijohej një pauzë, vraponim dhe vetëm vraponim. Nuk isha e sigurtë nëse ishin realisht plumba, por njëri prej miqve tanë na tha se u godit dikush pranë nesh”, tregon Vanessa, vizitore nga Kalifornia.

Sherifi i policisë së Las Vegasit, Joseph Lombardo, u tha gazetarëve se sulmuesi ndodhej në katin e 32-të të kazinosë Mandala Bay, përballë vendit të ngjarjes.

“Mendojmë se ai është vendas. Nuk mundem t’jua them ende vendbanimin e tij, pasi po zhvillohet hetimi. Nuk dimë se në çfarë besonte”, tha sherifi Lombardo.

Autoritetet ishin gjithashtu në kërkim të një gruaje që mendohej se ishte shoqëruese e të dyshuarit 64-vjeçar, Stephen Paddock.

Ndër të vrarët janë edhe disa oficerë policie që po ndiqnin koncertin.

Ndërsa ngjarjet zhvilloheshin, njerëzit kërkuan strehim në hotelet e shumtë përgjatë distriktit turistik. Në zonë ndodhet edhe aeroporti ndërkombëtar i Las Vegasit, ku fluturimet u pezulluan.

Ylli i muzikës country, Jason Aldean, ishte duke kënduar në skenë kur filluan të shtënat. Disa orë më vonë, ai shkruajti në Instagram, duke e përshkruar momentin “të llahtarshëm”. (voa)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"