Katalonjë: 90% për shkëputjen nga Spanja

KatalonjaSeparatistët në Katalonjë festojnë rezultatin e referendumit. Ata kërkojnë shtetin e pavarur duke e futur Spanjën në krizën më të rëndë kushtetuese prej disa dekadash.

48 orë deri tek pavarësia. “Ligji i shkëputjes” i miratuar nga parlamenti katalonjas e parashikon këtë afat. Zëdhënësi i qeverisë rajonale të Katalonjës është shprehur në orët e para të së hënës në Barcelonë, se 90% e votuesve i kanë thënë “Po” shkëputjes.

Në votime do të kishin marrë pjesë më shumë vetë

Që të dielën në mbrëmje, kreu i shtetit katalonjas, Carles Puigdemont është shprehur për shkëputjen nga Spanja. “Ne kemi fituar të drejtën që të kemi shtetin tonë të pavarur”, tha ai në Barcelonë. Por vetëm 42% e 5,3 milionë njerëzve me të drejtë vote kanë dhënë votën e tyre. Gjithsej janë numëruar 2,26 milionë vota, dhe numri i votave pro kap shifrën e 2,02 milionë vetëve, ka thënë zëdhënësi. Ai kërkoi hapa ligjorë kundër qeverisë në Madrid, që të përgjigjet për dhunën e së dielës.

Me gjasë në votime do të kishin marrë pjesë më shumë njerëz, sikur Madridi të mos e kishte kategorizuar referendumin si ilegal. Policia pengoi në mënyrë masive zhvillimin e votimeve. Në të gjithë botën u shpërndanë pamje me policë të armatosur, që rrëmbyen fletëvotimet dhe penguan njerëzit në votime me shkopinj gome dhe plumba plastikë. 840 vetë u plagosën, sipas  të dhënave të qeverisë rajonale. “Nuk ka pasur referendum”, u shpreh Rajoy që theksoi se spanjollët janë orientuar gabimisht në një votim të jashtëligjshëm.

la/(afp, ap,dpa, rtr)

Gazeta “Die Welt”: Gastarbeiter të rinj vijnë nga Ballkani Perëndimor

Die WeltNë Gjermani numri i vizave të punës për shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë nga Ballkani është rritur me 70% në tetë muajt e parë 2017. „Die Welt“ i kushton (02.10) dy artikuj temës së punësimit të të huajve në Gjermani.

„Një punë në Gjermani, shumë njerëz në vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin këtë si të vetmen rrugëdalje nga papunësia në atdheun e tyre. Aplikantët pjesërisht duhet të presin një vit derisa Ambasadat Gjermane në vendet e tyre t’u lëshojnë vizën e punës. Megjithatë në tetë muajt e parë të vitit është rritur me 70% në 63.000 numri i vizave të punës të lëshuara nga Agjencia Federale e Punësimit, shkruan gazeta „Die Welt”, duke iu referuar të dhënave që posedon nga kjo agjenci. Një në tre viza pune për vendet e treta, sipas këtyre të dhënave, i ka kaluar një aplikanti nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Lehtësimi i procedurave për njerëzit nga vende si Shqipëria, Kosova apo Bosnjë-Hercegovina është aplikuar që nga fillimi i vitit 2016. Arsyeja është: se në kulmin e fluksit të refugjatëve në vitin 2015 vinin edhe shumë azilkërkues nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Autoritet gjermane ishin të papërgatitur nga ky fluks duke qenë të mbingarkuara me refugjatët nga Siria. Mëqënëse për të ardhurit nga Ballkani arsyeja e largimit nga atdheu ishte ekonomike, qeveria federale vendosi, një rregullore të re për këto vende duke i shpallur ato si vende të sigurta. (…) Në kushte të tilla nuk ka më të drejtë për azil. Kësisoj qysh nga viti 2016 kandidatë për punësim nga këto vende mund të aplikojnë për një vizë pune. Kushti i vetëm është, që ato të kenë një ofertë konkrete pune nga Gjermania. Atyre nuk u kërkohet një kualifikim minimal apo pagë minimale, sikurse ndodh në rastin e së ashtuqajturës Blue Card, që është e parashikuar për specialistë. (…) Kryesisht vizat e punës janë lëshuar për punëtorë në degën e ndërtimit, por ka nevojë për krah pune edhe në sektorin e gastronomisë, të shërbimeve dhe të kujdestarisë për të moshuarit. Në Berlin ky model konsiderohet si i suksseshëm dhe po diskutohet nëse rregullorja e vlefshme deri në vitin 2020 mund të shtrihet edhe për vende të tjera veç Ballkanit si p.sh. në rajonet e Afrikës Perëndimore, për të pasur kështu një migracion të organizuar. Në një analizë të fondacionit Friedrich-Ebert thuhet, se rregullorja për Ballkanin Perëndimor „bart potencial të madh në rrugën drejt një politike inovative migracioni”, shkruan „Die Welt”.

Një humbje e ndjeshme për albanologjinë shqiptare

Robert ElsieRobert Elsie, albanologu dhe përkthyesi i shqipes ndërron jetë në Berlin. Largimi i studiuesit të njohur lë një boshllëk në studimet shqiptare.

Autor, përkthyes, albanolog. Kështu e karakterizon veten në paraqitjen e tij në internet Robert Elsie. Për ata që e kanë njohur kanadezin me atdhe botën shqiptare, Robert Elsie mbetet më shumë: një studiues i pasionuar, i pazakontë i kulturës shqiptare, me këndvështrime origjinale dhe pa masë prodhimtar.

Janë të paktë studiuesit e huaj të kulturës shqiptare, që duke mos kursyer përkushtimin, kohën, mjetet personale financiare të kenë qenë kaq gjithëpërfshirës në punën e tyre: gjuha shqipe dhe historia e saj, letërsia shqipe dhe historia e saj, arti dhe historia e artit shqiptar, etnogjeneza e shqiptarëve dhe diskursi shkencor për të – për të gjitha këto aspekte e të tjera, Robert Elsie punoi si autor dhe si bashkëautor, si përkthyes dhe si ndërmjetës kulturash, si ambasador i kulturës shqiptare në botën perëndimore.

Të panumërta janë botimet ku Elsie ishte bashkëautor ose përzgjedhës artikujsh e këndvështrimesh. “Përralla shqiptare”, “Letërsia klasike shqiptare”, “Fiset shqiptare: historia, shoqëria, kultura”, “Udhëzues për kulturën historike të shqiptarëve”, “Fjalori historik i Shqipërisë”, “Fjalori historik i Kosovës” janë disa nga veprat që Elsie botoi si autor vetëm në vitet e fundit.

Lajmi i hidhur se sot, pas një sëmundjeje të rëndë prej disa muajsh, Robert Elsie u nda papritur nga jeta, qe tronditës për të gjithë ata që e kanë njohur. Partneri i jetës së Robert Elsie-t, Stefan Trierweiler, dhe miku i tij, Artur Metani na dërguan lajmin se “njoftohet me hidhërim të thellë vdekja e parakohshme e Dr. Robert Elsie, më 2 tetor 2017, nga sëmundja e rrallë e neuroneve motorike.”

Interesi për botën shqiptare

Interesi për kulturën shqiptare nisi te Elsie që në kohën kur bota shqiptare ishte e mbyllur nga perdet ideologjike. Instituti i Gjuhësisë i Bonn-it, rreth profesorit të njohur Johann Knobloch kishte një traditë të hershme për të organizuar udhëtime studimore sidomos në Shqipëri, po edhe në Kosovë. Pjesë e njerit nga këta udhëtime u bë që herët edhe Robert Elsie. Gjatë studimeve të mia shumë vjet më parë në Institutin e Gjuhësisë së Bonn-it, profesor Knobloch më ka treguar se Elsie kishte për shumë çështje të kërkimeve shkencore mendime origjinale të tijat. Krahas mbrojtjes së doktoraturës, Elsie nisi edhe punën në fushën e përkthimeve.

Me respekt të veçantë më flisnin për Robert Elsie-n kolegët e tij në Ministrinë e Jashtme Gjermane, ku ai punoi në fillim të viteve 1980 për disa vjet rresht si përkthyes. Ai ishte poliglot, më janë shprehur edhe së fundi vlerësues ish-kolegë të tij.

Në këtë kuadër, kryesisht deri në fillim të viteve 1990, Elsie ishte përkthyes në bisedime të nivelit të lartë të qeverisë gjermane. Më tej, si përkthyes i lirë ai e vuri dijen e tij gjuhësore edhe në shërbim të BE, Natos, Këshillit të Evropës e më tej. Prej vitit 2002 Elsie punoi kryesisht si përkthyes në ICTY, në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavinë. Këtu ai ishte përkthyes në gjyqet e disa prej aktorëve të njohur të tragjedisë jugosllave. Pas daljes në pension pak vite më parë, Elsie u vendos në Berlin, ku vazhdoi t’i kushtohej pasionit të tij, kulturës shqiptare dhe përkthimeve letrare.

Në një komunikim të pak muajve më parë me të, Elsie më shkruante se me sa dëshirë po u përkushtohej përkthimeve në Gjermani, pas rikthimit nga Holanda. Kjo ndonëse në mendje në radhë të parë kishte kulturën shqiptare e aspekte ende të pandriçuara të saj.

Humbje për albanologjinë

Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko i tha DW shqip se me vdekjen e Elsie-t “albanologjisë do t’i mungojë një mendje e ndritur”. Kuko tha se “e kishte njohur Robert Elsie-n shumë vjet më parë, nga pozitat e publikut shqiptar, kur ai shoqëronte personalitete gjermane.”Një humbje e madhe për botën kulturore të shqiptarëve”, vlerësoi Kuko.

Shkrimtarja shqiptare, Flutura Açka, që ishte në kontakt edhe së fundi me Robert Elsien, e vlerëson atë si “një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot”.  Nuk besova se përkthimi i poezive të mia, që më dërgoi pak ditë më parë, do të ishte lamtumira me të, i tha Açka DW.

Bashkëpunëtori dhe miku i tij, Artur Metani, bashkë me të cilin Roberti ka bërë një pjesë të madhe të regjistrimeve të tij për dialektet e shqipes, i tha sot DW,  se puna kërkimore e Robert Elsie-t u ndërpre me plotëkuptimin e fjalës në mes. Elsie po punonte së fundi për bektashinjtë shqiptarë dhe teqetë, i tha Metani DW.

Robert Elsie-n do ta kujtojmë të gjithë ne, që punuam në vite si kolegë me të: personalisht do ta mbaj mend si një koleg shumë të sjellshëm, të gatshëm për të bashkëpunuar, me dashuri të pakufishme për dijen dhe për kulturën shqiptare. (dw)

Lu: Qeveria t’i shpallë luftë krimit të organizuar

LuNë Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se është koha që qeveria shqiptare t’i shpallë luftë krimit të organizuar. Duke folur në ceremoninë e 20 vjetorit të Shkollës së Magjistraturës, ambasadori Lu tha se “drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht”.

Ambasadori Lu, citoi raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, kur tha se “Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që manaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave. Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallrat kontrabandë. Vendi ndihet në rrezik domethenës nga pastrimi i parave për shkak të një korrupsioni të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët”.

Ambasadori amerikan theksoi se Shqipëria ka bërë përparim domethenës vitet e fundit, duke përmendur procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve që do të nisë javën e ardhshme, apo në luftën kundër kultivimit të marijuanës, por “sfida më e madhe dhe më e vështirë është ende përpara”, nënvizoi ai.

Sipas ambasadorit amerikan “derisa peshqit e mëdhënj të arrestohen, të ndiqen penalisht dhe të futen në burg, cannabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin ryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen”. Ai solli dhe raste konkrete të emrave të njohur kriminelësh që në një mënyrë ose një tjetër i kanë shpëtuar sistemit të Drejtësisë, apo drejtojnë aktivitetet kriminale dhe kur janë të arrestuar. “Trafikanti i drogës si Emiljano Shullazi, për të cilin media pretendon se vazhdon të bëjë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Apo Lulzim Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që u lirua gabimisht herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e Drejtorit dhe juristit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha gjendet i lirë. Dhe së fundi, Klement Balili, një trafikant droge i kërkuar nga Greqia dhe DEA, por që ja ka dalë t’i shpëtojë Drejtësisë shqiptare për 18 muaj, falë paaftësisë së prokurorëve , policisë, dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ka shumë Shullazë, Lul Berisha e Klement Balilë në Shqipëri”, u shpreh ambasadori.

Zoti Lu, kujtoi gjithashtu se “në vitin 2016 policia arrestoi 1346 persona për kundërvajtje të lidhur me trafikimin e drogës. Më pak se 100 nga këto arrestime çuan në dënime për trafik droge në Gjykatën e krimeve të rënda Më shqetësues është fakti se kishte zero arrestime, zero dënim, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për furnizim, financim apo drejtim të organizatave kriminale të trafikut të drogës gjatë vitit 2016”.

Ambasadori amerikan u shpreh se “është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar. Nuk ka për të qenë e lehtë. Me gjasë do të jetë shumë e egër. Të arrish rezultate në uftën kundër krimit të organizuar kërkon durim, guxim dhe sakrificë”. (voa)

Fjalimi i rrallë i Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes, botuar në Gjermani 238 vjet më parë

Gjegj Kastrioti

549 vjet më parë vdiq Heroi Kombëtar i Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ai lindi në vitin 1405 dhe ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).

Kur lindi Gjergji, i ati Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje, deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Për ditën e vdekjes së Gjerg Kastriotit ka shumë legjenda dhe pak burime historike serioze.

Gjithsesi studiuesi i kësaj periudhe veçanërisht i jetës së Skënderbeut, Aurenc Bebja që jeton dhe punon prej vitesh në Francë ka mundur të zbulojë vitin e shkuar, një tekst të botuar 238 vite më parë në Gjermani ku përshkruhen fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes.

Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J. J.Kesler, Frankfurt.

Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve.

Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti:

“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj.

Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.

Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj.

Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…

Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë.

Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.

Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje.

Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj.

Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin.

Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes… Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…

Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…

Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…

Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…

Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë.

Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë

Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht.

Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fshehu mbretit pafajësinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…

Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.

Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës.

Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka.

Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer.

Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi.

Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij…

Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur.

Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit.

njëkomb

Një raketë e re që shkurton distancat mes kontinenteve

raketa e reElon Musk, miliarderi amerikan që zotëron kompanitë Tesla dhe Space X ka prezantuar planet për ndërtimin e një raketë të re, që do t’i lejojë pasagjerët të udhëtojnë nga një kontinent në tjetrin brenda rreth 30 minutave. Musk ka thënë se planifikon të fluturojë me anijen pa pilot në Mars aty nga viti 2018, dhe synon të nisë një mision me njerëz në Mars në vitin 2025.

Në një prezantim në Adelaide, të Australisë Elon Musk tregoi një video me imazhe të një rakete që niset nga Nju Jorku dhe mbërrin në vende të ndryshme anembanë botës, duke përfshirë Tokion dhe Shangain.

“Gjëja e bukur e të udhëtuarit në hapësirë është se nuk ka rezistencë nga shtypja atmosferike. Prandaj, sapo të dilet nga atmosfera, udhëtimi është i patrazuar dhe pa probleme. Nuk ka mot, nuk ka atmosferë. Dhe mund të udhëtosh në shumicën e vendeve të largëta në më pak se gjysmë ore. Meqë duam të shkojmë në Hënë dhe në Mars, përse jo edhe në vende të tjera në Tokë”- tha zoti Musk gjatë prezantimit.

Ai tha se udhëtimi nga Nju Jorku në Shangai mund të bëhet për 39 minuta, ndërsa për të udhëtuar nga Bangkoku në Dubai do të duhen 27 minuta, dhe 30 minuta për të shkuar nga Tokio në Delhi.

Elon Musk, i cili është themeluesi dhe kreu i kompaninë SpaceX dhe i kompanisë të makinave luksoze elektrike Tesla, tha se SpaceX ka në plan që udhëtimi i parë i kompanisë në planetin Mars të realizohet në vitin 2022.

“Qëllimi i këtyre misioneve fillestare është që të gjejmë burimin më të mirë të ujit. Kjo është për misionin e parë dhe pastaj për misionin e dytë, qëllimi është ndërtimi i centralëve të energjisë”.

Misioni i dytë planifikohet të ndodhë në vitin 2024. Ai tha se kompania synon të fillojë ndërtimin e anijes së saj të parë hapësinore në gjashtë deri nëntë muajt e ardhshëm.

Elon Musk tha gjithashtu se fluturimet hapësinore që do të bëjnë të mundur udhëtimin nga një kontinent në tjetrin; ato mund të ndihmojnë edhe për të paguar për misionet e ardhshme për në planetin Mars. (voa)

Jo vetëm Katalonja: Kërkesat për pavarësi në Europë

europa pavarsiPërkundër vullnetit të Madridit qeveria rajonale e Katalonjës do të mbajë një referendum për pavarësinë. Por nuk është vetëm Katalonja, në Europë ka edhe rajone të tjera që dëshirojnë pavarësimin nga qeveritë qendrore.

Në gjysmën lindore të Europës shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe e ish-Jugosllavisë kanë bërë që të krijohen shumë shtete të reja. Në Europën Perëndimore në të kundërt duket se shtetet e vjetra nacionale janë të konsoliduar prej kohësh. Por në këto themele gëlon dëshira për pavarësi e rajoneve në një sërë vendesh europiane, madje në disa prej tyre ka edhe përpjekje militante. Shanset për realizimin e një kërkese të tillë janë të ndryshme në vende të ndryshme.

Katalonja

Askund tjetër në Europë nuk është kaq e fortë tendenca për pavarësinë sa në Katalonjë. Ndërsa në kohën e diktaturës së Frankos shtypje ndjenja katalonjase, rajoni tashmë ka arritur një masë të gjerë autonomie politike dhe kulturore – ndër të tjera edhe duke pasur parlamentin evet rajonal. Por kjo nuk u mjafton shumciës së 7,5 milionë katalonjasve. Ata duan një shtet më vete, kryesisht për arsye ekonomike. Ata thonë, se Katalonja është rajoni më i pasur prej nga thith shteti spanjoll në tërësi. Rreth 20 përqind e produktit bruto spanjoll në vend realizohet në rajonin lindor përreth Barcelonës. Më 1 tetor qeveria rajonale ka shpallur referendumin për pavarësinë. Qeveria konservatore në Madrid e Mariano Rajoyt e refuzon referendumin dhe e konsideron atë antikushtetues e po pqërpiqet juridikisht e madje edhe me forcën e policisë që ta bllokojë atë duke sekusetruar fletët e votimit.

Rajoni i baskëve

Shumë katalonjas orientohen nga rajoni i baskëve. Në të gjithë Spanjën qeveria qendrore në Madrid mbledh taksat dhe i shpërndan ato në rajone të veçanta – por jo në rajonin e baskëve dhe në provincën që i përket atij Navarra me kryeqytet Pamplonan. Rajoni i baskëve i administron në mënyrë të mëvetsishme taksat dhe i paguan një shumë minimale Madridit. Rajoni i baskëve është ekonomikisht më i dobët se Katalonja. Ndonëse edhe nacionalizmi bask dhe gjuha baske janë shtypur nënd iktaturën e Frankos, një pakicë e vogël e nacionalistëve të sotëm baskë është militante. Organizata baske në ilegalitet, ETA, në rreth 50 vjet ka vrarë mbi 800 vetë, për trë arritur qëllimin e vet shkëputjen nga Madridi. Më 2011 ETA hoqi dorë nga dhuna. Por as sulmet dhe as bisedimet politike nuk e kanë mundësuar një referendum, pa folur më për pavarësinë. Një referendum në nëntor 2014 u kthye në një votë simbolike. Vetëm qeveria qendrore në spanjolle mund të mbajë një referendum të tillë, sipaskushtetutës spanjolle, por qeveria në Madrid e refuzon atë po ashtu si edhe referendumin në Katalonjë.

Skocia

Qysh prej 300 vjetësh ekziston unioni mes Skocisë dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Por skocezët ka kohë që kërkojnë një autonomi më të zgjeruar. Një parlametn më vete ata e kanë. Por partia nacionale skoceze kërkon mëvetësinë. Më 2014 Londra lejoi referendumin për pavarësinë. Ndonëse shumica e skocezëve votuan kundër ndarjes, më 2016 fryma e pavarësisë u ringjall për shkak të referendumit ndaj BE-së në Britaninë e Madhe dhe procesin e daljes së saj nga BE-ja. Pas vendimit të britanikëve për daljen nga BE-ja kryeministrja e Skocisë Nicola Sturgeon u orientua nga nacionalistët: përderisa zgjedhësit në Skoci kanë votuar me shumicë për mbetjen e Britanisë së Madhe në BE, është e papranueshme, që Skocia automatikishttë dalë bashkë me Britaninë e Madhe nga BE-ja. Kur të bëhen të njohura më shumë detaje për brexit, në vjeshtën e vitit 2018 ajo do të mbajë një rëeferendum për pavarësinë ngjashëms i në vitin 2014.

Flandra

Në zgjedhjete fundit parlamentare në Belgjikë më 2014 Aleanca e re flamande nën unter Bart De Wever doli forca më e madhe politike në Flandër. De Wever është i bindur, që shteti i tërë belg gjithsesi do të “shpërbëhet” dhe se Flandra pa Valoninë do të jetë më mirë ekonomkisht. Një Flandër të pavarur ai synon ta arrijë ëprmes bisedimeve. Separatizmi flamand është një rast i veçantë: Belgjika gjithsesi përbëhet nga flamandët që flasin holandisht dhe valonët që flasin frëngjisht duke përfshirë këtu edhe komunitetin gjermanofon dhe Brukselin që ka dy gjuhë zyrtare. Ndëse Flandra shkëputet, Belgjika do të humbiste më shumë se gyjsmën e popullsisë si dhe forcën ekonomike. Nga Belgjika do të mbejet shumë pak. Pika më e nxehtë e debatit është në këtë rast statusi i Brukselit, që është edhe selia e BE-së dhe e NATO-s. Se çfarë do të ndodhte me Valoninë, është edhe kjo e paqartë. Madje ideja e atashimit Francës, Luksemburgut apo madje Gjermanisë ka qarkulluar përkohësisht. Sidoqoftë debati tashmë është i tejkaluar e deri më sot belgët jkanë afruare dhe më shumë ndër vete.

“Padania”

Lëvizja separatiste në Veri të Italisë është e motivuar thjeshtë nga ekonomia. Veriu me rajonet e Lombardisë, Aostës, Piemontit, Ligurias, Venetos dhe Emilia-Romagnas realizojnë me ndërmarrjet e tyre industriale dhe bankat pjesën më të madhe të produktit social italian. Shumë italiano-veriorë besojnë, se Italia e Mesme dhe ajo e Jugut konsumojnë paranë e fituar me mund në Veri të vendit. Partia Lega Nord në vitet 1990 donte shkëputjen e plotë të veriut “Padanias”, që rrjedh prej emërtimit italian  “pianura padana” për luginën e Posë. Sot Lega Nord është bërë më e moderuar. Tani ajo synon vetëm, që veriu ta mbajë për vete pjesën më të madhe të parave të xhiruara dhe t’i administrojë vet ato, në vend që ato t’i kalojnë Romës.

Tiroli i Jugut

Në Tirolin e Jugut bashkohen faktorë ekonomikë, historikë dhe kulturorë. Tiroli i Jugut deri në fund të Luftës së Parë Botërore i përkiste Perandorisë Austrio-Hungareze, më pas ai iu caktua Italisë. Pas fazës së italianizimit në kohën e Musolinit Tiroli i Jugut pas Luftës së Dytë Botërore fitoi më shumë autonomi politike dhe gjuhësore. Madje në pjesën më të madhe të ardhurat shtetërore ky rajon lejohet t’i mbajë vet. Tirolezët jugorë dukeshin për një kohë të gajtë të kënaqur. Por kriza e burxheve shetëtërore i  rindëzi përkohësisht ndejnjat e separatizmit. Italia është pas Greqisë vendi me më shumë borxhe në Eurozonë, e ekonomia nuk po rimëkëmbët. Shumë tirolezo-jugorë, të cilët janë mirë ekonomikisht, nuk duan të kenë të bëjnë me problemet e Italisë dhe prandaj kërkojnë “shkëputjen nga Roma”.

Korsika

Shteti francez prej kohësh është përpjekur, që ta spostojë nga jeta publiek dhe në shkolla gjuhën krosikane në ishull. përpjekjet për autonomi janë luftuar. Grupet militante, kryesisht ai FLNC, për shumë vite janë përpjekur të shkëputen me dhunë nga Franca, duke kryer sulme kundër përfaqësuesve apos imboleve të shtetit të Francës apo edhe shtëpive të pushimit në kontinent. Më 2014 FLNC dekalroi se do të heqë dorë nga lufta në ilegalitet. Por potenciali i konfliktit mbetet: propozimet e rezervuara për autonomi të qeverisë socialiste franceze nën Lionel Jospin në vitin 2000 e nxorrën opozitën konservatore në barrikada. Ajo besonte, se edhe rajone të tjera si Bretanja apo Alzasa mund të kërkonin pavarësinë. Tradicionalisht në Paris merren fare pak parasysh gjuhët rajonale, sepse tek to shihet të rrezikohet uniteti i vendit.

Bavaria

Fare pak bavarezë mendojnë soriozisht për krijimin e një shteti më vete. Por sidoqoftë Bavaria gëzon zyrtarisht qysh sot termin “shteti ilirë”. E me këtë Bavaria ka mundur të mbijetojë mirë. Ky është landi me sipërfaqen më të madhe ndër landet federale të Gjermanisë, me 13 milionë banorë ky rajon ka më shumë banorë se Suedia apo Portugalia dhe po ashtu ka rendimentin më të lartë ekonomik ndër landet federale. Nëse erkziston dëshira për më shumë mëvetësi të bavarezëve, atëherë kjo rrjedh kryesisht prej kompensimit financiar mes landeve, sistem ky përmes të cilit harmonizohen pjesërisht dallimet në mirëqenie mes landeve të pasura dhe të varfëra. Bavaria do të preferonte të paguante më pak në arkën e përbashkët. Por edhe këtu ka separatistë të mirfilltë. Politikani kristiansocial Wilfried Scharnagel në librin e botuar më 2012 bën thirrje, se “Bavaria mund t’ia dalë edhe vetëm” duke kërkuar kështu shkëputjen nga njësia e shtetit gjerman. Por deri më tani nuk ështëkrijuar ndonjë levizje më e madhe se kaq.  (voa)

Rritja ekonomike, mbi 4 për qind. Më e larta që prej vitit 2012

rritja ekonomikeRritja ekonomike kërceu mbi katër përqind në tremujorin e dytë të vitit duke konfirmuar se aktiviteti ekonomik në vend është forcuar më tej.

Instituti i Statistikave raportoi se prodhimi kombëtar për periudhën prill-qershor u zgjerua me 4.06 përqind më bazë vjetore e udhëhequr nga ndërtimi, industria dhe turizmi.

Të dhënat historike tregojnë se rimëkëmbja e ekonomisë vazhdon të fitojë terren në mënyrë të qëndrueshme. Sipas INSTAT, kjo është rritja më e lartë ekonomike e shënuar në tremujorin e dytë që nga viti 2012.

Paralelisht të dhënat tregojnë se rigjallërimi i aktivitetit ekonomik është me bazë të gjerë, pasi prodhimi është rritur në 9 nga 11 sektorët e ekonomisë.

Zgjerimi me 4.06 përqind i ekonomisë për periudhën prill-qershor pason rritjen 3.94 përqind të shënuar në tremujorin e parë të vitit. Kjo do të thotë se në total për gjashtëmujorin e parë, prodhimi kombëtar në 2017-ën është zgjeruar me rreth 4 për qind, një shifër kjo më e lartë se pritshmëritë e FMN-së, por edhe vetë qeverisë.

Të dhënat sugjerojnë se veç përmirësimit të ambientit, aktiviteti ekonomik në gjysmën e parë të vitit mund të ketë përfituar edhe nga shpenzimet publike gjatë fushatës elektorale.

Por pavarësisht këtij efekti, statistikat e INSTAT tregojnë se pas 9 vitesh, rritja ekonomike në Shqipëri rikthehet sërish mbi nivelin 4 përqind, një shifër e cila nëse do të konfirmohet edhe në 6 mujorin e dytë, duket se e ndan përfundimisht ekonominë shqiptare nga kriza globale e vitit 2008, më e thella që bota ka përjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore.

/ Top Channel

Gerhard Shrëder i besuar i Kremlinit

Putin SchrederIsh-kancelari gjerman Gerhard Shrëder pritet të zgjidhet anëtar i bordit drejtues të gjigandit rus të naftës dhe gazit Rosneft.

Koncerni Rosneft i përket me rreth 70% shtetit rus. Kancelarja Angela Merkel e quajti angazhimin e Shrëderit në kryesinë e këtij koncerni si diçka jo të mirë. Rosnefti bën pjesë në radhët e atyre sipërmarrjeve që janë ngarkuar me sanksione nga BE-ja për shkak të pushtimit të Krimesë nga Rusia.

Politikanë të tjerë gjermanë u shprehën edhe më ashpër se kancelarja Merjkel. Sekretari i përgjithshëm i CSU-së , Andreas Scheuer, e quajti Shrëderin “mercenar rus”. Kurse euro-deputeti i të Gjelbërve, Reinhard Bütikofer , e quajti atë “shërbëtor me pagesë të politikës së Putinit”.

Shrëderi është që prej përfundimit të karrierës së tij poltike, kryetar i bordit të aksionerëve të konsorciumit të gazsjellësit Nord Stream, shumicën e aksioneve të cilit i ka në zotërim koncerni shtetëror rus Gazprom.

Ish-kancelari 73-vjeçar u mbrojt me forcë ndaj kritikave dhe tha se “bëhet fjalë për jetën time dhe për të vendos unë dhe jo shtypi gjerman.” Partia Socialdemokrate, së cilës i përket kancelari, mendon ndryshe. Martin Shulc u distancua në një intervistë prej Shrëderit duke thënë se “çfarë bën një ish-kancelar është jo tërësisht çështje private”, sidomos kur ai vazhdon të përzihet në jetën politike gjermane, gjë që Shrëderi e bën me kënaqësi.

“Turqia mbetet prioritet në politikën e jashtme për Maqedoninë”

“Turqia mbetet prioritet në politikën e jashtme për Maqedoninë”Turqia ka qenë dhe do të jetë në majën e prioriteteve të jashtme politike të Maqedonisë. Vëllimi i investimeve të huaja nga Turqia në Ballkan dhe Maqedoni është i konsiderueshëm, por ende ekziston hapësirë për përmirësim, u vlerësua në panel diskutimin që mbrëmë në Shkup e organizoi Shoqata e studentëve të diplomuar nga universitetet e Turqisë.

Në panel diskutimin u theksua se bashkëpunimi në planin kulturor, ekonomik, politik dhe akademik është dhe duhet të mbetet prioritet për të mirën e dy shteteve.

Sipas ish-kryeministrit të Turqisë dhe deputet nga Konja, Ahmet Dautoglu, i cili ishte folës kryesor në panel diskutimin, afërsia midis Maqedonisë dhe Turqisë veçanërisht te gjeneratat e reja është kyç për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të ardhshme bilaterale, ndërsa Shoqata e studentëve të diplomuar nga universitetet turke duhet ta marrë rolin e katalizatorit të zhvillimit përmes institucioneve arsimore.

“Neve na duhen njerëz të cilët ndërtojnë ura, e jo mure”, theksoi Davutoglu.

Në panel diskutim pati fjalim edhe ambasadorja turke Tylin Erkan Kara, ndërsa folën edh përfaqësuesit nga partitë politike dhe sektori i biznesit.

Qëllimi i panel diskutimit ishte që të rishikohen sfidat potenciale në zhvillimin e bashkëpunimit të ardhshëm midis Maqedonisë dhe Turqisë si në nivel ekonomik, ashtu edhe në atë politik, si dhe ruajtjen e marrëdhënieve bilaterale dhe krijimin e një klime që do ta rrisë afirmimin e investitorëve turq në Maqedoni dhe eksportuesit e Maqedonisë në Turqi./Telegrafi/

Qendra Informative Shqiptare "Liria"