Strukturat e rivlerësimit, miratohet varianti i shumicës

kuvendi i alNë Shqipëri parlamenti votoi në orët e para të mëngjesit të sotëm për strukturën e institucioneve të cilat janë ngarkuar për realizimin e procesit të rivlerësimit të mbi 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit. Falë votave të saj shumica e majtë kaloi variantin e cili parashikon një personel ndjeshëm të reduktuar në numër krahasuar me kërkesat e paraqitura nga vetë drejtuesit e këtyre institucioneve. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe institucioni i Komisionerit Publik, të cilët përbëhen gjithsej nga 27 anëtarë, kishin kërkuar që në total të kishin një personel mbështetës prej 185 punonjësish. Por struktura e miratuar parashikon vetëm 110 të tillë.

Opozita, si Partia Demokratikë ashtu dhe Lëvizja socialiste për Integrim e kundërshtuan qëndrimin e socialistëve dhe propozuan amendamente të posaçme të cilat ishin në një linjë me kërkesat e institucioneve të rivlerësimit. Të dyja palët akuzuan drejtuesit e shumicës se “përmes trysnisë financiare, po synon të vërë nën kontroll sistemin e Drejtesisë”. Sipas tyre procesi i rivlerësimit, hallka kyçe e të gjithë Reformës në Drejtësi po rrezikohet seriozisht, pasi “pavarësia dhe efikasiteti i institucioneve janë të kërcënuara”. Përfaqësuesit si të PD-ës ashtu dhe të LSI-së i kujtuan kryeministrit se vetëm Këshilli i MInistrave ka sipas tyre një organikë prej mbi 640 personash

Zoti Rama hodhi poshtë akuzat se po synon kontrollin e procesit, duke deklaruar se struktura e institucioneve të rivlerësimit është rishikuar në kuadër të riorganizimit të të gjithë administratës publike. “Ndryshimet që janë bërë nuk kanë eliminuar asnjë funksion, por kanë reduktuar staf të tepërt, të kotë, të paarsyetuar”, tha zoti Rama duke shtuar se “padyshim, në varësi të ngarkesës së punës, në varësi të ecurisë së punës, në varësi të çfarë puna do të sjellë, ne këtu jemi dhe mjafton të na provohet nevoja për më shumë staf dhe padyshim do të konsiderohet prioritet”.

Përsa i përket debatit për pagesën mujore të anëtarëve të 3 institucioneve, socialistët saktësuan se një gjë e tillë është e parashikuar në ligj, sipas tw cilit ata do të trajtohen me të njejtin nivel page si anëtarët e Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese.

Parlamenti votoi gjithashtu në favor të Dekretit të ish presidentit Bujar Nishani i cili vitin e shkuar kishte kthyer pas ligjin për importin e mbetjeve urbane për qëllime riciklimi. Ashtu siç dhe kishin paralajmëruar socialistët u tërhoqën nga nisma e tyre e cila vitin e shkuar provokoi jo pak debate. Partia Demokratike ndërkohë këmbënguli se ajo nga ana e saj do të çojë në parlament kërkesën për organizimin e një referendum që do të ndalonte përfundimisht importin e mbetjeve urbane “në mënyrë që kryeministri Rama të mos mund t’i rikthehet kësaj çështjeje”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho. (voa)

Turqia kërkon Gulenin në këmbim të pastorit amerikan

Pastori amerikanAutoritetet në Turqi thonë se do të lirojnë pastorin amerikan Andrew Brunson, që mbahet në arrest prej gati një viti, nëse Shtetet e Bashkuara do të ekstradojnë klerikun musliman Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për grushtin e dështuar të vitit të kaluar.

Ata thonë na jepni pastorin! Ju keni një predikues atje. Na e dorëzoni dhe do të përpiqemi t’iu japim Brunsonin“, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një fjalim televiziv.

Andrew Brunson që jeton në Turqi prej 23 vitesh si dhe gruaja e tij Norine, u arrestuan në tetor 2016 për shkelje të dyshuara të statusit të emigracionit.

Bashkëshortja e tij u lirua ndërsa akuzat ndaj pastorit u forcuar duke i shtuar dhe mbështetjen e dyshuar të rrjetit të klerikut Gulen, të cilin Turqia e ka etiketuar si përfaqësues të një organizatë terroriste.

Andrew Brunson dhe bashkëshortja e tij drejtonin një kishë të krishterë në qytetin turk të Izmirit.

Gjatë vizitës së tij muajin e kaluar në Ankara Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha se pastori Brunson ishte “burgosur padrejtësisht”.

Një dekret i gushtit të kaluar i dha fuqi presidentit Erdogan të ekstradojë të huaj në këmbim të të burgosurve turq jashtë vendit, në një “situatë që konsiderohen të nevojshme për sigurinë kombëtare ose për interesa të vendit”.

Turqia në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të ekstradojnë klerikun Fetullah Gulen i cili ndodhet në Pensilvani. (voa)

Shtyhet sërish procesi gjyqësor ndaj Gruevskit

GruevskiPër të gjashtën herë me radhë, Gjykata Penale në Shkup ka shtyrë rastin, që në opinion njihet si “Shuplakat”,me ç`rast në bisedat e përgjuara dëgjohet se si ish-kryeministri Nikolla Gruevskiurdhëron që të goditet me shuplakë kryetari i Komunës Qendër, Adrej Zhernovski. Ky rast kishte ndodhur në ditën kur ishte caktuar debati për ndryshimin e planit urbanistik, pasi këtë komunë e kishte marrë nën udhëheqje partia e kryeministrit të tanishëm të Maqedonisë, Zoran Zaev.

Seanca e së enjtes është shtyrë për shkak të mosparaqitjes në gjykatë të njërit prej të akuzuarve.

Si i dyshuar i parë për këtë rast gjyqësor është ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Prokurorja Speciale Publike, Fatime Fetai kërkoi që të mos përsëritet më e njëjta situatë në seancën e ardhshme. Prandaj, ajo kërkoi nga gjykatësja Tatjana Mihajllova, që i akuzuari Dimçe Kërstev, të sillet me forcë në gjykatë nga ana e organeve të sigurisë.

Prokuroja Fatime Fetai, që është pjesë e ekipit të Prokurorisë Speciale Publike, gjatë seancës së sotme ka drejtuar akuza edhe ndaj gjykatës, siç ka thënë për stërzgjatje të panevojshme të këtij gjykimi.

Kjo është përpjekje që të justifikoheni për atë që e kam thënë herën e kaluar, se me qëllim i zgjatni seancat”, tha Fetai duke shtuar se çdo kush është përgjegjës për veprimet e veta.

Prokurorja Fetai tha se nëse ky gjykim vazhdon sipas kësaj dinamike, atëherë kryesore do të mund të mbahet në vitin 2020, ku dhe do të vjetërsohej ky rast si lëndë.

Ndryshe, për rastin e njohur si “Shuplakat”, Prokuroria Speciale ka ngritur proces gjyqësor një vit më parë, përkatësisht më 15 shtator të 2016-tës.

Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së thonë se po bëhet presion ndaj kësaj partie me zhvillimin e proceseve gjyqësore ndaj ish-funksionarëve të saj, në momentin që Maqedonia është futur në fushatë zgjedhore.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se në asnjë mënyrë rastet të cilat janë ngritura nga Prokuroria Publike Speciale nuk duhet parë nën prizmin e fushatës zgjedhore.

Osman Kadriu, ish-gjykatës për Radion Evropa e Lirë thotë se zvarritja e proceseve gjyqësore që i ka ngritur Prokuroria Speciale publike është si rrjedhojë e krizës juridike nga e cila nuk arrin të dalë Maqedonia edhe pas formimit të Qeverisë së re të vendit.

Nga ana e gjykatave duket se ka një frenim, obstruksion nga ana e strukturave të caktuara në gjyqësor, që assesi të mos zbardhen këto raste penalo-juridike. Jam i mendimit se tani duhet të shkohet në masa konkrete të përgjegjësisë penalo-juridike për funksionarë të pushtetit gjyqësor”, thotë Kadriu.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Arsim Sinani vlerëson se duhet investuar më shumë në profesionalizmin e mediave kur ata raportojnë për çështje të ndjeshme siç janë proceset gjyqësore për ish-zyrtarët e lartë të shtetit, të cilët akuzohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale.

Mendoj se duhet të investohet në media, në kuptimin që të kemi gazetarë të cilët në formë profesionale do t’i qasen raportimit për këtë çështje”.

Dalja nga rrjeti i merimangës që përbën luftën ndaj korrupsionit do të duhet të fillohet me këto dy segmente, përkatësisht reforma të thella në mediat dhe gjyqësor”.

Faktori ndërkombëtar do të duhet të investojë në drejtim që të lirohet nga rrjeti i merimangës, si gazetarët ashtu dhe gjykatësit”, thotë Sinani.

Ndryshe, sot është shtyrë dhe seanca e parë e caktuar në Gjykatën Penale të Shkupit për rastin e njohur si“Transporter ”, në të cilën i dyshuar i parë është kryetari i Komunës së Manastirit për keqpërdorim të detyrës zyrtare me ndarjen e tenderëve për transportin e nxënësve në këtë komunë.

Seanca për këtë lëndë gjithashtu është shtyrë për shkak mungesës së njërit nga të akuzuarit. (rel)

Maqedonia dhe Greqia në pikën zero në kontestin rreth emrit

greqi-maqedoniZgjidhja e kontestit më të madh që ka Maqedonisë me shtetet fqinje, përkatësisht atij të çështjes së emrit që kontestohet nga Greqia, mbetet vetëm në deklarata politike, përderisa nuk ka ndonjë propozim konkret nga palët.

Ndërmjetësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Mathhew Nimetz ka paralajmëruar se nga fundi i këtij viti apo në fillim të vitit 2018 mund të ketë lëvizje nga pozicionet e të dyja palëve. Ky paralajmërim i tij, ishte përcjellë më pas nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev me deklaratën se nga mesi i vitit të ardhshëm mund të ketë ndonjë propozim konkret.

Por, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias ka thënë se kontesti nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por edhe më çështjen e identitetin dhe të historisë, duke e kthyer kështu procesin në pikën zero.

Duke komentuar deklarimet e këtilla optimiste të palës maqedonase, por edhe ato të palës greke, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se ky kontest vështirë se mund të ketë një zgjidhje të shpejtë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Denko Malevski, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizje mund të ketë, por vetëm pas një muaji apo pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, periudhë kjo që sipas tij është e ndjeshme për t’u hapur debati për çështjen e emrit.

“Duket të kalojnë zgjedhjet lokale që më lehtë të mund të hapet një debat për atë se çfarë do të ndodhë apo se çfarë duhet të bëjë Maqedonia për të arritur qëllimin e saj, anëtarësimin në NATO dhe BE. Qeveria nuk duhet të pres se çfarë do të bëjë Nimetz, por edhe ajo duhet të punojë në arritjen e kompromisit, pasi ka kompromise të mira dhe të këqija dhe ajo duhet të angazhohet që të arrijë më të mirën e mundshme”, thotë Maleski.

Çështja e emrit po përdorën edhe nga partitë politikë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale më 15 tetor me akuza mes partive se cila prej tyre ka bërë më shumë për interesat kombëtare. Kryeministri Zoran Zaev në vazhdimësi shpreh gatishmërinë për mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura me fqinjët ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare akuzon për marrëveshje që dëmtojnë interesin kombëtar maqedon.

Çështja e emrit me Greqinë daton që nga pavarësia e Maqedonisë 27 vjet më parë. Athina kërkon nga Shkupi të ndryshojë emrin e saj dhe maqedonasit të mos pretendojnë se janë pasardhës të maqedonasve antik. Ky kontest ka bërë që Greqia ta bllokojë tash e disa vjet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (rel)

Zgjedhjet, OSBE/ODIHR: Marrëveshja e 18 majit garantoi garë të lirë

zgjedhjetOSBE/ODIHR ka publikuar ditën e sotme raportin final për zgjedhjet e 25 qershorit, duke vlerësuar arritjen e marrëveshjes politike mes palëve për futjen e opozitës në zgjedhje, në bazë të të cilës garuesit zhvilluan një fushatë të lirë, ku u respektuan  liritë themelore.

Në raportin e OSBE vlerësohet se marrëveshja politike e 18 majit krijoi sfida për administratën zgjedhore, e cila rezultoi me një aplikim selektiv dhe të papajtueshëm me ligjin.

Sipas raportit politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet, si dhe akuzat e gjera për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, hoqën besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Ndërsa vlerëson se dita e zgjedhjeve ka qenë e rregullt, raporti vë në dukje edhe moszbatimin e plotë të disa procedurave në disa prej qendrave të votimit, ku theksohet se ka pasur vonesa në fillimin e procesit.

Si në çdo raport në të kaluarën, OSBE/ODIHR ka paraqitur edhe një sërë rekomandimesh, të cilat do të përmirësonin procesin zgjedhor.

Të ndërmerret reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Të harmonizohen ligjet për zgjedhjet veçanërisht për fushatën, financimin e median.

Nevojiten përpjekje të forta për adresimin e problematikës së përsërit të blerjes së votës.

Qeveria të konsiderojë krijimin e një trupe, e cila do të merret me problemet që do të hasen si para, ashtu edhe pas procesit.

Të mos aplikohet heqja automatike e të drejtës së votës të personave mbi 100 vjeç.

Garantimi i barazisë në votim. Rregullat të mos ndryshojnë ditën e zgjedhjeve.

Të garantohet me ligj të drejta të barabarta për të gjithë vëzhguesit.

KQZ të organizojë programe edukimi për komunitetin rom dhe egjiptian.

Procedurat për ankimin e zgjedhjeve të thjeshtohen dhe afatet te shkurtohen.

/ Top Channel

Greqia, 4 kushte për integrimin. Kotzias: Gabim mbështetja pa kushte

KotziasMinistri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias tha paraditen e kësaj të enjteje për televizionin publik grek se është gabuar me mbështetjen pa kushte ndaj Shqipërisë.

“Siç duhet ta dini, Shqipëria është vend kandidat për anëtar në BE. Për fat të keq, këto kandidatura u dhanë pa kushte nga qeveritë e mëparshme greke”, u shpreh Kotzias.

Ministri grek tha se kjo çështje duhet të marrë zgjidhje tanimë që kërkohet mbështetja për hapjen e negociatave, ku një nga kushtet e vëna nga Greqia fqinje është edhe mbrojtja e të drejtës së pronës për gjithë minoritetin.

“Që të hapen negociatat për anëtarësim, duhet që këto vende të plotësojnë disa kërkesa. Shqipërisë, KE-ja i vuri si kusht reformën e sistemit gjyqësor. Dhe ne i shtuam edhe 4 të tjera”, deklaroi Kotzias

Sipas tij, nuk mund të vazhdohet me reformën e Enver Hoxhës që njihte si minoritarë vetëm ata që banonin në dy zona. Dhe nëse ai zhvendosej nga fshati i tij në një tjetër qytet apo Tiranë, nuk e gëzonte më këtë status. Por, kjo gjë tani ka jo vetëm vëmendjen e qeverisë greke, por edhe mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së.

“Greqia po punon që t’u jepen titujt e pronësisë, në mënyrë që të jenë të sanksionuara edhe ligjërisht të drejtat e atyre që duan të shesin apo ua shtetëzon shteti për nevojat e tij. Se këtu nuk shqetësohemi për sekuestrimin e pronave të himariotëve, por ngaqë nuk po flitet për kompensim”, tha ministri i Jashtëm i Greqisë.

Kotzias konfirmoi masën drastike për heqjen e nënshtetësisë greke të kryebashkiakut të Himarës: “Politikanët që nuk respektojnë të drejtat e minoritetit grek nuk mund të kenë nënshtetësinë greke. Për fat të keq, nuk e di se çfarë kanë bërë qeveritë e mëparshme dhe kanë marrë nënshtetësinë greke edhe tipa të çuditshëm, ndër ta edhe kryebashkiaku i Himarës. Ne ia hoqëm nënshtetësinë sepse nuk mund të jesh shtetas grek dhe në të njëjtën kohë të shkelësh të drejtat e minoritetit grek”.

Ky reagim vjen në një moment kur u fol për një afrim të qëndrimeve në funksion të zgjidhjes së problemeve mes dy vendeve. Kotzias takoi pak ditë më parë në Nju Jork ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili foli për një dëshirë greke për të zgjidhur problemet dhe për nisjen e bisedimeve në nivel ekspertësh për t’ia paraqitur më pas dy kryeministrave.

/ Top Channel

Kurdët në Veri të Irakut votojnë për shkëputjen – Qeveria në Bagdad kërcënon me sanksione

BarzaniKurdët në Veri të Irakut u shprehën me shumicë në referendum për pavarësinë. Në referendumin e diskutueshëm 92.3% e zgjedhësve votuan për shkëputjen nga Iraku, deklaroi komisioni kurd i zgjedhjeve të mërkurën në Erbil.

Që votuesit do të shpreheshin me shumicë për shkëputjen nga Iraku, kjo pritej. As rezultati zyrtar, që komunikoi të mërkurën (27.09) komisioni i zgjedhjeve në Erbil, nuk befasoi askënd. “Gjithsej 72,16 përiqnd e zgjedhësve kanë votuar. Me po kanë votuar 92.73 e tyre dhe me jo 7.27 përqind.” Referendumi nuk detyron askënd dhe as nuk është i barazvlefshëm me shpalljen e pavarësisë.

Presidenti kurd Masoud Barzani nuk priti rezultatin përfundimtar zyrtar të votimit. Në një fjalim në televizion qysh të martën ai shpalli fitoren: “Popull i madh i Kurdistanit, ti nuk i ke lejuar askujt, që të thyejë vullnetin tënd, kur ke votuar për pavarësinë – dhe ke votuar me jo për një masakër të mëtejshme dhe një sulm të ri kimik. Ne kemi nisur një fazë të re, dhe kjo është një fitore për të gjithë Kurdistanin.”

Barzani shpreson, që rezultati i votimit do ta forcojë atë dhe do t’i japë atij një mandat të qartë për bisedime me qeverinë qendrore të Irakut. Qëllimi i Barzanit është një marrëveshje për shkëputjen e Kurdistanit të Irakut nga pjesa tjetër e vendit. “Në vend të kërcënimeve dhe sanskioneve tani duhet të ketë një fillim të ri serioz të dialogut, me të cilin ne do të bëhemi fqinjë të mirë.”

Por qeveria e Irakut nuk do t’ia dijë për deklaratat e Barzanit. Kryeministri Haider al-Abadi e hedh poshtë kategorikisht ndarjen e Veriut të banuar me shumicë kurde. Me sa duket Abadi tani është i vendosur që t’i sprapsë liritë, që ka gëzuar deri më sot rajoni autonom. “Nëse aeroportet në rajonin e Kurdistanit në Erbil dhe Sulaimaniya nuk do të vendosen nën autoritetin e qeverisë qendrore, Iraku do të suspendojë të gjitha fluturimet ndërkombëtare në këto aeroporte. Kabineti i ka dhënë kohë deri të premten në orën 18:00 Kurdistanit që ta verë në jetë këtë vendim. Në rast të kundërt të gjitha fluturimet ndërkombëtare do të suspendohen.”

Kjo i prek rëndë kurdët. Ata ndonëse i menaxhojnë vet këto dy aeroporte, janë të varur për koordinimin e fluturimeve nga Bagdadi. Madje Abadi shkon edhe më tej me deklarimet e tij: “Të gjitha kalimet tokësore, që lidhin rajonin e Kurdistanit me vendet fqinjë, duhet të kalojnë në kompetencën e qeverisë qendrore.”

Udhëheqja kurde e ka hedhur poshtë menjëherë këtë vendim. Por sidoqoftë shoqëritë e para ajrore kanë deklaruar tashmë anullimin e fluturimeve të tyre për të premten e ardhshme.

Edhe parlamenti i Irakut i ka ashpërsuar tensionet sërish. Ai i bëri thirrje kryeministrit, që të dërgojë ushtrinë mes Erbilit dhe Bagdadit në territoret e diskutueshme në Veri të Irakut, si në Kirkuk, ku ndodhen fushat më të mëdha të naftës. (dw)

Shqipëria dhe Kosova-drejt unifikimit të tregjeve, doganave e selive diplomatike

rama ramushFokusi i dy qeverive do të jetë fitimi i kohës së humbur. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte në Tiranë për vizitën e tij të parë zyrtare jashtë Kosovës.

Bashkëpunim më i ngushtë mes dy vendeve, lëvizje e lirë e qytetarëve në të dyja anët e kufirit, unifikim i tregjeve – janë temat qëndrore të bisedimeve mes dy kryeministrave Rama-Haradinaj, në vizitën që ky i fundit zhvilloi të mërkurën (27.09.2017) në Tiranë, e para jashtë Kosovës që nga marrja e detyrës së kreut të qeverisë së Prishtinës. Zvarritja dhe ngadalësia e deritanishme për të forcuar bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë dhe bërë atë real përmes konkretizimit të nismave, të përmendura shpesh, por të mbetura në planin e ideve, u quajtën nga kryeministri Rama “kohë e humbur”.

“Në mbledhjen e katërt mes dy qeverive, që do të mbahet më 27 Nëntor në Korçë, fokusi do të jetë tek fitimi i kohës së humbur, shembja e murit absurd që hasin qytetarët në kalimin e kufirit të përbashkët, ” tha kryemnistri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Haradinaj. Vizioni i tij pas shembjes së “murit absurd” është citoj “një kufi simetrik në ngjashmëri me kufijtë mes vendeve të BE, ku kontrollet nuk do të hiqen për fare, por do të jenë aq të rralla sa dikujt mund t’i bjerë të mos kontrollohet”.

Porti i Durrësit-doganë e njësuar për të dyja vendet

Dy kryeministrat ranë dakord për të unifikuar tregjet dhe paraprirë kështu krijimit të tregut unik rajonal, një nga nismat më të rëndësishme të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Triestes, të zhvilluar korrikun e kaluar, në kuadër të Procesit të Berlinit. Në këtë proces bën pjesë edhe “bashkimi doganor në portin e Durrësit, i cili nuk është vetëm porti i Shqipërisë por dhe i shqiptarëve të Kosovës, është porti që duhet të kthehet në doganë të njësuar mes dy vendeve”, tha kryeministri Rama. Vendimi për këtë pritet të finalizohet në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive.

Procesi i Berlinit, i inicuar nga kancelarja Angela Merkel, në verën e vitit 2014, për t’i dhënë impulse të reja procesit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes bashkëpunimit rajonal, mbetet një drejtim tjeter i rëndësishëm në platformën e bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministrat Rama dhe Haradinaj ranë dakort të koordinojnë përpjekjet për të përfituar nga financimet e projekteve rajonale të këtij procesi, në qëndër të të cilave është krijimi i tregut unik rajonal dhe infrastrukturës rrugore dhe energjitike për të lidhur vendet e rajonit me njëri-tjetrin.

Seli të përbashkëta diplomatike dhe konsullore

Bashkëpunimi më i ngushtë parashikon edhe nisma te tjera. Në konferencën e përbashkët për shtyp dy kryeministrat, Rama dhe Haradinaj, deklaruan se ranë dakort që të “të nisë konkretizimi për të patur seli të përbashkëta diplomatike e konsullore”.

“Kemi folur për një plan të përbashkët veprimi në funksion të ndërtimit të një fondi imobiliar shqiptar në Europë duke nisur nga kryeqendra e diplomacisë për t’u shtrirë më tej. Do të jetë një aset i përbashkët i të dy shteteve, që do t’u japin shqiptarëve një adresë”, tha kryeministri Rama.

Shqipëria pro zgjidhjes përfundimtare të përcaktimit të kufirit Kosovë- Mali i Zi

Kjo ҫështje nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së dy kryemnistrave. Për kryemnistrin Rama “është e domosdohme të gjendet rruga për zgjidhjen përfundimtare të një ngërçi që po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare, e cila mbetet garanti kryesor i Kosovës dhe një procesi, ku Kosova duhet të ketë gjithnjë e më shumë miq, e nuk ka arsye të humbasë qoftë dhe një të vetëm”. Rama inkurajoi homologun e tij nga Kosova, që kur ishte në opozitë ka kundërshtuar marrëveshjen për përcaktimin e kufirit/demarkacionit mes Kosovës – Malit të Zi, të ndryshojë qëndrim.

“Ka një proces të natyrshëm fiziologjik, kalimi nga opozita në qeveri dhe kryeministri Haradinaj kërkon dhe pak kohë, besoj, që të ndahet nga pozicioni i opozitarit ndaj këtij problemi”, tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp. Por kryeministri Haradinaj tha në konferencën e përbashkët për shtyp se “Kosova po procedon në përputhje me rregullat e saj, në përputhje me obligimet politike që ka. Interesimi ynë është që marrëdhëniet e mira me Malin e Zi t’i forcojmë”. (dw)

 

Lista Serbe: Asociacioni, sipas marrëveshjes së vitit 2013

lista serbeFormimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë prioriteti kulmor i Listës Serbe, por një gjë e tillë, gjithashtu është obligim për institucionet e Kosovës, i cili ka dalë nga marrëveshja në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, vlerësojnë përfaqësuesit e Listës Serbe.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe zëdhënës i këtij subjekti politik, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë ekziston një vullnet i mirë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, jo vetëm brenda Listës Serbe, por sipas tij edhe tek përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Megjithatë, siç thotë ai, ndonëse formimi i Asociacionit do të nisë shpejt, ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë ky proces.

Në përgjithësi, ne ende nuk e kemi të caktuar datën se kur mund të nisë ky proces. Mund të them se formimi i Bashkësisë së komunave serbe, si një institucion kulmor, është proces dhe jo vetëm një moment kur mund të thuash ‘do ta formojmë’ dhe kaq. Ky është proces që do të kërkojë kohë. Por, e rëndësishme është që ky është obligim që ka dalë nga marrëveshja dhe kjo nuk është marrëveshje e imponuar, por e arritur nga ekipet e bisedimeve. Çdo shtyrje e asaj për të cilën janë marrë vesh, është jo e sinqertë”, tha Simiq.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka bërë me dije se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet, por vetëm në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Kjo e fundit, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, të datës 25 gusht 2015, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013.

Simiq thotë se Lista Serbe do të insistojë që formimi i Asociacionit të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013.

Qëndrimi i Listës Serbe është që Bashkësia e komunave serbe të formohet ashtu siç është rritur pajtimi në Bruksel. Mund t’ju them, edhe si jurist, që Kushtetuta e Kosovës thotë që marrëveshjet që kanë karakter ndërkombëtar, ashtu siç po i trajton Kosova, si dhe që janë të ratifikuara nga Kuvendi, ato kanë fuqi më të madhe ligjore se sa vet Kushtetuta e Kosovës, e lerë më nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Simiq.

Por, njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në marrëveshjen e Brukselit thuhet qartë se Asociacioni do të formohet sipas Kushtetutës së Kosovës, gjegjësisht, sipas ligjeve të saj. Kjo marrëveshje, siç thotë ai, gjendet edhe në faqen e internetit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Por, sipas tij, problemi është krijuar për shkak të interpretimeve të ndryshme, ndërmjet asaj që e thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe asaj që e thonë Beogradi zyrtar dhe Lista Serbe.

Aty shkruhet mjaft qartë që Bashkësia e komunave serbe do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, problemi është se ky fakt po injorohet, ndërkohë që po ky fakt është mjaft i rëndësishëm dhe nuk guxon të injorohet. Në rast se këto fakte, janë kështu siç po i themi, atëherë Lista Serbe nuk ka këtu shumë hapësirë për manipulime”, tha Nojkiq.

Ai ka shprehur mendimin që përmbajtja e Marrëveshjes për formimin Asociacionit duhet sqaruar për opinionin, ndërkaq që Lista Serbe dhe Qeveria e Kosovës do të duhej të ulen dhe bisedojnë lidhur me vërejtjet që ka dhënë Gjykata Kushtetuese lidhur me formimin e Asociacionit. (rel)

Një studim i ri për gjumin

studimet e gjumitSipas vlerësimeve, rreth 40 milionë njerëz vetëm në Shtetet e Bashkuara vuajnë nga pagjumësia kronike. Por një studim i ri, ndoshta i pari i këtij lloji, hedh dritë mbi zakonet e gjumit tek njerëzit:

Studiuesit kanadezë që merren me studimin e gjumit tek njerëzit, zgjodhën për të ekperimentuar popullsinë Hadza në Tanzani, ngaqë mjedisi ku ata jetojnë është i ngjashëm me atë ku jetonin njerëzit një milion vjet më parë.

“Ata jetojnë në një nga zonat me më pak ndotje të planetit tonë. Në Perëndim, 99 për qind e individëve që jetojnë në kushtet e periudhës pas industrializimit është i ekspozuar ndaj një ndotjeje të lehtë të mjedisit.”- thotë studjuesi.
Studjuesi David Samson thotë gjithashtu se Hadzat e Tanzanisë jetojnë në të njëjtën mënyrë si edhe paraardhësit tanë.

“Ata jetojnë me gjuetinë e kafshëve, me të njëjtën strategji për të gjetur mjetet e jetesës si edhe të parët tanë, në të njëjtin sistem mjedis fizik si 1.8 milionë vjet më parë. Pra, ata janë grupi më i përshtatshëm për t’u studjuar.”

Profesori Samson dhe ekipi i tij zbuluan që Hadzat flejnë në të gjitha orët e ditës, pra jo vetëm natën.

“Ne zbuluam diçka të çuditshme, që ata flinin në mënyrë jo sinkronike. Ishte diçka shumë e rrallë që individë të caktuar të flinin në të njëjton kohë.”- thotë profesori.
Lind pyetja: Përse? Përgjigja mund të jetë se jeta në atë kohë ishte me të vërtetë e rrezikshme, pra njerëzit duhej të ishin gjatë gjithë kohës vigjilentë, pra zgjuar.

Ndryshe nga kjo, njerëzit në shoqëritë e zhvilluara kanë prirjen të qëndrojnë deri vonë zgjuar gjatë natës, ndërsa të moshuarit flenë herët dhe zgjohen herët.

“Me sa duket, kjo ka qenë një sjellje për t’u adaptuar me mjedisin, gjumi në intervale kohe të shkurtëra tek të moshuarit dhe fjetja me gjumë të lehtë disa herë në ditë, mund të ketë sjellë përfitime në procesin e zhvillimit të njerëzve”- thotë studjuesi.

Duket se tek të parët tanë gjumi nuk ka qenë njëlloj për të gjithë.

“Një përfundim i shkëlqyer që del nga ky studim, është variacioni në zakonet e gjumit tek njerëzit. Pra, kjo prirje e natyrshme e gjumit në Perëndim, që kemi sot, mund të quhet një çrregullim.”

Me sa duket, gjumi i shkurtër i pasdites, aq i nevojshëm për shumë njerëz, mund të jetë një zakon i mbetur nga të parët tanë, kur vigjilenca dhe të qënit zgjuar gjatë natës ishin të domosdoshme për të mbijetuar. (voa)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"