Lu: Peshqit e mëdhenj s’kapen. Në Shqipëri janë 4 klane

LuParlamenti i ri është pastruar nga kriminelët. Por ky ishte komplimenti i vetëm që ambasadori Donald Lu kishte për situatën e krimit në vend. Pa dorashka, dhe drejt për drejtë ai i kujtoi autoriteteve shqiptare se nuk kanë kapur asnjë nga kokat e mëdha të krimit të organizuar.

“Derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, të ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin rryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen. Edhe më shqetësues është fakti që për 2016 kishte zero dënime, zero arrestime, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim i organizatave të trafikut të drogës”, u shpreh Lu.

Por më pas akuzat për kryediplonatin amerikan ishin me emra konkretë.

“Katër klanë kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihet trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave. Janë disa emra të famshëm kriminelesh shqiptar si trafikanti i drogës, Emiljano Shullazi për të cilin media pretendon se vazhdon të bëjë trafik nga qelia e paraburgimit, apo Lul Berisha, kreu i bandës së Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarë të burgut, kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit po në mënyrë të mistershme është i lirë. Së fundmi Klement Balili, trafikant droge i kërkuar nga Greqia dhe DEA e SHBA po që ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe minsitrisë së Drejtësisë. Ka dhe shumë shullazë, lul berisha dhe klement balilë të tjerë në Shqipëri”, tha Lu.

Duke shtuar se ka një duzinë trafikantësh të lirë ambasadori parashikoi një luftë të egër.

“Është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar. Me gjasë do jetë luftë e egër, në vitin 2014 pati 72 bomba në makinë, shumica besohet se ishin rezultat i dhunës mafioze”, u shpreh ambasadori i SHBA.

/ Top Channel

Lista Serbe shton presionin ndaj rivalëve politik

Goran RakiqPresionet dhe frikësimet brendapërbrenda korpusit politik serb, po përsëriten edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 22 tetor në Kosovë.

Komisioni vëzhgues i zgjedhjeve i Bashkimit Evropian, pati vërtetuar një gjë të tillë gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Në raportin e tij përfundimtar, është thënë se në kuadër të bashkësisë serbe në Kosovë “fushatën e kanë shkelur kërcënimet e shpeshta dhe rastet e incidenteve të dhunshme brenda bashkësisë, ndaj kandidatëve dhe votuesve, si dhe reagimi i pamjaftueshëm i Policisë dhe organeve tjera të zbatimit të ligjit”.

Kjo ka përfshirë edhe presionin ndaj kandidatëve të ndryshëm që të tërhiqen, si dhe incidentet e dhunshme të shpeshta në Leposaviq, të cilat janë drejtuar konkretisht mbi partitë politike dhe kandidatët që kontestojnë dominimin e Listës Serbe”, thuhet në raport.

Pikërisht, për shkak të kërcënimeve, në qershor, Partia e Pavarur Liberale e Slobodan Petroviqit, e cila tash e 10 vjet vepron në skenën politike në Kosovë, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, nuk do të ketë kandidat për kryetar të komunës së Graçanicës. Kjo, siç ka thënë Petroviq për Radion Evropa e Lirë, po ndodhë për faktin se është e pamundur të mbrohet një kandidat i tillë.

Shkaqet janë të qarta. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ne si parti, gjegjësisht, kandidatët që ishin në listë, kemi pasur presion të paparë. Gjashtë kandidatët tanë, që ishin në listë, janë larguar nga vendet e punës, vetëm pse ishin në listën tonë. Ne nuk kemi mundur të bëjmë asgjë, përveç t’i lajmërojmë organet kompetente. Por, asgjë nuk është bërë”, tha Petroviq.

Gjithashtu, ka pasur edhe raste kur kandidatët janë tërhequr nga listat. Katër të tillë janë tërhequr nga lista e iniciativës qytetare SDP së Oliver Ivanoviqit. Ky i fundit thotë për Radion Evropa e Lirë se në mesin e këtyre kandidatëve ishte edhe Zoran Spasojeviqnga Mitrovica Veriore, i cili përmes një deklarate për publikun, u kishte bërë thirrje qytetarëve që votat t’ia japin Listës Serbe.

Këto nuk janë zgjedhje, kjo nuk është demokraci, kjo është dhunë mbi demokracinë. Krejt çka mund të bëj SDP-ja në këtë situatë është që të sqarojë publikisht lidhur me këtë çështje dhe natyrisht, u bëjmë thirrje autoriteteve, kudo qoftë, edhe atyre në Kosovë, por edhe atyre në Beograd, që të reagojnë ndaj kësaj situate. Jam i vetëdijshëm që autoritetet e Serbisë nuk mund të reagojnë drejtpërdrejtë, por këtë mund ta bëjnë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Kjo situatë mund të përshkallëzohet, mund të bëhet edhe më e keqe, ndonëse tashmë është mjaft e keqe dhe do të na duhet kohë që të sanojmë pasojat e kësaj sjelljeje të papërgjegjshme”, tha Ivanoviq.

Ivanoviq ka shtuar se personalisht nuk ndjehet i rrezikuar. Por, sipas tij, qytetarët që janë me të, janë të rrezikuar dhe se ata, në momentin e fundit, do të mendojnë nëse do të rrinë në Kosovë apo ta braktisin atë.

Nëse dikush që është në pushtet i luhatë themelet e mbijetesës këtu, atëherë nuk kam çfarë të them më shumë”, tha Ivanoviq.

Njohësi serb i zhvillimeve në Kosovë, Rangjel Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se është krejtësisht e qartë se kush dhe pse po bën presion. Sipas tij, kjo është Lista Serbe, e cila për veprimet e saj e ka mbështetjen e Beogradit, gjë të cilën, kjo listë po e shfrytëzon maksimalisht.

Dihet se në Kosovë janë në qarkullim para të madha. Nuk ka kontroll të madh mbi shpenzimin e tyre dhe natyrisht që ekziston frikë e madhe se, kur të vijën strukturat e reja, ato do të fillojnë të hulumtojnë. Siç ndodhë zakonisht, njëra palë e akuzon palën tjetër dhe denoncojnë”, tha Nojkiq. Ai shton se serbët e Kosovës janë mjaft të varur nga Beogradi dhe janë të detyruar ta dëgjojnë.

Sipas tij, Lista Serbe ka krijuar pushtet të dyfishtë, që nënkupton se ata që janë në institucionet politike serbe, janë edhe në institucionet politike të Kosovës.

Njerëzit janë në të dyja pushtetet, pikërisht që të mund të manipulojnë dhe njerëzve t’ua vështirësojnë jetën. Prandaj, ata që nuk janë në këto qarqe, u janë ekspozuar presioneve dhe ekzistenca e tyre është vënë në pikëpyetje të madhe”, tha Nojkiq.

Në këto qarqe nuk ka qenë Rada Trajkoviq, e cila ka qenë një nga viktimat e para të mospajtimit me politikën e Listës Serbe. Qeveria e Serbisë, e kishte ndërruar atë nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtorit të shtëpisë së shëndetit në Graçanicë, atëherë kur, siç thotë Trajkoviq, Aleksandar Vulin u bë përgjegjës për Kosovën.

E përjetova atë që të më merret e drejta, madje edhe që ta bëjë punën e mjekes, të jem e ngacmuar në mënyra të ndryshme, për disa prej të cilave as që mund të flas publikisht, e deri te ato profesionale. Kam pasur informacion se ka qenë detyrë që të hiqem nga skena politike e Kosovës. Të gjitha këto, me forcën dhe vullnetin që kam pasur, unë i kam duruar deri më sot”, ka thënë Trajkoviq.

Ajo ka shtuar që Listës Serbe, tashmë i lejohet që të shërbehet “me të gjitha mjetet, në kuptimin e ndjekjes së atyre që nuk mendojnë si ata”.

Këto, aktualisht, janë sulmet fizike, largimet nga vendet e punës, kërcënimet, shantazhet, si dhe shfrytëzojnë më së shpeshti institucionet, të cilat fatkeqësisht, ende i mbajnë lidhjet me Beogradin, siç janë ato shëndetësore, arsimore, sociale, të cilat në mënyrë vitale e mbajnë jetën e serbëve në këto hapësira”, ka thënë Trajkoviq.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Listën Serbe lidhur me ankesat, të cilat i adresohen kësaj liste, se ajo qëndron prapa presioneve.

Deputeti i Listës Serbe dhe shefi i zyrës së kësaj liste për bashkëpunim me media dhe sektorin civil, Igor Simiq, ka theksuar se të gjitha këto janë shpifje.

Në një përgjigje me shkrim, Simiq ka sqaruar se Lista Serbe për çdo ditë lufton për avancimin e pozitës së serbëve në Kosovë, gjë e cila, sipas tij, kërkon mjaft punë dhe kohë.

Prandaj, nuk kam kohë që të komentoj shpifjet dhe nebulozat e tilla, me të cilat dikush po përpiqet që të reklamohet në fushatë, duke e sulmuar Listën Serbe, për shkak se nuk janë në gjendje që qytetarëve tu ofrojnë program për zgjedhjet, por vetëm urrejtje, gënjeshtra dhe mashtrime”, ka shkruar Igor Simiq.

Ndërkohë, shtetet e Quint-it ( Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) kanë ftuar të gjitha partitë politike që të angazhohen për fushatë të lirë dhe të qetë, pa frikësime, dhunë dhe presione.

Për zgjedhjet lokale janë lajmëruar 17 subjekte politike serbe, prej të cilave vetëm Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë për të 10 komunave serbe, sa janë gjithsej në Kosovë. (rel)

Hendeku gjinor në teknologjinë dixhitale

teknollogjia dixhitaleNë shkallë globale, një numër më i vogël grash kanë qasje në internet krahasuar me burrat. Në Shtetet e Bashkuara problemi shfaqet në numrin e vogël të grave që punojnë në sektorin e teknologjisë dixhitale dhe vështirësitë e tyre për t’u ngjitur në karrierë në këtë sektor. Zëri i Amerikës do të organizojë në Orlando të Floridas një bisedë të hapur me gra që punojnë si informaticiene, inxhiniere kompiuterash apo në funksione të tjera në teknologjinë dixhitale.

Në mbarë botën gratë po shfrytëzojnë teknologjinë për të kapërcyer pengesa në arsim dhe punësim. Por shumë gra në vendet në zhvillim hasin vështirësi në qasjen në internet. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara gratë e kanë të vështirë të avancojnë në karrierë në teknologjinë dixhitale.

Më 5 tetor, gra nga gjithë bota do të mblidhen për t’i diskutuar këto sfida në një bisedë të hapur të organizuar nga Zëri i Amerikës. Ky do të jetë grumbullimi më i madh në botë i grave në teknologjinë dixhitale.

“Mjedisi teknologjik nuk ka qenë mikëpritës për gratë për fat të keq,” thotë Y-Vonne Hutchinson e organizatës “Ready Set”.

Në Shtetet e Bashkuara është hapur një debat energjik mbi arsyet që i pengojnë gratë të përfshihen dhe të përparojnë në këtë sektor. Në vende të tjera gratë e kanë të vështirë edhe të përdorin internetin. 12% më pak gra krahasuar me burrat kanë qasje në internet. Në vendet më të pazhvilluara një ndër shtatë gra përdor internetin, krahasuar me një ndër pesë burra.

“Ekziston një hendek teknologjik. Disa njerëz kanë qasje më të madhe në teknologjinë dixhitale se të tjerët. Është një realitet i pashmangshëm pasi çdo shpikje e re nuk gjen zbatim uniform në shoqëri,” thotë Martin Hilbert i Universitetit të Kalifornisë në Davis.

Gratë kanë qasje më të ulët tek teknologjia, pasi ndeshin diskriminim në arsim, mundësi punësimi dhe të ardhura. Shpesh ato janë viktima edhe të presionit në shoqëri.

“Në një vend në Afrikë nuk është e pëlqyeshme që vajzat të kenë telefona celularë. Vetëm burrave u lejohet. Kur shkuam në atë vend për të arsimuar vajzat, na thanë se duhet ta përqëndronim punën tek djemtë dhe burrat. Na u desh të punonim shumë për të kapërcyer këtë hendek,” thotë Tara Chklovski e shoqatës Iridescent.

Në Shtetet e Bashkuara gratë përfaqësojnë 20% të punonjësve në kompani teknologjike dhe vetëm 17% të udhëheqjes në këto kompani. Po ashtu të pakta janë gratë që financojnë novacione apo kompani të reja teknologjike.

“U them njerëzve: e mira e profesionit tim është se nuk ka shumë gra të më zënë banjon në zyrë. Studime të ndryshme tregojnë se vetëm 5-10% e partnerëve në kompani investimesh janë gra,” thotë Kate Mitchell e kompanisë “Scale Venture Partners”.

Edhe ato gra që punojnë në kompani teknologjike janë në rrezik të largohen në gjysmë të karrierës, pasi atmosfera është përgjithësisht negative.

“Shpesh gratë duhet të arrijnë një standard më të lartë se burrat, si dhe të punojnë më fort për të shënuar sukses,” thotë Caroline Simard e Universitetit Stanford.

Megjithë këto probleme, ka plot gra që po punojnë për të ngushtuar hendekun në Shtetet e Bashkuara dhe botë.

“Për herë të parë në histori, teknologjia po sjell një fuqizim të zërit të vajzave për të krijuar një shoqëri më të barabartë,” thotë Tara Chklovski e shoqatës Iridescent.

“Nuk ka një zgjidhje magjike për këtë problem. Duhet të punojmë përditë drejt një mjedisi më gjithëpërfshirës. Kjo përpjekje duhet të inkuadrohet në çdo praktikë menaxheriale,” thotë Caroline Simard e Universitetit Stanford.

Në bisedën e hapur të Zërit të Amerikës do të diskutohen përpjekjet që po bëhen për të mbyllur hendekun dixhital për një shoqëri më të drejtë. (voa)

Pushteti dhe opozita vazhdojnë me polemika e akuza në Kuvend

Kuvendi iksMe disa javë vonesë, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në rendin e ditës, përkatësisht debatin e thirrur nga opozita rreth parimeve programore të Qeverisë për vitin 2017 -2020.

Deputetët opozitarë, iniciues të këtij debati, kanë kritikuar Qeverinë dhe programin e saj, duke vlerësuar se ai nuk është premtues.

Shefi i grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se programi i Qeverisë Haradinaj është i njëjtë si ai i qeverive të kaluara që bazohet mbi premtime të parealizueshme.

Këto programe qeverisëse nuk janë asgjë më shumë sesa përmbledhje frazash formale të cilat e kanë për detyrë ta përmbushin veç një perceptim, perceptimin që Qeveria ka program, që Qeveria ka koncept. Prandaj unë them se më mirë është që Qeverinë Haradinaj të analizojë prej kur është themeluar e deri më sot, çfarë shembulli dha për 3 javë ditë. Më së pari se si u krijua na dha shembullin më të keq të një Qeverie të ndërtuar mbi pazare të ulëta“, tha Konjufca.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka shtuar Konjufca, po i ikë përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Kurse, Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se me zgjedhjen e Qeverisë Haradinaj, Kosova nuk ka evituar krizën.

Është thelluar kriza. Është e pafalshme që ende kemi 1600 të pagjetur dhe nuk mund të hapet kjo temë me ketë përbërjes të Qeverisë. Ne si LDK do të jemi gardianë të mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, për të ndaluar këtë Qeveri që të çojë vendin prapa ashtu siç ka filluar me shkelje të vazhdueshme duke shkarkuar borde me hu në krahë“, tha Hoti.

Duke vlerësuar se deputetët e Kuvendit nuk po i përmbahen pikës së rendit të ditës, kryeministri Ramush Haradinaj, ka marrë fjalën duke kërkuar korrektësi dhe debat konstruktiv.

Ju kam dërguar programin qeverisëse brenda javës. I mirë e i keq, e keni programin. Kurdo që jeni të gatshëm të diskutojmë për programin qeverisës që e keni marrë, do të vij dhe do t’ju respektoj. Ju respektoj edhe për kërkesën për seancën e nesërme për raportim e pyetje për interpelancë. Sa i përket kësaj teme, mendoj se jeni duke bërë hajgare dhe vazhdoni me hajgare“, tha Haradinaj.

Ai po ashtu thase opozita nuk ishte e interesuar për debat në ditën kur ishte votuar Qeveria, prandaj, sipas tij, akuzat që po i bënë tani opozita janë të padrejta.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar edhe ndaj kritikës së shprehur nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, i cili tha se Haradinaj ka një marrëveshje sekrete me Listën Serbe.

E vetmja marrëveshje që ka Ramush Haradinaj me Listën Serbe është se ne këto përgjegjësi i marrim dhe punojmë në bazë të përgjegjësive në vend dhe betimi është dhënë me Kushtetutën e vendit“, tha Haradinaj.

Duke e vlerësuar debatin si jokonstruktiv, Haradinaj bashkë me kabinetin e tij qeveritar lëshuan sallën duke u dhënë një mesazh deputetëve me fjalët- ‘rrini në punë’.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të jetë më serioz në raport me opozitën.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se partitë politike në opozitë nuk e kanë lexuar fare programin e Qeverisë dhe po bëjnë kritika pa bazë.

E keni programin qeveritar. Urdhëroni lexojeni sepse njëri nga folësit tha se nuk duam ta lexojmë programin e kësaj Qeverie. E çuditshme pse duan të kritikojnë“, tha Isufi.

Debati në Kuvendit e Kosovës ka vazhduar edhe pa praninë e kabinetit qeveritar, kur janë dëgjuar akuza e kundër akuza.

Madje, deputetet e partive politike opozitare, sidomos ata të LDK-së, kanë kërcënuar se nuk do të votojnë, Instrumentin për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA).

IPA është një instrument financiar i shfrytëzuar nga BE-ja që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit.

Deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti tha se kjo parti politike nuk do ta miraton dhe nuk do të merr pjesë në ratifikimin e marrëveshjeve, për të cilat kërkohen edhe votat e opozitës.

Ne nuk do ta votojmë ratifikimin e marrëveshjes IPA dhe asnjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare që kërkon dy të tretat e opozitë“, tha Hoti.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se është hipokrizi e opozitës që kërkesat e tyre t’i lidh me dëme për vendin. Ai theksoi se LDK-ja po i shantazhin qytetarët duke kushtëzuar me votë për projektet strategjike, si IPA.

Këta sot na thanë se do të votojnë edhe kundër programit IPA, marrëveshje me BE-në, për t’i refuzuar 71. 5 milion euro që janë të dedikuara për qytetaret e Kosovës, sepse ato nuk janë mjetet të Qeverisë e as Kuvendit. Dhe, ne sot e pamë një shantazh publik, një kërcenim për krejt qytetaret e vendit tonë nga LDK-ja, që thanë se nuk ju votojmë nëse ju nuk i përmbaheni kushteve që ua vendosim ne“, tha Krasniqi.

Kurse deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku iu ka bërë thirrje deputetëve që të bëhen bashkë dhe ta kryejnë, siç tha ai një veprim patriotik, për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj.

Obligimi patriotik i yni është të ndalim këtë rrugëtim të kësaj ‘Frankenshtain’ qeverisje”, ka thënë Abdixhiku duke iu drejtuar deputetëve të pozitës se mandati i tyre aktual në Kuvend është akti i fundit në politikë.

Kjo seancë ishte thirrur nga opozita një ditë pas votimit të Qeverisë së Kosovës, më 9 shtator, por ishte ndërprerë pasi që partitë në pushtet dhe kabineti qeveritar nuk pranuan të marrin pjesë në të. (rel)

Të paktën 58 të vdekur nga sulmi me armë në Las Vegas

Las VegasPolicia e Las Vegasit njoftoi se një 64 vjeçar sulmoi me armë një koncert të muzikës country që po zhvillohej mbrëmjen e së dielës. Sipas njoftimeve, janë vrarë të paktën 58 persona dhe mbi 500 të tjerë janë plagosur. Personi që shtiu vrau veten, sipas burimeve të policisë.

Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes në pjesën jugore të qytetit, e njohur si Las Vegas Strip, tregonin njerëzit që fshiheshin për t’u mbrojtur dhe vraponin duke bërtitur, ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna armësh.

“Të shtënat vazhdonin pa pushim. Kishte vetëm pauza të shkurtra. Por, dukej se vazhduan për rreth 20 minuta. Sapo krijohej një pauzë, vraponim dhe vetëm vraponim. Nuk isha e sigurtë nëse ishin realisht plumba, por njëri prej miqve tanë na tha se u godit dikush pranë nesh”, tregon Vanessa, vizitore nga Kalifornia.

Sherifi i policisë së Las Vegasit, Joseph Lombardo, u tha gazetarëve se sulmuesi ndodhej në katin e 32-të të kazinosë Mandala Bay, përballë vendit të ngjarjes.

“Mendojmë se ai është vendas. Nuk mundem t’jua them ende vendbanimin e tij, pasi po zhvillohet hetimi. Nuk dimë se në çfarë besonte”, tha sherifi Lombardo.

Autoritetet ishin gjithashtu në kërkim të një gruaje që mendohej se ishte shoqëruese e të dyshuarit 64-vjeçar, Stephen Paddock.

Ndër të vrarët janë edhe disa oficerë policie që po ndiqnin koncertin.

Ndërsa ngjarjet zhvilloheshin, njerëzit kërkuan strehim në hotelet e shumtë përgjatë distriktit turistik. Në zonë ndodhet edhe aeroporti ndërkombëtar i Las Vegasit, ku fluturimet u pezulluan.

Presidenti Donald Trump shkruajti në Twitter: “Ngushëllimet më të sinqerta për viktimat dhe familjet e sulmit të tmerrshëm në Las Vegas. Zoti ju bekoftë!”.

Ylli i muzikës country, Jason Aldean, ishte duke kënduar në skenë kur filluan të shtënat. Disa orë më vonë, ai shkruajti në Instagram, duke e përshkruar momentin “të llahtarshëm”.

. (voa)

Austria ndalon përdorimin e perçes

PerceGratë myslimane në Austri u detyruan nga policia të hiqnin perçet, pas hyrjes në fuqi të një ligji që ndalon mbulimin e fytyrës. Ligji ka nxitur reagimet e aktivistëve myslimanë të të drejtave të njeriut në Austri.

Ligji që hyri në fuqi të dielën ndalon përdorimin e maskave të skive në rezortet dimërore, maskat kirurgjike jashtë spitaleve dhe maskat festive në publik.

Ligji, i ngjashëm me atë në Francë dhe Belgjikë, vlen edhe për vizitorët, duke përfshirë edhe numrin e madh të turistëve arabë që pushojnë në alpet austriake.

Grupet myslimane e kanë dënuar ligjin, duke thënë se vetëm një pakicë e vogël e myslimanëve austriakë veshin perçe që mbulojnë gjithë fytyrën.

“Gratë duhet të kenë lirinë që të vishen si të duan. Ka shumë gra që nuk e kanë këtë liri dhe detyrohen të vishen në mënyrë të caktuar. Megjithatë, unë mendoj se kjo nuk është përgjigja e duhur. Ne duhet t’i fuqizojmë gratë e jo t’ua heqim liritë dhe të drejtën për t’u veshur si të duan. Pra, ne duhet t’i fuqizojmë ato.”

Përdorimi i perçes vazhdon të jetë i rrallë në Austri, pavarësisht rritjes së numrit të emigrantëve dhe refugjatëve në Evropë në vitin 2015, por ato janë në shënjestër të grupeve dhe partive politike të krahut të djathtë.

Ata që shkelin ligjin do të përballen me një gjobë prej rreth 180 dollarësh. Policia është e autorizuar të përdorë forcën, nëse është e nevojshme, kundër atyre që rezistojnë.

Qeveria thotë se ligji, i cili thotë se fytyra duhet të jetë e zbuluar nga flokët deri tek mjekrra, ka të bëjë me mbrojtjen e vlerave austriake. (voa)

Tre amerikanë nderohen me Nobelin e mjekësisë

cmimi nobelÇmimi Nobel i Mjekësisë për vitin 2017 iu dha tre shkencëtarëve amerikanë.

Jeffrey Hall, Michael Rosbash dhe Michael Young u nderuan për zbulimet e mekanizmave molekularë që kontrollojnë orën e brendshme biologjike, që njihet ndryshe si ritmi cirkadik.

Komisioni i Çmimit Nobel tha se laureatët e këtij viti arritën të izolojnë një gjen që kontrollon ritmin biologjik të një dite normale. Ata demonstruan se ky gjen kodon një proteinë që grumbullohet në qelizë gjatë natës dhe pastaj shpërbëhet gjatë ditës.

Ritmet cirkadike ia përshtasin fiziologjinë e njeriut fazave të ndryshme të ditës, duke ndikuar te gjumi, sjellja, niveli i hormoneve, temperatura e trupit dhe metabolizmi.

Çmimi për fiziologji ose mjekësi është i pari ndër çmimet Nobel që jepen çdo vit.

Çmimet për fizikë, kimi, letërsi dhe paqe do të shpallen nga e marta deri të premten ndërsa çmimi për ekonominë të hënën, më 9 tetor.

Çmimi shoqërohet me 1.1 milion dollarë. (voa)

Katalonjë: 90% për shkëputjen nga Spanja

KatalonjaSeparatistët në Katalonjë festojnë rezultatin e referendumit. Ata kërkojnë shtetin e pavarur duke e futur Spanjën në krizën më të rëndë kushtetuese prej disa dekadash.

48 orë deri tek pavarësia. “Ligji i shkëputjes” i miratuar nga parlamenti katalonjas e parashikon këtë afat. Zëdhënësi i qeverisë rajonale të Katalonjës është shprehur në orët e para të së hënës në Barcelonë, se 90% e votuesve i kanë thënë “Po” shkëputjes.

Në votime do të kishin marrë pjesë më shumë vetë

Që të dielën në mbrëmje, kreu i shtetit katalonjas, Carles Puigdemont është shprehur për shkëputjen nga Spanja. “Ne kemi fituar të drejtën që të kemi shtetin tonë të pavarur”, tha ai në Barcelonë. Por vetëm 42% e 5,3 milionë njerëzve me të drejtë vote kanë dhënë votën e tyre. Gjithsej janë numëruar 2,26 milionë vota, dhe numri i votave pro kap shifrën e 2,02 milionë vetëve, ka thënë zëdhënësi. Ai kërkoi hapa ligjorë kundër qeverisë në Madrid, që të përgjigjet për dhunën e së dielës.

Me gjasë në votime do të kishin marrë pjesë më shumë njerëz, sikur Madridi të mos e kishte kategorizuar referendumin si ilegal. Policia pengoi në mënyrë masive zhvillimin e votimeve. Në të gjithë botën u shpërndanë pamje me policë të armatosur, që rrëmbyen fletëvotimet dhe penguan njerëzit në votime me shkopinj gome dhe plumba plastikë. 840 vetë u plagosën, sipas  të dhënave të qeverisë rajonale. “Nuk ka pasur referendum”, u shpreh Rajoy që theksoi se spanjollët janë orientuar gabimisht në një votim të jashtëligjshëm.

la/(afp, ap,dpa, rtr)

Gazeta “Die Welt”: Gastarbeiter të rinj vijnë nga Ballkani Perëndimor

Die WeltNë Gjermani numri i vizave të punës për shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë nga Ballkani është rritur me 70% në tetë muajt e parë 2017. „Die Welt“ i kushton (02.10) dy artikuj temës së punësimit të të huajve në Gjermani.

„Një punë në Gjermani, shumë njerëz në vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin këtë si të vetmen rrugëdalje nga papunësia në atdheun e tyre. Aplikantët pjesërisht duhet të presin një vit derisa Ambasadat Gjermane në vendet e tyre t’u lëshojnë vizën e punës. Megjithatë në tetë muajt e parë të vitit është rritur me 70% në 63.000 numri i vizave të punës të lëshuara nga Agjencia Federale e Punësimit, shkruan gazeta „Die Welt”, duke iu referuar të dhënave që posedon nga kjo agjenci. Një në tre viza pune për vendet e treta, sipas këtyre të dhënave, i ka kaluar një aplikanti nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Lehtësimi i procedurave për njerëzit nga vende si Shqipëria, Kosova apo Bosnjë-Hercegovina është aplikuar që nga fillimi i vitit 2016. Arsyeja është: se në kulmin e fluksit të refugjatëve në vitin 2015 vinin edhe shumë azilkërkues nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Autoritet gjermane ishin të papërgatitur nga ky fluks duke qenë të mbingarkuara me refugjatët nga Siria. Mëqënëse për të ardhurit nga Ballkani arsyeja e largimit nga atdheu ishte ekonomike, qeveria federale vendosi, një rregullore të re për këto vende duke i shpallur ato si vende të sigurta. (…) Në kushte të tilla nuk ka më të drejtë për azil. Kësisoj qysh nga viti 2016 kandidatë për punësim nga këto vende mund të aplikojnë për një vizë pune. Kushti i vetëm është, që ato të kenë një ofertë konkrete pune nga Gjermania. Atyre nuk u kërkohet një kualifikim minimal apo pagë minimale, sikurse ndodh në rastin e së ashtuqajturës Blue Card, që është e parashikuar për specialistë. (…) Kryesisht vizat e punës janë lëshuar për punëtorë në degën e ndërtimit, por ka nevojë për krah pune edhe në sektorin e gastronomisë, të shërbimeve dhe të kujdestarisë për të moshuarit. Në Berlin ky model konsiderohet si i suksseshëm dhe po diskutohet nëse rregullorja e vlefshme deri në vitin 2020 mund të shtrihet edhe për vende të tjera veç Ballkanit si p.sh. në rajonet e Afrikës Perëndimore, për të pasur kështu një migracion të organizuar. Në një analizë të fondacionit Friedrich-Ebert thuhet, se rregullorja për Ballkanin Perëndimor „bart potencial të madh në rrugën drejt një politike inovative migracioni”, shkruan „Die Welt”.

Një humbje e ndjeshme për albanologjinë shqiptare

Robert ElsieRobert Elsie, albanologu dhe përkthyesi i shqipes ndërron jetë në Berlin. Largimi i studiuesit të njohur lë një boshllëk në studimet shqiptare.

Autor, përkthyes, albanolog. Kështu e karakterizon veten në paraqitjen e tij në internet Robert Elsie. Për ata që e kanë njohur kanadezin me atdhe botën shqiptare, Robert Elsie mbetet më shumë: një studiues i pasionuar, i pazakontë i kulturës shqiptare, me këndvështrime origjinale dhe pa masë prodhimtar.

Janë të paktë studiuesit e huaj të kulturës shqiptare, që duke mos kursyer përkushtimin, kohën, mjetet personale financiare të kenë qenë kaq gjithëpërfshirës në punën e tyre: gjuha shqipe dhe historia e saj, letërsia shqipe dhe historia e saj, arti dhe historia e artit shqiptar, etnogjeneza e shqiptarëve dhe diskursi shkencor për të – për të gjitha këto aspekte e të tjera, Robert Elsie punoi si autor dhe si bashkëautor, si përkthyes dhe si ndërmjetës kulturash, si ambasador i kulturës shqiptare në botën perëndimore.

Të panumërta janë botimet ku Elsie ishte bashkëautor ose përzgjedhës artikujsh e këndvështrimesh. “Përralla shqiptare”, “Letërsia klasike shqiptare”, “Fiset shqiptare: historia, shoqëria, kultura”, “Udhëzues për kulturën historike të shqiptarëve”, “Fjalori historik i Shqipërisë”, “Fjalori historik i Kosovës” janë disa nga veprat që Elsie botoi si autor vetëm në vitet e fundit.

Lajmi i hidhur se sot, pas një sëmundjeje të rëndë prej disa muajsh, Robert Elsie u nda papritur nga jeta, qe tronditës për të gjithë ata që e kanë njohur. Partneri i jetës së Robert Elsie-t, Stefan Trierweiler, dhe miku i tij, Artur Metani na dërguan lajmin se “njoftohet me hidhërim të thellë vdekja e parakohshme e Dr. Robert Elsie, më 2 tetor 2017, nga sëmundja e rrallë e neuroneve motorike.”

Interesi për botën shqiptare

Interesi për kulturën shqiptare nisi te Elsie që në kohën kur bota shqiptare ishte e mbyllur nga perdet ideologjike. Instituti i Gjuhësisë i Bonn-it, rreth profesorit të njohur Johann Knobloch kishte një traditë të hershme për të organizuar udhëtime studimore sidomos në Shqipëri, po edhe në Kosovë. Pjesë e njerit nga këta udhëtime u bë që herët edhe Robert Elsie. Gjatë studimeve të mia shumë vjet më parë në Institutin e Gjuhësisë së Bonn-it, profesor Knobloch më ka treguar se Elsie kishte për shumë çështje të kërkimeve shkencore mendime origjinale të tijat. Krahas mbrojtjes së doktoraturës, Elsie nisi edhe punën në fushën e përkthimeve.

Me respekt të veçantë më flisnin për Robert Elsie-n kolegët e tij në Ministrinë e Jashtme Gjermane, ku ai punoi në fillim të viteve 1980 për disa vjet rresht si përkthyes. Ai ishte poliglot, më janë shprehur edhe së fundi vlerësues ish-kolegë të tij.

Në këtë kuadër, kryesisht deri në fillim të viteve 1990, Elsie ishte përkthyes në bisedime të nivelit të lartë të qeverisë gjermane. Më tej, si përkthyes i lirë ai e vuri dijen e tij gjuhësore edhe në shërbim të BE, Natos, Këshillit të Evropës e më tej. Prej vitit 2002 Elsie punoi kryesisht si përkthyes në ICTY, në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavinë. Këtu ai ishte përkthyes në gjyqet e disa prej aktorëve të njohur të tragjedisë jugosllave. Pas daljes në pension pak vite më parë, Elsie u vendos në Berlin, ku vazhdoi t’i kushtohej pasionit të tij, kulturës shqiptare dhe përkthimeve letrare.

Në një komunikim të pak muajve më parë me të, Elsie më shkruante se me sa dëshirë po u përkushtohej përkthimeve në Gjermani, pas rikthimit nga Holanda. Kjo ndonëse në mendje në radhë të parë kishte kulturën shqiptare e aspekte ende të pandriçuara të saj.

Humbje për albanologjinë

Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko i tha DW shqip se me vdekjen e Elsie-t “albanologjisë do t’i mungojë një mendje e ndritur”. Kuko tha se “e kishte njohur Robert Elsie-n shumë vjet më parë, nga pozitat e publikut shqiptar, kur ai shoqëronte personalitete gjermane.”Një humbje e madhe për botën kulturore të shqiptarëve”, vlerësoi Kuko.

Shkrimtarja shqiptare, Flutura Açka, që ishte në kontakt edhe së fundi me Robert Elsien, e vlerëson atë si “një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot”.  Nuk besova se përkthimi i poezive të mia, që më dërgoi pak ditë më parë, do të ishte lamtumira me të, i tha Açka DW.

Bashkëpunëtori dhe miku i tij, Artur Metani, bashkë me të cilin Roberti ka bërë një pjesë të madhe të regjistrimeve të tij për dialektet e shqipes, i tha sot DW,  se puna kërkimore e Robert Elsie-t u ndërpre me plotëkuptimin e fjalës në mes. Elsie po punonte së fundi për bektashinjtë shqiptarë dhe teqetë, i tha Metani DW.

Robert Elsie-n do ta kujtojmë të gjithë ne, që punuam në vite si kolegë me të: personalisht do ta mbaj mend si një koleg shumë të sjellshëm, të gatshëm për të bashkëpunuar, me dashuri të pakufishme për dijen dhe për kulturën shqiptare. (dw)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"